“28. Ordinancat e Tempullit për Të Vdekurit”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2025).
“28. Ordinancat e Tempullit për të Vdekurit”, Manuali i Përgjithshëm.
28.
Ordinancat e Tempullit për Të Vdekurit
28.0
Parathënia
Bashkimi i familjeve për përjetësinë është pjesë e veprës së Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin (shihni te 1.2). Ordinancat e kryera në tempuj e bëjnë të mundur që familjet të jenë së bashku në përjetësi dhe të përjetojnë plotësi të gëzimit në praninë e Perëndisë.
Në mënyrë që fëmijët e Atit Qiellor të kthehen tek Ai, secili prej tyre duhet të pendohet, të bëhet i denjë për të marrë ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit dhe t’i nderojë besëlidhjet që lidhen me secilën ordinancë. Ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit janë:
-
Pagëzimi.
-
Konfirmimi dhe dhurata e Frymës së Shenjtë.
-
Dhënia e Priftërisë Melkizedeke dhe shugurimi në një detyrë (për burrat)
-
Dhurimi në tempull (përfshirë nistoren).
-
Vulosja në tempull.
Ati Qiellor e dinte se shumë nga fëmijët e Tij nuk do t’i merrnin këto ordinanca gjatë jetës së tyre në vdekshmëri. Ai siguroi një mënyrë tjetër që ata t’i marrin ordinancat dhe të bëjnë besëlidhje me Të. Në tempuj, ordinancat mund të kryhen me mëkëmbës. Kjo do të thotë që një njeri i gjallë kryen ordinanca në emër të dikujt që ka vdekur. Në botën e shpirtrave, personat e vdekur mund të zgjedhin t’i pranojnë ose refuzojnë ordinancat që janë kryer për ta (shihni te Doktrina e Besëlidhje 138:19, 32–34, 58–59).
Ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit nuk nevojiten ose kryhen për njerëzit që nuk ishin të përgjegjshëm në këtë jetë (shihni te 18.1, 28.3.2 dhe 28.3.3).
Anëtarët e Kishës nxiten t’i identifikojnë të afërmit e vdekur që nuk i kanë marrë ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit. Pastaj, anëtarët i kryejnë ordinancat në emër të atyre të afërmve. (Shihni te Malakia 4:5–6; 1 Korintasve 15:29; Doktrina e Besëlidhje 2:1–3; 128:15–18; shihni edhe te 25.1 në këtë manual.)
Nëse anëtarët nuk kanë përgatitur emra të familjes për punën në tempull (shihni te 28.1.1), emrat e personave të vdekur që kanë nevojë për ordinanca, do të jepen në tempull.
Anëtarët nxiten ta frekuentojnë tempullin sa më shpesh që e lejojnë rrethanat e tyre, qoftë nëse po kryejnë ordinanca me mëkëmbës për vetë të afërmit e tyre ose për persona emrat e të cilëve jepen në tempull.
Anëtarët e Kishës bekohen kur kryejnë ordinanca në tempull për të vdekurit. Ndërkohë që kryejnë ordinanca me mëkëmbës, ata janë në gjendje të reflektojnë për vetë besëlidhjet e tyre në tempull dhe për zotimin e tyre për t’i mbajtur ato besëlidhje.
Presidentët e kunjeve dhe peshkopët i ndihmojnë anëtarët që të përgatiten për të pasur përvoja pozitive gjatë kryerjes së ordinancave në tempull. Ata e bëjnë këtë me anë të mësimdhënies së bazave doktrinore për punën në tempull dhe duke u siguruar që anëtarët t’i kuptojnë orientimet për këtë punë. Shihni te kapitulli 25 për më shumë informacion.
28.1
Orientime të Përgjithshme për Kryerjen e Ordinancave me Mëkëmbës
Për personat e vdekur që ishin të moshës 8 vjeç e lart në kohën e vdekjes së tyre, mund të kryhen ordinanca me mëkëmbës në emër të tyre. Përveç rasteve që shënohen te pjesa 28.3, ordinancat me mëkëmbës mund të kryhen për të gjithë personat e vdekur sapo të kenë kaluar 30 ditë nga data e vdekjes së tyre, në qoftë se gjen zbatim cilido nga kushtet vijuese:
-
Një familjar i afërt i personit të vdekur (një bashkëshort/e i/e pashkurorëzuar, një fëmijë në moshë madhore, një prind, një vëlla ose motër) e dorëzon emrin për ordinancat e tempullit.
-
Leja për t’i kryer ordinancat merret nga një i afërm i ngushtë i personit të vdekur (një bashkëshort/e i/e pashkurorëzuar, një fëmijë në moshë madhore, një prind, një vëlla ose motër).
Nëse asnjëri nga kushtet e mësipërme nuk gjen zbatim, ordinancat me mëkëmbës të tempullit mund të kryhen 110 vjet pasi u lind personi i vdekur.
Për më shumë informacion, shihni artikujt vijues te FamilySearch.org (hyrja tek artikujt kërkon të jini të kyçur te faqja FamilySearch.org):
28.1.1
Përgatitja e Emrave të Personave të Vdekur për Ordinancat e Tempullit
Shumë burime janë në dispozicion për t’i ndihmuar anëtarët të identifikojnë të afërmit e vdekur që kanë nevojë t’u kryhen ordinancat në emër të tyre (shihni te 25.4 dhe 28.3). Udhëheqësit vijues i ndihmojnë anëtarët të mësojnë se si t’i përgatitin emrat e pjesëtarëve të vdekur të familjes për ordinancat e tempullit:
-
Presidencat e kuorumeve të pleqve dhe presidencat e Shoqatës së Ndihmës (shihni te 25.2.2)
-
Udhëheqësi i lagjes për tempullin dhe historinë familjare (shihni te 25.2.3)
-
Këshilluesit e lagjes për tempullin dhe historinë familjare (shihni te 25.2.4).
Atje ku është e mundur, informacioni që identifikon pjesëtarë të vdekur të familjes, duhet të hidhet në FamilySearch.org përpara se të kryhen ordinancat e tempullit (shihni te 25.4.1).
28.1.1.1
Dorëzimi i Emrave të Pjesëtarëve të Familjes
Kur dorëzojnë emra për ordinanca tempulli me mëkëmbës, anëtarët duhet të dorëzojnë vetëm emrat e personave me të cilët kanë lidhje familjare.
28.1.1.2
Dorëzimi i Emrave të Personave të Famshëm dhe i Grupeve të Paautorizuara
Anëtarët e Kishës nuk duhet të dorëzojnë emra në FamilySearch.org nga grupet që vijojnë:
-
Njerëz të famshëm
-
Emra të mbledhur nga projekte të pamiratuara të nxjerrjes së të dhënave
-
Viktimat judease të Holokaustit
Për më shumë informacion, shihni artikullin vijues në FamilySearch: “A mund të bëj punë në tempull për viktimat e Holokaustit judeas?”
28.1.2
Kush Mund të Marrë Pjesë në Ordinancat për të Vdekurit
Të gjithë anëtarët që kanë një rekomandim aktual tempulli, mund të marrin pjesë në pagëzime dhe konfirmime për të vdekurit. Anëtarët që e kanë kryer ordinancën e dhurimit për vete dhe kanë një rekomandim aktual tempulli, mund të marrin pjesë në të gjitha ordinancat për të vdekurit. Shihni te 26.3.
28.1.3
Pjesëmarrja nga Anëtarët që Kanë Aftësi të Kufizuara Fizike ose Intelektuale
Anëtarët që kanë aftësi të kufizuara, mund të bëjnë punë në tempull për të vdekurit nëse:
-
Kanë një rekomandim aktual tempulli (shihni te 28.1.2).
-
Kanë kapacitetin intelektual për ta kuptuar ordinancën.
-
Mund të kujdesen për veten apo shoqërohen nga një i afërm ose mik i së njëjtës gjini që ka rekomandim tempulli dhe mund t’iu japë ndihmë nëse nevojitet.
28.1.4
Caktimi i Takimeve
Anëtarëve mund t’iu nevojitet të caktojnë një takim përpara se të kryejnë ordinanca për të vdekurit. Shihni tek temples.ChurchofJesusChrist.org për informacionin e kontaktit të secilit tempull dhe të kërkesave për caktimin e një orari.
28.1.5
Ndihma për Përkthimin ose Interpretimin
Shihni te 27.1.4.
28.1.6
Veshjet që Vishen në Tempull
Shihni te 27.1.5.
28.1.7
Kujdesi për Fëmijët
Shihni te 27.1.6.
28.2
Kryerja e Ordinancave të Tempullit për Persona të Vdekur
Pjesët vijuese shpjegojnë ordinancat që kryhen në tempuj nga mëkëmbësit për persona të vdekur. Kur kryen ordinanca me mëkëmbës, një anëtar mund të veprojë si mëkëmbës vetëm për një person të vdekur që ka të njëjtë gjini nga lindja sikurse anëtari.
Ordinancat e tempullit për të vdekurit në përgjithësi kryhen në rendin vijues:
-
Pagëzimi
-
Konfirmimi
-
Shugurimi në Priftërinë Melkizedeke (për meshkujt)
-
Nistorja
-
Dhurimi
-
Vulosjet
Nëse ordinancat për të vdekurit nuk janë përfunduar sipas rendit, nuk nevojitet të kryhen përsëri. Ato bëhen të efektshme kur përfundohen ordinancat e kërkuara paraprakisht.
28.2.1
Pagëzimet dhe Konfirmimet për të Vdekurit
Çdo anëtar që ka një rekomandim aktual tempulli, mund të ftohet të shërbejë në një ose më shumë detyra që lidhen me pagëzimet. Disa nga detyrat mund të përfshijnë:
-
Të vepruarit si mëkëmbës për pagëzimet.
-
Të vepruarit si dëshmitar për pagëzimet me mëkëmbës.
-
Të vepruarit si mëkëmbës për konfirmimet.
-
Përkrahjen ndaj frekuentuesve të tempullit.
-
Shpërndarjen e veshjeve dhe të peshqirëve.
-
Ndihmën për regjistrimin e ordinancave të pagëzimit dhe konfirmimit në sistemin kompjuterik.
Nëse dëshirojnë, anëtarët që veprojnë si mëkëmbës, mund të zgjedhin që të bëjnë vetëm pagëzime ose vetëm konfirmime.
Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke dhe priftërinjtë në Priftërinë Aarone mund të ftohen të kryejnë pagëzime për të vdekurit. Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke gjithashtu mund të ftohen për të kryer konfirmimet për të vdekurit. Ata që pagëzojnë ose konfirmojnë, duhet të jenë të aftë që fizikisht ta kryejnë ordinancën pa ndihmë.
Vetëm burra që e kanë kryer ordinancën e dhurimit, mund të ftohen që:
-
Të shërbejnë si regjistrues te vaska e pagëzimit.
-
Të shërbejnë si regjistrues të konfirmimeve.
Ata që shërbejnë si regjistrues te vaska ose regjistrues të konfirmimit, verifikojnë që ordinanca kryhet me saktësi dhe regjistrohet siç duhet (shihni te Doktrina e Besëlidhje 128:4, 9). Regjistruesit te vaska dhe regjistruesit e konfirmimit duhet të jenë në gjendje që ta verifikojnë dhe regjistrojnë ordinancën pa ndihmë.
Grupe të organizuara, të tilla si familje, lagje dhe kunje, që dëshirojnë të marrin pjesë në ordinancat në pagëzimore, normalisht caktojnë paraprakisht orare me tempullin (shihni te 28.1.4). Një ose më shumë persona në moshë madhore me rekomandime aktuale tempulli duhet t’i shoqërojnë këto grupe.
28.2.2
Dhurimi (Përfshirë Nistoren)
Kur kryhen dhurimet me mëkëmbës për të vdekurit, pjesa nistore e ordinancës së dhurimit kryhet dhe regjistrohet më vete (shihni te 27.2). Çdo anëtar që e ka kryer ordinancën e dhurimit dhe ka një rekomandim aktual tempulli, mund të veprojë si mëkëmbës për t’i marrë këto ordinanca.
28.2.3
Vulosja me Bashkëshortin/en dhe Vulosja e Fëmijëve te Prindërit
Në tempull, personat e vdekur mund të vulosen me bashkëshortin/en që u martuan kur ishin në jetë (shihni te 38.4.1.3 nëse bashkëshorti ose bashkëshortja është ende gjallë dhe te 38.4.1.8 nëse bashkëshorti dhe bashkëshortja kanë vdekur). Për personat e vdekur, edhe fëmijët e tyre të gjallë ose të vdekur mund të vulosen tek ata (shihni te 38.4.2.2). Një anëtar që ka kryer ordinancën e dhurimit dhe ka një rekomandim aktual tempulli, mund të veprojë si mëkëmbës për ordinancat e vulosjes.
Ordinancat e pagëzimit, konfirmimit, nistores dhe dhurimit në përgjithësi kryhen, qoftë në jetë ose me mëkëmbës, përpara se një person i vdekur të vuloset me një bashkëshort/e ose te prindërit e tij ose të saj (shihni te 28.2). Sidoqoftë, një person i vdekur që vdiq para moshës 8 vjeç, ose që nuk ishte i përgjegjshëm në jetë, nuk nevojitet të marrë asnjë ordinancë tjetër përpara se të vuloset te prindërit e vet (shihni te 18.1, 28.3.2 dhe 28.3.3).
28.3
Rrethana të Veçanta
Kjo pjesë shpjegon rrethanat në të cilat disa prej orientimeve në pjesën 28.1 mund të mos gjejnë zbatim.
28.3.1
Fëmijët që Vdiqën para se të Lindin (Fëmijët që Lindin të Vdekur dhe Fëmijët e Vdekur prej Dështimit të Barrës)
Ordinancat e tempullit nuk janë të nevojshme ose nuk kryhen për fëmijët që vdesin para lindjes. Për më shumë informacion, shihni te 38.7.3.
28.3.2
Fëmijët që Vdiqën përpara Moshës Tetë Vjeç
Fëmijët e vegjël shëlbohen nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe “shpëtohen në mbretërinë çelestiale të qiellit” (Doktrina e Besëlidhje 137:10). Për këtë arsye, asnjë pagëzim ose dhurim nuk kryhet për një fëmijë i cili vdiq përpara moshës 8 vjeç. Sidoqoftë, vulosja te prindërit mund të kryhet për fëmijët që nuk u lindën në besëlidhje, ose që nuk e kishin marrë atë ordinancë gjatë jetës (shihni te 18.1).
28.3.3
Njerëzit e Vdekur të Cilët Kishin Aftësi të Kufizuara Intelektuale
Ordinancat e tempullit mund të kryhen për personat e vdekur që njihen se kanë qenë të përgjegjshëm (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:71). Ordinancat e tempullit mund të kryhen edhe për persona, përgjegjshmëria e të cilëve nuk dihet.
Nëse dihet qartë se personi i vdekur kishte aftësi të kufizuara intelektuale dhe nuk ishte i përgjegjshëm, ordinanca e vetme që kryhet është ajo e vulosjes te prindërit (shihni te 38.2.4). Kjo bëhet vetëm nëse personi nuk u lind në besëlidhje ose nuk u vulos te prindërit e tij ose të saj ndërkohë që ishte gjallë. Ordinancat e tjera të tempullit nuk nevojiten ose kryhen edhe nëse personi jetoi përtej moshës 8 vjeç e lart.
28.3.4
Njerëzit që Mendohen të Vdekur
Ordinancat e tempullit mund të kryhen për një person që mendohet se ka vdekur. Ordinancat nuk mund të kryhen deri pasi të kenë kaluar 10 vjet që nga koha kur personi mendohet i vdekur ose shpallet i vdekur ligjërisht. Kjo rregullore zbatohet për personat që:
-
Kanë humbur në veprime ushtarake ose kanë humbur në det.
-
U zhdukën në rrethana ku vdekja është e dukshme, por nuk është gjetur trupi.
Në të gjitha rastet e tjera të personave të humbur, ordinancat e tempullit mund të kryhen 110 vjet pas kohës së lindjes së personit.
Presidenti i kunjit mund të vihet në kontakt me Sektorin e Tempullit nëse ka pyetje rreth kësaj rregulloreje:
Adresa e postës elektronike: TempleDepartment@ChurchofJesusChrist.org
28.3.5
Personat Anëtarësia në Kishë e të Cilëve u Hoq ose të Cilët Hoqën Dorë nga Anëtarësia
Nëse personave iu është hequr anëtarësia e tyre në Kishë ose kanë hequr dorë nga anëtarësia përpara se të vdisnin, kërkohet miratimi i Presidencës së Parë përpara se të kryhen për ta ordinancat në tempull, përfshirë rivendosjen e bekimeve kur gjen zbatim (përveç rasteve të shënuara te 28.3.5.1).
Një pjesëtar i familjes mund ta kërkojë këtë miratim në një letër drejtuar Zyrës së Presidencës së Parë pasi të ketë kaluar një vit nga vdekja e personit. Letra duhet të shpjegojë rrethanat. Nuk kërkohet asnjë formular. Peshkopi ose presidenti i kunjit gjithashtu mund të ndihmojë për këtë kërkesë sipas nevojës.
28.3.5.1
Persona të Vdekur që Nuk e Kryen Ordinancën e Dhurimit
Personat e vdekur që nuk e kryen ordinancën e dhurimit dhe që anëtarësia e të cilëve në Kishë u hoq ose të cilët hoqën dorë nga anëtarësia, mund të ripranohen me anë të pagëzimit dhe konfirmimit me mëkëmbës. Këta persona të vdekur nuk nevojitet të vulosen te prindërit e tyre përsëri nëse u lindën në besëlidhje ose u vulosën te prindërit kur ishin në jetë.
Kërkohet miratimi i Presidencës së Parë, siç shënohet te 28.3.5.
Nëse njerëz të tillë u ripranuan me anë të pagëzimit dhe konfirmimit gjatë jetës së tyre, nuk nevojitet asnjë miratim për të kryer ordinancat e tempullit në emër të tyre.
Periudha njëvjeçare e pritjes përpara se një pjesëtar i familjes mund të kërkojë miratim, gjen zbatim edhe nëse personi i vdekur ishte ripranuar me anë të pagëzimit dhe konfirmimit në jetë.
Rivendosja e bekimeve ndodh nën drejtimin e Presidencës së Parë. Familja njoftohet kur ajo është përfunduar. Ripranimi i personit me anë të pagëzimit dhe konfirmimit, nëse nevojitet, përfundohet në të njëjtën kohë.
Shihni te 32.17.2 për informacion rreth kryerjes së kësaj ordinance për të gjallët.
28.3.5.2
Persona të Vdekur që e Kishin Kryer Ordinancën e Dhurimit
Personat e vdekur që e kishin kryer ordinancën e dhurimit dhe që të cilëve iu hoq anëtarësia ose që hoqën dorë nga anëtarësia e tyre në Kishë dhe më vonë u ripranuan me anë të pagëzimit dhe të konfirmimit, mund t’i marrin bekimet e tyre të priftërisë dhe të tempullit vetëm nëpërmjet ordinancës së rivendosjes së bekimeve. Njerëz të tillë nuk shugurohen sërish në ndonjë detyrë në priftëri as nuk e kryejnë ordinancën e dhurimit në tempull, pasi këto bekime rivendosen nëpërmjet kësaj ordinance.
Kërkohet miratimi i Presidencës së Parë, siç shënohet te 28.3.5. Periudha njëvjeçare e pritjes përpara se një pjesëtar i familjes mund të kërkojë miratim, gjen zbatim edhe nëse personi i vdekur ishte ripranuar me anë të pagëzimit dhe konfirmimit në jetë.
Rivendosja e bekimeve ndodh nën drejtimin e Presidencës së Parë. Familja njoftohet kur ajo është përfunduar. Ripranimi i personit me anë të pagëzimit dhe konfirmimit, nëse nevojitet, përfundohet në të njëjtën kohë.
Shihni te 32.17.2 për informacion rreth kryerjes së kësaj ordinance për të gjallët.