Seminari
Mësimi 176 – Identiteti dhe Qëllimi Ynë Hyjnor: Ne Kemi një Natyrë dhe Fat Hyjnor


“Mësimi 176 – Identiteti dhe Qëllimi Ynë Hyjnor: Ne Kemi një Natyrë dhe Fat Hyjnor”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Identiteti dhe Qëllimi Ynë Hyjnor”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 176: Për Forcën e Rinisë: Bërja e Zgjedhjeve

Identiteti dhe Qëllimi Ynë Hyjnor

Ne Kemi një Natyrë dhe Fat Hyjnor

fëmijë të vegjël me Jezusin

Si fëmijë të prindërve qiellorë, ne mund të bëhemi siç janë ata dhe ta trashëgojmë atë që kanë ata. Këto bekime janë në dispozicion të secilit prej nesh për shkak të Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë se, si fëmijë të Perëndisë, ata kanë një natyrë dhe qëllim hyjnor.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Kush jam unë dhe cili është qëllimi im?

Fillojeni mësimin duke i ndihmuar nxënësit të mendojnë rreth mënyrës se sa e lehtë mund të jetë ta harrojmë identitetin dhe vlerën tonë hyjnore. Mund ta bëni këtë duke e shfaqur materialin filmik “Our True Identity” [“Identiteti Ynë i Vërtetë”] (3:39) nga kodi kohor 0:00 deri në 1:14. Ftojini nxënësit të mendojnë rreth mënyrës se si ne mund ta shohim veten si rosaku i shëmtuar. Mund t’i vini më pas nxënësit të krijojnë një skenar si ai në vijim, në të cilin dikush mund të ndihet si një rosak i vogël i shëmtuar kur e harron identitetin e vet hyjnor si një fëmijë i Perëndisë.

3:44

Ose mund të filloni duke treguar një skenar si ai në vijim, duke përshtatur cilëndo prej hollësive për të reflektuar shqetësimet që mund të kenë nxënësit tuaj.

Amela është 15 vjeç. Ajo shpesh ndihet e vetmuar dhe e shpërfillur nga të tjerët. Do të donte të kishte më shumë shokë dhe të kishte një pamje të ndryshme nga ajo që ka. Amela i sheh të tjerët duke bërë gjëra të rëndësishme por nuk mendon se është e mirë sa duhet për të bërë ndonjë gjë të rëndësishme. Ajo e vë në dyshim vlerën e saj.

  • Çfarë mund të na e bëjë të vështirë ta kujtojmë identitetin tonë si fëmijë të Perëndisë?

Shpjegoni se gjatë këtij mësimi nxënësit do të mësojnë rreth identitetit të tyre hyjnor si bija dhe bij të Perëndisë. Ftojini ata të mendojnë rreth disa prej mënyrave se si ndikohet jeta e tyre nga dijenia se ata janë fëmijë të Perëndisë. Ata mund t’i shkruajnë mendimet e tyre në ditarët e studimit. Ftojini nxënësit të mbajnë vesh për Frymën e Shenjtë që u jep mësim atyre rreth identitetit dhe qëllimit të tyre hyjnor.

Natyra dhe qëllimi hyjnor

ikona e fletushkësPër veprimtarinë vijuese, mund ta ndani klasën në grupe të vogla. Ftojini nxënësit ta përdorin fletushkën “Identiteti dhe Qëllimi Im Hyjnor” për të përgatitur një përgjigje për Amelën. Caktoni një udhëheqës grupi që mund ta ndihmojë grupin e tij t’i përmbushë rolet e ndryshme. Për shembull, një nxënës mund të lexojë, një tjetër mund të shkruajë një përgjigje dhe një tjetër mund t’ia paraqitë klasës.

Nxënësit mund të kërkojnë shkrime të shenjta ose thënie shtesë duke kërkuar fjalët “natyrë hyjnore” ose “fat hyjnor” në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Lexoji shkrimet e shenjta dhe thëniet në fletushkë. Gjej frazat që mendon se mund ta ndihmojnë Amelën dhe merre parasysh përse ato mund të jenë të dobishme.

Identiteti dhe Qëllimi Im Hyjnor

1. Lexoje këtë thënie nga Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, duke kërkuar dëshirat e Shpëtimtarit për ty:

Plaku Diter F. Uhtdorf

“Unë besoj se Shpëtimtari Jezu Krisht do të donte që ju ta shihni, ndieni dhe dini se Ai është forca juaj. Se me ndihmën e Tij, nuk ka kufij për atë që mund të përmbushni. Se potenciali juaj është i pakufishëm. Ai do të donte që ju ta shihni veten tuaj ashtu siç ju sheh Ai. Dhe kjo është shumë e ndryshme nga mënyra se si ju sheh bota.

Shpëtimtari do të shpallte, në mënyrë aspak të dyshimtë, se jeni një bijë ose bir i Perëndisë së Plotfuqishëm. Ati juaj Qiellor është qenia më e lavdishme në univers, plot dashuri, gëzim, pastërti, shenjtëri, dritë, hir e të vërtetë. Dhe një ditë Ai dëshiron që ju të trashëgoni gjithçka që Ai ka.” (Diter F. Uhtdorf, “Jezu Krishti Është Forca e Rinisë”, Liahona, nëntor 2022, f. 9–10)

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 14:7, duke kërkuar atë që Ati Qiellor dëshiron të të japë.


2. Lexoje këtë thënie nga Motra Mishel D. Krejg, më parë e Presidencës së Përgjithshme të Të Rejave, duke kërkuar për këshillën e saj ndaj kujto që dyshon për vlerën e vet hyjnore:

Motra Mishel D. Krejg

“Ndoshta gjërat më të rëndësishme që duhet t’i shohim qartësisht, janë se kush është Perëndia dhe se kush jemi ne në të vërtetë – bij dhe bija të prindërve qiellorë me një ‘natyrë hyjnore dhe fat të përjetshëm’ [tema e Të Rejave, ChurchofJesusChrist.org]. Kërkojini Perëndisë t’jua zbulojë këto të vërteta, bashkë me mënyrën se si ndihet Ai për ju.” (Mishel D. Krejg, “Sy për të Parë”, Liahona, nëntor 2020, f. 15)

Lexo te Doktrina e Besëlidhje 18:10–13, duke kërkuar mënyrën se si ndihet Ati Qiellor për ty.


3. Lexoje këtë thënie nga Presidentja Suzën H. Porter, Presidente e Përgjithshme e Fillores, duke kërkuar arsyen përse është e nevojshme që secili prej nesh të dijë se si ndihet Ati Qiellor për ne:

Suzën H. Porter

“Çasti kur e dini dhe e kuptoni se sa plotësisht ju duan si fëmijë i Perëndisë, ndryshon gjithçka. Ndryshon mënyrën se si ndiheni rreth vetes kur bëni gabime. Ndryshon mënyrën se si ndiheni kur ndodhin gjëra të vështira. Ndryshon këndvështrimin tuaj për urdhërimet e Perëndisë. Ndryshon këndvështrimin tuaj për të tjerët dhe për aftësinë tuaj për të sjellë një ndryshim.” (Suzën H. Porter, “Dashuria e Perëndisë: Më e Gëzueshmja për Shpirtin”, Liahona, nëntor 2021, f. 33)


4. Lexoje këtë thënie nga Presidenti Rasëll M. Nelson, duke kërkuar atë që Ai dha mësim rreth shpresave të Atit tonë Qiellor për secilin prej nesh:

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Plani i Atit Qiellor për fëmijët e Tij na lejon të jetojmë në vendin ku jeton Ai, në mënyrën se si jeton Ai dhe përfundimisht të bëhemi gjithnjë e më shumë si Ai. Plani i Tij, në kuptimin e plotë të fjalës, i vë në dispozicion për ne bekimet më të pasura të të gjithë përjetësisë, përfshirë potencialin që ne të bëhemi ‘bashkëtrashëgimtarë të Krishtit’ [Romakëve 8:17].” (Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org)

Nëse do të ishte e dobishme për nxënësit, mund ta shfaqni pjesën tjetër të materialit filmik “Our True Identity” [“Identiteti Ynë i Vërtetë”] (3:39) nga kodi kohor 1:15 deri në 3:39. Nxënësit mund t’i ndalin diskutimet e tyre në grup për ta parë këtë material filmik. Më pas ftojini nxënësit të shtojnë diçka për atë që mund t’i thonë Amelës.

3:44

Kur nxënësit t’i kenë mbaruar diskutimet e tyre në grup, ftojini t’i raportojnë klasës mbi atë që studiuan. Për të inkurajuar diskutimin si klasë, mund t’i ftoni nxënësit të tregojnë se çfarë iu duk kuptimplotë rreth komenteve të të tjerëve.

Domethënia e asaj që jam dhe mund të bëhem

Të shkruarit në ditar mund t’i ndihmojë nxënësit ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre dhe të bëhen më të vetëdijshëm për ndjenjat e veta. Ajo gjithashtu mund t’i ndihmojë nxënësit ta ftojnë Frymën e Shenjtë t’u japë mësim atyre. Ftojini nxënësit t’u përgjigjen pyetjeve vijuese në ditarët e tyre të studimit.

  • Çfarë mendimesh ose ndjenjash pate ndërsa studiove rreth identitetit dhe qëllimit tënd hyjnor si një fëmijë i Perëndisë?

  • Si mendon se mund të ndikojë kjo njohuri në vendimet që merr ose në mënyrën se si i trajton të tjerët?

  • Çfarë përvojash ke pasur që të kanë ndihmuar të ndiesh se je një fëmijë i Perëndisë me një fat hyjnor?

Ftojini nxënësit e gatshëm t’i tregojnë ndjenjat dhe përvojat e tyre rreth rëndësisë së natyrës dhe fatit të tyre hyjnor.

Merreni parasysh të jepni dëshmi rreth identitetit dhe qëllimit hyjnor të secilit fëmijë të Perëndisë.