“Jeremia 1: ‘Para se Unë të të Formoja në Barkun e Nënës Sate, të Kam Njohur … dhe të Kam Caktuar’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër (2026)
“Jeremia 1: ‘Para se Unë të të Formoja në Barkun e Nënës Sate, të Kam Njohur … dhe të Kam Caktuar’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Dhiatën e Vjetër
Jeremia 1–3; 7; 16–18; 20: Mësimi 130
Jeremia 1
“Para se Unë të të Formoja në Barkun e Nënës Sate, të Kam Njohur … dhe të Kam Caktuar”
A e ke pyetur ndonjëherë veten se çfarë ndodhi në jetën para lindjes që të përgatiti për përgjegjësitë në vdekshmëri? Në jetën para lindjes, Ati Qiellor u dha fëmijëve të Tij përgjegjësi hyjnore për t’i kryer në vdekshmëri. Shembujt e kësaj përfshijnë Jezu Krishtin (shih te 1 Pjetër 1:19–20) dhe Jeremian (shih te Jeremia 1:5). Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë një dëshirë për të përmbushur qëllimin e tyre hyjnor.
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të imagjinojnë sikur po mbajnë në dorë një foshnjë të porsalindur dhe të mendojnë për këto dy pyetje:
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Përgatituni të mësoni
Për t’i ndihmuar nxënësit të përgatiten për të mësuar që Ati Qiellor i njeh ata dhe që Ai ka një qëllim hyjnor për ta, ftojini të imagjinojnë situatën vijuese. (Ju mund ta rregulloni situatën për t’iu përshtatur më mirë nxënësve tuaj. Për shembull, mund të jetë një mësues që i sfidon të marrin një notë të caktuar në një lëndë të vështirë.)
Imagjino që një trajner të sfidon të punosh për të arritur një qëllim të vështirë, të tillë si të vraposh 1,6 kilometra në një kohë të caktuar brenda një date të veçantë.
-
Si do të ndikojnë situatat vijuese në dëshirën tënde për ta përmbushur atë dhe në vetëbesimin tënd se mund ta realizosh atë?
-
Trajneri, që të njeh mirë, ka punuar me ty për vite dhe e ka përshtatur sfidën veçanërisht për ty.
-
Një trajner i ri që nuk ju njeh ia ka dhënë të njëjtën sfidë të gjithë ekipit.
Paraqitni vetëvlerësimin vijues për t’i ndihmuar nxënësit të reflektojnë se sa përsosmërisht i njohin Ati Qiellor dhe Jezu Krishti ata dhe qëllimin e tyre hyjnor. (Shënim: Nxënësit do të ftohen t’i referohen sërish këtij vetëvlerësimi në Mësimin 148: “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 9”.)
Si do ta vlerësoje veten (1 – e vërtetë për mua; 10 – jo e vërtetë për mua) në thëniet vijuese? Shëno në ditarin tënd të studimit arsyen pse e vlerësove secilën thënie në atë mënyrë.
-
Unë besoj se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti më njohin më mirë se ç’më njeh kushdo tjetër.
-
Unë besoj se Ata më kanë dhënë një qëllim hyjnor që mund ta përmbush me ndihmën e Tyre.
-
Unë dua ta njoh dhe ta përmbush misionin hyjnor që më kanë dhënë Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.
Ftojini nxënësit t’i kushtojnë vëmendje mendimeve dhe ndjenjave nga Fryma e Shenjtë ndërsa mësojnë më shumë rreth qëllimit të tyre hyjnor.
“Para se ti të dilje nga barku … të kam caktuar”
Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë Jeremian, mund t’i pyesni se si mund të ndiheshin nëse Zoti do t’u kërkonte të bëjnë diçka të vështirë, të tillë si të flasin në kishë, të japin një mësim, të shërbejnë në një mision e kështu me radhë.
Jeremia mund të jetë ndier në mënyrë të ngjashme kur Zoti e thirri që të shërbente si një profet për mbretërinë e Judës. Nxënësit mund të jenë të interesuar të dinë se Jeremia profetizoi në Jerusalem rreth të njëjtës kohë me Lehin (shihni te 1 Nefi 7:14).
Jeremia 1:4–5 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shenjojnë fragmentet e zotërimit doktrinor në një mënyrë të dallueshme, që të mund t’i gjejnë me lehtësi.
Lexo te Jeremia 1:4–5 dhe thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson. Më pas përmblidhe atë që mëson rreth marrëdhënies sonë me Zotin.
“Shpirti juaj është qenie e përjetshme. Zoti i tha profetit të Tij Abraham: ‘Ti u zgjodhe përpara se të lindeshe’ (Abraham 3:23). Zoti tha diçka të ngjashme për Jeremian dhe shumë të tjerë. Ai madje e tha këtë edhe për ju.
Ati juaj Qiellor ju ka njohur për një kohë shumë të gjatë. Juve, si bir ose bijë e Tij, Ai ju zgjodhi të vini në tokë pikërisht në këtë kohë, që të jeni një udhëheqës në veprën e Tij të madhe mbi tokë. Ju u zgjodhët jo nga veçoritë tuaja trupore, por nga cilësitë tuaja shpirtërore. …” (“Vendime Përjetësie”, Liahona, nëntor 2013, f. 107)
-
Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga Jeremia 1:4–5 dhe thënia e Presidentit Nelson?
Ndërsa nxënësit flasin, ndihmojini ata të përcaktojnë se para se të lindnim, Zoti na njihte dhe na dha përgjegjësi të caktuara për t’i kryer në vdekshmëri.
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të bëjnë çdo pyetje që mund të kenë rreth kësaj të vërtete. Nëse ata bëjnë pyetje të cilave Zoti nuk u ka dhënë ende qartësisht përgjigje, falënderojini për pyetjet e tyre reflektuese, por bëni kujdes të mos spekuloni për përgjigjet.
Thëniet te Burime Shtesë mund të ndihmojnë që pyetjet e nxënësve të marrin përgjigje.
Për shembuj të të tjerëve që u thirrën për të kryer përgjegjësi të caktuara në vdekshmëri, nxënësit mund të lexojnë një ose më shumë nga vargjet vijuese: Lluka 1:13–17, 1 Nefi 11:14–20, Mosia 3:5–10, Doktrina e Besëlidhje 138:53–56.
Bazuar në pyetjet dhe nevojat e nxënësve tuaj, përzgjidhni një ose më shumë nga tri pjesët vijuese të mësimit që ju mendoni se do t’i ndihmonin ata më mirë.
Mundësia 1: Premtimet e Zotit
Për studimin vijues të shkrimeve të shenjta, mund të ftoni gjysmën e klasës të shenjojë këshillën që dha Zoti dhe gjysma tjetër të shenjojë premtimet që bëri Zoti. Më pas, vërini nxënësit të gjejnë një partner që shenjoi gjëra të ndryshme me të cilin të flasin.
Më pas diskutojini pyetjet më poshtë si klasë.
Lexo te Jeremia 1:6–9, 17–19 dhe shenjoji këshillat dhe premtimet që dha Zoti në përgjigje ndaj ndjenjave të papërshtatshmërisë së Jeremias.
-
Si mund ta kenë ndihmuar Jeremian premtimet e Zotit për ta parë thirrjen e tij nga një këndvështrim i përjetshëm?
-
Çfarë i tha Zoti Jeremias që mund t’i ndihmojë të rinjtë sot me përgjegjësitë që të ka dhënë Zoti?
Mundësia 2: Njohja e qëllimit tim hyjnor ka rëndësi
Për t’i ndihmuar nxënësit të ndiejnë një dëshirë për të mësuar dhe për të përmbushur qëllimin e tyre hyjnor, mund të shihni “The Choice Generation” [“Brezi i Zgjedhjeve”], në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 5:43 deri në 7:14. Aty tregohet se si një i ri u bekua me anë të njohjes së qëllimit të tij hyjnor.
-
Si do të të ndihmonte të dije se çfarë përgjegjësish hyjnore të ka dhënë Zoti?
Mundësia 3: Të mësuarit e qëllimit tim hyjnor
Ftojini nxënësit në grupe të vogla që në dy minuta të mbledhin sa më shumë përgjigje të ndryshme që munden për pyetjen vijuese. Më pas ftojini ata të bëjnë një listë në tabelë të ideve që krijuan.
Nxënësit mund të japin përgjigje të tilla si leximi i bekimeve patriarkale, lutja, zbulesa vetjake, këshillimi me njerëzit e dashur dhe lartësimi i thirrjeve.
-
Si mund të mësoj rreth përgjegjësive që më ka dhënë Zoti?
Merreni parasysh ta paraqitni thënien vijuese. Ftojeni secilin grup të zgjedhë një nga katër sugjerimet e Plakut Pingri dhe të diskutojë mënyrën se si ndjekja e atij sugjerimi mund ta ndihmojë një adoleshent të kuptojë përgjegjësitë hyjnore që i ka dhënë atij Ati Qiellor.
Plaku Xhon C. Pingri i Riu, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi katër gjëra që mund t’i bëjmë për të kuptuar çfarë përgjegjësish na ka dhënë Zoti:
“Së pari, përqendrohuni tek të tjerët. …
Së dyti, zbuloni dhe zhvilloni dhurata shpirtërore. …
Së treti, shfrytëzojeni vështirësinë. …
Dhe së katërti, mbështetuni te Perëndia. Kur i kërkojmë Atij me besim e me qëllim të vërtetë, Ai do të na i zbulojë detyrat tona hyjnore.” (“Unë Kam një Punë për Ty”, Liahona, nëntor 2017, f. 32–34)
Zoti më njeh
Për t’i ndihmuar nxënësit ta tregojnë atë që kanë mësuar dhe ndier sot, ftojini ata të bëjnë sa vijon. Inkurajojini nxënësit të ndjekin çdo nxitje që mund të marrin nga Fryma e Shenjtë ndërsa e bëjnë këtë.
Duke përdorur atë që ke mësuar sot, shkruaji një mesazh vetes tënde të ardhshme në ditarin tënd të studimit. Shkruaj atë që do të doje të mbaje mend rreth faktit se Ati Qiellor dhe Jezu Krishtit të njeh dhe përgjegjësive hyjnore që të kanë dhënë Ata.
Mësoni Përmendsh
Nëse dëshironi, mund t’i ndihmoni nxënësit ta mësojnë përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë gjatë këtij mësimi dhe t’i përsëritin ato në mësimet e ardhshme. Fraza kyç e shkrimit të shenjtë për vargun te Jeremia 1:4–5 është: “Para se unë të të formoja në barkun e nënës sate, … të kam caktuar profet të kombeve.” Idetë për veprimtaritë e mësimit përmendsh janë në materialet e shtojcës nën titullin “Veprimtari për Përsëritjen e Zotërimit Doktrinor”.