“Ndërtimi i Forcës Emocionale te Zoti: Shpëtimtari Mund të na Ndihmojë ta Rritim Ripërtëritjen Tonë Emocionale”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Ndërtimi i Forcës Emocionale te Zoti: Shpëtimtari Mund të na Ndihmojë ta Rritim Ripërtëritjen Tonë Emocionale”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Shëndeti Fizik dhe Emocional: Mësimi 181
Ndërtimi i Forcës Emocionale te Zoti
Shpëtimtari Mund të na Ndihmojë ta Rritim Ripërtëritjen Tonë Emocionale
Sa mirë përshtatesh me sfidat emocionale me të cilat përballesh? Ndjenjat e vështirësisë janë një pjesë normale e jetës. Aftësia jonë për t’i duruar me besnikëri këto ndjenja rritet ndërsa mbështetemi te forca dhe fuqia e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të marrin forcë nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti për t’u përballur me sfidat e tyre emocionale.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë ose të pyesin dikë që njohin, për përvojat që ka pasur gjatë përballjes me ndjenja të vështira. Si të jetë e përshtatshme, ata mund të përgatiten për t’ia treguar përvojën klasës.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Vorbullat në jetën tonë
Për të filluar orën mësimore, merreni parasysh të paraqitni figurën e një peme që është shkulur me rrënjë nga stuhitë dhe figurën e një peme që ka mbetur e ngulitur fort në tokë. Gjithashtu mund të ftoni një nxënës që të vizatojë një pemë në tabelë ndërkohë që pjesa tjetër e anëtarëve të klasës vizatojnë një pemë të ngjashme në ditarët e tyre të studimit. Në anën e majtë të pemës, merreni parasysh t’u kërkoni nxënësve të renditin disa emocione të vështira me të cilat përballen adoleshentët.
Emocionet janë përgjigjja normale e trupit ndaj përvojave të përditshme. Ndonjëherë, këto ndjenja janë të lehta dhe të thjeshta për t’u kontrolluar, si një puhizë vere. Ndonjëherë ne përjetojmë emocione të vështira që mund të duken si vorbulla.
Pemët e rrahura nga vorbullat e erërave shpesh kanë rrënjë që rriten më shpejt, më të trasha dhe shtrihen më shumë, duke e forcuar aftësinë e pemës për të duruar. Pasi era e godit atë, pema gjithashtu krijon struktura qelizore që i bëjnë trungun dhe degët më të trasha. Në të njëjtën mënyrë, të mësuarit t’u përgjigjemi çasteve emocionale të fuqishme duke ndjekur Shpëtimtarin, do ta forcojë aftësinë tonë për të duruar.
Përndryshe, mund të shfaqni përshkrimin e Plakut Andersen të asaj që i ndodh një peme të goditur nga era në materialin filmik “Spiritual Whirlwinds” [“Vorbullat e Erërave Shpirtërore”], kodi kohor 0:00 deri në 1:10, nga ChurchofJesusChrist.org.
Në ditarin tënd të studimit, shkruaj disa nga vorbullat emocionale me të cilat ti je përballur në të kaluarën ose po përballesh sot.
Duke folur për vorbullat e erërave shpirtërore, Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Ju jeni pafundësisht më të çmuar për Perëndinë sesa një pemë. Ju jeni biri i Tij ose bija e Tij. Ai e bëri shpirtin tuaj të fortë dhe të aftë për të qenë i patundur kundrejt vorbullave të jetës. Vorbullat e erës në rininë tuaj, sikurse era kundrejt një peme të njomë, mund ta rritin forcën tuaj shpirtërore, duke ju përgatitur për vitet e ardhshme.” (“Vorbullat e Erërave Shpirtërore”, Liahona, maj 2014, f. 19)
-
Si mund ta ndihmojë mesazhi i Plakut Andersen një adoleshent që ndien sforcimin prej vorbullave emocionale?
Merreni parasysh të tregoni se aftësia për t’i duruar këto vorbulla quhet ripërtëritje emocionale. Mund të tregoni se gjatë të gjithë vitit nxënësit do të mësojnë zotësi që mund t’i ndihmojnë ata ta rritin ripërtëritjen e tyre emocionale.
Rritja e ripërtëritjes sonë emocionale na ndihmon të zhvillojmë mënyrat e duhura për t’u përballur me mendimet dhe ndjenjat e vështira që përjetojmë. Ne mund të mësojmë të dallojmë se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti po na forcojnë kur ndihemi në këtë mënyrë dhe kur ata po na nxitin të kërkojmë ndihmë shtesë.
Ndërsa studion, ftoje Frymën e Shenjtë të të ndihmojë të përcaktosh mënyrat se si mund të kërkosh ndihmën e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit kur përjeton vorbulla emocionale.
Shpëtimtari premton të jetë me ne dhe të na forcojë
Për t’i ndihmuar nxënësit të shohin një shembull të fuqisë forcuese të Zotit, merreni parasysh të tregoni historinë e Jozueut. Nxënësit mund ta kenë studiuar rrëfimin e Jozueut që u thirr nga Zoti për të udhëhequr Izraelin pas Moisiut te Mësimi 61: “Jozueut 1”.
Jozueu gjendej në një pozitë të vështirë ndërsa mori përsipër rolet e profetit dhe udhëheqësit ushtarak përgjegjës për themelimin e një kombi të ri pas udhëheqjes së Moisiut.
-
Çfarë emocionesh mendon se do të kishe ndier po të ishe në situatën e Jozueut?
Lexo te Jozueut 1:1, 5–9, duke kërkuar atë që Zoti i premtoi Jozueut ndërsa ai përballej me këto sfida.
-
Çfarë mund të mësojmë që mund të na ndihmojë të përballemi me sfidat e jetës?
Nxënësit mund të përcaktojnë një të vërtetë si: ndërsa e ndjekim Zotin me guxim, Ai do të jetë me ne dhe do të na forcojë.
Për t’i ndihmuar nxënësit ta ndiejnë fuqinë e kësaj të vërtete, mund të shfaqni më shumë nga mesazhi i Plakut Andersen te “Spiritual Whirlwinds” [“Vorbullat e Erërave Shpirtërore”], kodi kohor 1:33 deri në 2:12 nga ChurchofJesusChrist.org, ose të jepni mesazhin e tij të konferencës së përgjithshme nga “Spiritual Whirlwinds” [“Vorbullat e Erërave Shpirtërore”], kodi kohor 4:12–4:48.
Plotësoji pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit poshtë vizatimit tënd të pemës.
-
Përshkruaj aftësinë tënde për t’u përballur me sfida emocionale. Cilat emocione mendon se i përballon mirë? Çfarë ndien ende të vështirë?
-
Përshkruaj aftësinë tënde për të marrë ndihmë nga Zoti për këto emocione. Çfarë suksesesh ke pasur? Çfarë ke provuar që nuk funksionoi aq mirë sa kishe shpresuar?
Përsiatja e shkrimit të shenjtë mund të na ndihmojë ta ndiejmë forcën e Zotit
Lexo te Jozueut 1:8, duke kërkuar sërish atë që do ta ndihmonte Jozueun të ndiqte Zotin.
-
Çfarë gjete?
Mund të vini në dukje se, ndërsa Jozueu përballej me sfidat e tij, atij iu tha nga Zoti që t’i meditonte ose përsiaste shkrimet e shenjta (“lib[rin e] ligjit”) ditë e natë (shihni te Jozueut 1:8). Merreni parasysh të vini në dukje se një mënyrë se si mund të gjejmë forcë emocionale te Zoti, është nëpërmjet përsiatjes së shkrimeve të shenjta.
-
Si mund ta ndihmojë dikë përsiatja e fjalëve të Zotit që të përballet me sfida emocionale?
Duke parë listën e emocioneve në tabelë, gjej një ose më shumë fragmente të shkrimeve të shenjta që mund të jenë në gjendje ta ndihmojnë dikë që i ndien këto emocione.
Nxënësit mund t’i gjejnë shkrimet e shenjta duke parë fragmentet e zotërimit doktrinor ose Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, duke kërkuar fjalë të tilla si “ngushëllim”, “paqe”, “forcë” ose “shpresë”. Mund t’ju ndihmojë edhe artikulli “12 Shkrime të Shenjta Kur Ndihesh …” (Për Forcën e Rinisë, mars 2024, f. 40–41). Ndërsa nxënësit thonë shkrimet e shenjta, renditeni shkrimin e shenjtë në anën e djathtë të pemës pranë emocionit që ata përzgjodhën. Sa vijojnë janë disa shembuj që mund t’i japin nxënësit.
I/E mbingarkuar: Isaia 40:28–31
I/E frikësuar: Gjoni 14:27
I/E trishtuar: Zbulesa 21:3–5
I/E harruar: Lluka 12:6–7
I/E shkurajuar: Isaia 43:1–2, 5
I/E vetmuar: Doktrina e Besëlidhje 68:6
Përsiate fjalën e Tij
Për t’i ndihmuar nxënësit të ushtrojnë përsiatjen e shkrimeve të shenjta kur përballen me emocione sfiduese, paraqitni sa vijon.
Përzgjidh një emocion të renditur në tabelë që po e ndien ose e ke ndier në të kaluarën. Lexoje shkrimin e shenjtë pranë emocionit dhe përsiati fjalët e vargut duke i bërë vetes pyetje të tilla si këto:
-
Çfarë fjalësh ose frazash do të ishin të dobishme kur ndihem në këtë mënyrë?
-
Çfarë më ndihmon të kuptoj ky shkrim i shenjtë rreth dashurisë dhe fuqisë së Zotit?
Pas një kohe të mjaftueshme, mund t’i ftoni nxënësit të tregojnë emocionin që zgjodhën, shkrimin e shenjtë që përsiatën dhe arsyen përse mendojnë se reflektimi mbi fjalët e Zotit mund t’i ndihmojë ata të gjejnë më shumë forcë emocionale tek Ai.
-
Kur e ke gjetur ti ose dikush që ti njeh, ngushëllimin ose forcën e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit nga përsiatja e një fragmenti të shkrimit të shenjtë?
Merreni parasysh ta përfundoni orën mësimore duke dhënë përvojën tuaj të të ndjerit të ngushëllimit ose forcës së Zotit nga një fragment i shkrimit të shenjtë. Ftojini nxënësit të vazhdojnë të mbështeten te shkrimet e shenjta për t’i ndihmuar ata të ndiejnë fuqinë e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit ndërsa përballen me vështirësi emocionale.