“9. Shoqata e Ndihmës”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2025).
“9. Shoqata e Ndihmës”, Manuali i Përgjithshëm.
9.
Shoqata e Ndihmës
9.1
Qëllimi dhe Organizimi
Shoqata e Ndihmës i ndihmon fëmijët e Perëndisë që të përgatiten për t’u kthyer në praninë e Tij. Si bija të prindërve qiellorë, anëtaret e Shoqatës së Ndihmës i “shtjell[ojnë] shkrimet e shenjta”, e “këshill[ojnë] kishën”, i lartësojnë zemrat dhe “kap[en] pas besëlidhjeve që k[anë] bërë” (Doktrina e Besëlidhje 25:7, 13).
9.1.1
Qëllimi
Shoqata e Ndihmës është një organizatë e themeluar në mënyrë hyjnore për të gjitha gratë në moshë madhore në Kishë. Profeti Jozef Smith dha mësim se qëllimi i Shoqatës së Ndihmës është të shpëtojë shpirtrat dhe të lehtësojë vuajtjen. Ai tha se Kisha e Jezu Krishtit nuk ishte plotësisht e organizuar derisa motrat u organizuan në këtë mënyrë.
Anëtaret e Shoqatës së Ndihmës punojnë së bashku që të ndihmojnë për të përmbushur veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin. Ato u shërbejnë të tjerëve, përmbushin përgjegjësitë besëlidhëse, ndërtojnë unitet, mësojnë dhe jetojnë doktrinën.
Motoja e Shoqatës së Ndihmës është “Dashuria [hyjnore] nuk lig[ë]shtohet kurrë” (1 Korintasve 13:8). Kjo moto pasqyrohet në vulën e Shoqatës së Ndihmës.
9.1.2
Anëtarësia në Shoqatën e Ndihmës
Shoqata e Ndihmës është një motëri për tërë jetën. Të gjitha motrat në moshë madhore 18 vjeçe e lart janë anëtare të Shoqatës së Ndihmës. Ato janë anëtare edhe nëse nuk mund t’i frekuentojnë mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës.
Një e re mund ta fillojë frekuentimin e Shoqatës së Ndihmës kur mbush moshën 18 vjeçe. Ajo këshillohet me prindërit dhe peshkopin e vet për kohën kur të fillojë frekuentimin. Kur mbush moshën 19 vjeçe ose kur largohet nga shtëpia, si në rastet kur ndjek një universitet apo kur shërben në mision, ajo duhet të marrë pjesë në Shoqatën e Ndihmës.
Gratë e martuara nën moshën 18 vjeçe gjithashtu janë anëtare të Shoqatës së Ndihmës.
Për informacion rreth prindërve të pamartuar nën moshën 18 vjeç, shihni te 38.1.5.
9.1.3
Përshtatja ndaj Nevojave Vendore
Disa lagje kanë një numër shumë të madh të grave aktive në moshë madhore. Për këto lagje, peshkopi dhe presidenti i kunjit mund të autorizojnë krijimin e më shumë se një Shoqate të Ndihmës në lagje. Secila Shoqatë e Ndihmës ka presidencën e vet. Nëse mundet, çdo Shoqatë Ndihme duhet të ketë anëtare me larmi moshash dhe përvoje.
9.2
Pjesëmarrja në Veprën e Perëndisë për Shpëtimin dhe Ekzaltimin
Perëndia i fton të gjithë njerëzit të vijnë te Krishti dhe të marrin pjesë në veprën e Tij për shpëtimin dhe ekzaltimin nëpërmjet:
-
Të jetuarit të ungjillit të Jezu Krishtit.
-
Përkujdesjes për njerëzit nevojtarë.
-
Ftesës ndaj të gjithë njerëzve që ta pranojnë ungjillin.
-
Bashkimit të familjeve për përjetësinë.
Udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës planifikojnë mbledhjet e së dielës, aktivitetet, dhënien e shërbesës, shërbimin dhe ndërveprime të tjera për t’i ndihmuar gratë që të marrin pjesë në veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin. Anëtaret e Shoqatës së Ndihmës dhe anëtarët e kuorumit të pleqve punojnë në unitet për të ndihmuar që të përmbushet kjo vepër.
Për më shumë informacion rreth veprës së Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin, studioni kapitullin 1.
9.2.1
Të Jetuarit e Ungjillit të Jezu Krishtit
Udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës i përkrahin anëtaret/ët në të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit. Ato theksojnë ushtrimin e besimit, pendimin, rritjen e mbështetjes te vetja dhe bërjen e besëlidhjeve me Perëndinë nëpërmjet marrjes së ordinancave. Ordinanca të tilla përfshijnë dhurimin në tempull. Shihni te 1.2.1.
9.2.1.1
Të Mësuarit e Ungjillit në Shtëpi
Kur anëtarët e mësojnë dhe e jetojnë ungjillin në shtëpi, thellohet kthimi i tyre në besimin tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës i nxitin motrat që t’i studiojnë shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë, individualisht dhe me familjet e tyre. Programi Eja, Më Ndiq dhe burime të tjera mund ta plotësojnë studimin e tyre.
Mbrëmjet e shtëpisë janë një mënyrë e rëndësishme për ta mësuar ungjillin në shtëpi. Ato zakonisht zhvillohen çdo javë të dielën, të hënën në mbrëmje ose në ndonjë kohë tjetër. Mund të përfshijnë lutje, studim të ungjillit, dëshmi, këngë dhe veprimtari argëtuese.
9.2.1.2
Të Mësuarit e Ungjillit në Mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës
Shoqatat e Ndihmës mblidhen të dielave për qëllimet vijuese:
-
Të forcojnë besimin.
-
Të krijojnë unitet.
-
Të forcojnë familjet dhe shtëpitë.
-
Të bashkërendojnë përpjekjet për të ndihmuar Perëndinë në veprën e Tij për shpëtimin dhe ekzaltimin në lagje.
Mbledhjet zhvillohen të dielat e dyta dhe të katërta të muajit. Ato zgjatin 50 minuta. Këto mbledhje i planifikon presidenca e Shoqatës së Ndihmës. Një anëtare e presidencës drejton.
Mbledhja fillon me lutje. Më pas, një anëtare e presidencës i udhëheq motrat në këshillimin së bashku për pesë deri në dhjetë minuta rreth sfidave, nevojave dhe mundësive domethënëse. Përqendrimi te Shpëtimtari në këtë këshillim do t’i ndihmojë motrat që të ndërtojnë dëshmitë, të marrin ordinancat e tempullit, të mbajnë besëlidhjet dhe ta shtojnë dishepullimin e tyre. Presidenca e Shoqatës së Ndihmës përzgjedh temat për t’u këshilluar nisur nga nevojat e motrave.
Më pas duhet t’i jepet kohë e mjaftueshme mësimdhënies dhe diskutimit domethënës të ungjillit. Përqendrimi duhet të jetë tek temat në një ose më shumë biseda nga konferenca e përgjithshme më e fundit. Presidenca e Shoqatës së Ndihmës me lutje përzgjedh mesazhe konference për t’i diskutuar motrat. Ato i bëjnë këto përzgjedhje nisur nga nevojat e motrave.
Himne mund të këndohen për ta pasuruar një mësim.
Mbledhjet duhet të mbarojnë me një lutje.
Shoqata e Ndihmës dhe kuorumi i pleqve me raste mund të mblidhen së bashku për një mësim të dielën. Këto mbledhje bashkërendohen nga peshkopata dhe presidencat e Shoqatës së Ndihmës dhe të kuorumit të pleqve.
Për më shumë informacion, shihni tek “To Sit in Council” [“Të Ulemi në Këshill”].
9.2.1.3
Aktivitetet
Presidencat e Shoqatave të Ndihmës mund të planifikojnë aktivitete. Presidentja i mbikëqyr aktivitetet. Ajo mund t’i kërkojë një këshilltareje ose motre tjetër që të marrë drejtimin në planifikimin dhe zhvillimin e tyre (shihni te 9.3.4). Presidencat i diskutojnë aktivitetet me peshkopin si pjesë e planifikimit të tyre.
Aktivitetet duhet t’i forcojnë dëshirat e motrave për të bërë dhe mbajtur besëlidhjet dhe t’u japin mundësi për t’u mbledhur dhe për të shërbyer së bashku. Aktivitetet duhet të ndihmojnë për të përmbushur qëllimet e Shoqatës së Ndihmës (shihni te 9.1 dhe 9.1.1). Për informacion rreth aktiviteteve të kunjit për Shoqatën e Ndihmës, shihni te 6.7.1.
9.2.2
Përkujdesja për Njerëzit Nevojtarë
Si pasuese të Jezu Krishtit, motrat kanë përgjegjësi që t’i ndihmojnë me dashuri njerëzit nevojtarë. Individualisht dhe si Shoqatë e Ndihmës, ato kërkojnë mënyra për t’u shërbyer të tjerëve në lagje dhe komunitet. Atje ku është në dispozicion, faqja JustServe.org sugjeron mundësi shërbimi në komunitet.
Për më shumë informacion rreth mënyrës se si anëtaret e Shoqatës së Ndihmës dhe anëtarët e kuorumit të pleqve përkujdesen për njerëzit nevojtarë, shihni te 22.6.2.
9.2.2.1
Dhënia e Shërbesës
Dhënia e shërbesës është përkujdesje për të tjerët sikurse do të përkujdesej Shpëtimtari. Motrat marrin nga presidenca e Shoqatës së Ndihmës caktimet për dhënien e shërbesës. Për më shumë informacion, shihni te kapitulli 21.
9.2.2.2
Nevojat Afatshkurtra
Motrat shërbestare përpiqen t’i kuptojnë dhe t’u përgjigjen nevojave të njerëzve të cilëve u shërbejnë. Anëtareve mund t’u nevojitet ndihmë afatshkurtër në kohë sëmundjeje, lindjeje, vdekjeje, humbjeje të punësimit dhe rrethana të tjera.
Kur nevojitet, motrat shërbestare i kërkojnë ndihmë presidencës së Shoqatës së Ndihmës. Presidenca mund të rekomandojë thirrjen e një bashkërendueseje për shërbimin që t’i organizojë këto përpjekje (shihni te 9.3.4).
Shoqata e Ndihmës dhe kuorumi i pleqve bashkërendojnë përpjekjet për të trajtuar nevojat afatshkurtra (shihni te 22.3.2). Peshkopi mund të japë ndihmë nga ofertat e agjërimit, nëse nevojitet.
Në disa vendndodhje, peshkopët kanë mundësinë që t’u japin anëtarëve nevojtarë një fletëporosi të peshkopit për ushqime dhe artikuj të tjerë bazë. Peshkopi në përgjithësi cakton presidenten e Shoqatës së Ndihmës që të takohet me anëtarët dhe të plotësojë formularin për fletëporosinë. Gjithsesi, ai mund të caktojë edhe presidentin e kuorumit të pleqve. Një këshilltare në presidencën e Shoqatës së Ndihmës ose një këshilltar në presidencën e kuorumit të pleqve mund të caktohet nëse presidentja/i nuk është në dispozicion. Udhëheqësi/ja i/e caktuar ia dorëzon formularin e plotësuar peshkopit për miratimin e tij.
Për më shumë informacion, shihni te 22.6.2 dhe “Burimet për Mirëqenien” te Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit.
9.2.2.3
Nevojat Afatgjata dhe Mbështetja te Vetja
Siç bashkërendohet nga peshkopi, presidencat e Shoqatës së Ndihmës dhe të kuorumit të pleqve i ndihmojnë anëtarët për nevojat afatgjata dhe mbështetjen te vetja. Ata japin mësim parimet e mbështetjes te vetja materialisht dhe shpirtërisht. Shihni te kapitulli 22 dhe pjesa “Mbështetja te Vetja” në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Nëse një person ose familje ka nevojë për ndihmë, presidentja e Shoqatës së Ndihmës dhe presidenti i kuorumit të pleqve këshillohen së bashku, siç bashkërendohen nga peshkopi, rreth mënyrës se si ta ndihmojnë (shihni te 22.4).
Presidentja e Shoqatës së Ndihmës, presidenti i kuorumit të pleqve ose një udhëheqës tjetër e ndihmon personin ose familjen që të zhvillojë një Plan për Mbështetjen te Vetja. Motrat ose vëllezërit shërbestarë mund të ndihmojnë gjithashtu për planin. Shpesh, anëtare të tjera të Shoqatës së Ndihmës ose anëtarë të kuorumit të pleqve kanë aftësi apo përvojë që mund të ndihmojë. Të gjithë ata që ndihmojnë, e trajtojnë informacionin me konfidencialitet. Për më shumë informacion, shihni te 22.3.3 dhe 22.8.
9.2.2.4
Kur Vdes një Anëtar/e i/e Lagjes
Kur vdes një anëtar/e i/e lagjes, presidencat e Shoqatës së Ndihmës dhe të kuorumit të pleqve ofrojnë ngushëllim dhe ndihmë. Nën udhërrëfimin e peshkopit, ato mund të ndihmojnë për shërbesën mortore.
Nëse është e mundur, anëtarët/et e vdekur/a që e kanë kryer ordinancën e dhurimit, varrosen ose digjen me veshjen e tempullit. Trupi i një gruaje mund të vishet nga bashkëshorti i saj ose nga një pjesëtare femër e familjes që e ka kryer ordinancën e dhurimit. Nëse një pjesëtare e familjes nuk është në dispozicion ose do të parapëlqente të mos e vishte, peshkopi mund t’i kërkojë presidentes së Shoqatës së Ndihmës që të ftonte një motër që e ka kryer ordinancën e dhurimit, të veshë trupin ose të mbikëqyrë procesin e veshjes. Për më shumë informacion, shihni te 38.5.10.
Presidencat e Shoqatës së Ndihmës dhe të kuorumit të pleqve, vëllezërit dhe motrat shërbestare, si dhe njerëz të tjerë vazhdojnë të ofrojnë ngushëllim e ndihmë pas shërbesës mortore.
9.2.3
Ftesa ndaj të Gjithë Njerëzve që ta Pranojnë Ungjillin
Anëtaret e Shoqatës së Ndihmës kanë përgjegjësi që t’i ftojnë të gjithë njerëzit të marrin bekimet e ungjillit të Jezu Krishtit (shihni te Mosia 18:9). Ato e bëjnë këtë gjë duke e shpërndarë ungjillin, duke i forcuar anëtaret e reja dhe duke u zgjatur dorën e ndihmës njerëzve që janë më pak aktivë. Shihni te 23.2 dhe 23.3.
Në mbledhjet e presidencës dhe të Shoqatës së Ndihmës, presidenca e Shoqatës së Ndihmës diskuton për mënyrat se si motrat mund t’i ftojnë të gjithë njerëzit që t’i marrin bekimet e ungjillit. Shihni te 23.1.1, 23.1.2 dhe 23.1.3.
Presidentja e Shoqatës së Ndihmës cakton një anëtare të presidencës që të ndihmojë për të udhëhequr përpjekjet për të shpërndarë ungjillin në lagje. Ajo punon me anëtarin e caktuar nga presidenca e kuorumit të pleqve për t’i bashkërenduar këto përpjekje (shihni te 23.6.2).
Anëtarja e caktuar e presidencës së Shoqatës së Ndihmës merr pjesë në mbledhjet e përjavshme të bashkërendimit për të bashkërenduar mënyrën se si t’i ftojnë të gjithë njerëzit që të marrin bekimet e ungjillit. Udhëheqësi i misionit të lagjes, i cili mund të jetë një anëtar i presidencës së kuorumit të pleqve, i udhëheq këto mbledhje. Marrin pjesë misionarët e lagjes, një ndihmës në kuorumin e priftërinjve, një anëtare e presidencës së klasës me moshën më të madhe tek Të Rejat dhe misionarët kohëplotë. Shihni te 23.4.
9.2.4
Bashkimi i Familjeve për Përjetësinë
Anëtaret e Shoqatës së Ndihmës i përkrahin anëtarët për t’i bashkuar familjet për përjetësinë. Kjo përfshin:
-
Bërjen e besëlidhjeve me Perëndinë nëpërmjet kryerjes së ordinancave, përfshirë dhurimin në tempull.
-
Bërjen e punës në tempull dhe për historinë familjare (shihni te 1.2.4).
Në mbledhjet e presidencës dhe të Shoqatës së Ndihmës, presidenca e Shoqatës së Ndihmës diskuton për mënyrat se si motrat mund të marrin pjesë në këto përpjekje. Anëtaret e presidencës planifikojnë edhe mënyrat se si t’i ndihmojnë anëtaret që ta rritin të kuptuarit e tyre për ordinancat e shenjta dhe dëshirën për t’i marrë ato dhe për të bërë besëlidhje me Perëndinë në tempull. Ato i nxitin motrat që të adhurojnë rregullisht në tempull, atje ku është e mundur.
Presidenca i nxit motrat që të mësojnë rreth historisë së familjes së tyre. Ato ndihmojnë anëtarët e rinj dhe anëtarët që po kthehen në aktivitet, anëtaret e reja të Shoqatës së Ndihmës dhe misionarët e sapothirrur që të gjejnë dhe të përgatitin emra të paraardhësve për ordinanca në tempull.
Presidentja e Shoqatës së Ndihmës cakton një anëtare të presidencës që të ndihmojë për të udhëhequr përpjekjet për punën në tempull dhe për historinë familjare në lagje. Ajo punon me anëtarin e caktuar nga presidenca e kuorumit të pleqve për t’i bashkërenduar këto përpjekje (shihni te 25.2.2).
Anëtarja e caktuar e presidencës së Shoqatës së Ndihmës merr pjesë në mbledhjet e bashkërendimit për të bashkërenduar përpjekjet për punën në tempull dhe për historinë familjare. Këto mbledhje zhvillohen rregullisht. Udhëheqësi i lagjes për tempullin dhe për historinë familjare, i cili mund të jetë një anëtar i presidencës së kuorumit të pleqve, udhëheq mbledhjet e bashkërendimit për tempullin dhe historinë familjare (shihni te 25.2.7). Mbledhjet gjithashtu përfshijnë një ndihmës të kuorumit të priftërinjve, një anëtare të presidencës së klasës me moshën më të madhe tek Të Rejat dhe këshilluesit/et për tempullin dhe për historinë familjare.
9.3
Udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës
9.3.1
Peshkopi
Peshkopi takohet me presidenten e Shoqatës së Ndihmës të paktën një herë në muaj. Ata diskutojnë për veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin, përfshirë shërbimin e motrave shërbestare. Gjithashtu diskutojnë për 1) përparimin dhe nevojat e motrave në lagje dhe 2) mbledhjet, mësimdhënien dhe aktivitetet e Shoqatës së Ndihmës.
9.3.2
Presidenca e Shoqatës së Ndihmës
9.3.2.1
Thirrja e një Presidence të Shoqatës së Ndihmës
Peshkopi thërret një grua që të shërbejë si presidente e Shoqatës së Ndihmës të lagjes. Nëse njësia është mjaft e madhe, ajo i rekomandon atij një ose dy gra që të shërbejnë si këshilltaret e saj. Peshkopata i merr në shqyrtim rekomandimet e saj dhe i jep thirrjet.
Një anëtar i peshkopatës i paraqet anëtaret e presidencës në një mbledhje sakramenti për mbështetje. Peshkopi e veçon presidenten e Shoqatës së Ndihmës. Cilido anëtar i peshkopatës mund t’i veçojë këshilltaret e saj.
Disa njësi të vogla mund të mos kenë një presidente të Të Rejave ose të Fillores. Në këto njësi, presidentja e Shoqatës së Ndihmës mund t’i ndihmojë prindërit që të planifikojnë udhëzimet për rininë dhe fëmijët.
9.3.2.2
Përgjegjësitë
Presidentja e Shoqatës së Ndihmës ka përgjegjësitë vijuese. Këshilltaret e saj e ndihmojnë atë.
-
Shërben në këshillin e lagjes. Ajo shërben si 1) anëtare e këshillit që ndihmon për të trajtuar nevojat në lagje dhe për të gjetur zgjidhje, dhe si 2) përfaqësuese për Shoqatën e Ndihmës (shihni te 29.2.5).
-
Udhëheq përpjekjet e Shoqatës së Ndihmës për të marrë pjesë në veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin (shihni te kapitulli 1).
-
Organizon dhe mbikëqyr shërbimin e motrave shërbestare. Bashkërendon caktimet për dhënien e shërbesës me presidencën e kuorumit të pleqve, duke u mbledhur të paktën çdo tremujor. Kërkon miratimin e peshkopit për caktimet për dhënien e shërbesës. Zhvillon intervista për dhënien e shërbesës të paktën çdo tremujor. Shihni te kapitulli 21.
-
Nën udhërrëfimin e peshkopit, këshillohet me anëtarë në moshë madhore të lagjes (shihni te 31.1 dhe 31.3). Vetëm peshkopi i këshillon anëtarët e lagjes rreth çështjeve të denjësisë, keqtrajtimit dhe miraton përdorimin e fondeve të ofertave të agjërimit. Shihni te Burimet për Këshillim. Për informacion rreth keqtrajtimit, shihni te 38.6.2.
3:16 -
Me presidencën e kuorumit të pleqve, ndihmon për të udhëhequr përpjekjet në lagje për t’i ftuar të gjithë njerëzit që të marrin bekimet e ungjillit (shihni te 8.2.3 dhe 9.2.3).
-
Me presidencën e kuorumit të pleqve, ndihmon për të udhëhequr përpjekjet e lagjes për punën në tempull dhe për historinë familjare (shihni te 8.2.4 dhe 9.2.4).
-
Bashkërendon përpjekjet e Shoqatës së Ndihmës për t’i forcuar motrat e reja në moshë madhore në lagje, si beqare dhe të martuara. Një këshilltare mund të caktohet për të shërbyer me të rinjtë e të rejat në moshë madhore beqarë (shihni te 14.1.2.2).
-
Takohet me secilën anëtare të Shoqatës së Ndihmës individualisht të paktën një herë në vit. Diskuton për mirëqenien e motrës dhe të familjes së saj.
-
U mëson motrave përgjegjësitë dhe bekimet e tyre të besëlidhjeve, përfshirë bekimet që vijnë nga fuqia e priftërisë së Perëndisë (shihni te 3.5 dhe 3.6). I ndihmon ato që të kuptojnë fuqinë, mbrojtjen, drejtimin, gëzimin dhe paqen që vjen nga zhvillimi i një marrëdhënieje besëlidhjesh me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
-
Mbikëqyr dhe ndihmon për ta përmirësuar mësimdhënien në Shoqatën e Ndihmës (shihni te kapitulli 17).
-
Planifikon dhe drejton mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës.
-
Mbikëqyr aktivitetet e Shoqatës së Ndihmës (shihni te 9.2.1.3).
-
I ndihmon të rejat që të përgatiten për të marrë pjesë në Shoqatën e Ndihmës (shihni te 9.4).
-
Mbikëqyr dokumentet, raportet dhe financat e Shoqatës së Ndihmës (shihni te LCR.ChurchofJesusChrist.org). Një sekretare mund të ndihmojë (shihni te 9.3.3).
Presidentja e Shoqatës së Ndihmës në kunj i jep mësim presidencës së Shoqatës së Ndihmës të lagjes lidhur me këto përgjegjësi. Ato mund ta bëjnë këtë gjatë mbledhjeve të udhëheqjes së kunjit, mbledhjeve të presidencave të Shoqatave të Ndihmës të lagjeve dhe takimeve vetjake me presidentet e Shoqatave të Ndihmës (shihni te 29.3.4).
Nëpërmjet shërbimit të saj, presidentja e Shoqatës së Ndihmës të lagjes e mbështet peshkopin që të përqendrohet te rinia dhe përgjegjësitë e tij unike.
9.3.2.3
Mbledhja e Presidencës
Presidenca e Shoqatës së Ndihmës dhe sekretarja takohen rregullisht. Këto mbledhje i drejton presidentja. Rendi i ditës mund të përfshijë pikat vijuese:
-
Të planifikojnë se si t’i forcojnë motrat dhe familjet e tyre.
-
Të planifikojnë se si të ndihmojnë për të përmbushur veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin.
-
Të bashkërendojnë punën misionare, punën në tempull dhe për historinë familjare.
-
T’u përgjigjen këshillës dhe detyrave të caktuara nga peshkopi.
-
T’u përgjigjen detyrave nga mbledhjet e këshillit të lagjes.
-
Me lutje të marrin në shqyrtim caktimet për dhënien e shërbesës.
-
Të rishikojnë informacionin nga intervistat për dhënien e shërbesës. Të planifikojnë mënyra se si t’i dallojnë pikat e forta dhe të ndihmojnë që të plotësohen nevojat. (Shihni te kapitulli 21.)
-
Të marrin në konsideratë motra që të shërbejnë në thirrje dhe detyra të Shoqatës së Ndihmës.
-
Të planifikojnë mbledhje dhe aktivitete të Shoqatës së Ndihmës.
9.3.3
Sekretarja
Presidenca e Shoqatës së Ndihmës mund të rekomandojë një motër që të shërbejë si sekretarja e Shoqatës së Ndihmës. Një anëtar i peshkopatës e thërret atë, e paraqet për mbështetje në një mbledhje të sakramentit dhe e veçon atë.
Përgjegjësitë e sekretares mund të përfshijnë sa vijon:
-
Të përgatitë rende dite për mbledhjet e presidencës dhe mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës.
-
Të mbajë shënime në mbledhje dhe të ndjekë ecurinë e detyrave të caktuara.
-
Të planifikojë intervistat për dhënien e shërbesës (shihni te 21.3).
-
Të përgatitë dhe të dorëzojë raportet tremujore të frekuentimit dhe numrin e intervistave të zhvilluara për dhënien e shërbesës. Raportet e frekuentimit duhet të përfshijnë motrat që shërbejnë në Fillore dhe tek Të Rejat.
-
Të ndihmojë për të përgatitur një buxhet vjetor dhe të ndjekë ecurinë e shpenzimeve.
9.3.4
Thirrjet dhe Detyrat Shtesë
Thirrje të tjera shtesë mund të jenë të dobishme. Peshkopi dhe presidentja e Shoqatës së Ndihmës diskutojnë nëse këto thirrje janë të nevojshme.
-
Mësuese të Shoqatës së Ndihmës për të dhënë mësim në mbledhjet e të dielave.
-
Një bashkërenduese për shërbimin që të ndihmojë për të planifikuar dhe për të vënë në zbatim shërbimin për njerëzit nevojtarë (shihni te 9.2.2.2). Gjithashtu mund të thirren ndihmëse dhe anëtare të komitetit.
-
Një bashkërenduese për aktivitetet që të ndihmojë për të planifikuar dhe për të zhvilluar aktivitetet e Shoqatës së Ndihmës (shihni te 9.2.1.3). Gjithashtu mund të thirren ndihmëse dhe anëtare të komitetit.
-
Ndihmëssekretare që të ndihmojnë sekretaren e Shoqatës së Ndihmës.
-
Disa sekretare për dhënien e shërbesës që të organizojnë intervistat për dhënien e shërbesës dhe të ndihmojnë për të përgatitur raportet tremujore.
Nëse nevojiten këto ose thirrje të tjera, presidenca e Shoqatës së Ndihmës rekomandon motra për të shërbyer. Ato ia bëjnë këto rekomandime peshkopatës. Nëse peshkopata i miraton, një anëtar i peshkopatës i thërret ato. Ai i paraqet ato për mbështetje në një mbledhje të sakramentit dhe i veçon ato.
Sipas nevojës, presidenca e Shoqatës së Ndihmës mund të caktojë motra që të ndihmojnë për përpjekjet e Shoqatës së Ndihmës në mënyra të tjera. Këto detyra mund të përfshijnë sa vijojnë:
-
Ndihmën ndaj të rejave që të përparojnë në Shoqatën e Ndihmës
-
Shërbimin si specialiste për motrat me rrethana të veçanta, të tilla si të vejat, të rejat në moshë madhore ose nënat me fëmijë të vegjël
Motrat me detyra afatshkurtra nuk kanë nevojë të thirren dhe të veçohen.
9.4
Ndihma ndaj Të Rejave që të Përgatiten për të Marrë Pjesë në Shoqatën e Ndihmës
Presidenca e Shoqatës së Ndihmës punon me të rejat, prindërit e tyre dhe udhëheqëset e Të Rejave për t’i ndihmuar të rejat që të përgatiten për të marrë pjesë në Shoqatën e Ndihmës.
Udhëheqëset gjithashtu sigurojnë mundësi të vazhdueshme që të rejat dhe motrat e Shoqatës së Ndihmës të zhvillojnë marrëdhënie. Shërbimi së bashku si motra shërbestare është një mënyrë e vlefshme për të krijuar lidhje.
Udhëheqëset i ndihmojnë të rejat që të kuptojnë përgjegjësitë e tyre besëlidhëse. Kur të jetë e dobishme që një e re të japë shërbesë te një motër e caktuar, ajo mund të caktohet si motër shërbestare kur është e gatshme, e aftë dhe e pjekur. Ajo mund të caktohet duke filluar nga viti që mbush moshën 14 vjeçe. Të rejat shërbejnë si shoqëruese të motrave të Shoqatës së Ndihmës (shihni te 21.2.2).
Kur të reja në moshë madhore bashkohen me Shoqatën e Ndihmës, presidenca e Shoqatës së Ndihmës u jep mundësi që të shërbejnë dhe t’i përdorin pikat e tyre të forta. Presidenca gjithashtu i ndihmon që të përgatiten për të bërë dhe mbajtur besëlidhjet e shenjta të tempullit (shihni te 27.1.1).
9.5
Udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës të Kunjit
Presidenti i kunjit thërret dhe veçon një grua për të shërbyer si presidente e Shoqatës së Ndihmës të kunjit. Nëse një kunj është mjaft i madh, ajo rekomandon një ose dy gra që të shërbejnë si këshilltare dhe një tjetër që të shërbejë si sekretare. Këto gra thirren dhe veçohen nga një anëtar i presidencës së kunjit ose nga një këshilltar i lartë i caktuar. Për informacion rreth përgjegjësive të presidencës dhe sekretares së Shoqatës së Ndihmës të kunjit, shihni te 6.7.1 dhe 6.7.3.
Presidenti i kunjit takohet rregullisht (të paktën një herë në muaj) me presidenten ose presidencën e Shoqatës së Ndihmës të kunjit. Ata këshillohen së bashku rreth veprës së Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin. Gjithashtu diskutojnë për 1) përparimin dhe nevojat e motrave në kunj dhe 2) mbledhjet, mësimdhënien dhe aktivitetet e Shoqatës së Ndihmës.
Presidenca e Shoqatës së Ndihmës të kunjit i udhëzon presidencat e Shoqatave të Ndihmës të lagjeve lidhur me përgjegjësitë e tyre për t’i ndihmuar që të udhëheqin përpjekjet e lagjeve për dhënien e shërbesës, shpërndarjen e ungjillit dhe bashkimin e familjeve për përjetësinë nëpërmjet punës në tempull dhe për historinë familjare (shihni te 1.2.4). Ato e bëjnë këtë gjë nën drejtimin e presidencës së kunjit. Këshilltarë të lartë caktohen që të ndihmojnë. Shihni te 23.1 dhe 25.2.5.
Nëse kunji ka një komitet për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë, një anëtare e presidencës së Shoqatës së Ndihmës të kunjit shërben në atë komitet. E njëjta gjë është e vërtetë nëse kunji ka një komitet për personat në moshë madhore beqarë. (Shihni te 14.1.1.2.)
9.6
Orientime dhe Rregullore Shtesë
9.6.1
Anëtaret me Aftësi të Kufizuara
Presidenca e Shoqatës së Ndihmës u jep përkujdesje të veçantë anëtareve me aftësi të kufizuara. Për informacion rreth ndihmës ndaj këtyre anëtareve, shihni te disability.ChurchofJesusChrist.org; shihni edhe te 38.8.27 në këtë manual.
9.6.2
Shkrim e Këndim
Sipas nevojës, presidenca e Shoqatës së Ndihmës punon me peshkopin, presidencën e kuorumit të pleqve dhe këshillin e lagjes për t’i ndihmuar anëtarët/et të mësojnë të shkruajnë e të lexojnë.