“Përballimi i Trishtimit dhe Depresionit: Jezu Krishti do të Mbartë Brengën dhe Dhembjen Tonë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Përballimi i Trishtimit dhe Depresionit: Jezu Krishti do të Mbartë Brengën dhe Dhembjen Tonë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Shëndeti Fizik dhe Emocional: Mësimi 185
Përballimi i Trishtimit dhe Depresionit
Jezu Krishti do të Mbartë Brengën dhe Dhembjen Tonë
Ati Qiellor e dinte se kjo jetë e vdekshme do të sjellë çaste trishtimi, shkurajimi, zhgënjimi dhe depresioni. Ai dërgoi Birin e Tij që të përjetonte gjithçka që do të vuanim ne, me një premtim që fuqia e Tij mund të na ndihmojë të gjejmë prehje (shih te Mateu 11:28–30). Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë mënyrën se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do t’i ndihmojnë ata të durojnë ndjenjat e trishtimit dhe depresionit.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të gjejnë një shkrim të shenjtë ose citim nga një udhëheqës/e i/e Kishës që mund ta ndihmojë dikë të përqendrohet tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kur ndihet i/e trishtuar ose i/e dëshpëruar. Ata mund të përgatiten për t’ia treguar shkrimet e tyre të shenjta klasës.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Barrët e jetës sonë
Shënim: Nuk është nevoja të jeni një ekspert i shëndetit mendor për ta dhënë këtë mësim. Lutuni për udhërrëfimin e Atit Qiellor, ndiqni materialet e mësimit dhe mirëbesojini Frymës së Shenjtë. Nëse nxënësit tregojnë vështirësitë vetjake me të cilat përballen, ose bëjnë pyetje që nuk mund t’i trajtoni, sigurojini se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i duan ata. Inkurajojini ata të kërkojnë këshillë shtesë nga prindërit, udhëheqësit e Kishës, këshilltarët e shkollës ose specialistë të tjerë të shëndetit mendor.
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke paraqitur një figurë të ekskursionistëve që ecin në një shteg malor. Ftojini nxënësit të diskutojnë mënyrën se si kjo mund të jetë si udhëtimi ynë tokësor. Më pas, kërkojuni nxënësve të imagjinojnë një ekskursionist që iu desh të mbante një çantë shpine të rëndë gjatë gjithë udhëtimeve të tij.
-
Si mund ta rritë çanta e rëndë e shpinës vështirësinë e udhëtimit? Si mund të jetë ajo një bekim?
Mund t’u kërkoni më pas nxënësve të tregojnë disa nga “çantat e shpinës” emocionale që adoleshentët mund të jenë duke i mbajtur sot. Pasi nxënësit të flasin, shpjegoni se ky mësim do të përqendrohet në ndjenjat e trishtimit ose depresionit që ndonjëherë i mbajmë në jetë.
Edhe emocionet sfiduese si trishtimi dhe depresioni janë pjesë normale të udhëtimit tonë në vdekshmëri. Si një çantë shpine e rëndë, ndjenjat e vështirësisë mund ta bëjnë udhëtimin tonë të duket shkurajues, por këto emocione gjithashtu mund të na ndihmojnë të jemi të ndjeshëm dhe të kemi dhembshuri për të tjerët që kanë vështirësi.
Në ditarin e studimit, shëno se si ndjenjat e trishtimit dhe depresionit mund të jenë duke ndikuar në jetën tënde tani ose nëse kanë ndikuar në të kaluarën.
Jezu Krishti e di saktësisht se si ndihemi
Kujtojuni nxënësve se profetët e lashtë dhe bashkëkohorë kanë dhënë mësimin se Shpëtimtari mund të na ndihmojë t’i durojmë të gjitha ndjenjat e vështirësisë.
Lexo tek Isaia 53:3–5 dhe Alma 7:11–12, duke kërkuar të vërtetat rreth fuqisë së Shpëtimtarit për të na ndihmuar kur jemi të trishtuar, të shkurajuar ose të dëshpëruar.
-
Cilat fjalë ose fraza të bëjnë më shumë përshtypje?
-
Si mund ta ndihmojë kjo dikë që e ka të vështirë të durojë peshën e këtyre barrëve emocionale?
Duke e ditur se fëmijët e Atit Qiellor do të vuanin në këtë jetë, Presidenti Rasëll M. Nelson tha:
“Unë ju përgjërohem që të vini tek [Jezu Krishti] që Ai të mund t’ju shërojë ju! … Ai do t’ju shërojë nga trishtimi dhe frika. Ai do t’ju shërojë nga plagët e kësaj bote.
Çfarëdo pyetjesh apo problemesh të keni, përgjigjja gjendet gjithmonë në jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit. Mësoni më shumë për Shlyerjen e Tij, dashurinë e Tij, mëshirën e Tij, doktrinën e Tij dhe ungjillin e Tij të rivendosur të shërimit dhe përparimit. Drejtohuni tek Ai! Ndiqeni Atë!” (“Përgjigjja Është Gjithmonë Jezu Krishti”, Liahona, maj 2023, f. 127)
-
Si do ta përmblidhje atë që mësove nga Isaia, Alma dhe Presidenti Nelson rreth përballjes me barrë të tilla si trishtimi dhe hidhërimi?
Ndër gjërat e tjerat që mund të tregojnë nxënësit, ndihmojini ata të përcaktojnë një të vërtetë si: Ndërsa vijmë tek Ai, Shpëtimtari do të na ndihmojë të mbajmë barrët e trishtimit dhe hidhërimit.
Nxënësit mund të kenë dobi nga materialet filmike “Ejani te Krishti” në Facebook “Because Jesus Christ died …” [“Për Shkak se Jezu Krishti vdiq …”] (1:06) ose “Rise” [“Ngrihuni”], (1:42) nga ComeUntoChrist/facebook.com.
-
Çfarë kuptimi mund të kenë shprehjet “të vijë tek Ai”, “të drejtohet tek Ai” dhe “ta ndjekë Atë” për dikë që kërkon ndihmën e Shpëtimtarit lidhur me trishtimin, shkurajimin ose depresionin?
-
Si mendon se kuptueshmëria e kësaj të vërtete mund ta ndihmojë dikë që ka vështirësi me këto ndjenja?
Ftoje Frymën e Shenjtë të të ndihmojë të dallosh mënyrat se si Shpëtimtari po të jep ty vetë shërbesë ndërsa përballesh me trishtim, brengë ose ndonjë barrë tjetër emocionale.
Me Shpëtimtarin ne mund të durojmë
Historia e profetit Elija mund të na ndihmojë të përcaktojmë mënyrat se si Shpëtimtari na ndihmon t’i durojmë sfidat emocionale.
Merreni parasysh të paraqitni një figurë të Elijas i vetëm në anën e malit. Ndërsa nxënësit i dëgjojnë hollësitë vijuese nga historia, ftojini ata të imagjinojnë mënyrën se si mund të ndiheshin në një situatë të ngjashme.
Pasi Elija i dënoi profetët e rremë të Baalit në malin Karmel (shih te 1 Mbretërve 18), mbretëresha e ligë Jezebel kërkoi ta vrisnin atë. Zoti e paralajmëroi Elijan, i cili ia mbathi në shkretëtirë i vetëm (shih te 1 Mbretërve 19:1–3).
-
Çfarë ndjesish mund të kishe pasur në këtë situatë?
Lexo te 1 Mbretërve 19:4, duke kërkuar mënyrën se si u ndje Elija.
Për t’i ndihmuar nxënësit të përcaktojnë mënyrat se si Zoti e ndihmoi Elijan dhe mund t’i ndihmojë ata të mbajnë nën kontroll ndjenjat e trishtimit dhe depresionit, jepini çdo nxënësi një kopje të fletushkës “Zoti na Ndihmon të Durojmë”. Ftojini nxënësit të punojnë individualisht, së bashku me një partner, ose në një grup dhe të ndjekin udhëzimet në fletushkë.
Pas veprimtarisë së fletushkës, mund t’i ftoni nxënësit e gatshëm të tregojnë se çfarë mësuan. Ju mund t’u jepni atyre një mundësi për të ndihmuar pjesëtarë të tjerë të klasës duke bërë pyetjen vijuese.
-
Cilat janë disa mënyra të tjera se si i ke parë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin të të ndihmojnë ty ose dikë që ti njeh, të përballeni me barrët emocionale?
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të tregojnë një shkrim të shenjtë të parapëlqyer, himn, ose figurë që i ka ndihmuar ata të mbështeten tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kur janë të trishtuar ose të dëshpëruar.
1 Mbretërve 19:4 mund të krijojë pyetje rreth lëndimit të vetes ose vetëvrasjes. Këto tema duhet të merren gjithmonë seriozisht. Kujtojuni nxënësve se ata po veprojnë me besim te Jezu Krishti kur i thonë dikujt se çfarë po ndiejnë. Burime shtesë rreth parandalimit të depresionit dhe vetëvrasjes mund të gjenden te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] dhe te Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit në variantin në internet të këtij manuali.
Tregoje atë që ke ndier
Shënim: Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se, edhe me kujdesin e dhembshur, të dashur dhe të vazhdueshëm të Zotit, ndonjëherë ndjesitë negative vazhdojnë. Depresioni mund të pengojë ndonjëherë aftësinë tonë për të ndier dashurinë e Shpëtimtarit ose për të dalluar ndihmën e Frymës së Shenjtë.
Në ditarin e studimit, përzgjidh një ose më shumë nga pikat vijuese për ta plotësuar:
-
Shkruaj diçka që mësove ose ndjeve sot, që mund të të ndihmojë të mbështetesh tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kur ndihesh i trishtuar ose i dëshpëruar.
-
Shkruaj një fragment të shkrimit të shenjtë që mund të të ndihmojë kur ndihesh i trishtuar ose i dëshpëruar (të tillë si Isaia 53:3–5; Psalmeve 34:18; or Alma 7:11–12). Si mund të të ndihmojnë fjalët ose frazat nga ky fragment të ndihesh pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
-
Po të kishe një shok që ishte i trishtuar ose i dëshpëruar, çfarë do të doje që të kuptonte ky person rreth Atit Qiellor, Jezu Krishtit dhe asaj që mësove sot? Shkruaj atë që do t’i thoshe.
Nxënësit mund të kenë dobi nga mesazhi i Presidentit Xhefri R. Holland rreth mënyrës se si t’i ndihmoni ata që kanë vështirësi me depresionin. Merreni parasysh të shfaqni materialin filmik “Mental Health: Compassion for Those Who Struggle” [“Shëndeti Mendor: Dhembshuri për Ata që Kanë Vështirësi”] (2:26) në dispozicion te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Në këtë material filmik, Presidenti Holland na kujton se asnjë masë vullneti vetjak nuk mund të zgjidhë depresionin e rëndë. Kërkimi i ndihmës profesionale është çelësi për të shëruar problemet tona të shëndetit mendor së bashku me përkrahjen dhe dhembshurinë e të tjerëve.
Ju mund ta përmbyllni me një përvojë kur Zoti ju ndihmoi të përballeshit me emocione sfiduese.