Rinia
9. Ju bekoheni nga çelësat dhe autoriteti i priftërisë


lajmëtarë qiellorë duke rivendosur çelësat e priftërisë në Tempullin e Kirtlandit

9.

Ju bekoheni nga çelësat dhe autoriteti i priftërisë

Mateu 16:18–19

Kur Jezusi i dha mësim Pjetrit rreth autoritetit të priftërisë, Ai foli për çelësat. Çelësat përdoren për të shkyçur dhe hapur gjëra. Çelësat e priftërisë mund të shkyçin fuqinë, dhuratat dhe bekimet e Perëndisë në jetën tuaj.

Të Vërtetat e Përjetshme

Të gjithë çelësat dhe autoriteti i priftërisë vijnë nëpërmjet Jezu Krishtit. Çdo mbajtës i priftërisë mund të gjurmojë autoritetin e tij deri tek Ai. Shpëtimtari përcakton se kush e merr këtë autoritet dhe kush i merr çelësat e priftërisë. Ne i mirëbesojmë njohurisë së Tij të përsosur.

Jezu Krishti e ka rivendosur priftërinë e Tij në kohën tonë. Ai drejton se si do të përdoret priftëria. Adami, Moisiu, Pjetri dhe shumë profetë të tjerë gjatë gjithë historisë, i morën çelësat e priftërisë. Në kohën tonë, Jozef Smithi i mori çelësat e priftërisë nga Gjon Pagëzori, Pjetri, Moisiu, Eliasi, Elija dhe të tjerë. Anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve i mbajnë të gjithë çelësat e priftërisë në tokë sot. Udhëheqësit vendorë të priftërisë dhe presidentët e kuorumeve gjithashtu mbajnë çelësat e priftërisë për thirrjet e tyre. Çelësat e priftërisë qeverisin veprën e Perëndisë. Ata autorizojnë dhe fuqizojnë burra e gra për të ndihmuar në atë vepër.

Autoriteti i priftërisë i bekon të gjithë fëmijët e Perëndisë. Ngaqë u rivendos priftëria, ju mund të merrni ordinanca dhe të bëni besëlidhje me Perëndinë. Mund të veproni në emër të Perëndisë kur merrni një detyrë ose thirrje nga dikush me autoritet.

Ftesat

Pranojini thirrjet në Kishë dhe shërbeni me besnikëri. Kur merrni një thirrje në Kishë, ju veçoheni me autoritet nga Perëndia për të shërbyer në atë rol. Gjithashtu mund të merrni udhërrëfim nga Perëndia për shërbimin tuaj. Teksa shërbeni, ju përfaqësoni Jezu Krishtin. Jepini Atij më të mirën tuaj.

Mbështetini ata të cilët Perëndia i ka thirrur të shërbejnë. Të mbështetni do të thotë më shumë se thjesht të ngrini dorën kur lexohet një emër në një mbledhje të Kishës. Do të thotë të përkrahni dhe të ndihmoni. Kërkoni mënyra që të tregoni se i mbështetni njerëzit që Jezu Krishti i ka thirrur për të shërbyer në Kishën e Tij.

Përmbushini detyrat që ju caktohen nga udhëheqësit tuaj të Kishës – përfshirë nga kuorumi ose presidenca e klasës suaj. Ata kanë autoritet nga Perëndia, të cilin jua delegojnë për atë detyrë. Ju mund të caktoheni për t’i dhënë shërbesë dikujt, për të mirëpritur njerëzit teksa mbërrijnë në mbledhjen e sakramentit ose për të ndihmuar për një aktivitet. Cilado qoftë detyra, shikojeni si mundësi për të qenë dishepull i Jezu Krishtit dhe për t’u shërbyer fëmijëve të Perëndisë.

Jezu Krishti duke u pagëzuar nga Gjon Pagëzori në lumin Jordan

Bekimet e Premtuara

Ju mund të mirëbesoni se ordinancat që merrni, autorizohen nga Jezu Krishti. Kjo është një nga gjërat që e bën të pashoqe Kishën e Jezu Krishtit. Nëpërmjet ordinancave të priftërisë shfaqet fuqia e Perëndisë.

Ju do të bëheni një mjet në duart e Zotit. Kur i shërbeni Zotit me autoritetin e Tij dhe nën drejtimin e shërbëtorëve të Tij të cilët mbajnë çelësat e priftërisë, Ai do t’ju ndihmojë të dini se si t’u shërbeni të tjerëve në veprën e Tij. Jezu Krishti është forca juaj. Shërbimi juaj do t’ju ndihmojë të afroheni më pranë Tij dhe do t’ju sjellë gëzim.

Pyetje dhe Përgjigje

Kush i mban çelësat e priftërisë në lagjen time? Peshkopi dhe presidentët e kuorumeve të pleqve, mësuesve dhe dhjakëve mbajnë çelësat e priftërisë. Kjo do të thotë që Zoti i ka caktuar ata të drejtojnë mënyrën se si përdoret priftëria për të shërbyer dhe për të bekuar çdo njeri në lagje.

Si më bekojnë çelësat e priftërisë? Ordinanca të tilla si pagëzimi dhe sakramenti autorizohen nëpërmjet çelësave të priftërisë. Kur merrni një thirrje në Kishë, ju veçoheni nën drejtimin e dikujt që mban çelësat. Kjo ju bekon me autoritet për të shërbyer në atë thirrje. Udhëheqësit dhe mësuesit e Kishës, të cilët ju shërbejnë, gjithashtu morën autoritet priftërie nëpërmjet çelësave.

Si shërbejnë burrat dhe gratë me autoritetin e priftërisë? Burrave të denjë u jepet priftëria dhe shugurohen në detyra priftërie si dhjak, mësues, prift dhe plak. Si gratë ashtu edhe burrat që veçohen për të shërbyer në një thirrje, marrin autoritet të priftërisë të deleguar nga Perëndia për ta përmbushur atë thirrje. E njëjta gjë është e vërtetë për gratë dhe burrat që marrin një detyrë të caktuar nga një udhëheqës i Kishës.

Shihni te Doktrina e Besëlidhje 35:24–27 (Kisha udhëhiqet nëpërmjet çelësave që ka dhënë Zoti); 107:18–20 (çelësat e Priftërisë Melkizedeke dhe Priftërisë Aarone); 110:11–16 (Moisiu, Eliasi dhe Elija rivendosën çelësat).

Pyetjet për Rekomandimin e Tempullit

  • A e mbështetni Presidentin e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme si profet, shikues dhe zbulues dhe si të vetmin njeri në tokë të autorizuar që t’i ushtrojë të gjithë çelësat e priftërisë?

  • A i mbështetni anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve si profetë, shikues e zbulues?

  • A i mbështetni Autoritetet e tjera të Përgjithshme dhe udhëheqësit vendorë të Kishës?