“Mësimi 179 – Mbështetja e Udhëheqësve Tanë: Ndjekja e Atyre që Zoti i Thërret për të Udhëhequr”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Mbështetja e Udhëheqësve Tanë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 179: Për Forcën e Rinisë: Bërja e Zgjedhjeve
Mbështetja e Udhëheqësve Tanë
Ndjekja e Atyre që Zoti i Thërret për të Udhëhequr
Ne mund të jemi udhëheqës të mirë në shumë mënyra. Një mënyrë është duke qenë ndjekës të mirë. Ne e tregojmë besimin te Jezu Krishti ndërsa i mbështetim udhëheqësit që janë thirrur nën drejtimin e Tij. Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë rëndësinë e mbështetjes së atyre që Zoti i thërret për të udhëhequr.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Të gatshëm për të ndjekur
Merreni parasysh ta paraqitni skenarin vijues për t’i ndihmuar nxënësit të reflektojnë mbi rëndësinë e mbështetjes ose përkrahjes së atyre që Zoti i thërret për të udhëhequr:
Imagjino sikur një shok i yti është pagëzuar më pak se një vit më parë dhe sapo është thirrur për të qenë presidenti i klasës ose kuorumit tënd. Ti ke qenë besnik ndaj ungjillit për më gjatë dhe e ndien se shoku yt nuk është aq i kualifikuar sa ti ose të tjerët për të qenë president i klasës ose kuorumit.
-
Si mund ta përshtatësh të menduarit tënd për të qenë një anëtar përkrahës i klasës ose kuorumit?
-
Çfarë mund të bësh për ta përkrahur shokun tënd në këtë thirrje?
Ju mund t’i pyetni nxënësit nëse ata, ose dikush që ata e njohin ka pasur një përvojë të ngjashme me këtë. Në ç’mënyrë u përgjigjën ata?
Një shembull i të qenit i gatshëm për t’i ndjekur ata që Zoti i ka thirrur është Hajrëm Smithi. Megjithëse ishte gjashtë vjet më i madh se vëllai i tij Jozefi, Hajrëmi e përkrahu Jozefin në thirrjen e tij.
Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi sa vijon rreth Hajrëmit:
“[Hajrëmi] e ndihmoi dhe i shërbeu vëllait të tij, Profetit Jozef, gjatë gjithë procesit të gjatë dhe të mundimshëm të Rivendosjes. …
Në të gjithë këtë, Hajrëmi qëndroi i palëkundur. Ai e dinte kursin që do të merrte jeta e tij dhe zgjodhi me ndërgjegje ta ndiqte atë. Për Jozefin, Hajrëmi u bë shoqëruesi, mbrojtësi, siguruesi, njeriu i besuar dhe përfundimisht ai iu bashkua atij si martir. Përndjekja e padrejtë i rrethoi ata gjatë gjithë jetës së tyre. Megjithëse ishte më i madh në moshë, Hajrëmi e pranoi mantelin hyjnor të vëllait të tij. Ndërkohë që me raste i dha Jozefit këshillë të ashpër, Hajrëmi gjithmonë iu nënshtrua vëllait të tij më të vogël.” (M. Russell Ballard, “Hyrum Smith: ‘Firm as the Pillars of Heaven’”, Ensign, nëntor 1995, f. 6–7)
-
Çfarë mund ta bënte të vështirë për dikë në situatën e Hajrëmit, që ta ndiqte Jozefin si udhëheqësin e tij të priftërisë?
-
Cilat cilësi si të Krishtit mund ta kenë ndihmuar Hajrëmin të ishte i gatshëm që ta ndiqte Jozefin? (shih te Doktrina e Besëlidhje 124:15).
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 124:94–96, duke kërkuar se si u bekua Hajrëmi prej gatishmërisë për ta ndjekur vëllanë e tij më të vogël. (Vër re se vargu 94 i referohet Hajrëmit, jo Jozefit.)
-
Çfarë bekimesh gjete në këto vargje?
Mbështetja e udhëheqësve
Shpjegoni se një mënyrë se si mund ta demonstrojmë gatishmërinë tonë për t’i ndjekur udhëheqësit tanë është duke i mbështetur ata. Mund të jetë e dobishme të vlerësoni se sa mirë e kuptojnë nxënësit se çfarë do të thotë të mbështetësh. Një mënyrë se si mund ta bëni këtë është t’i vini nxënësit ta shkruajnë përkufizimin e tyre për atë që do të thotë të mbështetësh. Më pas ftojini ata ta krahasojnë atë që shkruan me përkufizimin nga Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta: “Të betohesh për mbështetje për ata që shërbejnë në detyra të përgjithshme dhe lokale në udhëheqjen e Kishës” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Përkrahje e Udhëheqësve të Kishës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).
Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, bëri vërejtjen vijuese rreth mbështetjes së atyre që Zoti i thërret për të udhëhequr.
“Me anë të ngritjes së dorës për të mbështetur, ju bëni një premtim. Ju bëni një premtim me Perëndinë, shërbëtorët e të cilit janë këta, se do t’i mbështetni ata.
Këta janë qenie njerëzore të papërsosura, siç jeni ju. Mbajtja e premtimeve tuaja do të kërkojë besim të patundur që Zoti i thirri ata. Mbajtja e atyre premtimeve do të sjellë edhe lumturi të përjetshme.” (Henri B. Ajring, “Fuqia e Besimit Mbështetës”, Liahona, maj 2019, f. 58–59)
-
Si do t’i përmblidhje mësimet e Presidentit Ajring?
-
Çfarë mësimi dha ai rreth ushtrimit të besimit te Jezu Krishti?
Ndihmojini nxënësit të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ne ushtrojmë besim te Jezu Krishti kur i mbështetim ata që Ai i thërret për të udhëhequr.
-
Përse mendon se duhet besim te Jezu Krishti për t’i mbështetur udhëheqësit?
-
Kur je ndier i/e bekuar për zgjedhjen për ta mbështetur dikë që Perëndia e thirri për të të udhëhequr?
Nëse nxënësit e kanë të vështirë të mendojnë për një shembull, mund të jepni përvojën ose dëshminë tuaj rreth mbështetjes së dikujt që Perëndia e thirri për t’ju udhëhequr.
Mirëbesimi në Krisht për t’i mbështetur të thirrurit për të udhëhequr
Ndihmojini nxënësit ta kuptojnë më mirë se si parimi i mirëbesimit te Krishti gjen zbatim në jetën e tyre ndërsa i mbështetin ata që Ai i thërret. Një mënyrë për ta bërë këtë është duke paraqitur skenarët vijues ose duke krijuar të tjerë që gjejnë më shumë zbatim te nxënësit tuaj. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të zgjedhin një skenar për ta pasur në mendje ndërsa studiojnë njërën ose më shumë pjesë të fletushkës. Nxënësit mund të përdorin edhe skenarin nga fillimi i orës mësimore.
Presidenca e klasës së Të Rejave e Amandës sapo është riorganizuar. Vajza e thirrur për të qenë presidente është dikush që është treguar e pasjellshme me Amandën në të kaluarën.
Joni është një misionar shumë punëtor. Presidenti i misionit të tij njoftoi kohët e fundit një rregull të misionit që Jonit nuk i pëlqen.
Shoqja e ngushtë e Juliës sapo ishte thirrur si presidente e klasës së tyre. Julia priste që shoqja e saj t’i kërkonte asaj që të ishte pjesë e presidencës, por ajo nuk e bëri.
Klodianit i kërkuan të shërbente si president i kuorumit të tij. Ai është i ndrojtur dhe nuk i pëlqen të marrë vendime. Ai shqetësohet se sa i efektshëm do të jetë në drejtimin e kuorumit dhe presidencës së tij.
Fletushka me titullin “Mësime rreth Mbështetjes së Atyre që Janë Thirrur për të Udhëhequr” mund t’i ndihmojë nxënësit të kuptojnë se si e vërteta që ata përcaktuan mund të gjejë zbatim në skenarin që zgjodhën dhe në vetë jetën e tyre.
Një mënyrë për ta shqyrtuar fletushkën është të krijoni stacione rreth e qark klasës. Nxënësit mund të lëvizin nëpër stacione dhe ta studiojnë në heshtje secilën pjesë të fletushkës, duke kërkuar dhe shënuar pikëpamjet që gjejnë zbatim në skenarin e tyre. Nxënësit mund të ndahen më pas në grupe ose dyshe dhe ta tregojnë atë që mësuan.
Një mënyrë tjetër për ta shqyrtuar fletushkën është t’i vendosni nxënësit në grupe me nga katër dhe t’i caktoni secilit anëtar të grupit një pjesë nga fletushka. Nxënësit mund ta studiojnë pjesën e vet, duke kërkuar se si ajo lidhet me skenarin e tyre. Më pas çdo nxënës mund t’ia japë mësim grupit të tij atë që mësoi.
Mësime rreth Mbështetjes së Atyre që Janë Thirrur për të Udhëhequr
Pjesa 1
Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dha mësim:
“Udhëheqësi juaj në Kishën e Zotit mund t’ju duket i dobët dhe njerëzor, ose mund t’ju duket i fuqishëm dhe i frymëzuar. Realiteti është që çdo udhëheqës është një përzierje e atyre veçorive dhe ca më tepër. Ajo çfarë u vjen në ndihmë shërbëtorëve të Zotit të cilët janë thirrur të na udhëheqin, është kur ne arrijmë t’i shohim ata ashtu siç i pa Zoti kur i thirri.
Zoti i sheh në mënyrë të përkryer shërbëtorët e Tij. Ai e sheh potencialin e tyre dhe të ardhmen e tyre. Dhe Ai e di se si vetë natyra e tyre mund të ndryshohet. Ai gjithashtu e di se si ata mund të ndryshohen nga përvojat e tyre me njerëzit që do të udhëheqin. …
… Nëse keni besim se Zoti e udhëheq Kishën e Tij nëpërmjet zbulesës dhënë atyre shërbëtorëve të papërsosur që Ai thërret, Zoti do t’i hapë pragjet e qiellit për ata, si edhe për ju.” (Henri B. Ajring, “Zoti e Udhëheq Kishën e Tij”, Liahona, nëntor 2017, f. 83–84)
Pjesa 2
Vëllai Stiven W. Ouen, ish-President i Përgjithshëm i Të Rinjve, tha:
“Do të ketë raste në jetën tuaj kur do të thirreni të udhëhiqni. Në raste të tjera, nga ju do të pritet të ndiqni. Por mesazhi im sot për ju është se pavarësisht nga thirrja juaj, ju jeni gjithmonë një udhëheqës dhe ju jeni gjithmonë një ndjekës. Udhëheqja është një shprehje dishepullimi – ajo është thjesht një çështje e të ndihmuarit të të tjerëve të vijnë te Krishti, që është ajo çka bëjnë dishepujt e vërtetë. Nëse po përpiqeni të jeni një ndjekës i Krishtit, atëherë ju mund të ndihmoni të tjerët ta ndjekin Atë dhe ju mund të jeni një udhëheqës.
Aftësia juaj për të udhëhequr nuk vjen nga një personalitet i shoqërueshëm, aftësi shtytëse apo madje nga talenti për të folur publikisht. Ajo vjen nga zotimi juaj për ta ndjekur Jezu Krishtin.” (Stiven W. Ouen, “Udhëheqësit Më Të Mëdhenj Janë Ndjekësit Më Të Mëdhenj”, Liahona, maj 2016, f. 75)
Pjesa 3
Lexoji vargjet vijuese:
Doktrina e Besëlidhje 107:22 (Vër re mënyrat se si ky varg na mëson ta mbështetim Presidencën e Parë. Mendo se si këto mënyra për të mbështetur mund të gjejnë zbatim edhe në thirrje të tjera.)
Eksodi 17:9–12 (Vër re se si e mbështetën Moisiun ndërsa Izraeli luftonte me popullin e Amalekut.)
Pjesa 4
Vëllai Stiven W. Ouen, ish-President i Përgjithshëm i Të Rinjve, dha mësim:
“[Jezu Krishti] është udhëheqësi më i madh sepse Ai është ndjekësi më i madh – Ai e ndjek Atin e Tij përsosurisht, në të gjitha gjërat.” (Stiven W. Ouen, “Udhëheqësit Më Të Mëdhenj Janë Ndjekësit Më Të Mëdhenj”, Liahona, maj 2016, f. 75)
Ndërsa i lexon këto vargje, vëri re mënyrat se si e ndoqi Jezusi Atin e Tij dhe mënyrat se si u forcua Jezusi ndërsa e bëri këtë.
Lluka 22:41–43
Gjoni 12:49–50
Duke reflektuar mbi atë që ke mësuar
Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’ia tregojnë një partneri ose grupi atë që mendojnë se është e rëndësishme që të rinjtë e Kishës ta dinë nga mësimi i sotëm dhe përse.
Pasi nxënësit të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të treguar, ftojini ata të reflektojnë në heshtje mbi pyetjet vijuese dhe të jenë të hapur ndaj mbresave që mund të marrin nga Fryma e Shenjtë:
-
Sa mirë po ia del t’i mbështetësh ata që Zoti të ka kërkuar t’i ndjekësh?
-
Si mund ta ushtrosh besimin te Shpëtimtari për t’i mbështetur më mirë ata që janë thirrur për të udhëhequr?
Ju mund ta përmbyllni mësimin duke treguar se si jeni bekuar duke ushtruar besimin te Jezu Krishti ndërsa i keni mbështetur udhëheqësit e Kishës.