“Mësimi 178 – Bekimet Patriarkale: ‘Shkrim i Shenjtë Vetjak për Ju’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Bekimet Patriarkale”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 178: Për Forcën e Rinisë: Bërja e Zgjedhjeve
Bekimet Patriarkale
“Shkrim i Shenjtë Vetjak për Ju”
Ati ynë i dashur në Qiell ka shumë mënyra për t’u ofruar udhërrëfim dhe drejtim fëmijëve të Tij. Një mënyrë se si Ai e bën këtë është nëpërmjet bekimeve patriarkale. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndiejnë dëshirën e Zotit për t’i udhërrëfyer ata nëpërmjet bekimit patriarkal.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Drejtim në jetën tonë
Merreni parasysh ta paraqitni figurën vijuese ose të vizatoni një figurë si ajo në tabelë.
-
Cilat janë disa aspekte të jetës në të cilat ti mund të ndihesh si personi në këtë figurë? Përse?
-
Çfarë mund të na ndihmojë ta dimë se çfarë të bëjmë kur jemi të pasigurt për drejtimin që duhet të ndjekim në jetë?
Shpjegoni se shkrimet e shenjta japin mësim të vërteta të rëndësishme rreth Perëndisë që mund të na ndihmojnë kur na nevojitet drejtim.
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 6:14; 42:61; dhe 112:10, duke kërkuar për të vërtetat që mund të na ndihmojnë kur përballemi me situata të pasigurta.
Ftojini nxënësit t’i tregojnë të vërtetat që gjetën. Duke përdorur fjalët e tyre, ata mund të tregojnë të vërteta të ngjashme me:
Sa herë që ne kërkojmë nga Perëndia, Ai do të na japë udhëzim nëpërmjet Shpirtit të Tij (Doktrina e Besëlidhje 6:14).
Nëse e kërkojmë, Perëndia do të na bekojë me zbulesë pas zbulese (Doktrina e Besëlidhje 42:61).
Perëndia do të na udhëheqë dhe do të na japë përgjigje për lutjet tona (Doktrina e Besëlidhje 112:10).
Mund edhe t’u kërkoni nxënësve të tregojnë shkrime të shenjta të tjera për të cilat janë në dijeni, që demonstrojnë etjen e Perëndisë për të na ofruar udhërrëfim dhe drejtim.
-
Si mund të ndikojë të kujtuarit e këtyre të vërtetave në ndjenjat ose qëndrimet e tua kundrejt Perëndisë?
-
Cilat janë disa mënyra se si Perëndia na siguron drejtim për jetën tonë?
Bekimet patriarkale
Nëse është e nevojshme, përmendni se bekimet patriarkale janë një mënyrë se si ne mund të marrim drejtim nga Perëndia. Për t’i ndihmuar nxënësit ta vlerësojnë njohurinë e tyre të tanishme për bekimet patriarkale, merreni parasysh të paraqitni përmbajtjen vijuese dhe t’u jepni nxënësve kohë për t’u përgjigjur për thëniet në heshtje ose në ditarët e tyre të studimit.
Duke përdorur një shkallë nga një (jo e vërtetë) deri në pesë (shumë e vërtetë), përsiat se sa e vërtetë është secila prej thënieve vijuese për ty:
-
Unë e kuptoj se çfarë është një bekim patriarkal.
-
E di se si një bekim patriarkal mund të ndikojë në jetën time.
-
Besoj se Perëndia mund të më japë drejtim për jetën time nëpërmjet bekimit tim patriarkal.
Jepuni nxënësve kohë për t’i shkruar në tabelë pyetjet që kanë rreth bekimeve patriarkale. Ata mund të kenë pyetje si vijueset:
-
Çfarë është një bekim patriarkal?
-
Si mund të ndikojë një bekim patriarkal në marrëdhënien time me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
-
Si mund të përgatitem për bekimin tim patriarkal?
-
Kur duhet ta marr bekimin tim patriarkal?
Zgjidh të paktën një pyetje rreth bekimeve patriarkale që do të doje t’i përgjigjeshe. Shkruaji pyetjet e tua në krye të një faqeje të ditarit ose në faqen e shënimeve në aparatin tënd celular. Kërkoje udhërrëfimin e Atit Qiellor nëpërmjet Frymës së Shenjtë për të të ndihmuar të gjesh përgjigje për pyetjet e tua.
Dhënia e përgjigjeve për pyetjet rreth bekimeve patriarkale
Jepuni nxënësve kohë për të gjetur përgjigjet për pyetjet e veta rreth bekimeve patriarkale. Merrini parasysh nevojat dhe aftësitë e nxënësve tuaj në përcaktimin e mënyrës se si ata do të kërkojnë përgjigje. Mund të jetë e dobishme për disa që të kërkojnë përgjigje në grupe të vogla.
Zgjidh nga mundësitë vijuese për të gjetur përgjigje për pyetjet e tua rreth bekimeve patriarkale:
1. Kërko burimet në dispozicion në programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Për shembull, mund të studiosh “Patriarchal Blessings” [“Bekimet Patriarkale”], te Gospel Topics ose të kërkosh për “bekimet patriarkale” në bisedat e konferencave të përgjithshme.
2. Studioje njërën nga bisedat vijuese nga konferenca e përgjithshme e prillit 2023: “Koha Kur ta Merrni Bekimin Tuaj Patriarkal” nga Plaku Kazuhiko Jamashita (Liahona, maj 2023, f. 88–90) ose “Bekimi Juaj Patriarkal – Drejtim i Frymëzuar nga Ati Qiellor” nga Plaku Randall K. Benet (Liahona, maj 2023, f. 42–43).
3. Studioji thëniet në fletushkën e titulluar “Dhënia e Përgjigjeve për Pyetjet rreth Bekimeve Patriarkale”.
Dhënia e Përgjigjeve për Pyetjet rreth Bekimeve Patriarkale
Presidenti Rasëll M. Nelson tregoi:
“[Një bekim patriarkal] është i çmuar. Ai është një shkrim i shenjtë vetjak për ju. Ai shpall prejardhjen tuaj të veçantë familjare. Ai ju sjell ndër mend lidhjen tuaj me të kaluarën. Dhe ai do t’ju ndihmojë ta realizoni potencialin tuaj të ardhshëm. Fjalë për fjalë, ju mund t’i kërkoni Zotit përmbushjen e atyre bekimeve nëpërmjet besnikërisë suaj.” (Russell M. Nelson, “Thanks for the Covenant” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 22 nëntor 1988], f. 5)
Plaku Kazuhiko Jamashita, i Të Shtatëdhjetëve, dëshmoi:
“Unë e lexoj shpesh dhe plot lutje bekimin tim patriarkal; ai më jep gjithmonë zemër. Unë e dalloj atë që Zoti pret prej meje dhe kjo më ka ndihmuar që të pendohem dhe të jem i përulur. Kur e lexoj dhe e përsiat atë, unë dëshiroj të jetoj i denjë për të marrë bekimet që premtohen aty. …
… Jap dëshminë time se Ati Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur dhe i Vetëmlinduri, Zoti Jezu Krisht, jetojnë. Ata na duan. Bekimet patriarkale janë dhurata të shenjta nga Ata. Kur të merrni bekimin tuaj, do të kuptoni dhe ndieni se sa Ata ju duan dhe se si Ata përqendrohen tek ju individualisht.” (Kazuhiko Jamashita, “Koha Kur ta Merrni Bekimin Tuaj Patriarkal”, Liahona, maj 2023, f. 90)
Presidentja Boni H. Kordën, ish-Presidente e Përgjithshme e Të Rejave, tregoi:
“Në një konferencë FSY-je, u takova me dy të reja që kishin qenë në vështirësi. Të dyja të rejat përmendën se u drejtuan te bekimi i tyre patriarkal për të rizbuluar dashurinë dhe udhërrëfimin e Zotit për secilën personalisht. Gjejeni bekimin tuaj patriarkal, shkundjani pluhurin nëse duhet, por studiojeni atë shpesh. Nëse nuk e keni një të tillë, merreni një së shpejti. Mos e vononi zbulimin e asaj që dëshiron t’ju thotë Zoti tani rreth faktit se kush jeni.” (Boni H. Kordën, “Ejani te Krishti dhe Mos Ejani Vetëm”, Liahona, nëntor 2021, f. 10)
© 2024 by Intellectual Reserve, Inc. All rights reserved.
Pasi nxënësit të kenë pasur një mundësi për të studiuar, merreni parasysh t’i ftoni ata ta tregojnë atë që mësuan duke bërë pyetje si ato në vijim:
-
Çfarë mësove nga studimet e tua që t’u duk shumë e dobishme?
-
Cilat ishin disa përgjigje që gjete për pyetjet e tua?
-
Si mendon se mund të ndikojë një bekim patriarkal në marrëdhënien tënde me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
Merreni parasysh të tregoni se si Perëndia ju ka bekuar ose drejtuar nëpërmjet bekimit tuaj patriarkal. Gjithashtu, mund t’i inkurajoni nxënësit që e kanë marrë bekimin patriarkal t’i tregojnë përvojat e tyre. Sigurohuni që nxënësit ta kuptojnë se nuk duhet të japin hollësi të bekimeve të tyre. Megjithatë, është e udhës të flasin rreth përvojave të marrjes së bekimit patriarkal dhe se si ai e ka bekuar jetën e tyre.
Ju gjithashtu mund të shfaqni njërën prej materialeve filmike vijuese, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, për të dhënë shembuj të mënyrës se si individët morën udhërrëfim nga Perëndia nëpërmjet bekimeve të tyre patriarkale.
-
“Enemy Territory” [“Territori Armik”] (kodi kohor 0:00 deri në 2:25) – Një rrëfim nga jeta e Presidentit Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve (1924–2015).
-
“Without Fear” [“Pa Frikë”] (3:30) – Një i ri nga Italia përshkroi se si bekimi i tij patriarkal e ndihmoi të merrte vendimin për të shërbyer në një mision.
Mendo për atë që ke mësuar
Për t’i ndihmuar nxënësit të reflektojnë mbi atë që kanë mësuar dhe ndier, merreni parasysh t’i ftoni ata të bëjnë sa vijon:
Përsiat për nxitjet ose mbresat që ke ndier sot nga Fryma e Shenjtë. Në ditarin e studimit, shkruaj disa fjali rreth udhërrëfimit dhe drejtimit që Ati Qiellor të ka dhënë dhe se si mund të veprosh sipas atyre nxitjeve.
Inkurajojini nxënësit të veprojnë sipas mbresave që kanë ndier sot. Dëshmoni për udhërrëfimin dhe drejtimin nga Ati Qiellor në dispozicionin tonë nëpërmjet bekimeve patriarkale.