“Qetësimi i Ndjenjave të Zemërimit: T’i Përgjigjemi Zemërimit Duke Ndjekur Shpëtimtarin”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Qetësimi i Ndjenjave të Zemërimit: T’i Përgjigjemi Zemërimit Duke Ndjekur Shpëtimtarin”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Shëndeti Fizik dhe Emocional: Mësimi 186
Qetësimi i Ndjenjave të Zemërimit
T’i Përgjigjemi Zemërimit Duke Ndjekur Shpëtimtarin
Është normale të përjetojmë ndjenja zemërimi. Megjithëse mund të mos jemi në gjendje t’i kontrollojmë situatat që na bëjnë të ndihemi të zemëruar, ne mund të vendosim se si të përgjigjemi. Ndërsa shohim te Jezu Krishti, Ai mund të na ndihmojë të përgjigjemi siç do të përgjigjej Ai. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndjekin shembullin e Jezu Krishtit kur përjetojnë ndjenja zemërimi.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të renditin situata ku mund të tundohen të reagojnë me zemërim. Ata mund të vlerësojnë edhe se sa shpesh zemërohen dhe se si i përballojnë këto ndjenja.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Presioni i Grumbulluar
Merreni parasysh të paraqitni figurën vijuese në tabelë ose të sillni një kanoçe të pahapur me pije freskuese në klasë. Ndërsa e diskutoni pyetjen vijuese, ju mund ta tundni kanoçen, por mos e hapni atë.
-
Çfarë ndodh brenda një kanoçeje me pije freskuese të pahapur nëse e tund vazhdimisht? Çfarë do të ndodhte po ta hapje atë?
Merreni parasysh të paraqitni figurën vijuese. Nëse sollët një kanoçe dhe e tundët atë, mos e hapni. Mund të vazhdoni ta paraqitni atë gjatë gjithë mësimit.
-
Cilat janë disa mënyra se si mund ta lidhësh këtë shembull me të ndierit e zemërimit?
Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë, mund të shpjegoni se kanoçja mund të na përfaqësojë ne dhe pija freskuese mund të përfaqësojë ndjesitë tona. Tundja e kanoçes mund të reflektojë veprime, situata ose ndërveprime që mund të çojnë në shtimin e presionit (ndjenjat e zemërimit) brenda nesh.
Çdokush përjeton zemërim. Ashtu siç është normale që presioni të rritet brenda një kanoçeje me pije freskuese të tundur, është normale që ne të përjetojmë ndjenja zemërimi. Megjithatë, ne mund të zgjedhim se si t’u përgjigjemi këtyre ndjenjave.
Përsiati pyetjet vijuese:
-
Në një shkallë nga 1 në 5 (1=i ulët; 5=i lartë), sa shpesh zemërohesh? Si mund ta vlerësojnë të tjerët se sa shpesh zemërohesh?
-
Cila është përgjigjja jote më e shpeshtë kur vijnë ndjenjat e zemërimit?
Ndërsa studion sot, kërko udhërrëfim nga Fryma e Shenjtë për të të ndihmuar të mësosh se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do të të ndihmojnë të mbash nën kontroll ndjenjat e zemërimit.
Pasojat e të vepruarit me zemërim
Për një shembull të shkrimit të shenjtë të pasojave të zemërimit, merreni parasysh të diskutoni tregimin e Esaut te Zanafilla 27. Nëse nxënësit e kanë studiuar tashmë këtë tregim te Mësimi 30: “Zanafilla 25–27”, mund të përdorni një histori ndryshe, të tillë si historia e Kainit (shihni te Moisiu 5:21–23, 26–27, 32) ose e Asas (shihni te 2 Kronikave 16:7–13).
Për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë historinë e Esaut, merreni parasysh të paraqitni figurën vijuese dhe t’i ftoni nxënësit ta tregojnë atë që dinë rreth tij. Më pas, lexojeni ose përmblidheni paragrafin vijues. Ose mund të shfaqni “Jacob and Esau” [“Jakobi dhe Esau”] (kodi kohor 1:10 deri në 1:53) nga ChurchofJesusChrist.org.
Isaku dhe Rebeka patën dy djem binjakë, Esaun dhe Jakobin. Si më i madhi, Esaut i takonte bekimi i të drejtës së trashëgimisë të babait të tij. E drejta e trashëgimisë nënkuptonte se Esau do të trashëgonte zotërimet e babait të tij dhe do të bëhej siguruesi i të mirave materiale dhe udhëheqësi shpirtëror i familjes. Për shkak të veprimeve të padrejta të Esaut (shih te Zanafilla 25:31–34; 26:34–35), në vend të tij, bekimi i të drejtës së trashëgimisë iu dha Jakobit (shih te Zanafilla 27:1–33).
Lexo te Zanafilla 27:41–45 duke kërkuar mënyrën se si Esau u përgjigj kur mësoi se babai i tij i dha Jakobit bekimin e të drejtës së trashëgimisë.
-
Cili ishte rezultati i zemërimit të Esaut?
-
Çfarë pasojash të tjera mund të përjetojë dikush nga të vepruarit me zemërim?
Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se të dy vëllezërit u ndanë për 20 vjet derisa u pajtuan përfundimisht (shihni te Zanafilla 33:4).
Shembulli i Shpëtimtarit
Merreni parasysh t’i organizoni nxënësit në dyshe, ku çdo nxënës lexon një nga fragmentet e mëposhtme. Më pas, çdo dyshe mund të diskutojë mënyrën se si do t’i përgjigjej pyetjes më poshtë.
Lexoje sa vijon, duke kërkuar atë që mëson rreth reagimit ndaj ndjenjave të zemërimit:
Psalmeve 103:8
Fjalët e Urta 16:32
-
Si do ta përmblidhje atë që mund të mësojmë rreth përballjes me zemërimin?
Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë një të vërtetë të tillë si: Kur jemi të ngadalshëm në zemërim, ne ndjekim shembullin e Zotit.
-
Çfarë do të thotë për ty të jesh i ngadalshëm në zemërim?
Mendo për një shembull kur Jezusi u tregua i ngadalshëm në zemërim.
Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë, mund t’i drejtoni ata te shembuj të tillë si vijuesit:
-
Lluka 9:51–56 (Jezusin nuk e pranuan në një fshat samaritan.)
-
Lluka 23:8–11 (Jezusi u mor në pyetje nga Herodi.)
-
Gjoni 19:3–12 (Jezusin e arrestuan.)
-
Si mund ta ndihmojë dikë të shohë se si Jezusi u përgjigj në këto situata?
Hapat për të mbajtur nën kontroll zemërimin
Kjo pjesë e mësimit mund t’i ndihmojë nxënësit të ushtrojnë hapat vijues për mbajtjen nën kontroll të ndjenjave të zemërimit:
-
Dalloni se çfarë i ndezi ndjenjat e zemërimit.
-
Përcaktojini ndjesitë e fshehura.
-
Përzgjidhni teknika qetësimi.
Për t’i ndihmuar nxënësit të mësojnë të mbajnë nën kontroll zemërimin si një dishepull i Jezu Krishtit, shpërndani fletushkën “Hapat për të Mbajtur nën Kontroll Zemërimin”. Meqë fletushka bën disa pyetje vetjake, nxënësit mund ta plotësojnë atë individualisht. Ose ata mund të punojnë në dyshe, duke ndaluar herë pas here për të plotësuar pyetjet individuale.
Përfundimi
Pasi nxënësit ta kenë plotësuar fletushkën, merreni parasysh të bëni pyetjet vijuese të diskutimit nëse e lejon koha:
-
Çfarë mësove sot që mund ta ndihmojë dikë që ka vështirësi me mbajtjen nën kontroll të zemërimit të tij?
-
Çfarë përvojash ke pasur ti ose të tjerë me mbajtjen nën kontroll të zemërimit në një mënyrë si e Krishtit?
Disa nxënës mund të ndiejnë se është e pamundur që të mos e humbin gjakftohtësinë. Merreni parasysh ta përmbyllni duke i ftuar ata të lexojnë tek Ethëri 12:27, duke kërkuar mënyrën se si Jezu Krishti mund ta ndihmojë dikë që ka vështirësi me ndonjë dobësi. Dëshmoni se, për shkak të Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti mund t’i shndërrojë dobësitë tona në pika të forta, duke përfshirë mbajtjen nën kontroll të zemërimit tonë.