“Zhvillimi i Zakoneve të Shëndetshme: Jezu Krishti Mund të na Ndihmojë t’i Ndryshojmë Zakonet Tona”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Zhvillimi i Zakoneve të Shëndetshme: Jezu Krishti Mund të na Ndihmojë t’i Ndryshojmë Zakonet Tona”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Shëndeti Fizik dhe Emocional: Mësimi 187
Zhvillimi i Zakoneve të Shëndetshme
Jezu Krishti Mund të na Ndihmojë t’i Ndryshojmë Zakonet Tona
Veprimet që i përsëritim, me kalimin e kohës bëhen zakone. Disa zakone mund të na ndihmojnë ta ndjekim më mirë Shpëtimtarin. Zakone të tjera mund të jenë mënyra të pashëndetshme të përballjes me emocionet negative dhe mund të na shtyjnë të ndihemi larg nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Krijimi i zakoneve të shëndetshme na ndihmon të ndihemi pranë Tyre dhe të bëhemi më shumë si Ata. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kërkojnë ndihmë nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti për të zhvilluar zakone të shëndetshme.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë rreth gjërave që i bëjnë çdo ditë, që janë kthyer në zakone. Ata gjithashtu mund të reflektojnë mbi mënyrën se si këto zakone, si të mira, ashtu edhe të këqija, po ndikojnë në përparimin e tyre shpirtëror.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për gjëra që i bëjnë çdo ditë, të cilat iu janë bërë zakone të këqija. Ata gjithashtu mund të reflektojnë se si këto zakone, si të mira edhe të këqija, po ndikojnë në përparimin e tyre shpirtëror.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Zakonet janë si një kopsht
Mund ta filloni orën mësimore duke krahasuar krijimin e zakoneve të shëndetshme me mbjelljen e një kopshti. Për ta bërë këtë, merreni parasysh të paraqitni një figurë të një parcele me barëra të këqija dhe më pas një figurë të rreshtave të luleve ose bimëve në një kopsht.
Imagjino sikur një shok donte të dinte çfarë do t’i nevojitej të bënte për ta kthyer një copë toke të mbuluar me barëra të këqija, në një kopsht.
-
Çfarë do ta këshilloje atë të bënte?
Nxënësit mund të përmendin gjëra si heqja e barërave të këqija, përgatitja e tokës, mbjellja e farave, plehërimi dhe ujitja e bimëve.
-
Si mund të krahasohet procesi i mbjelljes së një kopshti me krijimin e zakoneve të shëndetshme?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të mendojnë rreth zakoneve të tyre. Nxënësit mund të kërkojnë ndihmën e Frymës së Shenjtë për të dalluar atë që po bëjnë mirë dhe çfarë mund të përmirësojnë.
Në ditarët e tyre të studimit, nxënësit mund të vizatojnë një bar të keq dhe një lule. Nxënësit mund ta emërtojnë barin e keq “Zakonet që dua të ndryshoj” dhe lulen “Zakone për t’i filluar ose vazhduar”.
Nëse nxënësit kanë nevojë për një shembull, mund të paraqitni figurën vijuese ose ta vizatoni atë në tabelë.
-
Si ndikojnë zakonet në jetën tonë?
-
Çfarë mund ta bëjë të vështirë korrigjimin e zakoneve të pashëndetshme ose krijimin e zakoneve të shëndetshme?
Jezu Krishti mund të na ndihmojë t’i ndryshojmë zakonet tona
Nëse doni, mund t’i siguroni nxënësit se, megjithëse duhet përpjekje për t’i ndryshuar zakonet tona, Shpëtimtari ka premtuar të na ndihmojë.
Lexo tek Ezekiel 36:26–27; Mosia 3:19; dhe Ethëri 12:27, duke kërkuar atë që japin mësim këto shkrime të shenjta rreth mënyrës se si Jezu Krishti mund të na ndihmojë të ndryshojmë.
-
Si mund të gjejnë zbatim këto vargje për ndryshimin e zakoneve tona?
Edhe Presidenti Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim për ndryshimin e zakoneve tona:
“Sigurisht, ne të gjithë kemi disa zakone ose të meta apo histori vetjake që mund të na mbajnë larg nga zhytja e plotë shpirtërore në këtë punë. …[K]a ndihmë hyjnore për çdonjërin prej nesh në çfarëdo ore, kur e ndiejmë që ta bëjmë një ndryshim në sjelljen tonë. Perëndia i dha Saulit ‘[një] zem[ër tjetër]’. Ezekieli i bëri thirrje tërë Izraelit të lashtë që ta flakte të shkuarën dhe të ‘bën[te] … një zemër të re dhe një shpirt të ri’. Alma bëri thirrje për një ‘ndryshim [të] madh’ që do ta bënte shpirtin të zgjerohej, dhe Vetë Jezusi dha mësim që ‘nëse një nuk ka rilindur, nuk mund të shohë mbretërinë e Perëndisë’. Qartësisht mundësia për të ndryshuar dhe për të jetuar në një nivel më të lartë ka qenë gjithmonë njëra nga dhuratat e Perëndisë për ata që e kërkojnë atë.” (“Pasuria më e Madhe”, Liahona, nëntor 2021, f. 9)
-
Si do ta përmblidhje në një pohim të vërtete atë që japin mësim këto shkrime të shenjta dhe Presidenti Holland rreth zakoneve?
Ndërsa nxënësit flasin, ndihmojini ata të përcaktojnë një të vërtetë si: Ndërsa vijmë te Jezu Krishti, Ai do të na ndihmojë t’i ndryshojmë zakonet tona.
-
Si mendon, përse kemi nevojë për ndihmën e Jezu Krishtit për t’i ndryshuar zakonet tona?
-
Cilat janë disa mënyra se si mund të vijmë tek Ai, që Ai të mund të na ndihmojë t’i ndryshojmë zakonet tona?
Shembulli i Gideonit
Për t’i ndihmuar nxënësit të kuptojnë mënyrën se si Shpëtimtari mund të na ndihmojë të ndryshojmë, merreni parasysh të jepni historinë e Gideonit. Sipas nevojës, mund të shpjegoni se Baali ishte një perëndi pagan që njerëzit e adhuronin në vend të Zotit (shihni te “Baal”, Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta).
Pas një periudhe ligësie, izraelitët u shtypën nga madianitët. Zoti përgatiti një njeri, të quajtur Gideon, për të ndihmuar të çlironte Izraelin nga armiqtë e tij (shih te Gjyqtarët 6:11–14).
Ndërsa mori detyrën e caktuar nga Zoti, Gideoni shprehu shqetësimin se nuk do të ishte në gjendje ta përmbushte atë.
Lexo te Gjyqtarët 6:15–16 duke kërkuar mënyrën se si u përgjigj Zoti ndaj gjërave që frikësonin Gideonin.
Gideoni ia çoi shqetësimet e tij Zotit. Zoti e siguroi Gideonin se Ai nuk do të përballej i vetëm me këtë detyrë (shih te Gjyqtarët 6:17–24).
Lexo te Gjyqtarët 6:25–26 duke kërkuar çfarë ndryshimesh i kërkoi Zoti Gideonit të bënte.
-
Pse mendon se Zoti e udhëzoi Gideonin të shkatërronte në fillim altarin e Baalit dhe më pas të ndërtonte një altar të ri për Zotin?
-
Nëse i krahasojmë këta dy altarë (ndërtimi i altarit të ri për Zotin pas shkatërrimit të altarit për Baalin) me zakonet tona, çfarë mund të na mësojë ky shembull rreth asaj që do të donte Zoti që të ndryshojmë? Cilat janë disa mënyra se si Ai mund të na ndihmojë?
Nëse doni, mund t’i krahasoni udhëzimet e Zotit për Gideonin me heqjen në fillim të barërave të këqija dhe më pas me mbjelljen e farërave nga fillimi i mësimit. Ndihmojini nxënësit të kuptojnë dëshirën e Zotit për të na ndihmuar të heqim nga jeta jonë zakonet e pashëndetshme (heqja e bimëve të këqija/prishja e altarit të një perëndie të rreme) dhe të zbatojmë zakone të shëndetshme në jetën tonë (mbjellja e farave, ndërtimi i një altari të ri për Zotin).
Krijimi i zakoneve të shëndetshme
Nxënësit mund të renditin në tabelë përgjigjet e tyre për pyetjet vijuese.
Lexo tek Alma 13:28–29 duke kërkuar mënyrat se si mund të vijmë te Jezu Krishti në mënyrë që Ai të mund të na ndihmojë t’i ndryshojmë zakonet tona.
-
Çfarë gjete?
-
Cilat janë disa mënyra të tjera se si mund të vijmë tek Ai?
Fletushka “Krijimi i Zakoneve të Shëndetshme që na Ndihmojnë të Afrohemi më Pranë Zotit” mund t’i ndihmojë nxënësit të krijojnë një skenar për dikë që i zëvendëson zakonet e pashëndetshme me modele të mira. Më pas, ata mund ta zbatojnë këtë zotësi në jetën e tyre. Nxënësit mund të punojnë me fletushkën si klasë, në grupe të vogla ose më vete.
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini nxënësit të tregojnë pikëpamjet që patën ndërsa punuan me fletushkën.
Shpëtimtari do të na ndihmojë t’i ndryshojmë zakonet tona
Për t’i përgatitur nxënësit të tregojnë përvoja, mund të shfaqni materialin filmik Come unto Christ: 2014 Theme Song [Ejani te Krishti: Kënga për Temën për Vitin 2014] (4:48). Nëse doni, ju gjithashtu mund të tregoni një përvojë vetjake rreth mënyrës se si Shpëtimtari ju ndihmoi ju ose dikë që ju njihni, të bëni ndryshime për t’u bërë më shumë si Ai.
-
Si të ka frymëzuar Shpëtimtari ty ose dikë që ti njeh, të bësh ndryshime për t’u bërë më shumë si Ai?
-
Nëse dikush shprehu se është e vështirë t’i ndryshojë zakonet e tij, çfarë do të doje që të kujtonte ai rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
Mund të jetë e dobishme t’i inkurajoni nxënësit të jenë të duruar dhe këmbëngulës në përpjekjet e tyre, sepse shpesh duhen kohë dhe përpjekje të përsëritura për t’i ndryshuar zakonet tona. Mund të lexoni përsëri vargjet tek Ezekiel 36:26–27 për t’u kujtuar nxënësve se Shpëtimtari premton t’i bekojë me Shpirtin e Tij për t’i ndihmuar ata të bëjnë ndryshime.