Seminari
Hyrje në Manualin e Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet


“Hyrje në Manualin e Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

“Hyrje”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Hyrje në Manualin e Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

e re duke qëndruar përpara klasës

Synimi i Seminareve dhe Instituteve të Fesë është “të ndihmoj[ë] rininë dhe të rinjtë e të rejat në moshë madhore që ta thellojnë kthimin e tyre në besim te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur, të kualifikohen për bekimet e tempullit dhe të përgatiten vetë, të përgatitin familjet e tyre dhe të tjerët për jetë të përjetshme me Atin e tyre në Qiell” (“Synimi i Seminareve dhe Instituteve të Fesë” [2022], ChurchofJesusChrist.org).

Për të ndihmuar të arrihet ky synim, ky manual u jep nxënësve një shumëllojshmëri përvojash të të mësuarit nëpërmjet dy llojeve të ndryshme mësimesh: mësimet nga “Doktrina e Besëlidhje” dhe mësimet nga pjesa “Përgatitja për Jetën”. Mësimet nga Doktrina e Besëlidhje përputhen me bllokun e shkrimeve të shenjta të theksuara çdo javë tek Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025. Mësimet nga “Përgatitja për Jetën” i ndihmojnë nxënësit të mësojnë të marrin forcë nga Jezu Krishti dhe t’i vënë në zbatim mësimet e Tij për t’u përgatitur për sfidat e jetës.

Duke përdorur sugjerimet e mësimdhënies që gjenden në këto dy lloje mësimesh dhe duke ndjekur drejtimin e Shpirtit, ju mund t’i ndihmoni nxënësit të mbështeten te fuqia e Jezu Krishtit në shumë aspekte të jetës së tyre, përfshirë aspektin shpirtëror, shoqëror, intelektual dhe fizik. Ju do t’i ndihmoni gjithashtu të përgatiten për të ardhmen e tyre me besim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

Ky manual i mësuesit është në dispozicion në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] në internet, në ChurchofJesusChrist.org, ku mund të gjeni edhe një format PDF të manualit për ta shkarkuar. Ai është në dispozicion edhe në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Nëse dëshironi të përdorni një manual të shtypur në letër, ju lutemi t’ia kërkoni atë bashkërenduesit tuaj vendor ose administratorit të programit.

Mjete që t’ju Ndihmojnë të Përgatiteni për të Dhënë Mësim

Pavarësisht nga lloji i mësimit që po jepni, disa mjete do t’ju ndihmojnë të përgatiteni.

Shkrimet e Shenjta

Studimi së bashku me bllokun e shkrimeve të shenjta tek Eja, Më Ndiq është një mënyrë e rëndësishme për t’u përgatitur për t’iu dhënë mësim nxënësve. Mësimet që përmban ky manual, kanë nevojë për një mësues të frymëzuar, i cili i studion rregullisht shkrimet e shenjta dhe kërkon shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Ndërsa i studioni rregullisht shkrimet e shenjta, ju mund të jeni i sigurt se Ati Qiellor do t’ju frymëzojë nëpërmjet Shpirtit të Tij se si t’i përshtatni këto materiale për të plotësuar nevojat e nxënësve tuaj.

Vështrime të Përgjithshme

Një vështrim i përgjithshëm jepet në fillim të çdo jave të mësimeve nga Doktrina e Besëlidhje dhe në fillim të çdo kategorie të mësimeve nga “Përgatitja për Jetën”. Këto vështrime të përgjithshme japin informacione specifike për mësimin, për t’ju ndihmuar që të përgatiteni për të dhënë mësim, duke përfshirë:

  • Qëllimet e mësimit

  • Idetë për përgatitjen e nxënësve

  • Një listë të mësimeve me sende, fletushkave, figurave, materialeve filmike apo materialeve të tjera që mund të nevojiten të përgatiten paraprakisht

Shqyrtimi i vështrimit të përgjithshëm para se të jepni mësimet përkatëse, mund t’ju ndihmojë të vendosni se cilat materiale të përgatitni paraprakisht.

Gjejeni vështrimin e përgjithshëm javor për javën e ardhshme të mësimeve që do të jepni.

  • Çfarë informacioni gjeni këtu që është i dobishëm për ta ditur paraprakisht?

  • Si mund ta përdorni këtë informacion ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim?

Këshilla për Mësimdhënien

Çdo vështrim i përgjithshëm që iu paraprin mësimeve nga Doktrina e Besëlidhje, përmban një këshillë për mësimdhënien që shpjegon praktikat ose parimet e rekomanduara nga materiali Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit: Për të Gjithë Ata që Japin Mësim në Shtëpi dhe në Kishë. Këto këshilla shenjohen me këtë ikonë: ikona e trajnimit. Ndërsa ndiheni gati, përpiquni t’i zbatoni këto praktika dhe parime gjatë mësimdhënies. Do të vini re se përfshirja e këtyre sugjerimeve mund të ndihmojë për përmirësimin e aftësive tuaja mësimdhënëse.

Këshilla për mësimdhënien në çdo vështrim të përgjithshëm ju drejton te një mësim në të cilin jepet si model praktika ose parimi i rekomanduar. Kërkojeni në atë mësim ikonën e trajnimit ikona e trajnimitpër të gjetur një shembull të këshillës që jepet si model. Këto ju ndihmojnë që të drejtoheni edhe te pjesa Zotësitë për Përmirësimin e Mësuesve, që mund t’ju ndihmojë të mësoni më shumë rreth praktikave ose parimeve të mësimdhënies që po theksohen. Sipas kohës dhe aftësive tuaja, merreni parasysh t’i përdorni këto trajnime si pjesë të përgatitjes së mësimit.

Shqyrtojeni këshillën për mësimdhënien te vështrimi i përgjithshëm për një nga javët e ardhshme të përmbajtjes që do të jepni mësim. Si mund të përpiqeni ta ushtroni këtë sugjerim në një mësim të ardhshëm?

Sugjerimet për Ritmin

Vështrimi i përgjithshëm për çdo grup mësimesh nga “Përgatitja për Jetën” përfshin sugjerimet për ritmin. Këto sugjerime japin ide se ku mund të përfshihen këto mësime në një udhëzues ritmi. Bashkërenduesit dhe administratorët e programit mund t’i përdorin këto sugjerime ndërsa krijojnë një udhëzues ritmi.

Përgatitja e Nxënësve

Çdo vështrim i përgjithshëm përfshin edhe sugjerime për t’i ndihmuar nxënësit ta përgatitin mendjen dhe zemrën për çdo mësim. Ju mund t’i këqyrni këto ide në fillim të javës dhe të vendosni me lutje se cilat ide e ndieni se do t’i ndihmonin më mirë nxënësit tuaj. Nuk është nevoja që ta përdorni çdo sugjerim për përgatitjen e nxënësve. Ju mund t’i përshtatni ato ose të krijoni idetë tuaja. Shumë nga këto sugjerime janë hartuar që t’u jepen nxënësve të paktën një ditë përpara përvojës së të mësuarit.

Shqyrtojini idetë për përgatitjen e nxënësve te vështrimi i përgjithshëm për një nga javët e ardhshme të mësimeve që do të jepni. Merreni parasysh se cilat ide do të përdorni, përshtatni ose cilat nuk do të përdorni. Nëse vendosni t’i ftoni nxënësit tuaj të përgatiten, si do t’ua tregoni atyre idenë për përgatitjen? Mund t’ua tregoni atë me fjalë ose ta shfaqni në fund të orës pararendëse mësimore. Ose, nëse është e përshtatshme, dërgojeni nëpërmjet postës elektronike ose një programi mesazhesh.

Udhëzime për Mësimdhënien

Gjatë çdo mësimi, do të vini re kuti që përmbajnë udhëzime për mësuesit. Udhëzimet për mësimdhënien janë hartuar për t’ju ndihmuar të përgatiteni për të dhënë mësim. Ato gjithashtu mund t’ju ndihmojnë të dini se si t’i përdorni veprimtaritë e të mësuarit që sugjerohen në mësim. Ato mund të shpjegojnë qëllimet e veprimtarive të mësimit ose të ofrojnë sugjerime rreth mënyrës se si ta përshtatni përmbajtjen e mësimit për t’i plotësuar më mirë nevojat e nxënësve. Këto sugjerime mund të përfshijnë qasje, pyetje apo veprimtari të tjera që ju ndihmojnë të rregulloni përmbajtjen dhe veprimtaritë sipas nevojës.

Shqyrtojini disa nga udhëzimet për mësimdhënien në mësimin që do të jepni së shpejti. Çfarë përshtatjesh mund të bëni në bazë të udhëzimeve që gjeni për mësimdhënien?

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Çdo mësim përmban ide mënyrash të mundshme se si mund t’i qaseni përvojës së të mësuarit. Nuk ju kërkohet t’i përdorni të gjitha veprimtaritë e sugjeruara të të mësuarit në mësimet që jepni.

Që nxënësit tuaj të kenë përvojën më të mirë të mundshme, ju duhet ta përdorni përmbajtjen në këtë pjesë si udhërrëfyes në vend të një skenari. Nëse sapo keni filluar si mësues seminari, mund të jetë më mirë të filloni duke i ndjekur me kujdes veprimtaritë e sugjeruara të të mësuarit. Me shtimin e përvojës, aftësia juaj për ta përshtatur përmbajtjen e këtij manuali për të plotësuar më së miri nevojat e nxënësve, do të përmirësohet.

Shumë veprimtari të sugjeruara të të mësuarit do t’i ftojnë nxënësit që t’i përfundojnë ato në një ditar studimi. Një ditar studimi në format PDF-je që nxënësit mund të përdorin është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org/si/seminary/manuals. Ju lutemi, vihuni në kontakt me bashkërenduesin tuaj ose administratorin e programit për të marrë kopje të shtypura në letër të këtij ditari për klasën tuaj, nëse dëshironi.

ikona e trajnimit Për ndihmë për të ditur se si ta baraspeshoni përfshirjen e veprimtarive të sugjeruara të të mësuarit me përshtatjen e materialeve të programit mësimor, për t’i plotësuar më mirë nevojat e nxënësve, shihni pjesën “Përvetësojeni Pastaj Përshtateni Programin Mësimor të Seminarit” në materialin Trajnimi për Programin Mësimor të Seminarit (2025). Mund të jetë më e efektshme nëse e përfundoni këtë trajnim brenda pak javëve të para të vitit.

Burime Shtesë

Shumica e mësimeve përmbajnë një pjesë “Burime Shtesë” në fund të mësimit. Kjo pjesë përfshin informacione që mund t’ju ndihmojnë ta thelloni të mësuarit. Mund të gjeni përgjigje të mundshme për pyetjet që mund të kenë nxënësit, ose të gjeni thënie nga udhëheqës të Kishës që mund të doni t’i përfshini në mësim. Kjo pjesë është në dispozicion vetëm nëse po e përdorni manualin e mësuesit nëpërmjet programit kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] në internet në ChurchofJesusChrist.org. Pjesa “Burime Shtesë” nuk është e përfshirë në variantin PDF të manualit të mësuesit.

Shihni a e përfshin pjesën “Burime Shtesë” mësimi i radhës që do të jepni. A ka ndonjë pyetje, përgjigje apo thënie nga udhëheqësit e Kishës që mund të jetë me dobi t’ua tregoni nxënësve tuaj?

Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit

Kjo pjesë, e përfshirë gjithashtu në fund të mësimit, ka ide shtesë për qasjen në përvojën e të mësuarit. Këto veprimtari të të mësuarit përfshijnë mënyra për t’i përshtatur veprimtaritë e tanishme në mësim, ose mënyra për të dhënë mësim materialin që nuk përfshihet te mësimi. Veprimtaritë plotësuese të të mësuarit janë të përfshira vetëm në manualin e mësuesit nëse ju po e përdorni atë nëpërmjet programit kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ose Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] në internet në ChurchofJesusChrist.org. Kjo pjesë nuk është e përfshirë në variantin PDF të manualit të mësuesit.

Nëse mësimi juaj i ardhshëm e përfshin pjesën “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit”, shqyrtojini këto veprimtari. A ka ndonjë veprimtari që mendoni se mund të jetë me dobi të përdoret me nxënësit tuaj krahas veprimtarive të të mësuarit të përfshira te pjesa kryesore e materialit mësimor ose në vend të tyre?

Mësimet nga Doktrina e Besëlidhje dhe Mësimet nga “Përgatitja për Jetën”

Nxënësve duhet t’u jepen mësim si mësimet nga Doktrina e Besëlidhjet, ashtu edhe mësimet nga “Përgatitja për Jetën” gjatë gjithë vitit. Në përgjithësi, tre mësime në javë, zakonisht do të jenë mësime nga Doktrina e Besëlidhjet, ndërsa dy mësimet e tjera në javë do të jenë mësimet nga “Përgatitja për Jetën”. Mund të ketë javë që do t’ju kërkohet t’i përshtatni këto pritshmëri të përgjithshme.

Informacioni vijues mund t’ju ndihmojë të kuptoni qëllimin dhe mënyrat se si t’i zbatoni të dy llojet e mësimeve.

Mësimet nga Doktrina e Besëlidhje

Mësimet nga Doktrina e Besëlidhje përputhen me bllokun e shkrimeve të shenjta të theksuara çdo javë tek Eja, Më Ndiq. Këto mësime u japin mundësi nxënësve të kenë përvoja të thella duke studiuar mësimet e Shpëtimtarit te Doktrina e Besëlidhje. Mësimet nga Doktrina e Besëlidhje përfshijnë edhe mësime nga “Ushtrimi i Zotërimit Doktrinor” dhe mësime nga “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”.

Zotërimi Doktrinor

Një përparësi e rëndësishme për ju si mësues është t’i ndihmoni nxënësit të arrijnë rezultatet e zotërimit doktrinor. Këto rezultate përfshijnë ndihmën që nxënësit:

  • T’i mësojnë dhe zbatojnë parimet hyjnore për marrjen e njohurisë shpirtërore.

  • Të zotërojnë fragmentet e shkrimeve të shenjta për zotërimin doktrinor dhe doktrinën e ungjillit të Jezu Krishtit që mësojmë prej tyre.

Zotërimi i fragmenteve të përzgjedhura dhe doktrinës së ungjillit të Jezu Krishtit që këto fragmente japin mësim, do të thotë se nxënësit:

  • Do ta dinë dhe kuptojnë doktrinën që jepet mësim në fragmentet e shkrimeve të shenjta për zotërimin doktrinor.

  • Do ta shpjegojnë doktrinën në mënyrë të qartë duke përdorur fragmentet shoqëruese të shkrimeve të shenjta për zotërimin doktrinor.

  • Do ta vënë në zbatim doktrinën e ungjillit të Jezu Krishtit dhe parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në zgjedhjet e tyre të përditshme dhe në përgjigjet e tyre ndaj çështjeve dhe pyetjeve doktrinore, vetjake, shoqërore dhe historike.

  • Do t’i mbajnë mend dhe gjejnë fragmentet e zotërimit doktrinor dhe do t’i mësojnë përmendsh frazat kyç të shkrimeve të shenjta.

Programi kompjuterik Doctrinal Mastery [Zotërimi Doktrinor] mund t’i ndihmojë nxënësit të arrijnë disa rezultate të zotërimit doktrinor. Ai është hartuar për t’i ndihmuar nxënësit që të ushtrojnë mësimin përmendsh të referencave dhe frazave kyç të shkrimeve të shenjta për secilin prej fragmenteve të zotërimit doktrinor. Nëse dëshironi, mund ta përdorni këtë program kompjuterik në klasë dhe t’i nxitni nxënësit ta shkarkojnë atë në pajisjet e veta, nëse është e mundur. Ai është në dispozicion për pajisjet me sistem iOS dhe Android.

Për më shumë informacion rreth qëllimeve të zotërimit doktrinor, shikoni “Çfarë Është Zotërimi Doktrinor?” (3:56), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

3:56
Mësimet nga “Ushtrimi i Zotërimit Doktrinor”

Mësimet nga “Ushtrimi i Zotërimit Doktrinor” kanë për synim t’i ndihmojnë nxënësit të punojnë drejt arritjes së rezultateve të zotërimit doktrinor.

ikona e trajnimit Për më shumë informacion rreth mënyrës se si t’i ndihmoni nxënësit të arrijnë rezultatet e zotërimit doktrinor, shihni pjesën “Zotërimi Doktrinor te materiali Trajnimi për Programin Mësimor të Seminarit. Mund të jetë më e efektshme nëse e përfundoni këtë trajnim brenda pak javëve pasi të përfundoni trajnimin “Përvetësojeni Pastaj Përshtateni Programin Mësimor të Seminarit.”

Mësimet nga “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”

Vlerësimi është një pjesë e rëndësishme e të mësuarit. Mundësitë për t’u ndalur dhe reflektuar për të mësuarit mund të jenë një përvojë pozitive për nxënësit dhe t’i motivojnë ata në rritjen dhe zhvillimin e tyre të vazhdueshëm për t’u bërë më të ngjashëm me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Duke e vlerësuar të mësuarit e tyre, nxënësit bëhen pjesëmarrës aktivë në procesin e të mësuarit dhe marrin më tepër përgjegjësi për të mësuarit vetjak.

Mësimet nga “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”, u japin nxënësve mundësi të shpjegojnë doktrinën kyç nga Doktrina e Besëlidhje, të reflektojnë për qëndrimet e dëshirat e tyre dhe të tregojnë përparimin e tyre në zhvillimin e sjelljeve që i ndihmojnë të bëhen dishepuj më të përkushtuar të Jezu Krishtit. Këto mësime mund t’i ndihmojnë nxënësit të ndiejnë gëzim ndërsa dallojnë rritjen e tyre dhe të përcaktojnë fusha të ardhshme për përparim të mëtejshëm. Për të marrë kreditet e kursit, nxënësve do t’u duhet të marrin pjesë në të paktën një mësim nga “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj” në secilën gjysmë të kursit.

Nxënësit që nuk morën pjesë në asnjë nga këto mësime gjatë një gjysme të kursit, do të duhet ta përfundojnë mësimin nga “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj” për çdo gjysmë, si të jetë e nevojshme, për të marrë kreditet e kursit. Të përfshira në shtojcën e këtij manuali janë dy mësime nga “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”. “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj, Pjesa 1” mund të përdoret për të kryer vlerësimin që nuk u bë në gjysmën e parë të kursit. “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj, Pjesa 2” mund të përdoret për të kryer vlerësimin që nuk u bë në gjysmën e dytë të kursit. Ju mund t’ua jepni nxënësve këtë vlerësim dhe t’i vini ta plotësojnë atë me shokët e tjerë të klasës ose pjesëtarët e familjes. Kur të mbarojnë, nxitini t’jua tregojnë atë që mësuan nga përvoja. Kjo mund t’ju japë mundësi t’u jepni shërbesë këtyre nxënësve dhe të kremtoni me ta rritjen e tyre shpirtërore. Jepuni kredite për vlerësimin për gjysmën e kursit kur të përfundojnë mësimin nga “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”.

ikona e trajnimit Për më shumë informacion rreth mënyrës se si t’i zbatoni mësimet nga “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”, shihni pjesën “Trajnimi për Vlerësimet” në materialin Trajnimi për Programin Mësimor të Seminarit. Mund të jetë më e efektshme nëse e përfundoni këtë trajnim brenda pak javëve pasi të përfundoni pjesën “Trajnimi për Zotërimin Doktrinor”.

Mësimet nga “Përgatitja për Jetën”

Mësimet nga “Përgatitja për Jetën” u japin mundësi nxënësve për t’i vënë në zbatim mësimet e Shpëtimtarit:

  • Për të përballuar pyetjet e vështira dhe rrethanat e vështira të jetës

  • Për të bërë zgjedhje të frymëzuara duke përdorur mësimet e Jezu Krishtit dhe profetëve të Tij

  • Për të ndërtuar mbështetjen te vetja për të siguruar për veten dhe familjen

  • Për t’u bërë më të shëndetshëm fizikisht dhe emocionalisht

  • Për të zhvilluar zotësi për të arritur sukses në shkollë

  • Për të bërë plane për t’u përgatitur për arsimimin dhe punësimin e ardhshëm

  • Për t’u përgatitur për shërbimin misionar dhe atë në kishë

  • Për t’u përgatitur për të bërë dhe mbajtur besëlidhjet në tempull

Përpiquni të jepni dy mësime çdo javë nga “Përgatitja për Jetën”. Disa javë mund të jepni më shumë mësime se kaq dhe javë të tjera mund të jepni më pak mësime, por mesatarisht duhet të përpiqeni të jepni dy mësime në javë, sa më shpesh të jetë e mundur. Kjo do të jetë një mundësi që nxënësve t’u jepet secili prej këtyre mësimeve gjatë vitit shkollor. Zakonisht nuk është e nevojshme që t’i jepni këto mësime sipas një rendi të veçantë, ndonëse ka disa mësime që bazohen tek idetë që janë dhënë në mësimet e mëparshme.

Vështrimi i përgjithshëm për secilën nga kategoritë e mësimeve nga “Përgatitja për Jetën”, mund të jetë një burim i vlefshëm për t’ju ndihmuar të merrni vendime se kur duhet të jepni disa mësime specifike nga “Përgatitja për Jetën”. Këto vështrime të përgjithshme do t’ju ndihmojnë t’i dalloni shpejt qëllimet e mësimit për mësimet e ndryshme nga “Përgatitja për Jetën”, si dhe sugjerimet për ritmin për ato herë të mundshme të vitit që mund të merrni parasysh t’i jepni mësim.

Sigurohuni që të merrni një kopje të një udhëzuesi ritmi që jua jep bashkërenduesi ose administratori juaj i programit.

ikona e trajnimit Nëse doni, mund të merrni këshilla nga pjesa “Trajnimi për Krijimin e një Udhëzuesi Ritmi” në materialin “Trajnimi për Programin Mësimor të Seminarit”, për t’ju ndihmuar që ta përshtatni udhëzuesin e ritmit sipas nevojave të nxënësve tuaj.