“Mbajtja nën Kontroll e Stresit dhe Ankthit: Jezu Krishti Mund të Na Ndihmojë të Mbajmë nën Kontroll Stresin dhe Ankthin Tonë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Mbajtja nën Kontroll e Stresit dhe Ankthit: Jezu Krishti Mund të Na Ndihmojë të Mbajmë nën Kontroll Stresin dhe Ankthin Tonë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Shëndeti Fizik dhe Emocional: Mësimi 184
Mbajtja Nën Kontroll e Stresit dhe Ankthit
Jezu Krishti Mund të Na Ndihmojë të Mbajmë nën Kontroll Stresin dhe Ankthin Tonë
Ne të gjithë ndiejmë stres dhe ankth. Këto ndjesi mund të na ndihmojnë të kryejmë detyrat e përditshme dhe të përballemi me sfidat e jetës. Megjithatë, stresi dhe ankthi i zgjatur mund të ndikojnë negativisht te ne. Fatmirësisht, Shpëtimtari na ka premtuar ndihmën e Tij dhe paqen e Tij (shih te Gjoni 14:27). Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ushtrojnë zotësitë që mbështeten te fuqia e Shpëtimtarit për të mbajtur nën kontroll stresin dhe ankthin.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për situata kur ndihen të stresuar ose në ankth dhe mënyrat se si mund t’i drejtohen Zotit për ndihmë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Stresi dhe ankthi
Shënim: Nuk është nevoja të jeni një ekspert i shëndetit mendor për ta dhënë këtë mësim. Lutuni për udhërrëfimin e Atit Qiellor, ndiqni materialet e mësimit dhe mirëbesojini Frymës së Shenjtë. Nëse nxënësit i shprehin vështirësitë vetjake me të cilat përballen, ose bëjnë pyetje të cilat nuk mund t’i trajtoni si pjesë e këtij mësimi, shprehni mirënjohjen tuaj për mirëbesimin e tyre për t’u hapur me ju. Sigurojini se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i duan ata. Inkurajojini ata të kërkojnë këshillë shtesë nga prindërit, udhëheqësit e Kishës, këshilltarët e shkollës ose specialistë të tjerë të shëndetit mendor.
Merreni parasysh ta filloni mësimin në një mënyrë që i ndihmon nxënësit të mendojnë rreth mbajtjes nën kontroll të stresit dhe ankthit. Për shembull, skenari vijues mund të përdoret ose të përshtatet për t’u lidhur më mirë me nxënësit tuaj:
-
Nëse dikush mund të ngrejë vetëm 25 kg dhe përpiqet të ngrejë 70 kg, çfarë ka të ngjarë të ndodhë? Si mund të ndihet ai?
-
Po sikur i njëjti person të fillonte të ngrinte 25 kg dhe gradualisht të shtonte sasi të vogla peshe çdo javë? Si mund të ndikonte kjo te forca e tij? Si mund të ndihet ai?
-
Çfarë do të ndodhte nëse ky person nuk do të përpiqej kurrë të ngrinte më shumë se 25 kg?
-
Si mund të krahasohet pesha në këto situata me mbajtjen nën kontroll të stresit dhe ankthit?
Për t’i ndihmuar nxënësit t’i kuptojnë nivelet e ndryshme të stresit dhe ankthit, mund të jepni fletushkën “Stresi dhe Ankthi”. Ftojini nxënësit të lexojnë tabelën dhe të plotësojnë pyetjet e vetëvlerësimit në kolonën e tretë.
Ndërsa e studion këtë mësim, kërko ndihmë nga Zoti teksa mëson zotësi që mund të të ndihmojnë t’i mbash nën kontroll ndjenjat e stresit dhe ankthit.
Këshillë nga një profet
Lexoje thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson, duke kërkuar mënyrën se si mund t’i kapërcejmë ankthet tona.
“Zoti ka shpallur se pavarësisht nga sfidat e sotme të pashembullta, ata që i ndërtojnë themelet e tyre mbi Jezu Krishtin dhe kanë mësuar se si të mbështeten te fuqia e Tij, nuk kanë nevojë t’u dorëzohen shqetësimeve të pashoqe të kësaj epoke.” (“Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror”, Liahona, nëntor 2021, f. 94)
-
Çfarë të pëlqeu ose mësove nga kjo thënie?
Nxënësit mund të përmendin një të vërtetë si: Ndërsa marrim nga fuqia e Jezu Krishtit, ne mund të mbajmë nën kontroll ankthet tona.
-
Çfarë mendon se do të thotë të shfrytëzosh fuqinë e Shpëtimtarit?
-
Si mund të na ndihmojë fuqia e Tij ta mbajmë nën kontroll stresin dhe ankthin? Cilat burime shtesë mund të na ndihmojë Jezu Krishti t’i dallojmë?
Pjesa e mbetur e këtij mësimi u jep nxënësve një mundësi për të ushtruar zbatimin e parimeve të ungjillit që mund t’i ndihmojë ata të marrin nga fuqia e Jezu Krishtit për të mbajtur nën kontroll ankthin.
Të shqyrtojmë pritshmëritë tona dhe të drejtohemi te Zoti për ndihmë
Një mënyrë për t’u përballur me ndjenjat tona të stresit ose ankthit është të dallojmë pritshmëritë tona dhe t’i përputhim ato me atë që dëshiron Zoti për ne. Pritshmëritë jorealiste ose të paplotësuara mund të jenë një burim i fortë i zhgënjimit dhe stresit.
Lexo te Mosia 4:27, duke kërkuar atë që pret Zoti nga ne.
Nëse nxënësit nuk e vënë në dukje, vini re që Zoti nuk pret nga ne që të vrapojmë më shpejt sesa kemi fuqi; megjithatë Ai gjithsesi pret prej nesh që të jemi të zellshëm. Nuk është e nevojshme të ngremë shumë, por është e nevojshme të përpiqemi vazhdimisht.
Për një shembull të dikujt që kishte nevojë t’i shqyrtonte pritshmëritë e tij, tregojuni nxënësve se, ndërsa i udhëhiqte fëmijët e Izraelit si profet, Moisiu u përpoq të bënte më shumë sesa duhet të kishte bërë. Zoti e ndihmoi Moisiun nëpërmjet këshillës së vjehrrit të tij, Jethros.
Lexo tek Eksodi 18:13–18, duke kërkuar arsyen përse vjehrri i Moisiut ishte i shqetësuar.
-
Cilat fraza tregojnë se çfarë do t’i ndodhte Moisiut po të vazhdonte t’i këshillonte njerëzit gjithë ditën, çdo ditë?
-
Si mund të ishte kjo sot?
Përkufizo
Shpjegojuni nxënësve se mund të jetë një zotësi e dobishme të vlerësojnë pritshmëritë e tyre duke përdorur dy pyetjet vijuese. Merreni parasysh t’i shkruani ato në tabelë.
-
A po përpiqem të bëj më shumë apo më pak sesa do të donte Zoti që të bëja (qoftë të vrapoj më shpejt nga sa kam fuqi ose të mos jem i zellshëm)?
-
Si mund të drejtohem te Zoti për ndihmë?
Jep Modelin
-
Po të ishe në situatën me të cilën u përball Moisiu, si do t’u përgjigjeshe dy pyetjeve në tabelë?
Nëse shembujt e ditëve të sotme mund të jenë të dobishëm, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të tregojnë disa pritshmëri jorealiste që i kanë pasur ata ose të tjerët. Ata mund t’i përdorin pyetjet në tabelë për të vlerësuar pritshmëritë vijuese:
-
Unë do ta lexoj Librin e Mormonit për 90 minuta në ditë.
-
Nuk kam për të bërë më kurrë asnjë gabim.
-
Nuk e kam të nevojshme të përgatitem për një mision. Do ta kuptoj kur të jem atje.
Ushtrohu
Përzgjidh një gjë në jetën tënde që të shkakton stres e ankth, dhe ushtro vlerësimin e pritshmërive të tua. Kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë ndërsa i bën vetes pyetjet në tabelë dhe mendon rreth mënyrës se si mund të drejtohesh te Zoti për ndihmë.
Këshillohu me dikë që ti e mirëbeson, për të përcaktuar hapin e radhës
Përkufizoni aftësinë
Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se, pasi i shqyrtojnë pritshmëritë e tyre, Zoti dëshiron që t’i ndihmojë ata të dinë se çfarë të bëjnë më pas. Një mënyrë se si Zoti na ndihmon, është nëpërmjet të tjerëve; për shembull, duke u këshilluar me dikë që e mirëbesojmë. Ndërsa nxënësit këshillohen me të tjerë, ata mund të diskutojnë se çfarë duhet bërë tani, çfarë mund të presë, ose çfarë mund të ndalohet ose mund të bëhet nga dikush tjetër. Sigurojini nxënësit se nuk është e dobishme të ndihen fajtorë për vendosjen e kufijve të shëndetshëm ose që i thonë “jo” ose “ende jo” disa mundësive.
Jepni modelin për zotësinë
Zoti e ndihmoi Moisiun nëpërmjet vjehrrit të tij, Jethros. Ndërsa Moisiu u këshillua me vjehrrin e tij, Jethro i propozoi një zgjidhje për problemin.
Lexo tek Eksodi 18:19–24, duke kërkuar se çfarë e këshilloi Jethro Moisiun të bënte më pas.
-
Si mendon ti, përse ishte e dobishme këshilla e Jethros?
Në vend që të përballej me të gjitha problemet e tij njëherazi, Moisiu qe në gjendje të merrte ndihmën që i nevojitej për të hedhur hapin e radhës.
-
Kush janë disa njerëz me të cilët Zoti mund të dojë të këshillohesh, kur ndien stres dhe ankth? Çfarë këshille të kanë dhënë ata?
-
Si ta ka pakësuar këshilla e urtë stresin ose ankthin ty ose dikujt që ti e njeh?
Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se Zoti mund t’i ndihmojë nëpërmjet prindërve, vëllezërve ose motrave më të rritura, mësuesve, këshilltarëve, specialistëve të shëndetit mendor, udhëheqësve të Kishës ose njerëzve të tjerë kur ndihen në ankth ose të stresuar.
Ushtro zotësinë
Në ditarin tënd të studimit, reflekto mbi një kohë kur u ndjeve i/e mbingarkuar, i/e stresuar ose në ankth. Shkruaj se me kë mund të dojë Zoti që të këshillohesh për atë se çfarë të bësh më pas dhe mënyrën se si ti mendon se mund të të ndihmojë të flasësh me atë person.
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta shqyrtojnë fletushkën dhe të tregojnë se çfarë u pëlqeu ose mësuan nëpërmjet këtij mësimi. Shtoni mendimet tuaja dhe jepni dëshmi për të vërtetën e këtij mësimi.