“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 8: Isaia – Jeremia 20”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 8: Isaia – Jeremia 20”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Jeremia 1–3; 7; 16–18; 20: Mësimi 133
Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 8
Isaia – Jeremia 20
Reflektimi mbi zhvillimin tonë shpirtëror dhe vlerësimi i tij na ndihmon të bëhemi dishepuj më të mirë të Jezu Krishtit. Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të reflektojnë mbi synimet që kanë vendosur dhe rritjen që kanë përjetuar gjatë studimit të tyre të kohëve të fundit të Dhiatës së Vjetër.
Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’u jepni nxënësve thënien e Plakut Dejvid A. Bednar në mësim. Ftojini ata të marrin parasysh mënyrën se si kjo thënie gjen zbatim për përparimin e tyre shpirtëror gjatë seminarit këtë vit. Inkurajojini ata t’i vlerësojnë përpjekjet e tyre duke rishikuar shënimet në ditar, shkrimet e shenjta që kanë shenjuar dhe shënimet që kanë mbajtur.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Qëllimi i këtij mësimi është t’i ndihmojë nxënësit të vlerësojnë përparimin e tyre shpirtëror ndërsa vazhdojnë studimin e tyre të Dhiatës së Vjetër. Ora juaj mësimore mund të jetë përqendruar në rezultate të ndryshme nga ato të vlerësuara në këtë mësim. Nëse po, përshtatini veprimtaritë për të vlerësuar atë që mësuan nxënësit në mësimet më të fundit të seminarit. Mund të zgjidhni gjithashtu të përdorni veprimtaritë “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj” për çdo kategori nga “Përgatitja për Jetën” që e keni mbaruar së dhëni mësim. Idetë jepen në shtojcën e këtij manuali.
Në këtë mësim, nxënësit do të vlerësojnë përparimin e tyre në disa ose të gjitha fushat vijuese:
-
Shpjegimi i titujve dhe i roleve të Jezu Krishtit (Shënim: Kjo veprimtari bazohet në Mësimin 113: “Hyrje te Libri i Isaias”, por mund të gjejnë zbatim edhe mësime të tjera.)
-
Të ndierit e një dëshire më të madhe për ta mposhtur mëkatin nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit (Shënim: Kjo veprimtari bazohet në Mësimin 114: “Isaia 1”, por Mësimi 103: “Psalmeve 24” dhe Mësimi 124: “Isaia 53” mund të gjejnë gjithashtu zbatim.)
Vlerësimi i rritjes dhe ecurisë sonë shpirtërore
Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke shfaqur pjesën e materialit filmik “Një Përqind më Mirë”, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 0:00 deri në 2:11. Përndryshe, mund të lexoni përmbledhjen më poshtë ose ta tregoni atë me fjalët tuaja.
Sa vijon është një përmbledhje e një rrëfimi të dhënë nga Plaku Majkëll A. Dan, i Të Shtatëdhjetëve.
Për më shumë se një shekull, ekipet britanike të çiklizmit kishin qenë “gazi i botës së çiklizmit”. Megjithatë, në vitin 2003, kjo gjë ndryshoi. Trajneri i sapopunësuar, Sër Dejv Brejllsfordi, zbatoi një qasje të re ndaj përmirësimit. Në vend që të përqendrohej në “ndryshime[t] dramatike brenda natës”, Sër Brejllsfordi u përqendrua në atë që ai e quajti “grumbullimi i fitimeve të vogla”. Me fjalë të tjera, ai i inkurajoi çiklistët e tij që të bënin përmirësime të vogla në të gjitha aspektet.
Ai tha: “I tërë parimi erdhi nga ideja që, po ta ndani pjesë-pjesë gjithçka që lidhet me ngarjen e një biçiklete, dhe më pas e përmirësoni secilën pjesë të procesit me 1 përqind, do të arrini një rritje të rëndësishme kur t’i bashkoni të gjitha pjesët” (shihni te “Një Përqind më Mirë”, Liahona, nëntor 2021, f. 106).
-
Si mund të zbatohet ky parim në përparimin tonë shpirtëror ndërsa punojmë për t’u bërë dishepuj më të mirë të Jezu Krishtit?
Si pjesë të diskutimit, ju mund të jepni thënien vijuese nga Plaku Bednar.
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Përmirësimet e vogla, të vazhdueshme, që vijnë në rritje, janë hapa të cilat Zoti do që ne t’i bëjmë. Përgatitja për të ecur i pafajshëm para Perëndisë, është një nga qëllimet parësore të jetës së vdekshme dhe veprimtari e gjithë kësaj jete; ajo nuk vjen nga çaste veprimtarie shpirtërore intensive të rastësishme.” (“Duar të Pafajshme dhe Zemër të Pastër”, Liahona, nëntor 2007, f. 82)
Thuajuni nxënësve se qëllimi i mësimeve “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj” është që ata të ndalojnë dhe ta ftojnë Frymën e Shenjtë t’i ndihmojë ata të dallojnë mënyrën se si po mësojnë dhe po rriten.
Për t’i ndihmuar nxënësit të përgatiten për t’u përgjigjur për pyetjet e radhës, mund të doni t’i siguroni ata se dallimi i zërit të Shpirtit nuk është i lehtë dhe kërkon kohë dhe ushtrim. Mund t’u kujtoni atyre rrëfimin e Samuelit (shihni te 1 Samuelit 3:2–10) ose të Elijas (shihni te 1 Mbretërve 19:11–12).
Shpenzo ca kohë për të menduar rreth asaj që ke mësuar kohët e fundit në studimin tënd të Dhiatës së Vjetër. Mund të përsëritësh shkrimet e shenjta që ke lexuar dhe mendimet që ke shënuar në shënimet ose në ditarin tënd të studimit.
-
Çfarë përpjekjesh ke bërë kohët e fundit për të marrë dhe dalluar mbresa nga Fryma e Shenjtë?
-
Cilat janë disa mbresa shpirtërore që ke marrë nga Fryma e Shenjtë kohët e fundit? Në ç’mënyrë ke vepruar sipas tyre?
-
Cilat janë disa përmirësime të vogla shpirtërore që ke bërë në dishepullimin tënd ndaj Jezu Krishtit?
-
Cilat janë disa aspekte ku mund të nevojitet ende që të bësh përmirësime të vogla shpirtërore?
Nxitjet e mëparshme janë shembuj të vetëvlerësimeve. Kur nxënësit marrin parasysh përvojat dhe ndjenjat e tyre, ata mund ta lidhin të mësuarit me jetën dhe situatat e tyre. (Për trajnim shtesë për krijimin e vetëvlerësimeve rreth një doktrine, të vërtete ose parimi, shihni “Krijoni mjedise dhe mundësi që nxënësit të marrin mësim nga Fryma e Shenjtë” te Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve.)
Merreni parasysh t’i inkurajoni nxënësit që nuk mendojnë se kanë bërë përmirësime shpirtërore të kujtojnë që Zoti do t’i ndihmojë ata. Sigurojini nxënësit se Zoti i do dhe i fton të jenë të duruar dhe të vazhdojnë të përpiqen.
Shpjego titujt dhe rolet e Jezu Krishtit
Si pjesë e Mësimit 113: “Hyrje te Libri i Isaias”, nxënësit mund të kenë krijuar një diagram për titujt dhe rolet e Jezu Krishtit. Nëse nxënësit tuaj e bënë këtë, mund t’u kërkoni atyre ta rishikojnë diagramin dhe të shtojnë çdo titull tjetër rreth të cilit kanë mësuar kohët e fundit. Ju mund t’i vini më pas të diskutojnë pyetjet në vijim të diagramit më poshtë.
Nëse nxënësit tuaj nuk e bënë këtë veprimtari, mund të paraqitni diagramin më poshtë. Kërkojuni atyre ta kopjojnë atë në ditarët e tyre të studimit dhe jepuni atyre udhëzimet vijuese. Jepuni atyre kohë për të kërkuar titujt shtesë që mund t’i kenë studiuar kohët e fundit në shkrimet e shenjta.
Shkruaj “Jezu Krishti” në rrethin qendror. Lexo tek Isaia 7:14; 9:6–7 dhe shkruaj në rrathët e tjerë titujt dhe rolet e Jezu Krishtit që zbulon.
-
Çfarë titujsh të tjerë ke gjetur kohët e fundit? Shtoji këto në diagramin tënd.
Mund të jetë më mirë t’i paraqitni këto pyetje dhe t’i vini nxënësit t’u përgjigjen vetë atyre. Më pas, mund t’i vini nxënësit t’i shprehin mendimet e tyre në grupe të vogla ose si klasë.
-
Që kur mësove rreth këtyre titujve ose roleve, si ka ndikuar tek ti të menduarit rreth Jezusit në këtë mënyrë?
-
Cilat rrethana në jetën tënde mund të kenë dobi nga të kujtuarit e njërit prej këtyre titujve të Jezu Krishtit?
-
Çfarë mund të bësh sot për shkak se e di këtë rreth Jezu Krishtit?
Nëse dëshironi, mund t’u tregoni nxënësve edhe një nga titujt ose rolet e Jezu Krishtit që parapëlqeni. Thuajuni atyre përse ai titull ose rol i Tij ka domethënie të veçantë për ju. Për tituj ose role të tjera, mund të doni t’i referoni nxënësit në burimin që gjendet te “The Names of Christ” [“Emrat e Krishtit”] (churchofjesuschrist.org).
Ndiej një dëshirë më të madhe për ta mposhtur mëkatin nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit
Merreni parasysh të paraqitni figurat vijuese, që nxënësit mund t’i kenë parë ndërsa studiuan kapitullin tek Isaia 1. Kërkojuni atyre të tregojnë se çfarë u mësojnë figurat rreth pendimit dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit. Nëse është e nevojshme, ftojini nxënësit të shqyrtojnë vargun tek Isaia 1:18 si një kujtues.
Pasi nxënësit të flasin, mund të doni ta shkruani të vërtetën vijuese nga Mësimi 114: “Isaia 1” në tabelë.
Nëse pendohemi me sinqeritet, Jezu Krishti do të na pastrojë nga mëkatet tona.
Më pas paraqitni ose lexoni paragrafin vijues dhe ftojini nxënësit të plotësojnë veprimtarinë.
Imagjino sikur ke një shok që mendon se nuk mund ta marrë faljen e Zotit. Shkruaji atij shoku një letër, duke i treguar atë që ke mësuar ose ndier rreth Shpëtimtarit dhe pendimit. Sigurohu që të përdorësh shkrimet e shenjta që ke studiuar kohët e fundit. Disa shembuj mund të përfshijnë vargjet tek Isaia 1:18, Isaia 53:3–5 dhe Jeremia 3:12–15.
Mund t’i inkurajoni nxënësit të shqyrtojnë çdo shënim që kanë në lidhje me këto fragmente dhe të përfshijnë në letrën e tyre gjërat e veçanta që kanë mësuar. Ata mund të marrin parasysh edhe atë që kanë mësuar ose ndier gjatë javëve të fundit ndërsa konsideruan aftësinë dhe gatishmërinë e Shpëtimtarit për të na falur kur pendohemi.