Seminari
Mësimi 174 – Udhëzuesi “Për Forcën e Rinisë”: “E Vërteta do t’ju Bëjë të Lirë”


“Mësimi 174 – Udhëzuesi Për Forcën e Rinisë: ‘E Vërteta do t’ju Bëjë të Lirë’”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)

Udhëzuesi “Për Forcën e Rinisë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet

Mësimi 174: Për Forcën e Rinisë

Udhëzuesi Për Forcën e Rinisë

“E Vërteta do t’ju Bëjë të Lirë”

Për Forcën e Rinisë

Ati Qiellor e do dhe ka mirëbesim te brezi i ri. Ai ka siguruar udhërrëfim profetik për t’i ndihmuar të rinjtë e sotëm të zhvillojnë besimin te Jezu Krishti dhe të qëndrojnë në shtegun e besëlidhjeve. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të shohin te Jezu Krishti kur marrin vendime duke përdorur materialin “Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve”.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Dy pjesët e para të këtij mësimi janë krijuar për t’i ndihmuar nxënësit të mësojnë më shumë për materialin Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (2022) që të mbështeten më mirë te Jezu Krishti. Pjesa e fundit jep një veprimtari të të mësuarit të përqendruar në pjesën e broshurës të titulluar “E Vërteta do t’ju Bëjë të Lirë” në faqet 30–33. Idetë për të studiuar tema shtesë nga libri udhëzues trajtohen në manuale të tjera të mësuesit të seminarit. Vendosni se cilat pjesë nga ky mësim dhe cilat tema nga broshura Për Forcën e Rinisë do t’i plotësojë më mirë nevojat e nxënësve tuaj.

Jezu Krishti është forca e rinisë

Merreni parasysh ta shkruani fjalën forcë në tabelë dhe t’i ftoni nxënësit të tregojnë se për kë ose çfarë mendojnë kur shohin këtë botë. Paraqitni një figurë të Jezu Krishtit dhe diskutoni pyetjet vijuese.

Shpëtimtari
  • Përse është Jezu Krishti një shembull i mirë i forcës? Si e shfaqi Ai forcën në të gjitha fushat e jetës së Tij?

  • Cilat janë disa situata me të cilat përballen adoleshentët, në të cilat forca e Shpëtimtarit mund t’i ndihmojë?

Lexo “Mesazh nga Presidenca e Parë” në faqen 2 në broshurën Për Forcën e Rinisë, duke kërkuar se si mund të marrësh forcë.

  • Çfarë mendon se do të thotë që Jezu Krishti është “forca e rinisë”?

  • Si ke marrë ndihmë dhe forcë nga Ai?

Bërja e zgjedhjeve të frymëzuara

Ftojini nxënësit të bëjnë veprimtarinë vijuese në ditarët e tyre të studimit.

Rendit disa prej zgjedhjeve ose vendimeve të rëndësishme që mund të jetë e nevojshme të bësh në 10 vitet e ardhshme. Përcakto se cila nga këto zgjedhje do të ketë ndikimin më të madh në pjesën tjetër të jetës sate.

Nxënësit mund të theksojnë vendimet që ndiejnë se do të kenë ndikimin më të madh në jetën e tyre duke i nënvizuar. Për pyetjen e radhës, ata mund të përgjigjen në heshtje duke vizatuar një fytyrë të qeshur, fytyrë pa shprehi, ose fytyrë të vrenjtur në ditarët e tyre të studimit për të treguar se sa të sigurt janë për marrjen e çdo vendimi.

  • Sa i sigurt ndihesh në lidhje me bërjen e këtyre zgjedhjeve?

  • Çfarë burimesh ka siguruar Ati Qiellor për të të ndihmuar të bësh zgjedhje të frymëzuara?

Nxënësit mund të tregojnë se si i ka ndihmuar broshura Për Forcën e Rinisë të bëjnë zgjedhje të frymëzuara.

Lexo pjesën “Bëni Zgjedhje të Frymëzuara” në faqet 4–5 në broshurën Për Forcën e Rinisë, duke kërkuar atë që mund të të ndihmojë me zgjedhjet që ke tani dhe do të kesh në të ardhmen.

Merreni parasysh t’i vendosni nxënësit në dyshe për ta studiuar këtë pjesë. Caktojeni një nxënës në secilën dyshe të studiojë tre paragrafët e parë dhe tjetrin të studiojë tre paragrafët e fundit. Ftojini të shenjojnë fjalë dhe fraza kuptimplota dhe t’ia tregojnë atë që mësuan një partneri.

Pasi nxënësit të përfundojnë së diskutuari në dyshe, merreni parasysh të lehtësoni një diskutim në klasë duke bërë pyetjet vijuese.

  • Çfarë gjete që mund të të ndihmojë të bësh zgjedhje të frymëzuara?

  • Si ndikon ajo që mësove në ndjenjat e tua rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?

Inkurajojini nxënësit t’i përdorin rregullisht mësimet dhe parimet në broshurën Për Forcën e Rinisë ndërsa marrin vendime dhe përpiqen fort ta ndjekin Shpëtimtarin. Referojini te grafiku në fund të pjesës “Bëni Zgjedhje të Frymëzuara” në faqen 5, ose paraqitni informacionin vijues për t’i ndihmuar të shohin se si është e organizuar broshura Për Forcën e Rinisë.

Secila temë në broshurën Për Forcën e Rinisë ka tri pjesë:

  1. Të vërtetat e përjetshme, ose doktrina e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit

  2. Ftesat për të vepruar sipas atyre të vërtetave

  3. Bekimet e premtuara që Zoti ua ofron atyre që jetojnë sipas mësimeve të Tij

Ftojini nxënësit të përsiatin çdo pyetje ose sfidë të tanishme për të cilën mund t’u nevojitet ndihmë, sidomos ndërsa reflektojnë për zgjedhjet e rëndësishme që do t’i bëjnë në vitet e ardhshme. Jepuni atyre kohë të studiojnë broshurën Për Forcën e Rinisë, duke kërkuar të vërteta të përjetshme, ftesa dhe bekime të premtuara që mund të ndihmojnë me shqetësimet e tyre specifike. Inkurajojini nxënësit t’i shënojnë pikëpamjet dhe mbresat ndërsa studiojnë. Kur mbarojnë, ftojini disa të tregojnë se çfarë zbuluan, por kujtojuni atyre të mos tregojnë asgjë tepër vetjake. Pyetjet në vijim mund të ndihmojnë.

  • Çfarë zbulove ose gjete të dobishme ndërsa studiove?

  • Si mund të të ndihmojnë modeli i të mësuarit të së vërtetës të përjetshme, të vepruarit sipas ftesave të frymëzuara dhe të kujtuarit e bekimeve të premtuara të marrësh forcë nga Jezu Krishti për të bërë zgjedhje të frymëzuara?

“E vërteta do t’ju bëjë të lirë”

Kjo pjesë e mësimit përqendrohet në pjesën “E Vërteta do t’ju Bëjë të Lirë”, në faqet 30–33 te broshura Për Forcën e Rinisë. Mund ta jepni mësim së bashku me pjesët e tjera ose më vete.

Shkruani në tabelë avantazhe dhe disavantazhe. Merreni parasysh të paraqitni një telefon inteligjent, kompjuter laptop ose pajisje tjetër me qasje në internet dhe media shoqërore. Kërkojuni nxënësve të përshkruajnë avantazhet dhe disavantazhet e përdorimit të internetit dhe medias shoqërore kur kërkojnë njohuri. Ftojini të renditin në tabelë burimet e besueshme që njohin dhe të tregojnë përse është e rëndësishme të përdoren këto burime kur kërkohet e vërteta.

Lexo te Gjoni 8:31–32, duke kërkuar atë që Jezusi dha mësim rreth së vërtetës.

  • Çfarë mësove?

  • Si na ndihmon e vërteta të jemi të lirë?

    Merreni parasysh t’i organizoni nxënësit në grupe të vogla. Shpërndajini një copë letër secilit grup. Ftojini të mendojnë për një skenar real që përfshin adoleshentë, që lidhet me temat në pjesën “E Vërteta do t’ju Bëjë të Lirë”, në faqet 30–33. Për shembull, skenari mund të përshkruajë dikë që nuk e sheh vlerën e të mësuarit të së vërtetës, dikë që e ka të vështirë të jetojë me integritet, ose dikë që ka frikë ta diskutojë besimin e vet me të tjerët. Pasi grupet ta shkruajnë skenarin e tyre, ftojini t’i shkëmbejnë letrat me një grup tjetër.

    Ftojini nxënësit të lexojnë paragrafët 1–4 të pjesës “E Vërteta do t’ju Bëjë të Lirë” në faqen 31 dhe të përcaktojnë një parim. Ata mund të përcaktojnë një parim si ai në vijim: Të mësuarit dhe të jetuarit sipas të vërtetave të përjetshme na ndihmon të bëhemi më shumë si Ati Qiellor dhe të gjejmë paqe dhe lumturi në këtë jetë.

  • Si mund të na ndihmojë të mësuarit dhe të jetuarit sipas të vërtetave të përjetshme të bëhemi më shumë si Ati Qiellor? Si mund të të ndihmojë Jezu Krishti në këtë proces?

  • Kur ke përjetuar ti ose dikush që ti njeh paqe dhe lumturi nga të jetuarit e të vërtetave të përjetshme të ungjillit të Shpëtimtarit?

    Kërkojuni nxënësve t’i shkruajnë një përgjigje personit në skenar duke përdorur të vërtetat e përjetshme, ftesat dhe bekimet e premtuara që jepen mësim në pjesën “E Vërteta do t’ju Bëjë të Lirë”, në faqet 30–33. Ftojini disa grupe të tregojnë skenarin që morën dhe se si e përdorën informacionin te broshura Për Forcën e Rinisë për të ndihmuar.

    Për ta mbyllur, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i përgjigjen pyetjes vijuese në ditarët e tyre.

  • Çfarë ndryshimesh mund të bësh në jetën tënde për shkak të asaj që ke mësuar dhe ndier sot?

Ndërsa nxënësit studiuan “E Vërteta do t’ju Bëjë të Lirë”, në faqet 30–33, ose pjesë të tjera në broshurën Për Forcën e Rinisë, ata mund të kenë ndier nevojën për të bërë disa ndryshime në jetën e tyre. Ftojini nxënësit të kërkojnë në pjesën “Jezu Krishti do t’ju Ndihmojë” në faqet 6–9, duke kërkuar se si mund të marrin forcë nga Jezu Krishti për të ndryshuar.