Manualet dhe Thirrjet
29. Mbledhjet në Kishë


“29. Mbledhjet në Kishë”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2025).

“29. Mbledhjet në Kishë”, Manuali i Përgjithshëm.

nënë dhe bijë në mbledhjen e sakramentit

29.

Mbledhjet në Kishë

29.0

Parathënia

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme mblidhen së bashku për të adhuruar, për ta lartësuar njëri‑tjetrin, për ta dhënë mësim dhe për ta mësuar ungjillin (shihni tek Alma 6:6; Moroni 6:5–6). Shpëtimtari premtoi: “Kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre” (Mateu 18:20). Mbledhja së bashku është një mënyrë se si zemrat tona mund të jenë “të thurura në bashkim dhe në dashuri” (Mosia 18:21).

Mbledhjet e udhëheqjes i ndihmojnë udhëheqësit të këshillohen së bashku dhe të bashkërendojnë përpjekjet për t’u shërbyer të tjerëve. Megjithatë, zhvillimi i një mbledhjeje nuk duhet ta zëvendësojë kurrë shërbimin dhe dhënien e shërbesës siç e dha Jezu Krishti. Mënyrat për ta ndihmuar Perëndinë në veprën e Tij për shpëtimin dhe ekzaltimin mund të planifikohen në një mbledhje, por këto më shpesh arrihen jashtë mbledhjes.

29.1

Planifikimi dhe Drejtimi i Mbledhjeve

Udhëheqësit i planifikojnë dhe i drejtojnë mbledhjet “siç udhëhiqen nga Fryma e Shenjtë, sipas urdhërimeve dhe zbulesave të Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 20:45; shihni edhe te Moroni 6:9; Doktrina e Besëlidhje 46:2). Ata kërkojnë mënyra se si ta ftojnë ndikimin e Shpirtit në mbledhjet e tyre.

Udhëheqësit sigurohen që numri dhe kohëzgjatja e mbledhjeve të mos krijojë ngarkesa për anëtarët ose familjet e tyre. Për shembull, mbledhjet nuk duhet ta bëjnë të vështirë që familjet të kalojnë kohë së bashku në ditën e Shabatit.

Udhëheqësit gjithashtu sigurohen që mbledhjet të përqendrohen në atë që është më e rëndësishmja. Për shembull, mbledhjet e sakramentit duhet të përqendrohen te sakramenti dhe ndërtimi i besimit te Jezu Krishti. Mbledhjet e presidencës dhe mbledhjet e këshillit përqendrohen te forcimi i individëve dhe familjeve.

Drejtuesi kryesues ose drejtuesja kryesuese mund ta drejtojë mbledhjen. Ose ai apo ajo mund t’i kërkojë dikujt tjetër, për shembull një këshilltari ose këshilltareje, që të drejtojë nën udhëheqjen e tij apo të saj.

Nganjëherë ndodh që gjatë një mbledhjeje drejtuesi kryesues ose drejtuesja kryesuese ndjen nevojën për të sqaruar diçka. Për shembull, dikush mund të japë mësim një doktrinë të pasaktë. Nëse kjo ndodh, drejtuesi kryesues ose drejtuesja kryesuese duhet të bëjë një sqarim pa vënë askënd në siklet.

29.2

Mbledhjet e Lagjes

29.2.1

Mbledhja e Sakramentit

29.2.1.1

Planifikimi i Mbledhjes së Sakramentit

Peshkopata e planifikon dhe e drejton mbledhjen e sakramentit. Ajo sigurohet që përqendrimi i mbledhjes të jetë te sakramenti dhe ndërtimi i besimit te Jezu Krishti.

Mbledhja e sakramentit zgjat një orë. Ajo mund të përfshijë sa vijojnë:

  1. Muzikën hyrëse (shihni te 19.3.2 për orientime). Muzika nderuese përpara se të fillojë mbledhja mund të ftojë një shpirt adhurimi.

  2. Përshëndetjen dhe mirëseardhjen.

  3. Fjalët e falënderimit të autoritetit kryesues dhe udhëheqësve të tjerë, të cilët mund të kenë ardhur si vizitorë. Autoritetet kryesuese dhe këshilltarët e lartë që janë të pranishëm duhet të ftohen që të ulen në podium. Drejtuesit e Përgjithshëm gjithashtu ftohen që të ulen në podium, në qoftë se nuk po frekuentojnë lagjen e tyre të vendbanimit.

  4. Lajmërimet. Këto duhet të mbahen në minimum. Shumica mund të shtypen në letër, të shpërndahen elektronikisht ose të jepen në mbledhje të tjera.

  5. Himni dhe lutja e hapjes. Shihni te 19.3.2 dhe 29.6.

  6. Punët e lagjes dhe të kunjit, të tilla si ato që vijojnë:

    • Mbështetja dhe lirimi i drejtuesve dhe mësuesve (shihni te 30.3 dhe 30.6).

    • Paraqitja e emrave të vëllezërve që do të shugurohen në një detyrë në Priftërinë Aarone (shihni te 18.10.3).

    • Disa fjalë paraqitëse për anëtarët e rinj të lagjes, përfshirë të kthyerit në besim të kohëve të fundit. Pas disa fjalëve paraqitëse personi që po drejton, i kërkon bashkësisë ta tregojë duke ngritur dorën se e mirëpresin anëtarin ose anëtaren në lagje.

      Kur fëmijët që janë anëtarë prej dokumentit pagëzohen dhe konfirmohen, për ta thuhen disa fjalë paraqitëse në mbledhjen e sakramentit. Sidoqoftë, nuk është nevoja që të paraqiten për t’u mirëpritur në lagje.

  7. Vënien e emrit dhe bekimin e fëmijëve (shihni te 18.6). Kjo zakonisht bëhet në mbledhjen e agjërimit dhe të dëshmive (shihni te 29.2.2).

  8. Konfirmimin e të kthyerve të rinj në besim (shihni te 18.8).

  9. Himnin e sakramentit dhe administrimin e sakramentit. Sakramenti është përqendrimi kryesor i mbledhjes. Pjesët e tjera të mbledhjes nuk duhet ta largojnë vëmendjen nga sakramenti. Kjo ordinancë është një mundësi për anëtarët që t’i drejtojnë mendimet e tyre te Shpëtimtari dhe flijimi i Tij shlyes. Kjo duhet të jetë një kohë e shenjtë e ripërtëritjes shpirtërore.

    Tryeza e sakramentit duhet të përgatitet përpara se të fillojë mbledhja. Peshkopi siguron që sakramenti bekohet dhe shpërndahet në mënyrë nderuese dhe me rregull. Ata që administrojnë sakramentin përfaqësojnë Jezu Krishtin.

    Për më shumë rreth përgatitjes, bekimit dhe shpërndarjes së sakramentit, shihni te 18.9.

    Për më shumë informacion rreth administrimit të sakramentit në situata të pazakonta, shihni te 29.2.1.5 dhe 18.9.1.

  10. Mesazhet e ungjillit dhe të kënduarit si bashkësi ose ndonjë muzikë tjetër. Mesazhet dhe muzika duhet të jenë në përputhje me natyrën e shenjtë të sakramentit. Për informacion rreth përzgjedhjes së folësve, shihni te 29.2.1.4. Për informacion rreth përzgjedhjeve muzikore në mbledhjen e sakramentit, shihni te 19.3.2.

  11. Himnin dhe lutjen e mbylljes.

  12. Muzikën pas mbylljes.

Mjetet ndihmëse pamore dhe materialet zanoro‑pamore nuk duhet të përdoren në mbledhjet e sakramentit (shihni te 38.8.3).

29.2.1.2

Kryesimi i Mbledhjes së Sakramentit

Peshkopi e kryeson mbledhjen e sakramentit, në qoftë se nuk merr pjesë një anëtar i presidencës së kunjit, një I Shtatëdhjetë Zonal në zonën e tij ose një Autoritet i Përgjithshëm. Nëse peshkopi dhe këshilltarët e tij nuk janë në gjendje ta frekuentojnë mbledhjen e sakramentit, presidenti i kunjit cakton dikë që të kryesojë. Normalisht ai cakton presidentin e kuorumit të pleqve. Megjithatë, ai mund të ftojë një mbajtës tjetër të Priftërisë Melkizedeke.

29.2.1.3

Koha përpara Mbledhjes

Përpara se të fillojë mbledhja, anëtarët e bashkësisë përgatiten shpirtërisht për sakramentin. Ata mund ta bëjnë këtë nëpërmjet lutjes së heshtur dhe përsiatjes. Udhëheqësit japin një shembull nderimi.

Një anëtar i peshkopatës i fton presidencat e klasave të Të Rejave që ta organizojnë rininë për të dhënë shërbesë duke i mirëpritur vizitorët dhe anëtarët ndërsa hyjnë në godinën kishtare. Rinia bën përpjekje për t’i përshëndetur anëtarët me emër. Ata gjithashtu nxitin nderim duke iu përgjigjur pyetjeve dhe duke i ndihmuar njerëzit që të gjejnë vende ku të ulen sipas nevojës.

29.2.1.4

Përzgjedhja e Folësve

Peshkopata përzgjedh folësit për mbledhjen e sakramentit. Më shpesh ata ftojnë anëtarë të lagjes, përfshirë të rinj, të reja e fëmijë (shihni te 38.8.18). Presidenti i kunjit mund të caktojë këshilltarë të lartë ose anëtarë/e të presidencave të organizatave të kunjit për të folur. Presidenti i kunjit vendos shpeshtësinë e caktimeve të tilla.

Peshkopata i bën ftesat për të folur shumë kohë përpara mbledhjes. Folësit japin dëshmi për Jezu Krishtin dhe japin mësim ungjillin e Tij duke përdorur shkrimet e shenjta (shihni te Doktrina e Besëlidhje 42:12; 52:9). Mesazhet duhet të ndërtojnë besim dhe të jenë në harmoni me natyrën e shenjtë të sakramentit.

Për informacion rreth misionarëve të sapothirrur ose misionarëve të kthyer kohët e fundit që flasin në mbledhjen e sakramentit, shihni te 24.5.2 dhe 24.8.3.

Peshkopata planifikon një mbledhje sakramenti çdo vit për një program të paraqitur nga fëmijët e Fillores. Për informacion rreth kësaj paraqitjeje, shihni te 12.1.6.

burrë duke folur nga foltorja

29.2.1.5

ikonë, orientimet për përshtatjen
Shërbesat e Sakramentit në Situata të Pazakonta

Çdo anëtar ka nevojë për bekimet shpirtërore që vijnë nga marrja e sakramentit. Megjithatë, disa anëtarë nuk janë në gjendje të marrin pjesë në mbledhjen e sakramentit ngaqë janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpinë e tyre, në spital ose në një qendër përkujdesjeje. Peshkopi mund të caktojë mbajtës të priftërisë për t’ua administruar sakramentin këtyre anëtarëve (shihni te 18.9.1).

Në disa raste, peshkopi mund të autorizojë transmetimin e mbledhjes së sakramentit nëpërmjet internetit për ata që nuk mund të frekuentojnë. Për informacion, shihni te 29.7.

Kur anëtarët janë në udhëtim ose po jetojnë përkohësisht larg shtëpisë, ata duhet të marrin pjesë në mbledhjen e sakramentit në një lagje aty afër nëse është e mundur. Shërbesat e sakramentit nuk duhet të zhvillohen kur mblidheni për tubim familjar, për pushime ose aktivitete të tjera që nuk janë të financuara nga Kisha.

29.2.2

Mbledhja e Agjërimit dhe Dëshmive

Në një mbledhje agjërimi dhe dëshmish, nuk ka folës të caktuar ose përzgjedhje të veçanta muzikore. Në vend të kësaj, personi që drejton, jep një dëshmi të shkurtër. Më pas ai i fton anëtarët e bashkësisë të japin dëshmitë e tyre. Të japësh dëshmi do të thotë të shpallësh të vërteta të ungjillit siç frymëzohesh nga Fryma e Shenjtë. Dëshmitë duhet të jenë të shkurta që të mund të marrin pjesë shumë njerëz.

Fëmijët e vegjël janë të mirëpritur për të dhënë dëshmi në mbledhjen e agjërimit dhe të dëshmive. Mënyra më e mirë është që ata të mësojnë ta bëjnë këtë në shtëpi derisa të mund të japin dëshmi pa ndihmë nga të tjerët.

Nën drejtimin e peshkopit, fëmijëve zakonisht u vihet emri dhe bekohen gjatë mbledhjes së agjërimit dhe dëshmive (shihni te 29.2.1.1).

29.2.3

Konferenca e Lagjes

Konferenca e lagjes planifikohet për të plotësuar nevojat vendore. Ajo përfshin një mbledhje sakramenti të planifikuar nga presidenti i kunjit. Presidenti i kunjit zakonisht e kryeson mbledhjen dhe një anëtar i peshkopatës zakonisht e drejton atë.

Gjatë kësaj mbledhjeje, një anëtar i presidencës së kunjit ose këshilltar i lartë paraqet emrat e udhëheqësve të përgjithshëm, të kunjit dhe lagjes për mbështetje. Ai përdor formularin Drejtuesit e Mbështetur, të përgatitur nga nëpunësi i lagjes. Peshkopi dhe presidenti i kunjit zakonisht flasin në mbledhje.

Lagjja zhvillon mbledhje të rregullta të priftërisë dhe të organizatave si pjesë e konferencës së lagjes. Udhëheqësit e kunjit mund të japin udhëzime dhe ndihmë. Ata u japin shërbesë udhëheqësve dhe anëtarëve të lagjes.

Në lidhje me konferencën e lagjes, presidenca e kunjit bën mbledhje me peshkopatën. Së bashku, ata e shqyrtojnë përparimin në lagje të veprës së Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin. Kjo mbledhje mund të zhvillohet të dielën e konferencës së lagjes ose në një kohë tjetër.

29.2.4

Mbledhja e Peshkopatës

Peshkopi i planifikon dhe i drejton mbledhjet e peshkopatës. Çështjet për t’u marrë parasysh mund të përfshijnë:

  • Bashkërendimin e veprës së Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin në lagje.

  • Forcimin e individëve dhe familjeve në lagje – veçanërisht të rinjve, të rejave dhe fëmijëve.

  • Përcaktimin e anëtarëve që mund të përgatiten për të marrë ordinancat, përfshirë shugurimet në priftëri.

  • Përcaktimin e anëtarëve për t’i thirrur nëpër pozicione në lagje.

  • Përcaktimin e anëtarëve që mund të rekomandohen te presidenti i kunjit për të shërbyer si misionarë.

  • Shqyrtimin e udhëzimeve nga shkrimet e shenjta, udhëheqësit e Kishës dhe ky manual.

Elementet e tjera mund të përfshijnë organizatat dhe programet e lagjes, buxhetin e lagjes, raportimet për detyrat dhe planet për mbledhjet dhe aktivitetet e ardhshme.

mbledhje e këshillit të lagjes

29.2.5

Mbledhja e Këshillit të Lagjes

Peshkopi i planifikon, kryeson dhe i drejton mbledhjet e këshillit të lagjes. Nëse mungon, ai mund të caktojë një këshilltar që të kryesojë dhe drejtojë. Megjithatë, këshilli nuk merr vendime madhore pa peshkopin.

Këshilli i lagjes përpiqet t’i ndihmojë të gjithë anëtarët e lagjes që të ndërtojnë forcë shpirtërore, të marrin ordinancat shpëtuese, të mbajnë besëlidhjet dhe të bëhen pasues të përkushtuar të Jezu Krishtit (shihni te Moroni 6:4–5). Gjatë mbledhjeve të këshillit të lagjes, anëtarët e këshillit e planifikojnë dhe bashkërendojnë këtë punë. Ata vendosin së bashku se si anët e forta dhe aftësitë e anëtarëve të lagjes mund t’i bekojnë njerëzit nevojtarë. Ata kërkojnë udhërrëfimin e Shpirtit ndërsa bashkohen me dashuri dhe interesim për anëtarët e lagjes.

Udhëheqësit e organizatave të lagjes marrin pjesë në mbledhjet e këshillit të lagjes në dy role:

  1. Si anëtarë të këshillit të lagjes që ndihmojnë për t’i bekuar të gjithë anëtarët e lagjes.

  2. Si përfaqësues të organizatave të tyre.

Kur takohen së bashku, anëtarët e këshillit të lagjes diskutojnë çështje që do të përfitonin nga përpjekjet e bashkuara të të gjithë këshillit. Secili anëtar i këshillit inkurajohet që të japë mendimet dhe frymëzimin e vet në lidhje me këto çështje.

Mbledhjet e këshillit të lagjes zakonisht nuk zgjatin më shumë se një orë. Ato fillojnë me një lutje dhe një raportim të shkurtër për detyrat e caktuara nga mbledhjet e mëparshme. Më poshtë janë të renditura çështje të tjera që mund të diskutohen. Nuk ka mjaft kohë që ato të gjitha të diskutohen në secilën mbledhje. Peshkopi u jep përparësi çështjeve që janë më të nevojshme për të bekuar individët dhe familjet.

  • Të jetuarit të ungjillit të Jezu Krishtit. Të ndihmojë të gjithë anëtarët që të ndërtojnë besim, të marrin ordinanca shpëtuese dhe të mbajnë besëlidhjet e tyre.

  • Përkujdesjes për njerëzit nevojtarë. Të ofrojë burime dhe zotësi për të bekuar individët, familjet dhe komunitetin. T’i ndihmojë anëtarët e lagjes që të bëhen të mbështetur te vetja. (Shihni te kapitulli 22.)

  • Ftesës ndaj të gjithë njerëzve që ta pranojnë ungjillin. Të shqyrtojë përparimin e atyre që po mësojnë rreth ungjillit, si dhe të anëtarëve të rinj dhe anëtarëve që po kthehen në aktivitet. Të diskutojë me anëtarët mënyra se si mund ta shpërndajnë ungjillin tek të tjerët. (Shihni te kapitulli 23.)

  • Bashkimit të familjeve për përjetësinë. Të shqyrtojë përparimin e anëtarëve që po përgatiten për të marrë ordinanca në tempull. Të planifikojë mënyra se si të ndihmojë më shumë anëtarë që të kualifikohen për një rekomandim tempulli. Të diskutojë mënyra se si anëtarët mund të marrin pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare. (Shihni te kapitulli 25.)

Ndërsa anëtarët e këshillit të lagjes i diskutojnë këto çështje, ata marrin parasysh nevojat dhe anët e forta të anëtarëve të cilëve u shërbejnë. Ata mund të mësojnë për këto nevoja dhe anë të forta në mbledhjet e presidencës, në diskutimet me anëtarët e organizatës së tyre (përfshirë intervistat për dhënien e shërbesës) dhe nëpërmjet vetë përpjekjeve të tyre të dhënies së shërbesës. Ndër të tjera, sistemi Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit ka mjete dhe raporte që mund t’i ndihmojë udhëheqësit që të jenë në dijeni për përparimin e anëtarëve. Anëtarët e këshillit duhet ta mbajnë konfidencial cilindo informacion që është privat apo me ndjeshmëri (shihni te 4.4.6).

Këshilli i lagjes duhet t’i njohë fëmijët, të rinjtë e të rejat në lagje dhe rrethanat në shtëpitë e tyre. Ata u kushtojnë vëmendje të veçantë atyre që në shtëpi nuk kanë përkrahje për ungjillin.

Pas një diskutimi, peshkopi ose mund të vendosë për një rrjedhë veprimi ose ta shtyjë vendimin ndërkohë që kërkon informacion dhe udhërrëfim të mëtejshëm. Ose mund t’ia drejtojë çështjen një këshilli tjetër, për shembull peshkopatës. Shihni te 4.4.3.

Nganjëherë këshilli i lagjes mund të përcaktojë se një aktivitet i lagjes mund të ndihmojë në plotësimin e nevojave të anëtarëve. Këshilli i lagjes mund të mbikëqyrë planifikimin e aktiviteteve të lagjes. Megjithatë, shumica e planifikimit bëhet përpara dhe pas mbledhjeve të këshillit. Për më shumë informacion rreth aktiviteteve, shihni te kapitulli 20.

Pasi misionarët kohëplotë kthehen në shtëpi, ata mund të ftohen që të raportojnë për misionet e tyre në këshillin e lagjes (shihni te 24.8.3).

Për t’i kuptuar parimet që i udhërrëfejnë mbledhjet e këshillit në Kishë, të gjithë anëtarët e këshillit duhet të studiojnë pjesët 4.3 dhe 4.4.

4:37

29.2.6

Mbledhja e Këshillit të Lagjes për Rininë

Peshkopi mund të drejtojë mbledhjet e këshillit të lagjes për rininë. Ose mund të caktojë dikë tjetër për ta bërë këtë, të tillë si njërin nga ndihmësit e tij në kuorumin e priftërinjve ose presidenten e klasës me moshën më të madhe të Të Rejave. Mbledhjet e këshillit të lagjes për rininë ofrojnë mundësi për të rinjtë e të rejat që të drejtojnë. Peshkopata ose udhëheqës të tjerë mund t’i ndihmojnë që të përgatiten për këto mbledhje gjatë mbledhjeve të presidencës së kuorumeve ose presidencës së klasës.

Përpara çdo mbledhjeje, peshkopi dhe personi që drejton i rishikojnë pikat që do të diskutohen. Këto pika mund të përfshijnë sa vijojnë:

  • Veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin.

  • Nevojat e rinisë në lagje dhe mënyrat se si të trajtohen ato.

  • Përpjekjet për t’u ofruar ndihmë të rinjve dhe të rejave që janë më pak aktive ose anëtarëve të rinj.

  • Aktivitetet, përfshirë mundësitë për t’u shërbyer njerëzve nevojtarë. Shumica e planifikimit bëhet në mbledhjet e presidencës së kuorumit ose presidencës së klasës (shihni te kapitulli 20).

  • Dhënien e shërbesës (shihni te kapitulli 21).

  • Orientimin e presidencave të sapothirrura të kuorumeve dhe presidencave të klasave.

Për t’i kuptuar parimet që i udhërrëfejnë mbledhjet e këshillit në Kishë, të gjithë anëtarët e këshillit duhet të studiojnë pjesët 4.3 dhe 4.4.

29.2.7

Mbledhjet dhe Orët e Tjera Mësimore të Lagjes

Mbledhjet për kuorumet e priftërisë dhe presidencat e tyre përshkruhen te kapitujt 8 dhe 10.

Mbledhjet për motrat e Shoqatës së Ndihmës dhe udhëheqëset e tyre përshkruhen te kapitulli 9.

Mbledhjet për të rejat dhe udhëheqëset e tyre përshkruhen te kapitulli 11.

Mbledhjet për fëmijët e Fillores dhe udhëheqëset e tyre përshkruhen te kapitulli 12.

Klasat e Shkollës të së Dielës përshkruhen te 13.3.

Mbledhjet e këshillit të mësuesve përshkruhen te 17.4.

Mbledhjet e bashkërendimit për punën e shpërndarjes së ungjillit dhe forcimin e anëtarëve të rinj dhe anëtarëve që po kthehen në aktivitet, përshkruhen te 23.4.

Mbledhjet e bashkërendimit për përpjekjet për punën në tempull dhe për historinë familjare përshkruhen te pjesa 25.2.7.

mbledhje e këshillit

29.2.8

ikonë, orientimet për përshtatjen
Programet për Mbledhjet e së Dielës

Lagjet përdorin njërin nga programet vijuese dyorëshe për mbledhjet e së dielës.

Plani 1

60 minuta

Mbledhja e sakramentit

10 minuta

Kalimi për në klasat dhe mbledhjet

50 minuta

Të gjitha të dielat: Fillorja, përfshirë çerdhen (shihni te 12.2.1.2)

Të dielat e para dhe të treta të muajit: Shkolla e së Dielës (shihni te 13.3)

Të dielat e dyta dhe të katërta: mbledhjet e kuorumeve të priftërisë (shihni te 8.2.1.2 dhe 10.2.1.2), mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës (shihni te 9.2.1.2) dhe mbledhjet e Të Rejave (shihni te 11.2.1.2)

Të dielat e pesta: mbledhjet për rininë dhe personat në moshë madhore. Peshkopata përcakton temën dhe cakton mësuesit (zakonisht anëtarë të lagjes ose kunjit). Ata përcaktojnë gjithashtu nëse rinia dhe personat në moshë madhore, meshkuj dhe femra, do të mblidhen veçmas ose së bashku.

Plani 2

50 minuta

Të gjitha të dielat: Fillorja, përfshirë çerdhen (shihni te 12.2.1.2)

Të dielat e para dhe të treta të muajit: Shkolla e së Dielës (shihni te 13.3)

Të dielat e dyta dhe të katërta: mbledhjet e kuorumeve të priftërisë (shihni te 8.2.1.2 dhe 10.2.1.2), mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës (shihni te 9.2.1.2) dhe mbledhjet e Të Rejave (shihni te 11.2.1.2)

Të dielat e pesta: mbledhjet për rininë dhe personat në moshë madhore. Peshkopata përcakton temën dhe cakton mësuesit (zakonisht anëtarë të lagjes ose kunjit). Ata përcaktojnë gjithashtu nëse rinia dhe personat në moshë madhore, meshkuj dhe femra, do të mblidhen veçmas ose së bashku.

10 minuta

Kalimi për në mbledhjen e sakramentit

60 minuta

Mbledhja e sakramentit

Kur dy lagje mblidhen në të njëjtën ndërtesë dhe njëra ose të dyja kanë pak fëmijë ose të rinj e të reja, mund të jetë e dëshirueshme për fëmijët dhe rininë që t’i frekuentojnë së bashku klasat e së dielës. Oraret e lagjeve për mbledhjet e së dielës mund të mbivendosen siç tregohet më poshtë.

mbivendosja e orareve të mbledhjeve

Ky plan mund të merret parasysh edhe nëse të dyja lagjet përdorin gjuhë të ndryshme, por fëmijët dhe rinia flasin të njëjtën gjuhë.

Përdorimi i këtij plani kërkon miratimin e presidentit të kunjit. Nëse ai e miraton, peshkopi i secilës lagje takohet me udhëheqësit/et e organizatave për të kërkuar këshillë lidhur me zbatimin e planit.

Dy peshkopatat mblidhen së bashku për të përcaktuar se cilët anëtarë nga cila lagje duhet të thirren për të shërbyer në kuorume dhe organizata. Secili peshkop mbetet presidenti i kuorumit të tij të priftërinjve, por të dy peshkopët mund të kryesojnë me radhë në mbledhjet e kuorumit të dielën. Peshkopët nga të dyja lagjet i frekuentojnë mbledhjet e ndërthurura të lagjeve për rininë. Pas zbatimit të planit, udhëheqësit vazhdojnë të mblidhen rregullisht për të bashkërenduar përpjekjet e tyre.

29.2.9

Pashka dhe Krishtlindja

Në të dielën e Pashkës, mbledhja e sakramentit është e vetmja mbledhje që zhvillohet. E njëjta gjë është e vërtetë kur dita e Krishtlindjes bie në një të diel. Kur Krishtlindja bie në një ditë tjetër të javës, mbledhja e sakramentit është e vetmja mbledhje që zhvillohet në të dielën pranë Krishtlindjes, zakonisht të dielën përpara, siç përcaktohet nga presidenca e kunjit.

Në disa zona, një festë e madhe jo e krishterë është e rëndësishme nga ana kulturore. Nëse një festë e tillë bie të dielën, Presidenca e Zonës mund t’i autorizojë peshkopët që të zhvillojnë vetëm mbledhjen e sakramentit në atë ditë.

Presidencat e kunjeve mund të këshillohen me peshkopët që të vendosin nëse t’i përshtatin apo jo orët e fillimit për mbledhjet e sakramentit në këto të diela.

29.3

Mbledhjet e Kunjit

29.3.1

Konferenca e Kunjit

Konferencat e kunjit planifikohen nga Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Zakonisht presidenti i kunjit kryeson te njëra konferencë çdo vit dhe një I Shtatëdhjetë Zonal ose Autoritet i Përgjithshëm i caktuar kryeson tek tjetra.

Drejtuesi kryesues i drejton të gjitha planifikimet për konferencën. Ai i miraton paraprakisht pjesëmarrësit dhe përzgjedhjet muzikore. Për informacion rreth muzikës në konferencën e kunjit, shihni te 19.3.4.

Kur një I Shtatëdhjetë Zonal ose Autoritet i Përgjithshëm kryeson, ai mund ta ftojë presidentin e kunjit të sugjerojë tema për udhëzimin në konferencë. Kur presidenti i kunjit kryeson, ai dhe këshilltarët e tij përzgjedhin temat. Presidenca e kunjit mund të diskutojë për tema të mundshme me këshillin e kunjit. Ndërkohë që bëhen këto përzgjedhje, presidenca e kunjit merr në shqyrtim temat që ka theksuar Presidenca e Parë kohët e fundit.

Teksa presidenti i kunjit bën organizimet për konferencën e kunjit, ai mund t’u kërkojë ndihmë kuorumeve të priftërisë dhe organizatave të tjera, individëve dhe familjeve. Për shembull, ata mund të caktohen të rregullojnë karriget, t’i orientojnë njerëzit dhe të pastrojnë ndërtesën.

Secila konferencë kunji normalisht përfshin mbledhjet vijuese:

  • Një mbledhje të Të Shtatëdhjetit Zonal ose Autoritetit të Përgjithshëm (nëse caktohet) me presidencën e kunjit. Marrin pjesë edhe nëpunësi dhe sekretari ekzekutiv i kunjit.

  • Një mbledhje të udhëheqjes së kunjit. Kur kryeson një Autoritet i Përgjithshëm ose një I Shtatëdhjetë Zonal, kjo mbledhje përfshin të gjithë anëtarët e këshillit të kunjit dhe të këshillave të lagjeve. Kur kryeson presidenti i kunjit, ajo përfshin vetëm udhëheqësit e priftërisë (shihni te 29.3.3). Autoriteti kryesues përcakton nëse kjo mbledhje do të zhvillohet të shtunën ose të dielën. Drejton një anëtar i presidencës së kunjit.

  • Një sesion i mbrëmjes të së shtunës për të gjithë anëtarët e kunjit të moshës 18 vjeç e lart. Në varësi të rrethanave vendore, kjo mbledhje mund të zhvillohet të dielën nëse miratohet nga autoriteti kryesues. Drejton një anëtar i presidencës së kunjit.

  • Një sesion i përgjithshëm, që zhvillohet të dielën, për të gjithë anëtarët dhe të tjerë që do të dëshironin të merrnin pjesë. Presidenti i kunjit drejton dhe flet në këtë mbledhje. Mund të zhvillohet më shumë se një sesion i përgjithshëm i së dielës nëse nuk ka vend për çdo njeri në një sesion. Fëmijët marrin pjesë me familjet e tyre, jo në një mbledhje të veçuar.

Nëse është e nevojshme, sesionet e konferencës mund të transmetohen nëpërmjet internetit në shtëpitë e mbledhjeve ose vendndodhje të tjera në kunj. Për disa anëtarë mund të jetë e nevojshme që konferenca t’u transmetohet nëpërmjet internetit në shtëpitë e tyre. Për më shumë rreth transmetimit të mbledhjeve nëpërmjet internetit, shihni te 29.7.

Folësit në sesionin e përgjithshëm nuk duhet të përdorin mjete pamore ose materiale zanoro‑pamore (shihni te 38.8.3).

Nëse Drejtuesit e Përgjithshëm, presidenti dhe kryekujdestarja e tempullit, presidenti i misionit me bashkëshorten, apo patriarku i kunjit marrin pjesë, ata duhet të ulen në podium. E njëjta gjë vlen edhe për këshilltarët në presidencat e tempullit dhe të misionit (dhe bashkëshortet e tyre) nëse marrin pjesë në vend të presidentit të tempullit ose të misionit.

Në një konferencë kunji çdo vit, një anëtar i presidencës së kunjit paraqet drejtuesit e përgjithshëm, të zonës e të kunjit për mbështetje. Ai përdor formularin Drejtuesit e Mbështetur, që përgatitet nga nëpunësi i kunjit. Kjo bëhet zakonisht në konferencën e parë të kunjit të atij viti.

Nëse drejtuesit e kunjit thirren ose lirohen ndërmjet konferencave të kunjit, ata paraqiten për mbështetje ose një shprehje falënderimi në konferencën e ardhshme të kunjit. Ose kjo mund të bëhet në mbledhjen e sakramentit të secilës lagjeje. Shihni te 30.3 dhe 30.6.

Vëllezërit që janë rekomanduar të shugurohen pleq ose priftërinj të lartë, paraqiten për mbështetje në një konferencë të kunjit. Nëse një vëlla nevojitet të shugurohet përpara konferencës së ardhshme të kunjit, ai mund të mbështetet në mbledhjen e sakramentit të lagjes së tij. Emri i tij më pas do të paraqitet për ratifikim në një konferencë të kunjit (shihni te 18.10.3).

29.3.2

Mbledhja e Përgjithshme e Priftërisë në Kunj

Presidenca e kunjit i planifikon dhe drejton mbledhjet e përgjithshme të priftërisë në kunj. Ata i përzgjedhin me lutje temat dhe folësit.

29.3.3

Mbledhja e Udhëheqjes së Priftërisë në Kunj

Presidenca e kunjit i planifikon dhe drejton mbledhjet e udhëheqjes së priftërisë në kunj. Struktura e këtyre mbledhjeve është e ndryshueshme. Të gjithë pjesëmarrësit mund të mblidhen së bashku për tërë kohën e mbledhjes. Ose, pas disa udhëzimeve të përgjithshme, ata mund të ndahen në grupe më të vogla për udhëzime të posaçme bazuar në thirrjet dhe detyrat e tyre.

Presidenca e kunjit dhe udhëheqës të tjerë të kunjit në përgjithësi japin udhëzime. Me raste mund të ftohen edhe udhëheqës të lagjes, përfshirë udhëheqëse gra, për të dhënë udhëzime.

29.3.4

Mbledhjet e Udhëheqjes së Kunjit

Presidencat e organizatave në kunj i planifikojnë dhe drejtojnë mbledhjet e udhëheqjes së kunjit. Struktura e këtyre mbledhjeve është e ndryshueshme. Të gjithë udhëheqësit mund të mblidhen së bashku për tërë kohën e mbledhjes. Ose, pas disa udhëzimeve të përgjithshme, ata mund të ndahen në grupe më të vogla për udhëzime të posaçme bazuar në thirrjet dhe detyrat e tyre.

Udhëheqësit e organizatave, anëtarët e presidencës së kunjit ose udhëheqës të tjerë të kunjit në përgjithësi japin udhëzime. Me raste mund të ftohen edhe udhëheqësit e organizatave të lagjes për të dhënë udhëzime.

Presidenca e Të Rinjve të kunjit nuk zhvillon një mbledhje të udhëheqjes së kunjit. Udhëzimet për ata që shërbejnë në kuorumet e Priftërisë Aarone, jepen në mbledhjet e udhëheqjes së priftërisë në kunj (shihni te 29.3.3).

29.3.5

Mbledhja e Presidencës së Kunjit

Presidenti i kunjit i planifikon dhe drejton mbledhjet e presidencës së kunjit. Çështjet për t’u marrë parasysh mund të përfshijnë:

  • Veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin në kunj.

  • Forcimin e individëve dhe të familjeve në kunj.

  • Nevojat dhe anët e forta të lagjeve, kuorumeve të pleqve dhe organizatave të tjera në kunj.

  • Rekomandimet e peshkopëve për burrat që duhet të shugurohen pleq.

  • Anëtarët për t’u thirrur në detyra në kunj dhe disa pozicione në lagje siç përvijohet te 30.8.

  • Rekomandimet e peshkopit për anëtarët që do të shërbejnë në misione.

  • Udhëzimet nga shkrimet e shenjta, udhëheqësit e Kishës dhe ky manual.

Pika të tjera mund të përfshijnë aktivitetet dhe programet e kunjit, buxhetin e kunjit, raportimin për detyrat dhe planet për mbledhjet e ardhshme.

29.3.6

Mbledhja e Këshillit të Lartë

Presidenca e kunjit i planifikon dhe drejton mbledhjet e këshillit të lartë. Këto mbledhje mund të përfshijnë:

  • Marrjen e udhëzimeve nga presidenca e kunjit për doktrinën dhe detyrat.

  • Këshillimin së bashku për forcimin e individëve dhe familjeve në kunj. Sistemi Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit (LCR) ka mjete dhe raporte që mund t’i ndihmojnë udhëheqësit të jenë në dijeni për përparimin e anëtarëve.

  • Diskutimin se si të ndihmojnë për të përmbushur veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin në kunj.

  • Raportimin e detyrave.

  • Këshillimin me presidencën e kunjit dhe mbështetjen e vendimeve të tyre për të shuguruar vëllezër si pleq dhe priftërinj të lartë.

  • Këshillimin me presidencën e kunjit dhe mbështetjen e vendimeve të tyre për të dhënë thirrje.

  • Ndihmën për planifikimin e mbledhjeve të udhëheqjes së priftërisë në kunj (shihni te 29.3.3).

  • Dëgjimin e raportimeve nga misionarët e kthyer (shihni te 24.8.3).

Nganjëherë një mbledhje e shkurtër e këshillit të lartë mund të pasohet menjëherë nga një mbledhje e këshillit të kunjit (shihni te 29.3.7). Kjo mund të ndihmojë që të pakësohet numri i mbledhjeve që frekuentojnë udhëheqësit.

Për t’i kuptuar parimet që i udhërrëfejnë mbledhjet e këshillit në Kishë, të gjithë anëtarët e këshillit duhet të studiojnë pjesët 4.3 dhe 4.4.

Për informacion rreth pjesëmarrësve që i bashkohen mbledhjes në distancë, shihni te 29.7.

29.3.7

Mbledhja e Këshillit të Kunjit

Presidenti i kunjit i planifikon dhe drejton mbledhjet e këshillit të kunjit. Në këto mbledhje anëtarët e këshillit mund:

  • Të marrin udhëzime nga presidenca e kunjit për doktrinën dhe detyrat e tyre.

  • Të këshillohen së bashku për forcimin e individëve dhe të familjeve në kunj. Sistemi LCR ka mjete dhe raporte që mund t’i ndihmojnë udhëheqësit të jenë në dijeni për përparimin e anëtarëve.

  • Të diskutojnë misionin e përgjithshëm të veprës së Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin në kunj.

  • Të diskutojnë për nevojat materiale të anëtarëve të kunjit dhe mënyrën si t’i ndihmojnë që të jenë të mbështetur te vetja. Të përcaktojnë burimet në dispozicion për komunitetin dhe kunjin. Shembujt mund të përfshijnë shkollat vendore dhe programin UBJ–Pathway Mbarëbotëror. (Shihni te 22.12 dhe 22.13.)

  • Të zhvillojnë dhe mbajnë një plan të thjeshtë për kunjin për t’u përgjigjur ndaj urgjencave (shihni te 22.9.1.3).

  • Të planifikojnë mënyra që anëtarët e kunjit të japin shërbim në komunitet (shihni te 22.9.1). Aty ku është në dispozicion, JustServe.org sugjeron mundësi për shërbim në komunitet.

  • Të raportojnë për organizatat, aktivitetet dhe programet e kunjit.

Nganjëherë, një mbledhje e këshillit të kunjit mund të pasohet menjëherë nga një mbledhje e shkurtër e këshillit të lartë (shihni te 29.3.6). Kjo mund të ndihmojë që të pakësohet numri i mbledhjeve që frekuentojnë udhëheqësit.

Për t’i kuptuar parimet që i udhërrëfejnë mbledhjet e këshillit në Kishë, të gjithë anëtarët e këshillit duhet të studiojnë pjesët 4.3 dhe 4.4.

Për informacion rreth pjesëmarrësve që i bashkohen mbledhjes në distancë, shihni te 29.7.

29.3.8

ikonë, orientimet për përshtatjen
Mbledhja e Komitetit të Kunjit të Udhëheqjes së Personave në Moshë Madhore

Komiteti i kunjit i udhëheqjes së personave në moshë madhore i përkrah presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës të lagjeve në punën e tyre. Anëtarët e komitetit vënë theks të veçantë te përpjekjet e lagjeve për të dhënë shërbesë, për të shpërndarë ungjillin, për të forcuar anëtarët e rinj dhe anëtarët që po kthehen në aktivitet, si dhe për të marrë pjesë në përpjekjet për punën në tempull dhe për historinë familjare.

Përveç këtyre, ky komitet bashkërendon përpjekjet e kunjit lidhur me mirëqenien dhe mbështetjen te vetja, përfshirë programin JustServe.org (aty ku është në dispozicion) dhe programin UBJ–Pathway Mbarëbotëror (shihni te 22.13).

Presidenca e kunjit i planifikon dhe drejton mbledhjet e komitetit të kunjit të udhëheqjes së personave në moshë madhore. Këto mbledhje mund të jenë shtojca të mbledhjeve të këshillit të kunjit. Për shembull, në fund të disa mbledhjeve të këshillit të kunjit, komiteti i udhëheqjes për personat në moshë madhore mund të mblidhet për të vazhduar një diskutim mbi çështje të caktuara.

mbledhje e këshillit për rininë

29.3.9

ikonë, orientimet për përshtatjen
Mbledhja e Komitetit të Kunjit të Udhëheqjes së Rinisë

Komiteti i kunjit i udhëheqjes së rinisë i përkrah peshkopatat, presidencat dhe këshillueset e Të Rejave dhe këshilluesit e kuorumeve të Priftërisë Aarone në punën e tyre me rininë. Udhëheqësit në moshë madhore në komitet i japin theksim të veçantë përfshirjes së rinisë në veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin.

Komiteti i kunjit i udhëheqjes së rinisë ka përgjegjësitë vijuese shtesë:

  • Të planifikojë shërbim dhe aktivitete. Këto mund të përfshijnë konferencat për rininë, mbrëmjet e vallëzimit, takimet shpirtërore, projektet e shërbimit dhe ngjarjet shumëkunjëshe. (Për ide shërbimi, shihni te JustServe.org, aty ku është në dispozicion.) Të rinjtë e të rejat duhet të udhëheqin në planifikimin dhe zhvillimin e këtyre aktiviteteve. Aktivitetet e kunjit nuk duhet të jenë aq të shpeshta sa t’u vendosin një barrë lagjeve. Këto aktivitete duhet të jenë plotësuese të aktiviteteve të lagjeve, jo të konkurrojnë me to. Udhëheqësit e lagjeve duhet të njoftohen kohë përpara për aktivitetet e kunjit.

  • Të planifikojë mënyra se si t’i përkrahë konferencat Për Forcën e Rinisë.

  • Të bashkërendojë përpjekjet e kunjit që lidhen me programin Fëmijët dhe Rinia.

Një anëtar i presidencës së kunjit i mbikëqyr mbledhjet e komitetit të kunjit të udhëheqjes së rinisë. Ai mund të drejtojë ose mund të caktojë dikë tjetër për ta bërë këtë gjë, përfshirë të rinjtë dhe të rejat. Këto mbledhje mund të jenë shtojca të mbledhjeve të këshillit të kunjit. Për shembull, në fund të disa mbledhjeve të këshillit të kunjit, komiteti i udhëheqjes së rinisë mund të mblidhet për të vazhduar një diskutim mbi çështje të caktuara.

29.3.10

Mbledhja e Këshillit të Peshkopëve të Kunjit

Çështjet për diskutim mund të përfshijnë:

  • Ndihmën ndaj rinisë për të përparuar shpirtërisht.

  • Përdorimin e ofertave të agjërimit për t’u kujdesur për njerëzit nevojtarë. Ndihmën ndaj anëtarëve për të krijuar mbështetjen te vetja (shihni te kapitulli 22, veçanërisht te 22.11). Dhënien e informacionit për burimet që janë në dispozicion në komunitet.

  • Ndihmën ndaj anëtarëve që të pendohen dhe të përjetojnë një ndryshim të zemrës (shihni te kapitulli 32).

  • Administrimin e financave të Kishës (shihni te kapitulli 34).

Presidenti i kunjit e udhëheq këtë mbledhje. Ai i ndihmon peshkopët që të mësojnë dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre kryesore (shihni te 7.1). Ai gjithashtu i fton peshkopët që të këshillohen rreth udhëzimit prej udhëheqësve të Kishës.

Kjo mbledhje nuk i zëvendëson intervistat e rregullta nga presidenti i kunjit me secilin peshkop (shihni te 6.2.1.2).

Për t’i kuptuar parimet që i udhërrëfejnë mbledhjet e këshillit në Kishë, të gjithë anëtarët e këshillit duhet të studiojnë pjesët 4.3 dhe 4.4.

mbledhje e peshkopatës

29.3.11

Mbledhjet e Tjera të Kunjit

Mbledhjet e komitetit të kunjit për personat në moshë madhore beqarë dhe të komitetit të kunjit për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë përshkruhen te 14.1.1.2.

29.4

Mbledhjet e Këshillit Bashkërendues

I Shtatëdhjeti Zonal i udhëheq mbledhjet dhe e ndërmjetëson diskutimin. Të gjithë ata që marrin pjesë, këshillohen së bashku si pjesëmarrës të barabartë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:122).

Në këto mbledhje, pjesëmarrësit:

  • Kërkojnë zbulesë rreth mënyrës se si t’i zbatojnë më mirë mësimet dhe drejtimin e Presidencës së Parë, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe të Presidencës së Zonës.

  • Bashkërendojnë veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin brenda këshillit të tyre.

  • Këshillohen së bashku rreth mirëqenies materiale dhe shpirtërore të anëtarëve dhe mënyrës se si t’i ndihmojnë ata të bëhen pasues të vërtetë të Jezu Krishtit.

  • Udhëzojnë dhe e lartësojnë njëri‑tjetrin.

  • Bashkërendojnë çështje të shumë kunjeve.

29.5

Shërbesat Mortore dhe Shërbesat e Tjera për të Vdekurit

Kur vdes një anëtar i Kishës, peshkopi mund të ofrojë që të zhvillojë shërbesa për të ndihmuar që të ngushëllohen të gjallët dhe që t’i bëhen nderimet të vdekurit. Shërbesat për njerëzit që vdesin ndryshojnë sipas fesë, kulturës, traditës dhe ligjeve vendore. Udhëzimet vijuese mund t’i ndihmojnë peshkopët të planifikojnë shërbesa të përqendruara tek ungjilli për të vdekurin ndërkohë që i respektojnë këto variacione.

29.5.1

Parime të Përgjithshme

Vdekja është pjesë thelbësore e planit të Atit Qiellor për shpëtimin (shihni tek Alma 12:24–27). Për shkak të Jezu Krishtit, të gjithë do të ringjallen. Një qëllim i rëndësishëm i shërbesave të Kishës për të vdekurit është të dëshmohet për planin e shpëtimit, veçanërisht për Shlyerjen dhe Ringjalljen e Shpëtimtarit. Shërbesa të tilla duhet të jenë përvoja dinjitoze dhe shpirtërore.

Anëtarët e kishës duhet të tregojnë respekt për ritet e feve të tjera në rastet e vdekjes. Megjithatë, ata nuk duhet të bashkohen me ritualet ose traditat që janë në kundërshtim me urdhërimet ose standardet e Kishës. Udhëheqësit e Kishës nuk duhet të përfshijnë rituale të feve ose grupeve të tjera në shërbesat e Kishës për të vdekurit.

Anëtarët këshillohen të mos i përdorin praktikat ose traditat që bëhen barrë për të gjallët. Praktika të tilla mund të përfshijnë udhëtim të tepruar, lajmërime të hollësishme publike, pagesa ndaj familjes, festime të zgjatura dhe kremtime të tepruara për përvjetorët.

Anëtarët e Kishës që marrin pjesë në shërbesat për të vdekurit, nuk duhet të pranojnë pagesa.

Udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës iu binden ligjeve vendore rreth asaj që duhet të bëjnë kur vdes dikush.

29.5.2

Ofrimi i Ndihmës për Familjen

Si dishepuj të Jezu Krishtit, udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës “vajto[jnë] me ata që vajtojnë … dhe … ngushëllo[jnë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen” (Mosia 18:9). Kur një anëtar vdes, peshkopi e viziton familjen për ta ngushëlluar. Ai mund t’u kërkojë këshilltarëve të tij për ta shoqëruar. Ai lajmëron edhe presidentin e kuorumit të pleqve dhe presidenten e Shoqatës së Ndihmës.

Peshkopi ofron ndihmë nga anëtarët e lagjes, përfshirë kuorumin e pleqve dhe Shoqatën e Ndihmës. Për shembull, anëtarët e lagjes mund:

  • Të njoftojnë miqtë dhe të afërmit.

  • Të ndihmojnë për të përgatitur një nekrologji.

  • Të ndihmojnë për të planifikuar shërbesën mortore ose ndonjë shërbese tjetër.

  • Të ndihmojnë për të bërë plane me agjencinë mortore dhe varrezën, si të jetë e zbatueshme.

  • Ta veshin trupin për varrimin (shihni te 38.5.10).

  • Të përgatitin vaktet e ushqimit.

29.5.3

Pritjet për Ceremoninë Mortore (Ku Është Traditë)

Nganjëherë në shtëpinë e mbledhjeve në Kishë përpara shërbesës mortore zhvillohet një ceremoni pritjeje për të parë trupin e të vdekurit. Udhëheqësit duhet ta hapin shtëpinë e mbledhjeve për punonjësit e shërbesave mortore të paktën një orë përpara se të fillojnë pritjet për shërbesën mortore.

Pas pritjes, mund të ofrohet një lutje familjare nëse dëshiron familja. Arkivoli duhet të mbyllet përpara shërbesës mortore.

29.5.4

Shërbesat Mortore (Ku Është Traditë)

Nëse zhvillohet një shërbesë mortore për një anëtar në ndërtesën e Kishës, peshkopi e drejton atë. Nëse shërbesa zhvillohet në një shtëpi banimi, në një shtëpi funerali ose në varreza, familja mund t’i kërkojë peshkopit që ta drejtojë atë. Një këshilltar i peshkopit mund ta drejtojë atë nëse peshkopi nuk mundet. Për informacion rreth shërbesave që mbahen në një ndërtesë Kishe për një person që nuk është anëtar i Kishës, shihni te 29.5.6.

Një shërbesë mortore e drejtuar nga peshkopi, qoftë në një ndërtesë të Kishës ose diku tjetër, është një mbledhje e Kishës dhe një shërbesë fetare. Ajo duhet të jetë një ngjarje shpirtërore. Peshkopi i nxit pjesëmarrësit për të mbajtur një shpirt nderimi dhe dinjiteti.

Kur një peshkop drejton një shërbesë mortore, ai ose njëri nga këshilltarët e tij e mbikëqyr planifikimin e shërbesës. Ai merr parasysh dëshirat e familjes, duke u siguruar që shërbesa mortore është e thjeshtë dhe dinjitoze, me muzikë dhe fjalime të shkurtra, të përqendruara tek ungjilli. Duhet të theksohet ngushëllimi i ofruar nga Jezu Krishti për shkak të Shlyerjes dhe Ringjalljes së Tij. Anëtarëve të familjes nuk u kërkohet të flasin ose të marrin pjesë në mënyrë tjetër në shërbesë.

Shërbesat mortore janë një mundësi për t’i bërë nderime të vdekurit. Sidoqoftë, të tilla nderime nuk duhet të mbizotërojnë në shërbesë. Një mbledhje e veçantë familjare, veçmas nga shërbesa mortore, është zakonisht një mjedis më i mirë nëse familja dëshiron më shumë kohë për të bërë nderime ose për të treguar kujtime.

Paraqitjet filmike nuk duhet të jenë pjesë e një shërbese mortore të zhvilluar në një godinë kishtare.

Shërbesat mortore duhet të fillojnë në orar. Në përgjithësi ato nuk duhet të zgjatin më shumë se 1 orë e 30 minuta, për respekt ndaj njerëzve që marrin pjesë.

Nëse në shërbesën mortore merr pjesë një anëtar i presidencës së kunjit, një I Shtatëdhjetë Zonal në zonën e tij ose një Autoritet i Përgjithshëm, ai është personi që kryeson. Personi që drejton këshillohet me të që më parë dhe e vë në dukje praninë e tij gjatë shërbesës. Drejtuesi kryesues duhet të ftohet që të japë fjalët përmbyllëse nëse dëshiron.

Shërbesat mortore zakonisht nuk zhvillohen të dielave.

Në disa raste, peshkopi mund ta rregullojë me agjencitë funerale që të ofrojnë shërbesa mortore dhe shërbesa varrimi të thjeshta nderuese sipas kostos, në qoftë se shpenzimet paguhen nga fondet e ofertave të agjërimit.

Për informacion rreth misionarëve që kthehen në shtëpi për të marrë pjesë në një shërbesë mortore, shihni te 24.6.2.7. Për orientime rreth transmetimit nëpërmjet internetit të shërbesave mortore, shihni te 29.7.

29.5.5

Varrimi ose Djegia e Trupit

Aty ku është e mundur, anëtarët që kanë ndërruar jetë, të cilët e kanë kryer ordinancën e dhurimit, duhet të varrosen ose të digjen me veshjet e tempullit. Për informacion rreth veshjeve të tempullit për varrosjen dhe veshjen e të vdekurve, shihni te 38.5.10.

Nëse është e mundur, një anëtar i peshkopatës e shoqëron kortezhin në varreza. Nëse varri do të përkushtohet, ai këshillohet me familjen dhe i kërkon një mbajtësi të Priftërisë Melkizedeke që ta kryejë përkushtimin. Udhëzimet jepen te pjesa 18.16. Nëse e parapëlqen familja, në vend të kësaj mund të ofrohet një lutje te varri.

Për informacion rreth përkushtimit të vendit ku mbahet hiri i trupit të djegur të anëtarit, shihni te 18.16.2. Për orientime të tjera rreth djegies së trupit, shihni te 38.7.2.

29.5.6

Shërbimet për Ata që Nuk Janë Anëtarë të Kishës

Peshkopi mund ta ofrojë përdorimin e shtëpisë së mbledhjeve të Kishës për shërbesën mortore të një personi, i cili nuk është anëtar i Kishës. Nëse personi i vdekur i përket një kishe tjetër, shërbesa zakonisht mund të zhvillohet sipas mënyrës së përshkruar nga ajo kishë. Nëse familja dëshiron, shërbesa mund të drejtohet nga kleriku i asaj kishe, me kusht që të jetë dinjitoze dhe e përshtatshme. Megjithatë, ritualet e kishave ose organizatave të tjera nuk lejohet të kryhen në një shtëpi mbledhjesh të Kishës.

29.6

Lutjet në Mbledhjet e Kishës

Lutjet në mbledhjet e Kishës duhet të jenë të shkurtra, të thjeshta dhe të drejtuara nga Shpirti. Cilido anëtar i pagëzuar i Kishës mund të ofrojë një lutje hapjeje ose mbylljeje. Fëmijët që nuk janë të pagëzuar mund të luten në Fillore. Udhëheqësit duhet ta shmangin zakonin që t’i kërkojnë gjithnjë një bashkëshorti dhe bashkëshorteje që të luten në të njëjtën mbledhje.

Anëtarët duhet të luten gjithmonë duke përdorur fjalë që shprehin dashuri dhe respekt ndaj Atit Qiellor. Në shqip, kjo përfshin përdorimin e përemrave Ty, Tënd, Tënde, Sate, i Yti, e Jotja, të Tuat dhe Ti kur i drejtohemi Atij.

29.7

Transmetimi nëpërmjet Internetit i Mbledhjeve dhe Zhvillimi i Mbledhjeve në Mënyrë Virtuale

Anëtarët e Kishës duhet të përpiqen fort ta frekuentojnë me prani fizike mbledhjen. Ka përfitim në grumbullimin që e shton adhurimin dhe i ndihmon anëtarët të kenë unitet (shihni te 29.0).

Kur nuk është e mundur për shkak të shëndetit ose arsyeve të tjera, transmetimi nëpërmjet internetit dhe zhvillimi i mbledhjeve në mënyrë virtuale e bën të mundur që të përfshihen ata që nuk janë në gjendje të marrin pjesë. Për dobinë e këtyre anëtarëve dhe njerëzve të tjerë, peshkopi mund të autorizojë transmetim të drejtpërdrejtë të mbledhjeve të sakramentit (shihni te 29.2.1.5), shërbesave të pagëzimeve, shërbesave mortore dhe mbledhjeve të tjera të lagjes. Presidenti i kunjit mund të autorizojë transmetim të drejtpërdrejtë të konferencës së kunjit (shihni te 29.3.1) dhe mbledhjeve të tjera të kunjit. Për udhërrëfim rreth transmetimit në internet të sakramentit dhe ordinancave të tjera, shihni te 38.2.3.

Në mënyrë të ngjashme, kur anëtarët nuk mund të marrin pjesë në klasat e së dielës ose në mbledhjet e udhëheqjes me prani fizike, peshkopi ose presidenti i kunjit mund t’i autorizojë këta anëtarë që të marrin pjesë në mënyrë virtuale.

Specialistët e lagjeve dhe të kunjeve për teknologjinë mund t’i ndihmojnë udhëheqësit që të mundësojnë transmetimet nëpërmjet internetit dhe mbledhjet në mënyrë virtuale (shihni te 33.10). Këta individë gjithashtu mund t’i ndihmojnë anëtarët që të kenë qasje te këto mbledhje.

Regjistrimet e transmetimeve nëpërmjet internetit të mbledhjeve të lagjeve dhe kunjeve duhet të fshihen brenda një dite pas mbledhjes.

29.8

Fotografitë dhe Regjistrimet Filmike të Mbledhjeve

Për ta ruajtur shenjtërinë e mbledhjeve të Kishës, askush nuk duhet të bëjë fotografi ose regjistrime filmike të mbledhjeve të sakramentit ose konferencave të kunjit.

Për informacion rreth regjistrimeve të mbledhjeve nëpërmjet internetit, shihni te 29.7.

29.9

Interpretimi për Mbledhjet

Zoti dëshiron që çdo njeri ta kuptojë ungjillin në gjuhën e vet amtare (shihni te Doktrina e Besëlidhje 90:11). Në kunjet ku anëtarët flasin më shumë se një gjuhë amtare, një anëtar i presidencës së kunjit mund të thërrasë një bashkërendues të kunjit për interpretimin. Një peshkop mund të thërrasë interpretues të lagjes.

Për më shumë informacion, shihni te Church Interpretation Training and Best Practices [Trajnimi dhe Praktikat më të Mira për Interpretimin në Kishë] te ChurchofJesusChrist.org.