“Psalmeve 24: ‘Kush do t’i Ngjitet Malit të Zotit’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Psalmeve 24: ‘Kush do t’i Ngjitet Malit të Zotit’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Psalmeve 1–2; 8; 19–33; 40; 46: Mësimi 103
Psalmeve 24
“Kush do t’i Ngjitet Malit të Zotit?”
Tempujt janë vende të shenjta që janë të pastra dhe të dëlira. Ata mund të na ndihmojnë të imagjinojmë se si do të jetë kur të jemi në praninë e Zotit. Te Psalmeve 24, mbreti David na fton të përpiqemi fort të jemi shpirtërisht të pastër dhe të dëlirë në mënyrë që të mund të hyjmë në tempullin e Zotit dhe në praninë e Tij një ditë. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të përgatiten për të hyrë denjësisht në tempull dhe për të banuar përfundimisht në praninë e Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të shqyrtojnë pyetjet e rekomandimit të tempullit, duke menduar rreth përgatitjes së tyre shpirtërore për të frekuentuar tempullin. Këto pyetje mund të gjenden në shtojcën e materialit Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve [2022].
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
I ndotur apo i pastër?
Për t’i përgatitur nxënësit të studiojnë Psalmeve 24, merreni parasysh të paraqitni një figurë të një adoleshenti të ndotur me baltë.
Ju mund të sillni edhe baltë në një tas dhe t’i ftoni disa nxënës t’i futin duart e tyre në të. Më pas, përshtateni pyetjen më poshtë duke i pyetur nxënësit se si ndihen.
-
Kur ishte hera e fundit që ke qenë shumë i ndotur ose me baltë? Si u ndjeve?
Merreni parasysh të paraqitni një figurë të pjesës së brendshme të një tempulli.
Nëse nxënësit nuk kanë qenë brenda një tempulli, merreni parasysh ta përshtatni pyetjen vijuese për t’i pyetur për mënyrën se si e përfytyrojnë se do të ndiheshin brenda tempullit.
-
Si ndihesh kur hyn në tempull?
Merreni parasysh të paraqitni figurën e adoleshentit me baltë në krah të figurës nga tempulli.
-
Si do të ndiheshe po të futeshe me shumë baltë brenda tempullit? Përse?
-
Çfarë mësimesh shpirtërore mund të mësojmë nga kjo?
Përsiat se si mund të ndiheshe po të qëndroje në praninë e Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit ndërkohë që je shpirtërisht i ndotur ose me baltë. Më pas, përsiat se si mund të ndihesh duke qëndruar në praninë e Tyre pasi të jesh bërë i panjollë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.
Në ditarin tënd të studimit, përgjigju për pyetjet vijuese:
-
Sa e rëndësishme është për ty të jesh i denjë për tempullin? Përse?
-
Sa e rëndësishme është për ty që një ditë të banosh me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin? Përse?
Kërko udhërrëfim nga Fryma e Shenjtë për të të ndihmuar të dish atë që do të donte Zoti që të bëje për ta adhuruar Atë denjësisht në tempull dhe për të hyrë një ditë në praninë e Tij dhe të Atit Qiellor.
“Mali i Zotit”
Për të filluar studimin e kapitullit te Psalmeve 24, merreni parasysh të krijoni një vizatim të thjeshtë të një kodre në tabelë. Nxënësit mund të vizatojnë të njëjtën gjë në ditarët e studimit. Lexojeni ose përmblidheni paragrafin më poshtë.
Te Psalmeve 24, mbreti David përdori përfytyrimin e një kodre. Disa fragmente të shkrimit të shenjtë përdorin malet ose kodrat si simbole të tempujve (shih tek Isaia 2:2–3). Ka mundësi që Davidi po i referohej tempullit, ose pranisë së Perëndisë, ose të dyja gjërave.
Nëse doni, mund të përfshini në majë të kodrës suaj një vizatim të thjeshtë të një tempulli dhe fjalët Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Mund të vizatoni në fund të kodrës një figurë njeriu që na përfaqëson ne.
Lexo te Psalmeve 24:3–6, duke kërkuar atë që duhet të bëjmë për t’u përgatitur për të hyrë në tempull dhe për t’u kthyer në praninë e Zotit një ditë.
Psalmeve 24:3–4 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.
Pasi nxënësit t’i lexojnë vargjet, ata mund të kenë pyetje rreth disa prej fjalëve ose frazave. Ftojini nxënësit të bëjnë çdo pyetje që ata ose dikush në përgjithësi mund të kenë ndërsa e lexojnë këtë fragment. Nëse është e dobishme, shpjegoni se “për t’u dukur” i referohet krenarisë ose arrogancës. Fraza “nuk betohet në mënyrë të rreme” mund t’i referohet të qenit i ndershëm me veten, të tjerët dhe Perëndinë.
Merreni parasysh t’i shkruani përgjigjet e nxënësve për pyetjen vijuese në tabelë bashkë, përgjatë skajit të kodrës. Vizatimi juaj i fundit mund të jetë diçka e ngjashme me figurën më poshtë.
-
Çfarë mësove nga këto vargje rreth përgatitjes për të hyrë në tempull dhe për t’u kthyer në praninë e Zotit një ditë?
Ndërsa nxënësit e tregojnë atë që gjetën në vargjet 3–6, ndihmojini ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ne duhet të përgatitemi shpirtërisht për ta adhuruar Zotin në tempullin e Tij dhe për të banuar në praninë e Tij.
-
Përse mendon se është e nevojshme të jemi shpirtërisht të përgatitur për të hyrë në tempujt e Zotit dhe përfundimisht në praninë e Tij?
-
Si mund të jenë kërkesat e Zotit për të qenë shpirtërisht të përgatitur provë e dashurisë së Tij për ne?
Përgatitja shpirtërore
Merreni parasysh t’i paraqitni udhëzimet vijuese dhe t’i ftoni nxënësit t’i kryejnë ato individualisht në ditarin e studimit ose me një partner.
Zgjidh një nga frazat vijuese nga Psalmeve 24:4 rreth së cilës do të doje të mësoje më shumë.
-
duar të pastra
-
i pastër nga zemra
-
nuk e ngre shpirtin për t’u dukur (përulësia)
-
nuk betohet në mënyrë të rreme (ndershmëria)
Gjej shkrime të shenjta ose thënie nga udhëheqësit e Kishës që të ndihmojnë ta kuptosh më mirë frazën. Pastaj përgjigju për pyetjet vijuese:
-
Pse mendon se ky aspekt i përgatitjes është i rëndësishëm për adhurimin në tempull dhe për banimin me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin një ditë?
-
Cilat janë mënyrat specifike se si një adoleshent shenjtor i ditëve të mëvonshme mund të punojë për atë aspekt të përgatitjes?
-
Çfarë do të doje t’i tregoje rreth Shpëtimtarit një shoku që ka vështirësi me atë aspekt të përgatitjes?
Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë, mund të sugjeroni fragmente të shkrimit të shenjtë si vijuesit:
-
duar të pastra (Doktrina e Besëlidhje 88:86)
-
i pastër nga zemra (Mosia 5:2)
-
nuk e ngre shpirtin për t’u dukur (Doktrina e Besëlidhje 112:10)
-
nuk betohet në mënyrë të rreme (Alma 27:27)
Nëse doni, mund t’i drejtoni ata tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta ose Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Mund të jepni gjithashtu citimin e Plakut Bednar nga Burime Shtesë në këtë mësim.
Ftojini nxënësit t’ia tregojnë atë që mësuan një nxënësi ose dysheje tjetër që studioi një frazë të ndryshme. Mund t’u kërkoni më pas disa nxënësve që t’ia tregojnë klasës.
Përgatitja ime vetjake
Për t’i përgatitur nxënësit të vendosin një synim vetjak, merreni parasysh të shfaqni një material filmik si “Standing in Holy Places” [“Qëndrimi në Vende të Shenjta”] (5:36), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Nxënësit mund të ftohen të kërkojnë mënyrat se si e reja e përgatiti veten për ta frekuentuar denjësisht tempullin.
Nxënësit mund të kenë dobi edhe nga dëgjimi i përvojave të njëri-tjetrit. Për shembull, ata mund të tregojnë mënyrën se si ndihen brenda tempullit ose mënyrën se si ua bekon jetën mbajtja e një rekomandimi të tempullit.
Reflekto mbi mënyrën se si po ecën me përgatitjen tënde shpirtërore. Përsiat për atë që ti ndien se e kënaq Atin Qiellor dhe aspektet ku mund të përmirësohesh.
Jepu përgjigje pyetjeve vijuese në ditarin e studimit.
-
Çfarë ndien se dëshiron Ati Qiellor që të bësh për t’u përgatitur për tempullin dhe për të jetuarit me Të një ditë?
-
Si mund të mbështetesh te Shpëtimtari për ndihmë?
Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj për të vërtetat që studiuan nxënësit. Sigurojini nxënësit për aftësinë e Shpëtimtarit për t’i pastruar dhe ndihmuar ata. Nëse doni, mund të dëshironi të jepni thënien vijuese për ta përmbyllur mësimin.
Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, tha sa vijon:
“Shpresa ime për ju dhe për të gjithë familjen tuaj të dashur është që t’ju shtohet dëshira dhe vendosmëria për të qenë të denjë që të hyni në shtëpinë e Zotit aq shpesh sa jua lejojnë rrethanat.
Ai do që t’ju mirëpresë atje.” (“Tempullin Shum’ Dua t’Shoh”, Liahona, maj 2021, f. 31)
Mësoni Përmendsh
Nëse dëshironi, mund t’i ndihmoni nxënësit t’i mësojnë përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë gjatë këtij mësimi dhe t’i përsëritin ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë për Psalmeve 24:3–4 është “Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë? Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra.” Idetë për veprimtaritë e mësimit përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.