Seminari
Isaia 1: “Edhe Sikur Mëkatet Tuaja të Ishin të Kuqe Flakë, do të Bëhen të Bardha si Bora”


“Isaia 1: ‘Edhe Sikur Mëkatet Tuaja të Ishin të Kuqe Flakë, do të Bëhen të Bardha si Bora’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)

“Isaia 1: ‘Edhe Sikur Mëkatet Tuaja të Ishin të Kuqe Flakë, do të Bëhen të Bardha si Bora’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër

Isaia 1–12: Mësimi 114

Isaia 1

“Edhe Sikur Mëkatet Tuaja të Ishin të Kuqe Flakë, do të Bëhen të Bardha si Bora”

Edhe pse ne të gjithë mëkatojmë dhe kemi nevojë për falje, ndonjëherë ne besojmë se nuk mund të marrim falje. Mesazhi i Shpëtimtarit tonë është i qartë: “Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora” (Isaia 1:18). Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndihen të sigurt që Shpëtimtari mund t’i pastrojë nga mëkatet e tyre.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë fragmentin e zotërimit doktrinor tek Isaia 1:18 dhe të kërkojnë gjuhën e figurshme që përdori Isaia. Inkurajojini nxënësit të përsiatin dhe të përgatiten për të treguar se çfarë kuptimi ka fragmenti për ta. Nxënësit mund të ushtrojnë edhe mësimin përmendsh të frazës kyç të shkrimit të shenjtë: “Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora” (Isaia 1:18).

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Njolla e mëkatit

Merreni parasysh ta filloni orën mësimore duke paraqitur figurën vijuese ose një artikull veshjeje me njollë.

Stain spot on the clothes, white t-shirt

Mendo për raste kur ke pasur një njollë në veshjen tënde, e cila nuk lahej.

  • Si mund të krahasohen mëkatet tona me njollat?

  • Cilat janë disa arsye përse njerëzit mund të mendojnë se nuk mund të pastrohen nga mëkatet e tyre?

Nëse doni, mund të paraqitni nxitjen vijuese, në mënyrë që nxënësit të mund të reflektojnë për ndjenjat e tyre.

Reflekto se te cila prej thënieve vijuese e gjen më shumë veten. Mund ta pyesësh veten përse ndihesh në atë mënyrë.

  • Jam i/e sigurt se Shpëtimtari mund të më pastrojë nga të gjitha mëkatet e mia.

  • Unë besoj se Shpëtimtari mund të më pastrojë nga një pjesë e mëkateve të mia, por jo nga të gjitha.

  • Unë besoj se Shpëtimtari mund t’i pastrojë mëkatet e njerëzve të tjerë, por jo të miat.

  • Unë nuk besoj se Shpëtimtari mund t’i pastrojë mëkatet.

Një nga rolet e shumta të Frymës së Shenjtë është të dëshmojë për Jezu Krishtin (shih tek 3 Nefi 28:11). Ndërsa studion tek Isaia 1, kushtoji vëmendje asaj që do të donte Ati Qiellor që të mësoje nëpërmjet Frymës së Shenjtë rreth Jezu Krishtit dhe fuqisë së Tij për të pastruar mëkatet.

Një komb mëkatar

Lexo tek Isaia 1:2–4, duke kërkuar gjendjen shpirtërore të izraelitëve.

Ftojini nxënësit të raportojnë për atë që gjejnë.

Ajo sa vijon mund t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë aftësi të rëndësishme për studimin e Isaias.

Ndërsa i studion mësimet e Isaias, është e dobishme të kuptosh se ai shpesh i shënoi fjalët e Zotit në një formë poetike të quajtur paralelizëm. Paralelizmi ndodh kur një shkrimtar shpreh një ide dhe më pas e përsërit ose e vë në kontrast idenë duke përdorur fjalë të ndryshme. Për shembull, gjej frazat e ngjashme te vargu 2.

Mund t’i ndihmoni nxënësit të përcaktojnë frazat e kombinuara: “Dëgjoni, o qiej” dhe “dëgjo, o tokë” (Isaia 1:2). Ky është një shembull paralelizmi.

Isaia përdori edhe gjuhë të figurshme për të ilustruar mësimet e tij. Për shembull, lexo te vargu 3, duke kërkuar figurat e ndryshme simbolike që përdori Isaia për t’u dhënë mësim izraelitëve.

Mund t’i pyesni nxënësit se çfarë u dha mësim Isaia izraelitëve duke përdorur figurat simbolike të një kau dhe një gomari. Nëse është e nevojshme, shpjegoni se ndryshe nga kau dhe gomari, izraelitët nuk e pranuan Mjeshtrin e tyre.

Merreni parasysh t’i përmblidhni vargjet 5–15 duke dhënë paragrafin vijues.

Zoti i paralajmëroi izraelitët se mëkatet e tyre po sillnin mbi ta pasoja negative (shih tek Isaia 1:5–9). Ai shpjegoi gjithashtu se Ai nuk ishte i kënaqur me veprat e tyre fetare të adhurimit, për shkak se ato po ofroheshin pa sinqeritet (shih tek Isaia 1:10–15).

Nga e kuqja flakë në të bardhë

Lexo tek Isaia 1:16–17, duke kërkuar ftesat e Zotit për njerëzit.

  • Çfarë i ftoi Zoti që të bënin?

Lexo tek Isaia 1:18, duke kërkuar premtimin e Zotit ndërsa ne pendohemi. Të lutem, vër re se Isaia përdori si paralelizmin, ashtu edhe gjuhën e figurshme për ta ilustruar këtë premtim.

ikona e zotërimit doktrinor Isaiah 1:18 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.

Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë më mirë gjuhën e figurshme të përdorur te vargu 18, merreni parasysh të paraqitni figurat vijuese.

  • Çfarë mund të na mësojnë figurat e të kuqes së flaktë dhe të kuqes së purpurt rreth mëkatit?

Motra Sheron Iubank, më parë e Presidencës së Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, shpjegoi:

11:29
Official Portrait of Sister Sharon Eubank.  Photographed in 2017.

“Ngjyra e kuqe flakë në Dhiatën e Vjetër nuk ishte vetëm ngjyrë e fortë, por edhe jetëgjatë, që do të thotë se ngjyra e saj e ndezur mbetej te leshi dhe nuk zbehej pavarësisht se sa herë lahej. Satani e përdor këtë metaforë si një kopaçe: materiali i leshtë i bardhë i ngjyer me të kuqe flakë nuk mund të bëhet më kurrë i bardhë. Por Jezu Krishti shpall: ‘Rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja’, dhe mrekullia e hirit të Tij është se kur ne pendohemi për mëkatet tona, gjaku i Tij i kuq flakë, na kthen pastërtinë. Nuk duket e arsyeshme, por sidoqoftë është e vërtetë.” (“Krishti: Drita që Shkëlqen në Errësirë”, Liahona, maj 2019, f. 75)

  • Çfarë mund të na mësojnë figurat e borës dhe të leshit rreth premtimit të Shpëtimtarit ndërsa pendohemi?

  • Si mund t’i përmbledhësh vargjet 16–18 në një pohim të vërtete?

Megjithëse nxënësit mund të përdorin fjalë të ndryshme, ndihmojini ata të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Nëse pendohemi sinqerisht, Jezu Krishti do të na pastrojë nga mëkatet tona.

Ajo që përjetoi Shpëtimtari që ne të mund të pendohemi

Shkrimet e shenjta vijuese mund t’i ndihmojnë nxënësit të reflektojnë mbi atë që përjetoi Shpëtimtari që ata të mund të pastrohen nga mëkatet e tyre. Merreni parasysh t’i organizoni nxënësit në dyshe. Secila dyshe mund të lexojë shkrimet e shenjta vijuese dhe ta diskutojë me njëri‑tjetrin atë që mësuan. Pyetjet shoqëruese mund të ndihmojnë. Nxënësit e gatshëm më pas mund t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.

Lexo tek Alma 7:13–14 dhe Doktrina e Besëlidhje 19:16–19, duke kërkuar atë që përjetoi Shpëtimtari në mënyrë që ti të mund të pendohesh dhe të pastrohesh nga mëkatet e tua.

  • Çfarë gjete?

  • Çfarë mësove rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit nga këto vargje që mund ta ndihmojnë dikë të zgjedhë të pendohet?

    Për t’i ndihmuar nxënësit të ndiejnë se mund të pastrohen nga Shpëtimtari, merreni parasysh të shfaqni një material filmik, të tillë si “There Is No Limit to God’s Love” [“Për Dashurinë e Perëndisë Nuk Ka Kufij”] (nga kodi kohor 0:00 deri në 4:54). Ky material filmik është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Nxënësit mund të përsiatin se si u ndje vajza në materialin filmik për shkak të mëkateve të saj dhe për provën e së vërtetës të dhënë mësim tek Isaia 1:18. Më pas mund t’i ftoni nxënësit ta tregojnë atë që gjetën.

    5:37

    Një mënyrë për ta ftuar Frymën e Shenjtë është t’u jepni nxënësve mundësi për të treguar ndjenjat, dëshmitë dhe përvojat. Pyetja vijuese është një mënyrë se si nxënësit mund ta bëjnë këtë. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i përgjigjen pyetjes së parë në ditarin e tyre dhe më pas nxënësit e gatshëm mund t’ia tregojnë atë që shkruan klasës. Ndërsa nxënësit flasin, kujtojuni atyre të mos tregojnë emra ose diçka tepër vetjake.

  • Çfarë ke ndier rreth Jezu Krishtit dhe aftësisë së Tij për të të pastruar nga mëkati?

Merreni parasysh ta përmbyllni me ndjenjat tuaja rreth Shpëtimtarit dhe fuqisë së Tij për të na pastruar kur pendohemi.

Mësoni Përmendsh

Nëse doni, mund t’i ndihmoni nxënësit t’i mësojnë përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë gjatë këtij mësimi dhe t’i përsëritin ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë për vargun tek Isaia 1:18 është: “Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora”. Idetë për veprimtaritë e mësimit përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.