Seminari
Zanafilla 25–27: Jakobi dhe Esau


“Zanafilla 25–27: Jakobi dhe Esau”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)

“Zanafilla 25–27: Jakobi dhe Esau”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër

Zanafilla 24–33: Mësimi 30

Zanafilla 25–27

Jakobi dhe Esau

Esau sells his birthright to Jacob for a bowl of pottage.

Me lindjen e binjakëve të tyre, Jakobit dhe Esaut, premtimi i besëlidhjes për pasardhës të Rebekës dhe Isakut u realizua më në fund. Esau, si binjaku më i madh, do të kishte të drejtën për premtimet e parëbirnisë që i jepen djalit të parëlindur. Tragjikisht, Esau nuk i kishte përparësi bekimet e tij të përjetshme, duke kërkuar në vend të tyre të kënaqte dëshirat e tij sipas botës. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i vlerësojnë bekimet e përjetshme të Zotit më shumë se dëshirat sipas botës.

Përgatitja e nxënësve: Inkurajojini nxënësit ta vlerësojnë me lutje ekuilibrin në jetën e tyre ndërmjet gjërave të Perëndisë (p.sh., lutja, studimi i shkrimeve të shenjta, veprimtaritë e kishës) dhe gjërave të botës. Ftojini ata të përcaktojnë çdo shpërqendrim të botës që mund të jetë duke marrë përparësi ndaj gjërave të përjetshme.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Vlerësimi i gjërave të Perëndisë

Për t’i ndihmuar nxënësit të mendojnë se si nevojat ose dëshirat e menjëhershme mund të ndikojnë ndonjëherë te synimet afatgjata, vizatojeni tabelën vijuese në dërrasë:

Tani

Në të Ardhmen

Ftojini disa nxënës të tregojnë një synim që kanë për të ardhmen e tyre. Renditini këto në tabelë në kolonën e dytë. Përzgjidhni një nga synimet në kolonën e dytë. Ftojini nxënësit të mendojnë për nevoja ose dëshira të menjëhershme që, nëse vihen në veprim, mund ta pengojnë dikë ta arrijë atë synim. Jepuni nxënësve një mundësi për të dhënë disa ide të ndryshme. Diskutoni se si zgjedhjet që bëjmë tani, mund të ndikojnë në synimet tona të ardhshme dhe madje të na pengojnë t’i arrijmë ato.

Kur nxënësit të kenë mbaruar, shpjegoni se ky koncept mund të gjejë zbatim edhe për përpjekjet tona për të kërkuar bekimet e përjetshme të Perëndisë. Ftojini nxënësit ta përfundojnë vlerësimin vijues të vetes në ditarët e tyre të studimit.

Reflekto me lutje për pohimet vijuese. Shëno në ditarin tënd se sa gjen zbatim secili pohim për ty, duke përdorur përgjigjet “pa dyshim”, “më së shumti”, “pak” dhe “aspak”.

  • Jam gati t’i sakrifikoj dëshirat tokësore për bekimet e përjetshme.

  • E kuptoj pse Zoti më kërkon t’i vlerësoj bekimet e Tij të përjetshme më shumë se gjërat që dua tani.

  • I dalloj bekimet që vijnë kur iu jap përparësi Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit më shumë se gjërave të botës.

Ndërsa studion sot, ftoje Frymën e Shenjtë të të ndihmojë të kuptosh vlerën e bekimeve të përjetshme. Kërko frymëzim rreth mënyrës se si t’u japësh përparësi bekimeve të përjetshme dhe jo dëshirave tokësore.

Trashëgimia dhe bekimi nga parëbirnia

Për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë domethënien sipas kulturës të vendimeve që morën Esau dhe Jakobi, përmblidhini paragrafët vijues me fjalët tuaja.

Në kohën e Dhiatës së Vjetër, djali më i madh e merrte zakonisht parëbirninë. Trashëgimia e parëbirnisë përfshinte dyfishin e pjesës së tokës dhe pasurisë. Ajo gjithashtu përfshinte përgjegjësi më të madhe për t’u kujdesur për nënën dhe pjesën tjetër të familjes pas vdekjes së të atit. Krahas trashëgimisë materiale, babai do të jepte një bekim për parëbirninë për t’i dhënë autoritetin e priftërisë djalit më të madh. Ky bekim e vendoste pozitën e djalit në familje si mësues dhe udhëheqës.

Rebeka dhe Isaku u lutën për bekimin me pasardhës të drejtë për shumë vjet. Përfundimisht, ata u bekuan me djem binjakë, Esaun dhe Jakobin. Për shkak se Esau u lind i pari, ai do të kishte qenë djali që i takonte parëbirnia. Megjithatë, Zoti i kishte zbuluar Rebekës që Jakobi duhej të ishte djali që i takonte parëbirnia (Zanafilla 25:22–23).

Lexo te Zanafilla 25:27–34, duke kërkuar mënyrën se si Esau demonstroi se nuk e vlerësonte bekimin e tij të parëbirnisë.

  • Çfarë gjete?

Lexo te Zanafilla 26:34–35, duke kërkuar vendimin e Esaut dhe ndjenjat e prindërve të tij rreth zgjedhjeve të tij për martesë. (Hitejtë ishin kanaanitë që adhuronin perëndi të rreme.)

  • Pse Rebeka dhe Isaku u hidhëruan nga vendimi i Esaut?

Nëse nxënësit nuk janë të sigurt se si t’i përgjigjen pyetjes së mëparshme, mund të shpjegoni se kanaanitët adhuronin idhujt dhe përfshiheshin në praktika të tjera mëkatare. Martesa me gra kanaanite nënkuptonte që Esau e braktisi besëlidhjen që Perëndia bëri me Abrahamin dhe pasardhësit e tij.

Bekimet e vlerësimit të gjërave të Perëndisë

Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë historinë e Jakobit dhe Esaut, mund të lexohet ose përmblidhet paragrafi vijues. Ose mund të shpërndani materialin filmik “Jacob and Esau” [“Jakobi dhe Esau”] (2:06), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

2:5

Pavarësisht nga zgjedhjet e këqija të Esaut, Isaku në moshën e tij të thyer e thirri Esaun për t’i dhënë bekimin e parëbirnisë. Përpara se të vinte Esau, Rebeka e maskoi Jakobin sikur të ishte i vëllai. Duke menduar se Jakobi ishte Esau, Isaku e bekoi Jakobin me bekimin e parëbirnisë (shih te Zanafilla 27:1–29). “Pasi Isaku e kuptoi se kishte bekuar Jakobin në vend të Esaut, ai pohoi se Jakobi ‘i bekuar ka për të mbetur’ (Zanafilla 27:33) – duke sugjeruar se ishte kryer vullneti i Perëndisë” (Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Vjetër 2022, f. 39).

Lexo te Zanafilla 27:34, 38, duke kërkuar reagimin e Esaut kur mësoi se Isaku ia kishte dhënë bekimin e parëbirnisë Jakobit.

  • Çfarë të bën përshtypje?

  • Si do ta përmblidhje atë që mësojmë nga kjo histori, si një pohim të vërtete?

    Përdorini fjalët e nxënësve për të përcaktuar një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Zgjedhja e dëshirave të menjëhershme ose sipas botës përpara bekimeve të përjetshme të Perëndisë mund të çojë në pikëllim dhe keqardhje.

    Ka shumë përgjigje të mundshme për pyetjen vijuese. Inkurajimi i disa nxënësve që t’i tregojnë përgjigjet e tyre mund t’i ndihmojë nxënësit të ndihen të sigurt për të dhënë ide dhe perspektiva të ndryshme.

  • Pse nganjëherë mund të jetë sfiduese t’iu japim përparësi gjërave që kanë vlerë të përjetshme?

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

Elder David A. Bednar, Quorum of the Twelve Apostles official portrait. 2020.

“Nga ngarkesa e jetës sonë të përditshme dhe nga rrëmuja e botës bashkëkohore në të cilën jetojmë, neve mund të na largohet vëmendja nga gjërat e përjetshme që kanë më shumë rëndësi, duke i bërë si përparësitë tona kryesore kënaqësinë, mirëqenien, famën dhe të qenit të rëndësishëm. Preokupimi ynë afatshkurtër për ‘gjërat e kësaj bote’ dhe ‘nderet e njerëzve’ mund të na çojë që ta humbasim të drejtën e parabirnisë sonë shpirtërore për shumë më pak se një tas me supë. …

Secili prej nesh duhet t’i vlerësojë me çiltërsi dhe plot lutje përparësitë e veta materiale dhe shpirtërore për të përcaktuar gjërat në jetën tonë që mund t’i pengojnë bekimet bujare që Ati Qiellor dhe Shpëtimtari janë të gatshëm të na i japin.” (“Rivishu me Forcën Tënde, o Sion”, Liahona, nëntor 2022, f. 94)

Vërini nxënësit të tregojnë atë që u pëlqeu ose mësuan nga thënia e Plakut Bednar. Pastaj ftojini ata t’i bëjnë tri gjërat vijuese individualisht ose në grupe të vogla:

  1. Krijo një skenar ku dikush i moshës sate mund të tundohet të “humbas[ë] të drejtën e parabirnisë s[ë vet] shpirtërore për shumë më pak se një tas me supë”.

  2. Mendo për një shembull se si Shpëtimtari i dha përparësi vullnetit të Atit të Tij mbi dëshirat e menjëhershme ose sipas botës. (Për shembull, shih te Mateu 4:2–10 ose Lluka 22:41–42.)

  3. Mendo për një shembull bashkëkohor të dikujt që i jep përparësi vullnetit të Perëndisë mbi dëshirat e menjëhershme ose sipas botës.

Kërkojuni nxënësve të japin idetë e tyre. Ndërsa nxënësit flasin, mund të vini në dukje se frekuentimi i seminarit sot është një shembull i mirë i vënies së Perëndisë të parin. Ju mund të shfaqni materialin filmik “No Regrets” [“Pa Brenga”] (5:38) nga ChurchofJesusChrist.org. Një i ri zgjodhi të frekuentonte seminarin dhe jo të bënte sërf. Inkurajojini nxënësit të kërkojnë bekimet që mori ai për shkak të kësaj zgjedhjeje.

5:39
  • Çfarë bekimesh mund të marrim, tani dhe në të ardhmen, ngaqë zgjedhim gjërat e Perëndisë përpara gjërave të botës?

  • Si i vuri Shpëtimtari bekimet e përjetshme mbi dëshirat e menjëhershme?

Bëj një plan

Ftojini nxënësit ta përfundojnë veprimtarinë e mëposhtme në ditarët e tyre të studimit.

Rendit pesë përparësitë e tua kryesore në një rend nga më e rëndësishmja tek ajo më pak e rëndësishmja.

Ndërsa e rishikon këtë listë, vër re çdo rregullim që Fryma e Shenjtë të nxit të bësh.

Poshtë kësaj liste, shëno çdo mendim tjetër që ke pas bërjes së kësaj veprimtarie. A mund të përcaktosh një hap të qartë të radhës që t’u japësh përparësi gjërave të Perëndisë më shumë sesa gjërave të botës? Nëse po, shkruaje këtë diku ku ta shohësh rregullisht.

Për ta mbyllur orën mësimore, mund të jepni dëshminë tuaj për bekimet që keni marrë teksa i keni vlerësuar gjërat e Perëndisë më shumë se gjërat e botës.