Rinia
8. Ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit ju japin të drejtë më të madhe për bekimet e Perëndisë


Jezu Krishti i ulur dhe duke u dhënë mësim dishepujve të Tij

8.

Ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit ju japin të drejtë më të madhe për bekimet e Perëndisë

Doktrina e Besëlidhje 95:8

Disa nga bekimet e Atit Qiellor janë kaq të shenjta sa Ai na ka urdhëruar që të caktojmë vende të veçanta e të shenjta ku mund t’i marrim ato: tempujt. Në tempull, në shtëpinë e Zotit, ju mund të merrni ordinancat e Tij më të larta, dhurimin dhe vulosjen, dhe të merrni premtimet e Tij më të mëdha.

Të Vërtetat e Përjetshme

Dhurimi është një dhuratë diturie dhe fuqie. Në ordinancat e dhurimit në tempull ju e merrni emrin e Shpëtimtarit mbi vete më plotësisht. Ju besëlidhni t’i bindeni Perëndisë, të sakrifikoni për të bërë vullnetin e Tij, të jetoni ungjillin e Jezu Krishtit, t’i bindeni ligjit të dëlirësisë dhe t’ia kushtoni, ose dedikoni Kishës së Tij, jetën dhe gjithçka që ju ka dhënë Perëndia. Këto janë premtimet tuaja. Perëndia premton t’ju bekojë me njohuri, mbrojtje dhe të drejtë më të madhe përdorimi të fuqisë së Tij. Ai gjithashtu premton t’ju japë jetë të përjetshme me Të. Si pjesë e dhurimit, ju merrni privilegjin e shenjtë të mbajtjes së veshjes së brendshme të priftërisë së shenjtë. Veshja e brendshme është një simbol i Jezu Krishtit dhe një kujtues i besëlidhjeve tuaja të tempullit.

Vulosja në tempull i bashkon çiftet dhe familjet për përjetësinë. Në ordinancën e vulosjes në tempull, ju dhe bashkëshorti/ja juaj do të bëni një besëlidhje me Perëndinë dhe me njëri‑tjetrin. Ju do të premtoni që të jeni tërësisht besnikë ndaj Perëndisë dhe ndaj njëri‑tjetrit, ta doni dhe t’i shërbeni njëri‑tjetrit dhe të punoni së bashku për të zbatuar ligjet e Perëndisë. Ky është premtimi juaj. Perëndia premton se marrëdhënia juaj me bashkëshortin/en tuaj dhe fëmijët tuaj mund të zgjatë përgjithmonë. Ai gjithashtu premton se ju mund të merrni lavdinë më të madhe me Të në mbretërinë çelestiale kur i mbani besëlidhjet tuaja. Ky bekim quhet ekzaltim.

Ftesat

Kini gjithmonë një rekomandim tempulli. Takohuni me një anëtar të peshkopatës suaj për të marrë një rekomandim. Ai do t’ju bëjë pyetje rreth mënyrës se si po i jetoni standardet e Zotit për të hyrë në shtëpinë e Tij të shenjtë. Rishikojini këto pyetje shpesh. (Mund t’i gjeni ato në shtojcën e këtij udhëzuesi.) Edhe nëse jetoni larg nga një tempull, lejojeni rekomandimin tuaj që të jetë simbol i dashurisë suaj për Zotin dhe zotimit tuaj për të jetuar standardet e Tij.

Shkoni në tempull sa më shpesh që të mundeni. Me rekomandimin tuaj të tempullit, mund të hyni në shtëpinë e Zotit dhe të pagëzoheni e konfirmoheni për paraardhësit tuaj, që ata të mund të marrin bekimet që ju janë dhënë. Përfitoni nga çdo mundësi për të qenë në tempull. Kërkojeni Zotin në shtëpinë e Tij. Kërkojeni Atë në ordinancat, simbolet dhe Shpirtin që ndieni. Do ta gjeni Atë.

Përgatituni që të bëni besëlidhje në shtëpinë e Zotit. Një nga mënyrat më të mira për ta bërë këtë gjë, është të mbani besëlidhjen tuaj të pagëzimit. Bëjeni atë njërin nga synimet tuaja udhërrëfyese për të marrë ordinancat e tempullit dhe për të qenë një mbajtës i besëlidhjeve gjatë gjithë jetës. Filloni tani të jetoni ligjet, të cilave do të premtoni t’u bindeni në tempull: bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë, sakrifica, ungjilli i Jezu Krishtit, dëlirësia dhe përkushtimi. Familja, peshkopi juaj dhe udhëheqës të tjerë të Kishës mund t’ju ndihmojnë.

Tempulli i Tegusigalpës, Honduras

Bekimet e Premtuara

Ju mund të bëheni më shumë si Jezu Krishti. Ai do t’ju ndihmojë të bëheni një ndjekës më i madh i drejtësisë. Ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit do t’ju mësojnë se si të hyni në praninë e Perëndisë dhe të merrni jetë të përjetshme me Të.

Ju do të armatoseni me fuqinë e Perëndisë. Besëlidhjet e tempullit vijnë me premtimin se fuqia dhe lavdia e Perëndisë do të jenë mbi ju. Engjëjt e Tij do të bëjnë rojë për ju.

Koha në tempull do t’ju lidhë më ngushtë me Jezu Krishtin dhe Frymën e Shenjtë. Do të ndieni paqen dhe prehjen e Perëndisë. Do ta dëgjoni zërin e Tij me qartësi më të madhe. Qiejt do t’ju hapen dhe do t’i kuptoni më mirë udhët e Tij. Do të keni forcë më të madhe për t’u përballur me sfidat tuaja, sepse zemra juaj lidhet me zemrën e Tij.

Pyetje dhe Përgjigje

Kur mund ta marr ordinancën e dhurimit? Vendimi për të marrë ordinancën e dhurimit është vetjak; merreni këtë vendim plot lutje. Këshillohuni me familjen dhe udhëheqësit tuaj të Kishës. Për ta marrë dhurimin, ju nevojitet të jeni të paktën 18 vjeç/e dhe të mos jeni më në shkollë të mesme ose shkollë të mesme profesionale. Do ta merrni dhurimin përpara se të shërbeni në një mision ose të vuloseni, por nuk duhet të prisni për asnjërën prej këtyre ngjarjeve përpara se të merrni dhurimin. Thjesht ju nevojitet dëshira dhe përgatitja për të bërë e mbajtur besëlidhje shtesë me Atin tuaj Qiellor. Peshkopi ose presidenti juaj i degës mund t’ju ndihmojë të dini a jeni i/e përgatitur. Mos e shihni dhurimin si një detyrë në një listë të përjetshme detyrash. Shiheni atë si një pjesë të bukur dhe të lavdishme të udhëtimit tuaj të përjetshëm që të vini te Krishti dhe që të merrni bekimet më të mëdha shpirtërore të Perëndisë.

Përse më nevojitet një rekomandim tempulli që të hyj në tempull? Tempulli është shtëpia e Zotit dhe Ai vendos standarde për t’u futur në të. Ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit janë kaq të shenjta sa ato kërkojnë përgatitje të veçantë shpirtërore. Intervista për rekomandim tempulli ka për qëllim që të sigurojë se jeni i/e përgatitur shpirtërisht për privilegjet më të larta të besëlidhjeve të tempullit. Ati Qiellor i fton të gjithë fëmijët e Tij që të përgatiten për të bërë premtime me Të në shtëpinë e Tij të shenjtë.

A kam nevojë të jem i/e përsosur që të bëj besëlidhje tempulli? Askush nuk është i përsosur. Perëndia ju kërkon të jeni i/e ndershëm/me dhe i/e gatshëm/me për t’i mbajtur urdhërimet e Tij. Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve me Perëndinë është ajo çka ju jep fuqi që të bëheni i/e përsosur nëpërmjet Jezu Krishtit. Ai është forca juaj!

Shihni tek Isaia 2:2–3 (Perëndia na mëson rrugët e Tij në tempull); Mateu 11:28–30 (mbani mbi vete zgjedhën e Shpëtimtarit); 1 Nefi 14:14 (fuqia e Perëndisë është mbi popullin e Tij të besëlidhjes); Doktrina e Besëlidhje 97:15–16 (prania e Perëndisë dhe lavdia e Tij janë në shtëpinë e Tij); 109:22 (në tempull ne armatosemi me fuqinë e Perëndisë); 131:1–4; 132:4–6, 15–20 (që të marrin jetë të përjetshme, një burrë dhe një grua duhet të vulosen për përjetësi nëpërmjet besëlidhjes së re dhe të përjetshme të martesës); Abraham 1:2 (Abrahami donte të ishte një ndjekës më i madh i drejtësisë dhe të merrte njohuri më të madhe).

Pyetja për Rekomandimin e Tempullit

  • A e konsideroni veten të denjë për të hyrë në shtëpinë e Zotit dhe për të marrë pjesë në ordinancat e tempullit?