“Zanafilla 24: Bekimi i Martesës në Besëlidhje”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Zanafilla 24: Bekimi i Martesës në Besëlidhje”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Zanafilla 24–33: Mësimi 29
Zanafilla 24
Bekimi i Martesës në Besëlidhje
Ndërsa shpresa për një martesë të përjetshme mund t’i jetë dukur e paarritshme Isakut, Zoti përgatiti një udhë për të. Ne po ashtu mund të mbështetemi te Zoti dhe të mirëbesojmë se Ai mund të na ndihmojë të përgatitemi për martesën e përjetshme dhe një ditë të marrim bekimet e saj. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë rëndësinë në planin e Atit Qiellor që ka martesa e përjetshme në besëlidhje.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të shkruajnë një pyetje që ata ose dikush që e njohin mund të ketë rreth martesës në tempull dhe të vijnë në orën mësimore duke kërkuar me lutje përgjigje për atë pyetje.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Martesa në tempull
Duke qenë se martesa mund të jetë e vështirë për t’u diskutuar nga disa nxënës, përsiatni me lutje mënyra për ta përgatitur dhe dhënë mësim këtë temë me ndjeshmëri dhe dashuri.
Për t’i përgatitur nxënësit ta diskutojnë temën e martesës, merreni parasysh ta paraqitni fotografinë në fillim të mësimit, së bashku me skenarin vijues.
Përfytyro sikur një shok ose shoqe të thotë: “A është vërtet kaq e rëndësishme të martohesh në tempull? Unë e kam të vështirë ta shoh veten duke u martuar atje gjithsesi; më duket e paarritshme. Dua thjesht të gjej dikë që ta dua.”
-
Cilat janë disa hamendësime që mund të ketë shoku ose shoqja jote rreth martesës në tempull?
-
Çfarë të vërtetash mund të mos kuptojë shoku ose shoqja rreth Perëndisë dhe martesës në tempull?
Ftojini nxënësit t’u përgjigjen pyetjeve vijuese në ditarët e tyre të studimit.
-
Si ndihesh ti vetë rreth martesës në tempull?
-
Çfarë pyetjesh ose shqetësimesh ke rreth martesës në tempull?
Ndërsa studion kapitullin te Zanafilla 24, ftoje Shpirtin që të të ndihmojë ta kuptosh rëndësinë e martesës në tempull. Kërko ide mbi mënyrën se si Zoti mund të të ndihmojë të bësh një martesë të përjetshme në tempull.
Një udhëtim i rëndësishëm
Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë më mirë kontekstin për kapitullin te Zanafilla 24, ftojini të shohin hartën vijuese. Nëse shkojnë te pjesa Ndihma për Studimin, te nënndarja Harta e Fotografi të Biblës te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], ata mund ta gjejnë me emrin Harta 9, “Bota e Dhiatës së Vjetër”. Lexojeni ose përmblidheni paragrafin vijues dhe ftojini nxënësit të gjejnë në hartë vendet që ju përmendni. Nëse është nevoja, tregojuni nxënësve ku ndodhen Kanaani (numri 13) dhe Harani (numri 8).
Abrahami dhe familja e tij jetonin në Kanaan mes njerëzish që adhuronin idhuj dhe përfshiheshin në praktika të tjera mëkatare. Abrahami kishte të afërm që jetonin në Haran, atje ku jetonte më parë Abrahami.
Përpara se të lexoni vargjet vijuese, shpjegoni se te Përkthimi prej Joseph Smith‑it fjala “kofshën” ndryshon në “dorën” te vargjet 2 dhe 9. Kjo do të thotë se Abrahami dhe shërbyesi i tij bënë një marrëveshje.
Lexo te Zanafilla 24:1–4, 7–9, duke kërkuar udhëzimet që Abrahami i dha shërbyesit të tij në lidhje me të birin, Isakun.
-
Çfarë u udhëzua të bënte shërbyesi i Abrahamit?
-
Çfarë sheh te vargu 7 që tregon se Zoti kishte vëmendje se me cilën do të martohej Isaku?
Vërini nxënësit të përdorin shkallën në hartë për të përcaktuar se sa kilometra do të ishte ky udhëtim. Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se Abrahami i kërkoi shërbyesit të tij të përshkonte rreth 1931 kilometra vajtje‑ardhje për të gjetur një grua për Isakun.
-
Si mendon, pse ia vlejti kjo sakrificë që Isaku të mos martohej me një nga bijat e kanaanejve?
Sipas nevojës, shpjegoni që kur Perëndia krijoi besëlidhjen e Tij me Abrahamin dhe Sarën, Ai tha se pasardhësit e Abrahamit do ta mbanin këtë besëlidhje të rëndësishme me Të vetëm po të martoheshin sipas ligjit të Tij. Atyre do t’u nevojitej të hynin në “besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës” (shihni te Doktrina e Besëlidhje 131:1–4). Sot, ne hyjmë në këtë besëlidhje kur martohemi në tempujt e shenjtë të Zotit.
Nuk ishte askush në tokën e Kanaanit me të cilën Isaku mund të martohej në besëlidhje. Besëlidhja mund të ruhej vetëm nga dikush prej familjes së Abrahamit në Haran.
Ndihma e Zotit
Paraqiteni figurën vijuese dhe ftojini nxënësit të tregojnë atë që dinë rreth tregimit të përshkruar aty. Mund ta lexoni ose përmblidhni paragrafin vijues nëse është nevoja.
Shërbyesi i Abrahamit përshkoi një distancë të gjatë deri në Haran për të gjetur një grua për Isakun. Ndërkohë që priste pranë një pusi, ai u lut dhe i kërkoi Perëndisë aftësinë për ta ditur se kë do të donte Zoti që ai të gjente.
Ju mund t’i ftoni nxënësit të lexojnë vargjet vijuese individualisht, në dyshe ose si klasë.
Për veprimtarinë vijuese, mund të jetë e dobishme të shpjegoni se emri “Jehova” në Bibël përgjithësisht tregohet nga fjala Zoti me germën e parë të madhe. Fjalët “Zot” ose “zot”, nga ana tjetër, mund t’i referohen thjesht dikujt që ka pushtet, autoritet ose ndikim, si për shembull një padron ose sundues. (Shih te Bible Dictionary, “Jehovah”)
Lexo te Zanafilla 24:12–27, duke kërkuar mënyrën se si Zoti e ndihmoi shërbyesin e Abrahamit të gjente një grua për Isakun. Mund të jetë e dobishme ta shenjosh kur të shohësh fjalën ZOT kur çdo germë e saj është e madhe.
-
Çfarë gjete?
Merreni parasysh ta përmblidhni pjesën e mbetur të kapitullit te Zanafilla 24 duke treguar paragrafin vijues.
Shërbyesi i Abrahamit u takua me vëllanë dhe babanë e Rebekës. Ai iu shpjegoi se kush ishte dhe si e kishte ndihmuar Zoti të gjente Rebekën. Të nesërmen, Rebeka me guxim zgjodhi që të kthehej me shërbyesin dhe të vulosej me Isakun në besëlidhjen e martesës së përjetshme (shih te Zanafilla 24:29–67).
-
Çfarë mëson rreth Zotit nëpërmjet tregimit të Isakut dhe Rebekës dhe martesës së tyre të përjetshme?
Nxënësit mund të përgjigjen me një larmi të vërtetash, por sigurohuni që ata të kuptojnë se Zoti do të na ndihmojë ndërsa përpiqemi fort të hyjmë në besëlidhjen e martesës së përjetshme.
-
Si mund ta ndihmojë Zoti dikë që po përpiqet fort për një martesë të përjetshme, por shqetësohet se mund të mos e marrë kurrë këtë bekim?
-
Si mendon, përse martesa e përjetshme është kaq e rëndësishme për Zotin?
Pse martesa e përjetshme?
Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë më mirë rëndësinë e martesës së përjetshme, ftojini ata të vizatojnë në ditarët e tyre të studimit një figurë të thjeshtë të tempullit, si ajo më poshtë.
Poshtë vizatimit të tempullit, shkruaj një pyetje që mund të të ndihmojë t’i kuptosh më mirë të vërtetat që ke mësuar sot. Kjo mund të jetë pyetja jote, një pyetje nga dikush që e ti njeh, ose një nga sa vijon:
-
Pse është e rëndësishme martesa e përjetshme?
-
Çfarë bekimesh mund të marr duke u martuar në tempull dhe më pas duke u përpjekur fort t’i nderoj ato besëlidhje?
-
Si mund të më ndihmojë Zoti një ditë të marr bekimet e martesës së përjetshme?
Ftojini nxënësit të shpenzojnë 5–8 minuta për të plotësuar veprimtarinë vijuese individualisht ose me partnerë. Mund t’i ftoni ata t’i renditin në ditarët e tyre të studimit përgjigjet që gjejnë. Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se mund të mos gjejnë përgjigje të qarta për pyetjet e tyre; megjithatë, përpjekja për të bërë pyetje dhe për të kërkuar kuptueshmëri është një pjesë e rëndësishme e të vepruarit me besim te Perëndia.
Shpërndajuani fletushkën e titulluar “Martesa e Përjetshme” nxënësve që do të donin ta studionin.
Për të të ndihmuar t’i përgjigjesh pyetjes, kërko burime të ndryshme të Kishës, si ato vijueset:
-
Fragmente të zotërimit doktrinor (Zanafilla 2:24; 1 Korintasve 11:11; Doktrina e Besëlidhje 131:1–4)
-
Fletushka e titulluar “Martesa e Përjetshme”
-
“Martesa” dhe zëra të lidhur me të tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta ose Tema dhe Pyetje te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
-
Fraza si “martesë në besëlidhje” ose “martesë në tempull” në kërkimin te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
Ftojini nxënësit t’ia tregojnë klasës atë që mësuan.
Reflektimi vetjak
Reflekto për skenarin nga fillimi i orës mësimore. Në ditarin tënd të studimit, përgjigju për pyetjet vijuese:
-
Si do t’i përgjigjeshe pyetjes së shokut ose shoqes rreth arsyes pse është e rëndësishme martesa në tempull?
-
Çfarë mësove sot rreth Atit Qiellor ose Jezu Krishtit që mund të të japë shpresë për përpjekjet e tua për të ftuar bekimet e martesës në tempull?
Ftojini nxënësit e gatshëm ta lexojnë atë që shkruan.
Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj për rëndësinë e martesës në besëlidhje dhe inkurajojini nxënësit tuaj të fillojnë të përgatiten për të tani.