Manualet dhe Thirrjet
23. Shpërndarja e Ungjillit dhe Forcimi i Anëtarëve të Rinj dhe Atyre që po Kthehen në Aktivitet


“23. Shpërndarja e Ungjillit dhe Forcimi i Anëtarëve të Rinj dhe Atyre që po Kthehen në Aktivitet”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2025).

“23. Shpërndarja e Ungjillit dhe Forcimi i Anëtarëve të Rinj dhe Atyre që po Kthehen në Aktivitet”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

njerëz duke parë në telefon

23.

Shpërndarja e Ungjillit dhe Forcimi i Anëtarëve të Rinj dhe Atyre që po Kthehen në Aktivitet

23.0

Parathënia

Ftesa ndaj të gjithë njerëzve që ta pranojnë ungjillin, është pjesë e veprës së Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin (shihni te 1.2 në këtë manual; Mateu 28:19–20). Ajo përfshin:

  • Pjesëmarrjen në punën misionare dhe shërbimin si misionarë.

  • Ndihmën për anëtarët e rinj dhe ata që kthehen në Kishë, që të përparojnë përgjatë shtegut të besëlidhjeve.

23.1

Shpërndajeni Ungjillin

Jezu Krishti na do. Ai e shpërndan ungjillin e Tij tek ne dhe i fton të gjithë që të vijnë tek Ai. Ne mund të bëjmë të njëjtën gjë.

2:33

23.1.1

Jepni Dashuri

Të gjithë ne jemi fëmijë të Atit Qiellor, i cili i do fëmijët e Tij në mënyrë të përsosur. Ai i ofron gjithsecilit mundësinë të mbushet me dashurinë e Tij nëpërmjet Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij (shihni te Gjoni 3:16; 2 Nefi 26:24–28; Alma 26:37; Nenet e Besimit 1:3).

Një mënyrë se si e tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë, është duke i dashur dhe duke u shërbyer fëmijëve të Tij sikurse do të bënte Jezu Krishti (shihni te Mateu 22:36–39; 25:40). Kjo dashuri na frymëzon të takohemi me njerëzit përreth nesh dhe t’ua shtrijmë dorën njerëzve të të gjitha prejardhjeve, kulturave dhe bindjeve fetare (shihni te Veprat e Apostujve 10:34; 2 Nefi 26: 33; Jakobi [LiM] 2:17). Ne lutemi dhe kërkojmë mundësi për ta shpërndarë ungjillin tek të tjerët (shihni tek Alma 6:6; 8:10).

23.1.2

Tregoni

Për shkak se e duam Perëndinë dhe fëmijët e Tij, natyrshëm duam të tregojmë për bekimet që Ai na ka dhënë (shihni te Gjoni 13:34–35) dhe të ndihmojmë për ta mbledhur Izraelin. Ne kërkojmë t’i ndihmojmë njerëzit të ndiejnë gëzimin që ndiejmë vetë ne (shihni tek Alma 36:24). Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne e mbajmë lart dritën e Tij (shihni tek 3 Nefi 18:24–25). Ne flasim hapur për Shpëtimtarin dhe ndikimin e Tij në jetën tonë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 60:22).

Ne shfaqim dashuri, tregojmë të vërtetat e ungjillit, ofrojmë kohë, përvoja dhe programe të Kishës për t’i bekuar fëmijët e Perëndisë dhe për t’i ndihmuar ata të afrohen më pranë Shpëtimtarit. Ne i tregojmë këto gjëra në mënyra të zakonshme dhe të natyrshme si pjesë e ndërveprimeve vetjake, në internet dhe në forma të tjera.

Lagjet dhe kunjet mund të krijojnë mundësi të natyrshme që anëtarët të flasin me të tjerët. Një mënyrë për ta bërë këtë, është të organizojnë ngjarje dhe aktivitete. Për më shumë informacion, shihni te “Share Ward Activities” [“Organizoni Aktivitete të Lagjes”] te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Udhëheqësit e lagjeve dhe të kunjeve gjithashtu këshillohen së bashku për të përcaktuar: 1) nevojat në komunitetin vendor dhe 2) burimet e Kishës për t’i ndarë, për të ndihmuar në plotësimin e atyre nevojave. Për më shumë informacion, shihni te “Share Church Resources” [“Ndarja e Burimeve të Kishës”] te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

23.1.3

Ftoni

Shpëtimtari i fton të gjithë njerëzit ta pranojnë ungjillin e Tij dhe të përgatiten për jetën e përjetshme (shihni tek Alma 5:33–34). Si dishepuj të Tij, ne ndjekim shembullin e Tij, duke i ftuar të gjithë të “[vijnë] te Krishti dhe [të] përsos[en] në të” (Moroni 10:32).

Ne lutemi për frymëzim dhe udhërrëfim mbi mënyrën se si t’i ftojmë të tjerët:

  • Të vijnë dhe të shohin bekimet që janë në dispozicion nëpërmjet Jezu Krishtit, ungjillit të Tij dhe Kishës së Tij (shihni te Gjoni 1:37–39, 45–46).

  • Të vijnë dhe t’u shërbejnë njerëzve nevojtarë.

  • Të vijnë dhe t’i përkasin Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit.

Shpesh, të ftosh thjesht do të thotë të përfshijmë familjen, miqtë dhe fqinjët tanë në atë që po bëjmë tashmë. Për shembull, merrni parasysh të ftoni njerëz nisur nga nevojat dhe interesat e tyre për:

  • Mbledhjet e sakramentit dhe mbledhje të tjera të së dielës. Njëra nga përvojat më të vlefshme që mund t’ua ofrojmë të tjerëve, është frekuentimi i mbledhjes së sakramentit së bashku dhe të ndihmuarit që ata të kenë një përvojë mikpritëse, shpirtërore (shihni tek 3 Nefi 18:22–23).

  • Ngjarje të veçanta të Kishës, të tilla si bekimet e foshnjave ose pagëzimet.

  • Aktivitetet e lagjeve dhe të kunjeve, përfshirë aktivitetet e Fillores dhe të rinisë (shihni te “Share Ward Activities” [“Organizoni Aktivitete të Lagjes”] te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

  • Veprimtaritë në shtëpitë tona.

  • Programet e Kishës, të tilla si seminari, instituti, historia familjare, klasat e mbështetjes te vetja dhe projektet JustServe.org (ku janë në dispozicion).

  • Mësimet me misionarët.

Për më shumë ide dhe burime shihni te:

Kur japim dashuri, tregojmë dhe ftojmë ashtu siç bëri Krishti, Perëndia do të vendosë mundësi në shtegun tonë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 11:3–5, 8). Çdo përpjekje për të jetuar parimet: jepni dashuri, tregoni dhe ftoni, është pozitive, pavarësisht nëse një person takohet apo jo me misionarët, bashkohet ose jo me Kishën.

Parimet e dhënies së dashurisë, të të treguarit dhe të ftuarit gjejnë zbatim edhe për të forcuar anëtarët e rinj dhe ata që po kthehen në aktivitet.

2:46

23.2

Forconi Anëtarët e Rinj

Bashkimi me Kishën është si i mrekullueshëm por edhe një sfidë për shumë njerëz. Ai sjell bekime të mëdha, por kërkon gjithashtu përshtatje me bindjet e reja, zakonet e reja dhe marrëdhëniet e reja (shihni te 1 Thesalonikasve 1:6).

Çdo anëtar i ri ka nevojë për miqësi, mundësi për të shërbyer dhe ushqim shpirtëror. Si anëtarë të Kishës, ne u japim anëtarëve të rinj dashurinë dhe përkrahjen tonë (shihni te Mosia 18:8–10) Ne i ndihmojmë që të ndiejnë një ndjesi përkatësie në Kishë. Ne i ndihmojmë që të përparojnë përgjatë shtegut të besëlidhjeve (shihni te 23.4.1) dhe të bëhen më thellësisht të “kthye[r] në besim te Zoti” (Alma 23:6). Ne i ndihmojmë të “ushqehe[n] nga fjala e mirë e Perëndisë, për t’i mbajtur në udhën e drejtë, … duke u mbështetur vetëm në meritat e Krishtit” (Moroni 6:4).

Ne mund t’i ndihmojmë gjithashtu anëtarët e rinj:

  • Të mësojnë dhe përjetojnë gëzimin e të qenit një dishepull i Jezu Krishtit.

  • Të mësojnë se si t’i dallojnë nxitjet nga Shpirti.

  • Të zhvillojnë një zakon të lutjes dhe studimit të shkrimeve të shenjta në mënyrë vetjake dhe familjare.

  • Ta shpërndajnë ungjillin te familja dhe miqtë e tyre.

  • Të gjejnë emra të paraardhësve dhe të përgatiten për të marrë ordinancat e tempullit për ta (shihni te 25.4).

  • Të rriten nëpërmjet përmbushjes së detyrave në Kishë dhe pjesëmarrjes në shumë mundësi të tjera që ofron Kisha.

23.3

Forconi Anëtarët që po Kthehen në Aktivitet

Disa anëtarë zgjedhin që të mos marrin më pjesë në Kishë. “Pasi të tillëve”, tha Shpëtimtari, “ju duhet të vazhdoni t’u shërbeni; pasi ju nuk e dini në qoftë se ata do të kthehen dhe pendohen dhe vijnë tek unë me qëllim të plotë të zemrës, dhe unë do t’i shëroj; dhe ju do të jeni mjetet që do t’u sjellin shpëtim atyre” (3 Nefi 18:32). Këto fjalë gjejnë zbatim për të gjithë, të cilëve për çfarëdo arsye, u nevojitet dhënie shërbese e vazhdueshme.

Anëtarët që nuk po marrin pjesë plotësisht kanë më shumë gjasa të kthehen nëse kanë marrëdhënie të forta me anëtarët e Kishës. Dashuria dhe përkrahja jonë mund t’i ndihmojnë që t’i kapërcejnë sfidat. Ashtu si anëtarët e rinj, ata kanë nevojë për miqësi, mundësi për të shërbyer dhe ushqim shpirtëror. Të kuptuarit e rrethanave dhe sfidave të tyre mund të na ndihmojë që t’u japim shërbesë me ndjeshmëri dhe dashuri.

23.4

Zhvilloni Mbledhje të Përjavshme të Bashkërendimit Misionar

Çdo javë zhvillohen mbledhje të shkurtra joformale për të bashkërenduar përpjekjet për të shpërndarë ungjillin. Qëllimi i këtyre mbledhjeve është të ndihmojë njerëzit të cilëve po u jepet mësim, anëtarët e rinj dhe anëtarët që po kthehen në aktivitet që të bëjnë dhe të mbajnë besëlidhje. Nëse thirret një udhëheqës i misionit të lagjes, është ai që i drejton këto mbledhje. Përndryshe i drejton anëtari i presidencës së kuorumit të pleqve, i cili përmbush rolin e udhëheqësit të misionit të lagjes.

Njerëz të tjerë që ftohen, përfshijnë:

  • Anëtaret e caktuara të presidencës së Shoqatës së Ndihmës dhe të Fillores dhe anëtarët e caktuar të presidencës së kuorumit të pleqve.

  • Misionarët e lagjes.

  • Një ndihmës në kuorumin e priftërinjve (ose presidenti i kuorumit të mësuesve apo dhjakëve nëse nuk ka priftërinj në lagje).

  • Një anëtare të presidencës së klasës me moshën më të madhe të Të Rejave.

  • Misionarët kohëplotë.

Mbledhjet e përjavshme të bashkërendimit misionar përqendrohen te nevojat e individëve. Rendi i ditës zakonisht përfshin pikat vijuese:

  • Si të ndihmohen ata që po marrin mësime nga misionarët

  • Si të ndihmohen ata që u pagëzuan kohët e fundit

  • Si të ndihmohen familjet pjesërisht anëtare dhe anëtarët që po kthehen në aktivitet

  • Si të gjenden më shumë njerëz për t’i mësuar

Raporti i Përparimit në Shtegun e Besëlidhjeve, sugjerimet në pjesën “Mbledhjet e Përjavshme të Bashkërendimit” në kapitullin 13 të manualit Predikoni Ungjillin Tim dhe pyetjet më poshtë mund të ndihmojnë për t’i udhërrëfyer planet javore.

  • Si mund t’i ndihmojmë individët që të frekuentojnë kishën, të kenë një përvojë lartësuese shpirtërisht dhe të krijojnë miqësi?

  • Si mund ta përkrahim planin e lagjes për shpërndarjen e ungjillit?

  • Si mund të ndihmojë këshilli i lagjes dhe kush do të bëjë bashkërendimin me ta?

Këto mbledhje mund të zhvillohen me prani fizike ose në distancë. Bashkërendimi mund të ndodhë edhe në mënyra të tjera, përfshirë telefonatat ose mesazhet me celular në grup.

Përpiquni fort të ndiqni parimet e veprimit dhe të përgjegjshmërisë te pjesa 4.4.5. Një person në mbledhje mund të caktohet që të shënojë dhe t’ia kujtojë grupit veprimet e planifikuara.

ikonë, orientimet për përshtatjenDegët e vogla mund të zgjedhin që ta bëjnë bashkërendimin e tyre të përjavshëm në këshillin e degës.

Shikoni një model rendi dite për mbledhjet dhe shembuj të tjerë të bashkërendimit tek “Ideas for Weekly Missionary Coordination” [“Ide për Bashkërendimin e Përjavshëm Misionar”] te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

23.4.1

Shtegu Im i Besëlidhjeve dhe Raporti i Përparimit në Shtegun e Besëlidhjeve

Burimet vijuese mund të ndihmojnë për të udhërrëfyer diskutimet gjatë mbledhjeve të përjavshme të bashkërendimit misionar:

  • Shtegu Im i Besëlidhjeve. Ky burim i ndihmon anëtarët e rinj dhe anëtarët që po kthehen në aktivitet, që të përparojnë përgjatë shtegut të besëlidhjeve gjatë 12 deri në 24 muajve të parë pas pagëzimit ose pas kthimit në pjesëmarrjen në ungjill. Shtegu Im i Besëlidhjeve është në dispozicion te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  • Raporti i Përparimit në Shtegun e Besëlidhjeve. Udhëheqësit e lagjes e përdorin këtë burim për të regjistruar dhe parë përparimin e anëtarëve të rinj dhe të atyre që po kthehen në aktivitet, dhe të njerëzve të cilët po marrin mësime nga misionarët. Raporti i Përparimit në Shtegun e Besëlidhjeve mund të shihet dhe përditësohet nga udhëheqësit e lagjeve nëpërmjet programit kompjuterik Mjetet e Anëtarit dhe Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit (LCR). Misionarët kohëplotë e përdorin dhe e përditësojnë Përparimin në Shtegun e Besëlidhjeve nëpërmjet programit kompjuterik Preach My Gospel [Predikoni Ungjillin Tim].

2:9

23.5

Udhëheqësit e Kunjit

23.5.1

Presidenca e Kunjit

Presidenti i kunjit mban çelësat në kunj për shpërndarjen e ungjillit dhe forcimin e anëtarëve të rinj dhe atyre që po kthehen në aktivitet. Ai dhe këshilltarët e tij japin drejtimin e përgjithshëm për këto përpjekje. Ai siguron që kjo punë të diskutohet rregullisht në mbledhjet e kunjit.

Zakonisht çdo muaj, presidenti i kunjit takohet me presidentin e misionit për të bashkërenduar përpjekjet ndërmjet udhëheqësve të kunjit dhe lagjeve dhe misionarëve kohëplotë. Të tjerë që mund të marrin pjesë përfshijnë:

  • Këshilltarët në presidencat e kunjit dhe misionit.

  • Këshilltarët e lartë të caktuar.

  • Presidenten e Shoqatës së Ndihmës të kunjit.

  • Misionarë të caktuar nga presidenti i misionit.

23.5.2

Komiteti i Kunjit i Udhëheqjes së Personave në Moshë Madhore

Komiteti i kunjit i udhëheqjes së personave në moshë madhore përfshin:

  • Presidencën e kunjit.

  • Presidencën e Shoqatës së Ndihmës të kunjit.

  • Këshilltarët e lartë të caktuar për të punuar me kuorumet e pleqve.

Këta udhëheqës i udhëzojnë dhe përkrahin presidencat e kuorumeve të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës në lagje në përpjekjet e tyre për ta shpërndarë ungjillin dhe për t’i forcuar anëtarët e rinj dhe ata që po kthehen në aktivitet (shihni te 23.6.2). Udhëzimi mund të ndodhë në një mjedis grupi ose individual. Udhëheqësit e misionit të lagjeve mund të ftohen që ta pranojnë këtë udhëzim.

Për më shumë informacion rreth mbledhjeve të këtij komiteti, shihni te 29.3.8.

23.5.3

Këshilltarët e Lartë

Presidenca e kunjit mund të caktojë këshilltarë të lartë për të udhëzuar dhe përkrahur presidencat e kuorumeve të pleqve dhe udhëheqësit e misioneve të lagjeve. Një ose më shumë këshilltarë të lartë mund të caktohen për t’i udhëhequr këto përpjekje. Sidoqoftë, të gjithë këshilltarët e lartë i kanë këto përgjegjësi për lagjet dhe kuorumet në të cilat janë caktuar.

23.5.4

Presidenca e Shoqatës së Ndihmës të Kunjit

Nën drejtimin e presidentit të kunjit, presidenca e Shoqatës së Ndihmës të kunjit udhëzon dhe përkrah presidencat e Shoqatave të Ndihmës të lagjeve në përgjegjësitë e tyre për shpërndarjen e ungjillit dhe forcimin e anëtarëve të rinj dhe atyre që po kthehen në aktivitet.

fqinj duke biseduar

23.6

Udhëheqësit e Lagjes

23.6.1

Peshkopata

Peshkopata bashkërendohet me presidencat e kuorumeve të pleqve dhe të Shoqatave së Ndihmës ndërsa udhëheqin përpjekjet e lagjes në shpërndarjen e ungjillit dhe forcimin e anëtarëve të rinj dhe atyre që po kthehen në aktivitet. Këta udhëheqës këshillohen së bashku rregullisht.

Peshkopata siguron që këto përpjekje të diskutohen dhe të bashkërendohen në mbledhjet e këshillit të lagjes dhe mbledhjet e këshillit të lagjes për rininë. Peshkopata gjithashtu shqyrton dhe miraton planin e lagjes për shpërndarjen e ungjillit dhe forcimin e anëtarëve të rinj dhe atyre që po kthehen në aktivitet (shihni te 23.6.6).

ikonë, orientimet për përshtatjen Peshkopata këshillohet me presidentin e kunjit për të përcaktuar nëse duhet thirrur një udhëheqës i misionit të lagjes (shihni te 23.6.3 për më shumë informacion).

Peshkopi interviston anëtarët e rinj që janë në moshë të përshtatshme për të marrë një rekomandim tempulli, për të kryer pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës (shihni te 26.5.1). Ai gjithashtu interviston vëllezërit në moshën e përshtatshme për të marrë Priftërinë Aarone (shihni te 38.2.9.1). Ai mund t’i përmbushë që të dyja qëllimet në të njëjtën intervistë. Ai zakonisht e kryen këtë intervistë brenda një jave nga konfirmimi i anëtarit. Një peshkop ose një president dege mund të caktojë njërin nga këshilltarët e tij që ta kryejë këtë intervistë. Më pas, peshkopi mund të ofrojë që të përdorë mjetin Ndihma për Emrat e Familjes për ta ndihmuar anëtarin e ri të shtypë në letër emrin e një pjesëtari të vdekur të familjes për të cilin anëtari i ri mund të kryejë ordinancat e tempullit (shihni te “Ndihma për Emrat e Familjes” te 25.4.1).

Peshkopata bashkërendohet me udhëheqës të tjerë për t’u siguruar që anëtarët e rinj dhe ata që po kthehen në aktivitet të kenë mundësi për të shërbyer. Mundësi të tilla mund t’i ndihmojnë këta anëtarë të rriten shpirtërisht dhe të ndiejnë fuqinë e Zotit në jetën e tyre. Shërbimi gjithashtu mund t’i ndihmojë anëtarët të ndiejnë gëzim dhe të krijojnë marrëdhënie të ngushta me të tjerët në lagje.

Mundësitë e shërbimit duhet të bazohen te nevojat dhe aftësitë e anëtarit. Në disa raste, një thirrje është e përshtatshme. Në të tjerat, një detyrë më pak formale është më mirë.

23.6.2

Presidencat e Kuorumit të Pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës

Presidencat e kuorumeve të pleqve dhe të Shoqatave të Ndihmës udhëheqin përpjekjet e përditshme të lagjes për të shpërndarë ungjillin dhe për të forcuar anëtarët e rinj dhe ata që po kthehen në aktivitet (shihni te 8.2.3 dhe 9.2.3). Presidenca e kuorumit të pleqve i udhëheq këto përpjekje për anëtarët e kuorumit të pleqve. Presidenca e Shoqatës së Ndihmës i udhëheq përpjekjet për anëtaret e Shoqatës së Ndihmës. Ata punojnë së bashku për t’i udhëhequr këto përpjekje me këshillin e lagjes, nën bashkërendimin e peshkopit.

Këta udhëheqës kanë përgjegjësitë vijuese:

  • Ndihmojnë për t’i frymëzuar anëtarët që t’i duan fëmijët e Perëndisë, ta shpërndajnë ungjillin dhe t’i ftojnë të tjerët të marrin bekimet e Shpëtimtarit (shihni te 23.1).

  • Këshillohen me anëtarët e kuorumit ose anëtaret e Shoqatës së Ndihmës për mënyrën se si ta shpërndajnë ungjillin. Diskutojnë se si të gjejnë njerëz për misionarët që t’u japin mësim dhe se si t’i përkrahin njerëzit të cilëve po u jepet mësim. Këshillohen së bashku për nevojat e anëtarëve të rinj dhe atyre që po kthehen në aktivitet dhe se si të japin përkrahje.

  • Caktojnë vëllezër dhe motra shërbestare tek anëtarët e rinj dhe ata që po kthehen në aktivitet (shihni te 21.2.1). Vëllezërit dhe motrat shërbestare mund t’u caktohen gjithashtu njerëzve të cilët po marrin mësimet nga misionarët (kjo bëhet në bashkërendim me misionarët). Nëse është e mundur, udhëheqësit caktojnë anëtarë që kanë ose mund të zhvillojnë miqësi të ngushtë me këta individë. Udhëheqësit i nxitin vëllezërit dhe motrat shërbestare të japin dashuri dhe përkrahje si të Krishtit.

  • U japin anëtarëve të rinj dhe atyre që po kthehen në aktivitet mundësi që të shërbejnë si motra ose vëllezër shërbestarë. Për më shumë informacion rreth dhënies së shërbesës, shihni te kapitulli 21.

  • E ndihmojnë këshillin e lagjes që të zhvillojë një plan për shpërndarjen e ungjillit dhe forcimin e anëtarëve të rinj dhe atyre që po kthehen në aktivitet (shihni te 23.6.6).

  • Udhëheqin punën e udhëheqësit të misionit të lagjes. Nëse ky udhëheqës nuk thirret, një anëtar i presidencës së kuorumit të pleqve e përmbush këtë rol (shihni te 23.6.3).

Presidenti i kuorumit të pleqve dhe presidentja e Shoqatës së Ndihmës caktojnë një anëtar/e të presidencës për të ndihmuar për udhëheqjen e këtyre përpjekjeve. Anëtarët e këtyre dy presidencave punojnë së bashku. Ata frekuentojnë mbledhjet e përjavshme të bashkërendimit (shihni te 23.4).

23.6.3

ikonë, orientimet për përshtatjen
Udhëheqësi i Misionit i Lagjes

Peshkopata këshillohet me presidentin e kunjit për të përcaktuar nëse duhet thirrur një udhëheqës i misionit i lagjes. Nëse ata vendosin ta japin këtë thirrje, peshkopata këshillohet me presidentin e kuorumit të pleqve dhe presidenten e Shoqatës së Ndihmës për të përcaktuar se kë të thërrasin.

Udhëheqësi i misionit të lagjes duhet të jetë një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke. Nëse nuk thirret një udhëheqës i misionit të lagjes, një anëtar i presidencës së kuorumit të pleqve e përmbush këtë rol.

Udhëheqësi i misionit i lagjes përkrah presidencën e kuorumit të pleqve dhe presidencën e Shoqatës së Ndihmës në përgjegjësitë e tyre misionare. Ai gjithashtu ka përgjegjësitë vijuese:

  • Të bashkërendojë punën e anëtarëve dhe udhëheqësve të lagjes, misionarëve të lagjes dhe misionarëve kohëplotë. Kjo mund të përfshijë bashkërendimin e përpjekjeve për mësimdhënie, shërbesat e pagëzimit dhe përpjekjet për të forcuar anëtarët e rinj. Mund të përfshijë gjithashtu planifikimin e mënyrave për t’i ndihmuar anëtarët e lagjes ta shpërndajnë ungjillin.

  • Të udhëheqë mbledhjet e përjavshme të bashkërendimit (shihni te 23.4).

  • Të frekuentojë mbledhjet e këshillit të lagjes kur ftohet.

  • Të ndihmojë këshillin e lagjes që të zhvillojë dhe vërë në zbatim planin e lagjes për shpërndarjen e ungjillit dhe forcimin e anëtarëve të rinj dhe atyre që po kthehen në aktivitet (shihni te 23.6.6).

  • Të kërkojë mundësi për t’i ndihmuar misionarët kohëplotë që të përmbushin qëllimin e tyre duke shpërndarë ungjillin dhe duke ndërtuar marrëdhënie me anëtarët. Atje ku miratohet, kjo mund të përfshijë ngrënien e vakteve ushqimore me anëtarët (duke parapëlqyer me familje pjesërisht anëtare dhe anëtarë të rinj ose që po kthehen në aktivitet kur është e mundur; shihni te 24.6.2.3).

  • Të punojë me udhëheqësin dhe këshilluesit e lagjes për tempullin dhe për historinë familjare për t’i ndihmuar ata që po mësojnë për ungjillin, anëtarët e rinj dhe anëtarët që po kthehen në aktivitet, që të përfshihen në përpjekjet për punën në tempull dhe për historinë familjare.

23.6.4

Misionarët e Lagjes

Misionarët e lagjes i ndihmojnë anëtarët e lagjes të përjetojnë gëzimin e shpërndarjes së ungjillit siç përshkruhet te 23.1. Ata shërbejnë nën drejtimin e udhëheqësit të misionit të lagjes ose anëtarit të presidencës së kuorumit të pleqve që e përmbush këtë rol. Presidentët e kuorumit të pleqve dhe presidentet e Shoqatës së Ndihmës mund të sugjerojnë anëtarë që mund të shërbejnë.

Misionarët e lagjes japin mësim me anë të fjalës dhe shembullit se si t’i duan të tjerët, të tregojnë besimin e tyre dhe t’i ftojnë të tjerët të marrin bekimet e ungjillit. Ata gjithashtu i ndihmojnë anëtarët e lagjes t’u japin shërbesë anëtarëve të rinj dhe atyre që po kthehen në aktivitet.

Misionarët e lagjes marrin pjesë në mbledhjet e përjavshme të bashkërendimit (shihni te 23.4).

23.6.5

Këshilli i Lagjes dhe Këshilli i Lagjes për Rininë

Shpërndarja e ungjillit dhe forcimi i anëtarëve të rinj dhe atyre që po kthehen në aktivitet duhet të diskutohen rregullisht në mbledhjet e këshillit të lagjes. Peshkopi mund t’i kërkojë udhëheqësit të misionit të lagjes (ose anëtarit të presidencës së kuorumit të pleqve që e përmbush këtë rol), presidentit të kuorumit të pleqve ose presidentes së Shoqatës së Ndihmës që t’i udhëheqë këto diskutime. (Shihni te 23.4.)

Këshilli mund të diskutojë planin e lagjes për shpërndarjen e ungjillit dhe forcimin e anëtarëve të rinj dhe atyre që po kthehen në aktivitet. Ata bashkërendojnë detyrat e caktuara në të gjitha organizatat.

Burimet si Shtegu Im i Besëlidhjeve dhe raporti i Përparimit në Shtegun e Besëlidhjeve mund të ndihmojnë në këto diskutime (shihni te 23.4.1).

Për më shumë rreth këshillit të lagjes, shihni te 29.2.5.

Këshilli i lagjes për rininë u kushton vëmendje të veçantë të rinjve e të rejave që janë:

  • Anëtarë të rinj dhe anëtarë që po kthehen në aktivitet.

  • Në familje pjesërisht anëtare.

  • Që po marrin mësime nga misionarët.

  • Miq nga besime ose bindje të tjera fetare.

23.6.6

Plani i Lagjes për Shpërndarjen e Ungjillit dhe Forcimin e Anëtarëve të Rinj dhe Atyre që po Kthehen në Aktivitet

Çdo lagje duhet të ketë një plan të thjeshtë për shpërndarjen e ungjillit dhe forcimin e anëtarëve të rinj dhe atyre që po kthehen në aktivitet. Ky plan mund të ndihmojë që të orientohen mbledhjet, shërbimi dhe aktivitetet. Ky plan mund të përfshijë plane dhe ide për:

  • T’i ndihmuar të gjithë të ndihen të mirëpritur në mbledhjet dhe aktivitetet e lagjes.

  • T’i ndihmuar anëtarët të provojnë gëzimin e shpërndarjes së ungjillit.

  • T’i përkrahur njerëzit të cilët po marrin mësime nga misionarët.

  • T’i ndihmuar anëtarët e rinj dhe ata që po kthehen në aktivitet, që të përparojnë shpirtërisht.

Presidenti i kuorumit të pleqve dhe presidentja e Shoqatës së Ndihmës e ndihmojnë këshillin e lagjes që të krijojë planin. U vjen në ndihmë edhe udhëheqësi i misionit të lagjes. Peshkopi e shqyrton dhe e miraton atë.

Anëtarët e këshillit të lagjes marrin në dorë zbatimin e planit. Ata raportojnë lidhur me përparimin në mbledhjet e këshillit të lagjes. Ata gjithashtu e përditësojnë planin sipas nevojës.