“Zhvillimi i Modeleve të të Menduarit të Shëndetshëm: ‘Mendjes që Pushon te Ti’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Zhvillimi i Modeleve të të Menduarit të Shëndetshëm: ‘Mendjes që Pushon te Ti’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Shëndeti Fizik dhe Emocional: Mësimi 183
Zhvillimi i Modeleve të të Menduarit të Shëndetshëm
“Mendjes që Pushon te Ti”
Mendimet tona mund të ndikojnë në mënyrën se si ndihemi dhe në zgjedhjet që bëjmë çdo ditë. Disa mendime na ndihmojnë të marrim vendime të mira ndërkohë që të tjera mund të ndikojnë negativisht në ndjenjat dhe veprimet tona. Ndërsa Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i njohin dhe i kuptojnë mendimet tona (Psalmeve 139:1–2), përqendrimi tek Ata mund të na ndihmojë të krijojmë modele të shëndetshme të të menduarit. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të shohin te Shpëtimtari ndërsa krijojnë modele të shëndetshme të të menduarit.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit t’u kushtojnë vëmendje mendimeve që kanë gjatë ditës. Ata mund të reflektojnë edhe për mënyrën se si i bëjnë të ndihen këto mendime.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Pasoja e mendimeve tona
Nëse dëshironi, mund ta filloni orën mësimore duke u dhënë nxënësve 30 sekonda për të shkruar disa nga mendimet që kanë pasur dje ose sot.
Merreni parasysh ta paraqitni figurën vijuese në tabelë. Ju mund të shpjegoni se ky diagram mund të përfaqësojë pasojën që kanë modelet tona të të menduarit në veprimet dhe përparimin tonë. Nëse nuk i mbajmë nën kontroll në një mënyrë të shëndetshme, modelet e padobishme të të menduarit mund të shkaktojnë ndjesinë se kemi ngecur në vend. Ndonjëherë ne mund të supozojmë se aftësia jonë për të marrë vendime dhe për të ndërmarrë veprime, është e kufizuar. Kur përqendrohemi te këto mendime, ato mund të bëjnë që të ndihemi keq në lidhje me veten dhe të tjerët. Modelet e dobishme të të menduarit na ndihmojnë të shkojmë përpara. Ato na ndihmojnë të dallojmë aftësinë tonë për të vepruar me besim te Jezu Krishti.
-
Çfarë lloj mendimesh mund të na shkaktojnë ndjesinë se kemi ngecur në vend (gropa)? Çfarë lloj mendimesh na ndihmojnë të shkojmë përpara (shtegu)?
Nxënësit mund të përmendin se mendime si “Ti më zemërove” mund t’i bëjnë ata të ndiejnë se kanë ngecur në vend. Të menduarit “Mund ta provoj sërish” mund t’i ndihmojë ata të shkojnë përpara.
-
Cilat janë disa prej vendimeve që mund të marrë dikush bazuar te mendimet e pasakta ose të padobishme?
Ndalu një çast për ta ftuar Shpirtin të të ndihmojë të dallosh mënyrën se si i ke parë mendimet e tua të ndikojnë në veprimet që ti ndërmerr. Ndërsa studion, kërko frymëzim për të ditur se çfarë mund të bësh për t’i mposhtur këto modele negative të të menduarit.
Përqendrimi i mendjes sonë te Jezu Krishti
Ndërsa përpiqemi të mbajmë nën kontroll modelet e padobishme ose të pasakta të të menduarit, mund të jetë e dobishme ta ripërqendrojmë mendjen tonë tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Për t’i ndihmuar nxënësit të shohin mënyrat se si Zoti premton të na bekojë ndërsa përqendrohemi tek Ai, merreni parasysh të paraqitni fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë. Mund t’i organizoni nxënësit në grupe me nga tre veta dhe ta vini secilin nxënës të studiojë një fragment dhe ta tregojë atë që mësoi.
Isaia 26:3–4
Doktrina e Besëlidhje 6:23, 36–37
-
Çfarë bekimesh mund të marrim kur e përqendrojmë mendjen (mendimet) tonë te Jezu Krishti?
Mund ta shkruani parimin vijues në tabelë: Ndërsa e përqendrojmë mendjen te Jezu Krishti, Ai do të na japë paqe dhe forcë.
Për të rritur vetëbesimin e nxënësve se Shpëtimtari do t’i ndihmojë ata ta përqendrojnë mendjen tek Ai, mund të shfaqni materialin filmik “Filling Our Minds with the Power of Jesus Christ” [“Mbushja e Mendjes me Fuqinë e Jezu Krishtit”] (2:07) në vend të thënies së Plakut Andersen më poshtë.
2:7 -
Në ç’mënyrë mendon se përqendrimi i mendjes sonë te Jezu Krishti na jep paqe dhe forcë?
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi mënyrën se si mund ta përqendrojmë mendjen te Jezu Krishti.
“Mbushja e mendjes sonë me fuqinë e Jezu Krishtit nuk do të thotë se Ai është i vetmi mendim që kemi. Por nënkupton se të gjitha mendimet tona brendashkruhen në dashurinë e Tij, jetën dhe mësimet e Tij, flijimin e Tij shlyes dhe Ringjalljen e Tij të lavdishme. Jezusi nuk është kurrë në një qoshe të harruar, sepse mendimet tona për Të janë gjithnjë të pranishme dhe ‘gjithçka që është në [ne, e adhuron] Atë!’ Ne lutemi dhe risjellim në mendjen tonë përvojat që na kanë sjellë më pranë Tij. Mirëpresim në mendjen tonë imazhe hyjnore, shkrime të shenjta dhe himne të frymëzuara që t’i zbutin lehtë mendimet e panumërta të përditshme që vërshojnë gjatë jetës sonë të ngjeshur. Dashuria jonë për Të nuk na mbron nga trishtimi dhe hidhërimi në këtë jetë në vdekshmëri, por na lejon t’i përshkojmë sfidat me një forcë shumë më të madhe se e jona.” (“Mendja Ime po më Përqendrohej në Këtë Mendim për Jezu Krishtin”, Liahona, maj 2023, f. 92) (kodi kohor 3:50 deri në 5:02)
-
Cilat rekomandime nga Plaku Andersen të bëjnë përshtypje?
-
Si të kanë ndihmuar ty ose dikë që ti njeh figurat, shkrimet e shenjta ose muzika e shenjtë që të përqendroheni te Jezu Krishti?
Ushtrohu për të reaguar ndaj mendimeve të padobishme
Hapat vijues mund të na ndihmojnë t’i mposhtim modelet negative të të menduarit. Merreni parasysh t’i shkruani ato në tabelë.
Kur kemi mendime të padobishme, ne mund:
-
T’i dallojmë mendimet ndërsa vijnë dhe ndjesitë që vijnë për pasojë.
-
Të rregullojmë të menduarit tonë.
-
Të shkojmë përpara me besim te Jezu Krishti.
1. Dalloni. Skenari vijues mund t’i ndihmojë nxënësit të dallojnë disa mendime të padobishme që mund të ketë një person gjatë gjithë ditës. Rregullojeni skenarin që të përputhet me situatat që mund të përjetojnë nxënësit tuaj.
Gjatë orës së matematikës, Tani e pati të vështirë të kuptonte koncepte që për nxënësit e tjerë kishin kuptim.
Kur Tani u kthye nga shkolla në shtëpi, prindërit e kërcënuan t’ia hiqnin telefonin nëse nuk do ta pastronte dhomën e tij.
Atë mbrëmje, Tani zbuloi se shokët e tij do të shkonin në një festë ku atë nuk e kishin ftuar.
-
Çfarë mendimesh mund të ketë pasur Tani gjatë gjithë ditës?
Ja disa mënyra të mundshme se si mund të përgjigjen nxënësit. Shpjeguesit janë etiketa të modeleve të zakonshme, të pasakta të të menduarit. Mund të mësoni më shumë rreth tyre te Gjetja e Forcës te Zoti: Ripërtëritja Emocionale, “Modele të të Menduarit të Shëndetshëm: Mësoni”.
-
“Nuk jam i zoti në matematikë. Të gjithë janë më të zgjuar se unë.” (Etiketim i gabuar)
-
“Prindërit e mi nuk më thonë asnjëherë se çfarë bëj mirë; ata më thonë gjithmonë çfarë është e nevojshme ta bëj më mirë.” (Gjithçka ose Asgjë)
-
“Shokët e mi nuk më kanë qejf.” (Nxjerrja e Përfundimeve të Menjëhershme)
-
“Sot nuk ndodhi asgjë e mirë. Ishte thjesht dështim pas dështimi.” (Filtri Mendor Negativ; Zhvleftësimi i të Menduarit Pozitiv)
-
-
Çfarë emocionesh mund të përjetojë Tani me këto mendime?
-
Cilat janë disa mënyra të dobishme se si Tani mund të tundohet të veprojë bazuar në këto emocione?
2. Të rregullojmë të menduarit tonë. Merreni parasysh të lexoni tek Isaia 55:8–9 dhe të diskutoni mënyrën se si mendimet e Zotit janë më të larta sesa tonat. Rregullimi i të menduarit tonë mund të na ndihmojë t’i lartësojmë mendimet tona që të jenë më shumë si të Zotit. Merreni parasysh të paraqitni sa vijon për nxënësit:
Përkufizo
Rregullimi i mendimeve tona nënkupton se kur vjen një mendim i padobishëm, ne e vlerësojmë atë nga një këndvështrim i ndryshëm. Ne mund ta bëjmë këtë duke bërë pyetje si:
-
A është i saktë ky mendim?
-
A është i dobishëm?
-
Si mund të më ndihmojë të menduarit për Atin Qiellor, Jezu Krishtin dhe mësimet e Tyre për këtë mendim?
Mund t’i shkruani këto pyetje në tabelë që nxënësit t’i përdorin ndërsa e ndihmojnë Tanin.
Jep Modelin
Hiqu sikur je Tani dhe je i mendimit “Nuk jam i zoti në matematikë”.
Ndihmoje Tanin ta rregullojë këtë mendim duke iu përgjigjur pyetjeve vijuese:
-
A është i saktë ky mendim?
-
A është i dobishëm?
-
Si mund të më ndihmojë të menduarit për Atin Qiellor, Jezu Krishtin dhe mësimet e Tyre për këtë mendim?
Mund ta rregullosh mendimin e Tanit me diçka të tillë: “Ky mendim nuk është i dobishëm (edhe nëse tani është i saktë). Unë e di se Ati Qiellor ka premtuar t’u përgjigjet lutjeve të mia. Unë mund të lutem për ndihmën e Tij. Mësuesi im do të më ndihmojë dhe unë mund të bëj punë shtesë.”
-
Cilat janë disa mënyra të tjera se si Tani mund ta rregullojë të menduarit e tij? Çfarë mund të bëjë ai për të ecur përpara me besim te Krishti?
Ushtrohu
Zgjidh një nga mendimet e Tanit për të ushtruar zotësinë e rregullimit të mendimeve duke iu përgjigjur pyetjeve.
Ushtro modele të të menduarit të shëndetshëm
Paraqiteni figurën vijuese. Nxënësit gjithashtu mund të vizatojnë një kopje në ditarët e studimit. Shpjegoni se shkalla mund të përfaqësojë mënyrat se si Shpëtimtari na ndihmon të përqendrohemi tek Ai, të rregullojmë modelet tona të të menduarit dhe të ecim përpara.
-
Dallo. Shkruaj një mendim negativ ose të padobishëm që ke pasur ose mund të kesh në të ardhmen në flluskën e mendimit në gropë. Përcakto çdo ndjesi që mund ta shoqërojë mendimin.
-
Rregullo të menduarit tënd. Bëji vetes pyetjet vijuese për të të ndihmuar ta rregullosh atë mendim. Ti mund t’i shkruash përgjigjet afër shkallës.
-
A është i saktë ky mendim? A është i dobishëm?
-
Si mund të më ndihmojë përqendrimi tek Ati Qiellor, Jezu Krishti dhe mësimet e Tyre për këtë mendim?
-
-
Të shkojmë përpara me besim te Jezu Krishti. Shkruaj një mendim të ri që do të të ndihmojë të shkosh përpara me besim te Jezu Krishti, në flluskën e mendimit jashtë gropës. Shkruaj një shkrim të shenjtë ose himn, gjej një figurë ose rendit një mënyrë tjetër se si mund ta ruash përqendrimin tënd te Krishti (Isaia 26:3–4; Doktrina e Besëlidhje 6:36) për ta mbajtur nën kontroll atë mendim.
Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini nxënësit e gatshëm të tregojnë se çfarë u bëri më shumë përshtypje nga mësimi.
Kujtojuni nxënësve se krijimi i modeleve të të menduarit të shëndetshëm shpesh kërkon përpjekje të përsëritura dhe Shpëtimtari do t’i ndihmojë ata. Mund ta përfundoni orën mësimore duke lexuar tek Isaia 26:3–4 për t’u kujtuar atyre bekimet që do të sjellë Jezu Krishti në jetën e tyre ndërsa përpiqen ta përqendrojnë mendjen tek Ai.