Mësimi i Gjuhës Angleze
Shtojca A: Informacioni Ligjor


“Shtojca A: Informacioni Ligjor”, Programi EnglishConnect për Mësuesit (2023)

“Shtojca A”, Programi EnglishConnect për Mësuesit

Shtojca A

Informacioni Ligjor

Kërkesat e Përgjithshme Ligjore për Vendndodhjet e Miratuara

Zyra për Këshillim të Përgjithshëm (OGC) [ZKP] ka miratuar orientimet në vijim për funksionimin e programit EnglishConnect. Këto orientime do të gjejnë zbatim në mbarë botën për programin EnglishConnect 1 dhe 2, duke iu nënshtruar çdo kërkese ligjore specifike të vendit të përvijuar në përmbledhjen ligjore për EnglishConnect për secilin vend (shihni kërkesat specifike të vendit në englishconnect.org/leader/approved-locations).

  • Merrni miratimin e prindit për çdo pjesëmarrës 18 vjeç ose më të vogël duke përdorur formularin e miratimit të prindit. Formularët janë në dispozicion në shumë gjuhë në internet në englishconnect.org/resources/leader.

    • Merrni nënshkrimet e të dy prindërve, nëse është e mundur. Nëse një person 18 vjeç ose më i vogël jeton vetëm, nuk është i nevojshëm miratimi i prindit.

    • Formularët e plotësuar duhet të ruhen nga udhëheqësit vendorë dhe të jenë në dispozicion për kontrollin.

  • Kërkojuni instruktorëve ta përfundojnë trajnimin e Kishës “Mbrojtja e Fëmijëve dhe e Rinisë”. Zbatojini të gjitha standardet e vendit për shqyrtimin imtësisht dhe caktimin e mësuesve të rinisë për çdo mësues të programit EnglishConnect që do t’i japë mësim kujtdo nën moshën 21‑vjeçare.

  • Mos u mbani asnjë tarifë apo kosto pjesëmarrësve për pjesëmarrjen në program.

    • Pjesëmarrësit e programit EnglishConnect mund t’i shkarkojnë materialet e programit në internet pa pagesë, ose njësitë vendore mund t’i blejnë materialet për grupin nëpërmjet kanaleve të rregullta të shpërndarjes në store.churchofjesuschrist.org. Pjesëmarrësit gjithashtu mund t’i blejnë materialet nëpërmjet këtij kanali nëse dëshirojnë.

    • Mësuesit e programit EnglishConnect nuk duhet të japin apo të marrin të holla ose dhurata si pjesë e ndonjë lidhjeje me mësimin apo mësimdhënien me pjesëmarrësit e programit EnglishConnect.

  • Përfshini përmbajtje të konsiderueshme fetare në të paktën një të tretën e të gjithë mësimdhënies. (Përmbajtja fetare duhet të marrë 20 minuta nga çdo orë mësimi ose 30 minuta nga çdo 90 minuta mësim.) Shënim: Nëse mësimet jepen siç janë hartuar dhe një mësues përfshin gjithmonë veprimtarinë “Diskutojeni Parimin e të Mësuarit” gjatë grupit të bashkëbisedimit, kjo kërkesë do të përmbushet.

  • Ndiqni të gjitha orientimet e programit që përmbahen tek Udhëzuesi për Vënien në Zbatim të programit EnglishConnect dhe te manuali i mësuesit, duke përfshirë përdorimin e sistemit të regjistrimit në internet QuickReg (quickreg.englishconnect.org) për të siguruar privatësinë e të dhënave.

  • Për të shmangur rrezikimin e vizave për misionarët apo statusin ligjor të Kishës në një vend, çdo mision që nuk e ka përdorur ndonjëherë mësimdhënien e anglishtes si metodë kontaktimi, duhet të marrë miratim të posaçëm nga ZKP‑ja përpara se t’i përdorë materialet e programit EnglishConnect.

Kursi EnglishConnect 3 funksionon dhe zbatohet nga programi UBJ‑Pathway Mbarëbotëror. Si i tillë, funksionon sipas të njëjtave kushte ligjore si UBJ‑Pathway.

Reklamimi

Në vendet ku reklamimi i programit EnglishConnect 1 dhe 2 është i lejuar, kunjet, lagjet dhe misionet vendore mund t’i reklamojnë grupet e EnglishConnect 1 dhe 2 në komunitetin më të gjerë në përputhje me çdo orientim specifik të vendit për reklamimin (shihini kërkesat specifike të vendit në englishconnect.org/leader/approved-locations). Reklamat duhet t’i përmbajnë të gjitha sa vijon:

  1. Vend të dukshëm të emrit të Kishës.

  2. Një deklaratë që nuk ka kosto për programin EnglishConnect 1 dhe 2.

  3. Një deklaratë se programi EnglishConnect 1 dhe 2 nuk ka asnjë akreditim.

E Drejta e Autorit dhe Leja e Përdorimit

Programi EnglishConnect është një program i siguruar nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Të gjitha të drejtat për materialet EnglishConnect zotërohen ose marrin leje nga Intellectual Reserve, Inc. për përdorim nga njësitë e Kishës si kunjet, distriktet dhe misionet. Për çdo përdorim tjetër të materialeve të programit EnglishConnect kërkohet leje paraprake me shkrim. Për të kërkuar leje për përdorimin e materialeve të EnglishConnect, ju lutemi, plotësoni një formular për kërkesë në Permissions.ChurchofJesusChrist.org.

Të Miturit

Grupet EnglishConnect duhet të zbatojnë gjithmonë rregulloret e Kishës për mbrojtjen e rinisë (që përfshin pjesëmarrësit 18 vjeç ose më të vegjël). Të miturit duhet të kenë formularin e nënshkruar të miratimit të prindit përpara se të marrin pjesë në një grup të programit EnglishConnect. Formularët janë në dispozicion në shumë gjuhë në internet në englishconnect.org/resources/leader. Formularët e plotësuar duhet të ruhen nga udhëheqësit vendorë dhe të jenë në dispozicion për kontrollin.

Për shkak se nxënësit e programit EnglishConnect mund të përfshijnë të miturit, udhëheqësit kishtarë duhet ta intervistojnë çdo instruktor të mundshëm dhe të shqyrtojnë dokumentin e anëtarësisë së kandidatit për shënime shpjeguese përpara se të japin një thirrje. Përveç këtyre, të paktën dy persona të përgjegjshëm në moshë madhore duhet të jenë të pranishëm gjithë kohën gjatë mbledhjeve të grupit. Mësuesit nuk duhet të punojnë vetëm për vetëm me një pjesëmarrës të mitur privatisht. Duhet t’i zbatoni këto rregullore edhe nëse grupi mblidhet virtualisht.

Të Miturit që Marrin Pjesë Virtualisht në Grupet e Bashkëbisedimit

Të miturit mund t’u bashkohen virtualisht grupeve të bashkëbisedimit të programit EnglishConnect 1 dhe 2 vetëm me lejen e prindit dhe kur grupi ndihmohet nga të paktën dy instruktorë.

Për t’i dhënë përparësi sigurisë, grupet e bashkëbisedimit në internet që përfshijnë të mitur, duhet të krijohen në mënyrë të tillë që t’i shmangin ndërveprimet vetëm për vetëm në internet midis të miturve dhe instruktorëve. Të miturit mund të marrin pjesë në grupet e bashkëbisedimit në internet vetëm nëse janë të pranishëm dy ose më shumë instruktorë në mbledhjen e grupit.

Përveç kësaj, asnjë instruktor i programit EnglishConnect nuk duhet t’i dërgojë mesazh në celular, me postë elektronike apo ta kontaktojë një të mitur pa një person tjetër të përfshirë në komunikim. Për takimet me prani fizike ose telefonatat, duhet të jetë i pranishëm një person tjetër në moshë madhore. Atje ku është e mundur, një instruktor duhet të mbikëqyrë ndërveprimet e grupeve në dhoma virtuale të veçanta gjatë grupit të bashkëbisedimit në internet.

Privatësia

Programi EnglishConnect është një program i siguruar nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Për hollësi mbi mënyrën se si përpunohen të dhënat tuaja vetjake, ju lutemi, vizitojeni faqen ChurchofJesusChrist.org dhe klikoni te Njoftim mbi Privatësinë në fund të faqes.

Të gjithë pjesëmarrësit duhet t’i pranojnë kushtet e pjesëmarrjes, të cilat mund të gjenden në ChurchofJesusChrist.org/legal/englishconnect-terms-of-participation. Pjesëmarrësit mund t’i pranojnë kushtet e pjesëmarrjes në mënyrë elektronike kur një ndërmjetës i programit EnglishConnect i regjistron ata në QuickReg.

Mësuesit e programit EnglishConnect nuk duhet të publikojnë në rrjetet shoqërore fotografi të personave që u japin mësim.

Akreditimi

Programi EnglishConnect nuk ka asnjë lloj akreditimi, diplome apo krediti nga ndonjë program arsimor ose trajnimi apo institucion trajnimi. Pjesëmarrja është vullnetare. Pjesëmarrësit mund të largohen nga programi ose të mos e frekuentojnë më në çdo kohë.