Rinia
6. Duajeni Perëndinë, duajeni të afërmin tuaj


Samaritani i mirë

6.

Duajeni Perëndinë, duajeni të afërmin tuaj

Mateu 22:37–40

Për t’ju ndihmuar që të bëni zgjedhje të mira, Perëndia jep urdhërime. Ai e bën këtë sepse ju do. Dhe arsyeja më e mirë për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë, është se ju e doni Atë. Dashuria është në thelb të urdhërimeve të Perëndisë.

Të Vërtetat e Përjetshme

Perëndia ju do. Ai është Ati juaj. Dashuria e Tij e përsosur mund t’ju frymëzojë që ta doni Atë. Kur dashuria juaj për Atin Qiellor është ndikimi më i rëndësishëm në jetën tuaj, shumë vendime bëhen më të lehta.

Dy urdhërimet më të mëdha nga të gjitha janë të doni Perëndinë dhe të doni të afërmin tuaj. Cili është i afërmi juaj? Çdo njeri! Çdo gjë tjetër e dhënë mësim në shkrimet e shenjta dhe nga profetët lidhet me këto dy urdhërime.

Të gjithë njerëzit janë vëllezërit tuaj dhe motrat tuaja, përfshirë natyrisht njerëz që janë të ndryshëm nga ju ose që nuk bien dakord me ju. Ati Qiellor dëshiron që fëmijët e Tij ta duan njëri‑tjetrin. Kur u shërbeni fëmijëve të Tij, ju po i shërbeni Atij.

Ftesat

Tregojeni dashurinë për Perëndinë duke i zbatuar urdhërimet e Tij. Për shembull, duke e mbajtur të shenjtë ditën e Shabatit, përfshirë përgatitjen për sakramentin dhe marrjen e tij me besnikëri, ju i tregoni Perëndisë se jeni i gatshëm t’i kushtoni Atij një ditë në javë. Kur agjëroni dhe paguani të dhjetat dhe ofertat, ju i tregoni Perëndisë se vepra e Tij është më e rëndësishme për ju sesa gjërat materiale. Kur i përdorni emrat e Perëndisë dhe të Krishtit me nderim, asnjëherë në një mënyrë të kotë apo të rastësishme, ju tregoni se jeni mirënjohës për gjithçka që Ata kanë bërë për ju.

Trajtojeni çdo njeri si një fëmijë të Perëndisë. Si dishepull i Jezu Krishtit, ju mund të jeni një shembull në trajtimin e njerëzve të të gjitha racave, feve dhe të çfarëdolloj grupi tjetër me dashuri dhe respekt, veçanërisht ata që ndonjëherë janë viktima të fjalëve dhe veprimeve lënduese. Shkojuni në ndihmë atyre që mund të ndihen të vetmuar, të veçuar ose të pafuqishëm. Ndihmojini ta ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor nëpërmjet jush. Tregojuni atyre bekimet që Ai ju ka dhënë dhe ftojini që të ndjekin Jezu Krishtin.

Sigurohuni që e folura juaj të pasqyrojë dashurinë tuaj për Perëndinë dhe të tjerët, qoftë nëse jeni duke komunikuar në prani fizike apo në mënyrë virtuale. Thoni gjëra që lartësojnë moralisht, asgjë që mund të jetë përçarëse, lënduese ose fyese, qoftë edhe si shaka. Fjalët tuaja mund të jenë të fuqishme. Le të jenë të fuqishme për mirë.

Shfaqini dashuri familjes suaj. Dashuria për të gjithë fëmijët e Perëndisë fillon në shtëpi. Bëni pjesën tuaj për ta bërë shtëpinë tuaj një vend ku të gjithë mund ta ndiejnë dashurinë e Shpëtimtarit.

Jezu Krishti (në pellgun e Betesdës) duke ngritur një batanije nën të cilën shtrihet një burrë i gjymtuar

Bekimet e Premtuara

Marrëdhënia juaj me Perëndinë do të thellohet ndërsa e shprehni dashurinë tuaj duke iu bindur urdhërimeve të Tij dhe duke i mbajtur besëlidhjet tuaja me Të.

Marrëdhënia juaj me të tjerët do të thellohet ndërsa e shprehni dashurinë tuaj nëpërmjet shërbimit si të Krishtit. Do të gjeni gëzim duke e bërë botën një vend më të dashur.

Pyetje dhe Përgjigje

Si mund ta ndiej dashurinë e Perëndisë? Dashuria e Atit Qiellor është gjithmonë në dispozicion. Flitni shpesh me Të nëpërmjet lutjes. Tregojani Atij ndjenjat tuaja dhe kushtojuni vëmendje mbresave prej Tij. Lexojini fjalët e Tij në shkrimet e shenjta. Mendoni për gjithçka që Ai ka bërë për ju. Shpenzoni kohë në vende dhe veprimtari ku Shpirti i Tij është i pranishëm.

A pret Zoti që unë t’i dua të gjithë, madje edhe ata që më trajtojnë keq? Zoti pret që ju t’i doni armiqtë tuaj dhe të luteni për ata që ju keqtrajtojnë. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se ju duhet të qëndroni në një situatë që ju shkakton dëmtim emocional, fizik apo shpirtëror. Vendosni kufij të shëndetshëm për ta ruajtur veten të sigurt. Nëse po ju bullizojnë apo keqtrajtojnë, ose e dini se kjo po i ndodh dikujt tjetër, bisedoni me një të rritur tek i cili ose e cila keni besim.

Kur dhe si duhet të filloj të njihem me anëtarë të gjinisë së kundërt? Mënyra më e mirë për të filluar që të njiheni me të tjerët, është nëpërmjet miqësisë së vërtetë. Ndërkohë që jeni të rinj, krijoni miqësi të mira me shumë njerëz. Në disa kultura, të rinjtë e të rejat fillojnë të njohin anëtarë të gjinisë së kundërt nëpërmjet aktiviteteve të shëndetshme në grup. Për zhvillimin dhe sigurinë tuaj emocionale dhe shpirtërore, shtyjini aktivitetet tek për tek derisa të jeni të pjekur, mosha 16 vjeç është një orientim i mirë. Këshillohuni me familjen dhe udhëheqësit tuaj. Ruajini marrëdhëniet vetëm me një individ kur të jeni më të mëdhenj në moshë. Shpenzoni kohë me ata që ju ndihmojnë t’i mbani zotimet tuaja ndaj Jezu Krishtit.

Çfarë mund të bëj nëse shtëpia ime nuk është një vend dashurie? Shpëtimtari juaj e di situatën tuaj dhe Ai ju do. Jini të duruar, vazhdoni t’i zbatoni urdhërimet e Perëndisë dhe jini një shembull i mirë për familjen tuaj. Veprimet tuaja të thjeshta të dashurisë mund të sjellin një ndryshim të madh. Gjithashtu mund të ndërtoni marrëdhënie brenda lagjes suaj si familje. Përgatituni tani për ta ndërtuar vetë familjen tuaj mbi themelin e mësimeve të Jezu Krishtit. Mbajeni mend: Jezu Krishti është forca juaj!

Shihni tek Isaia 58:3–11 (qëllimet e agjërimit); 58:13–14 (bekimet e nderimit të Shabatit); Malakia 3:8–10 (bekimet e pagimit të së dhjetës); Lluka 6:27–28 (duajini armiqtë tuaj); 10:25–37 (kush është i afërmi im?); Gjoni 3:16–17 (Perëndia na do, prandaj Ai dërgoi Birin e Tij); 14:15 (ne i zbatojmë urdhërimet ngaqë e duam Perëndinë); 1 Gjon 4:19 (ne e duam Perëndinë ngaqë Ai na do); Mosia 2:17 (kur u shërbejmë të tjerëve, ne po i shërbejmë Perëndisë).

Pyetjet për Rekomandimin e Tempullit

  • A i ndiqni mësimet e Kishës së Jezu Krishtit në sjelljen tuaj më vete dhe publike me pjesëtarët e familjes suaj dhe të tjerët?

  • A jeni pagues/e i/e së dhjetës së plotë?