“Shembuj”, Udhëzuesi për Vënien në Zbatim të Programit EnglishConnect (2023)
“Shembuj”, Udhëzuesi për Vënien në Zbatim të Programit EnglishConnect
Shembuj
Më poshtë janë disa shembuj për mënyrën se si të organizohen grupet për të përmbushur nevojat vendore.
Grupet që Drejtohen nga Misionarët
Grupet në Vazhdimësi
Një këshill kunji dëshiron të sigurojë grupe të programit EnglishConnect me të cilat anëtarët e kunjit dhe komunitetit të mund të bashkohen në çdo kohë. Ata shpresojnë se grupet e programit EnglishConnect do t’u ofrojnë anëtarëve të Kishës mundësi për të shërbyer. Ata shpresojnë gjithashtu se këto grupe do t’u ofrojnë anëtarëve të komunitetit mundësi për të mësuar më shumë rreth Jezu Krishtit dhe për të përjetuar dashurinë e anëtarëve të Kishës.
Ata zgjedhin një ndërtesë që është më afër shumicës së njerëzve që ka gjasë të marrin pjesë. Ata vendosin që grupet të mblidhen të martave në mbrëmje nga ora 19:00 deri në 20:30. Ata thërrasin katër mësues, dy për programin EnglishConnect 1 dhe dy për programin EnglishConnect 2. Ata i kërkojnë njërit prej mësuesve të jetë bashkërenduesi i të gjithë programit dhe i japin atij mësuesi thirrjen si specialist për mirëqenien dhe mbështetjen te vetja në Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit. Me këtë thirrje, bashkërenduesi mund t’i regjistrojë grupet në QuickReg.
Më pas këshilli i kunjit i reklamon grupet duke shpërndarë fletushka në kishë, duke publikuar për të në platformat e mjeteve shoqërore dhe duke u kërkuar misionarëve t’i ftojnë njerëzit që takojnë. Fillimisht kunji i drejton nxënësit t’i bashkohen një grupi virtual i programit EnglishConnect 3 për zonën e tyre kur të jenë gati të përfundojnë programin EnglishConnect 2. Me kalimin e kohës, kunji ka mjaftueshëm pjesëmarrës për të përkrahur një grup të programit EnglishConnect 3 në të njëjtën ndërtesë të Kishës si grupet e tyre të programeve EnglishConnect 1 dhe 2. Ata punojnë me personin e kontaktit për UBJ–Pathway Mbarëbotëror për të thirrur misionarë të programit PathwayConnect që të mbikëqyrin grupin e programit EnglishConnect 3.
Grupet me Dy Njësi
Një këshill lagjeje dëshiron t’u ofrojë anëtarëve të lagjes dhe komunitetit mundësinë për të mësuar anglisht. Ata janë përpjekur të drejtojnë më parë një grup të programit EnglishConnect, por shumica e pjesëmarrësve e kishin të vështirë të zotoheshin për të marrë pjesë në programin e plotë prej 25‑javësh. Ata vendosin të propozojnë grupe që trajtojnë vetëm dy njësi.
Udhëheqësit planifikojnë që grupet të mblidhen martave dhe të premteve nga ora 19:30 deri në 21:00. Ata thërrasin katër mësues, dy për programin EnglishConnect 1 dhe dy për programin EnglishConnect 2. Ata i regjistrojnë grupet në QuickReg dhe i reklamojnë grupet duke vënë një tabelë jashtë ndërtesës së Kishës. Ata gjithashtu bëjnë fletushka në mënyrë që anëtarët të mund t’ua japin miqve të tyre ose t’i shpërndajnë në mediat shoqërore.
Në fund të muajit, udhëheqësit i mbyllin grupet në QuickReg dhe bëjnë një plan për të trajtuar dy njësitë e ardhshme në të ardhmen e afërt.
Grupet me të Rinj
Një këshill kunji dëshiron t’i ndihmojë të rinjtë të kenë mundësi arsimimi dhe punësimi pasi të mbarojnë programin për rininë dhe të kthehen në shtëpi nga misionet e tyre. Udhëheqësit gjithashtu shpresojnë se të mësuarit e gjuhës angleze me programin EnglishConnect do t’i ndihmojë të rinjtë të mësojnë se si të jenë bashkëpjesëmarrës me Perëndinë për të arritur synime të vlefshme. Ata vendosin t’i nisin grupet e programit EnglishConnect për rininë në kunjin e tyre.
Të rinjtë jetojnë larg njëri‑tjetrit ndaj udhëheqësit vendosin që grupet të mblidhen virtualisht të martave nga ora 20:00 deri në 21:00. Ata thërrasin një misionar/e të kthyer dhe një të ri/e që dinë pak anglisht për t’i dhënë mësim grupit. Udhëheqësit sigurohen që ata/o po i ndjekin rregulloret e Kishës për mbrojtjen e rinisë. Për shembull, ata sigurohen që dy persona në moshë madhore, që e kanë përfunduar trajnimin për mbrojtjen e rinisë, janë të pranishëm në çdo mbledhje virtuale dhe që çdo i ri dhe e re e ka formularin e nënshkruar të miratimit të prindit.
Udhëheqësit krijojnë edhe një grup në WhatsApp të mbikëqyrur nga një mësues ose udhëheqës, në mënyrë që të rinjtë të mund ta ushtrojnë anglishten e tyre çdo ditë. Grupi në WhatsApp ndihmon për përfshirjen e të rinjve që nuk mund t’iu bashkohen mbledhjeve të së martës.
Udhëheqësit punojnë me përgjegjësin e tyre zonal për mirëqenien dhe mbështetjen te vetja për të filluar një grup të programit EnglishConnect 3 me të rinj në zonën e tyre për ata që kanë aftësi në gjuhën angleze përtej programit EnglishConnect 2.
Grupet që Drejtohen nga Misionarët
Udhëheqësit e misioneve do të donin ta përdornin programin EnglishConnect për të shpërndarë ungjillin e Jezu Krishtit. Ata e dinë se grupet e programit EnglishConnect funksionojnë më mirë kur drejtohen nga anëtarët dhe përkrahen nga misionarët. Në këshillim me presidentët e kunjeve në mision, ata vendosin se misioni do të nisë grupet e programit EnglishConnect dhe do të punojnë për t’ua kaluar ato kunjeve.
Misionarët vendosin për oraret e mbledhjeve për grupet që funksionojnë më mirë për programin e tyre të predikimit dhe e rritin në maksimum qasjen te njerëzit në komunitet. Ndërsa misionarët e fillojnë si mësues të programit EnglishConnect, ata gjithashtu punojnë me udhëheqësit e priftërisë për të gjetur anëtarë vendas për t’i zëvendësuar ata, disa prej të cilëve mund të jenë nxënës të mëparshëm të programeve EnglishConnect 1 dhe 2. Me kalimin e kohës, misionarët kalojnë në rolin përkrahës. Misionarët vazhdojnë t’i përkrahin grupet duke marrë pjesë rregullisht, duke referuar nxënës të rinj dhe duke i inkurajuar nxënësit të kërkojnë ndihmë nga Perëndia për të mësuar anglisht.