“Mësimi 177 – Marrja nën Kontroll e Teknologjisë: Të Qenit të Qëllimshëm në Zgjedhjet Tona Lidhur me Teknologjinë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet (2025)
“Marrja nën Kontroll e Teknologjisë”, Manuali i Mësuesit të Seminarit për Doktrinën e Besëlidhjet
Mësimi 177: Për Forcën e Rinisë: Bërja e Zgjedhjeve
Marrja nën Kontroll e Teknologjisë
Të Qenit të Qëllimshëm në Zgjedhjet Tona Lidhur me Teknologjinë
Ne jemi të bekuar që jetojmë në një kohë me shumë teknologji. Përdorimi i teknologjisë nga ana jonë mund të na ndihmojë të afrohemi më shumë me Jezu Krishtin dhe të ndihmojë që puna e Tij të shkojë përpara. Por edhe mund të na bëjë të largohemi prej Tij. Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të zbatojnë masa mbrojtëse për të marrë nën kontroll përdorimin e teknologjisë prej tyre.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Përdorimi i teknologjisë
Merreni parasysh të paraqitni një figurë të fletëve të arta. Shpjegoni se Perëndia ia besoi fletët e arta Profetit Jozef Smith.
Lexoje vargun te Joseph Smith – Historia 1:46, duke kërkuar paralajmërimin që Moroni ia dha Jozef Smithit rreth fletëve të arta.
Merreni parasysh ta shkruani titullin Mirëpërdorimi në njërën anë të tabelës dhe titullin Keqpërdorimi në anën tjetër. Mund t’i shkruani më pas përgjigjet e nxënësve për pyetjet vijuese nën secilin titull.
-
Si do të përpiqej Satani ta bënte Jozef Smithin t’i keqpërdorte fletët e arta?
-
Si i përdori Jozef Smithi fletët e arta për mirë?
Ngrini lart një telefon celular ose paraqitni figurën e një celulari dhe thuajuni nxënësve se Perëndia ua ka besuar teknologjinë atyre.
-
Si mund ta mirëpërdorim teknologjinë?
-
Në ç’mënyra mund të ndihen adoleshentët të tunduar ta keqpërdorin teknologjinë?
Ftojini nxënësit të reflektojnë pa zhurmë për pyetjen vijuese.
-
Si po e përdorni teknologjinë në mënyrat që Zoti do të donte që ta përdorni?
Nxitini nxënësit të jenë të hapur ndaj mbresave të mënyrës se si ata mund të marrin nën kontroll përdorimin e teknologjisë prej tyre. Merreni parasysh të tregoni se, ashtu siç Zoti e udhërrëfeu Jozef Smithin t’i përdorte fletët e arta për mirë, Ai mund të na ndihmojë ne të bëjmë të njëjtën gjë me teknologjinë.
Udhërrëfimi i frymëzuar
Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë nga udhërrëfimi i frymëzuar i Zotit për marrjen nën kontroll të teknologjisë.
Një mënyrë se si mund t’i studioni pjesët vijuese është ta ndani klasën tuaj në dy grupe. Shpërndajani një pjesë secilit grup. Ftojini nxënësit ta studiojnë pjesën e tyre individualisht, t’i shkruajnë në ditarët e tyre të studimit përgjigjet e tyre për pyetjet dhe të jenë gati për ta dhënë mësim atë që mësojnë.
Përndryshe, ju mund t’i ftoni nxënësit të studiojnë cilëndo pjesë për të cilën kanë më shumë interes.
Marrja nën Kontroll e Teknologjisë
Pjesa 1. Shpenzimi i kohës në teknologji me mençuri
Në librin Doktrina e Besëlidhje, Zoti përdor termin “përfshihen me zell” dhe “përtaci”.
-
Çfarë mendon se do të thonë këto terma?
Lexoji shkrimet e shenjta në vijim dhe përsiat për atë që Zoti jep mësim rreth të qenit i përfshirë me zell dhe të qenit përtac: Doktrina e Besëlidhje 58:27–28; 60:13; 68:31; 75:3.
-
Si do ta përmblidhje atë që jep mësim Zoti?
(Ndër disa të vërteta, ti mund të përcaktosh diçka si ajo në vijim: Zoti dëshiron që të përfshihemi me zell në bërjen e së mirës dhe të mos e harxhojmë kohën tonë me përtaci.)
-
Si mund ta dallojmë nëse po e harxhojmë kohën tonë me përtaci me teknologjinë?
Studioje thënien vijuese, duke kërkuar pikëpamje rreth përdorimit të teknologjisë me mençuri.
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Një [individ] i papjekur apo i keqmësuar mund t’i kushtojë një sasi të tepruar kohe lojërave elektronike, bashkëbisedimit në rrjet, apo lejimit me mënyra të tjera që bota digjitale të mbizotërojë gjërat ashtu siç janë në të vërtetë. Fillimisht, investimi i kohës mund të duket relativisht i padëmshëm, i arsyetuar si disa minuta çlodhjeje të nevojshme prej kërkesave të një programi rraskapitës ditor. Mirëpo, kështu humbasin mundësi të rëndësishme për zhvillimin dhe përmirësimin e aftësive ndërvepruese me të tjerët. … Me kohë, zbavitja në dukje e pafajshme mund të bëhet një formë e skllavërimit shkatërrues.” (David A. Bednar, “Things as They Really Are”, Ensign, qershor 2010, f. 21)
-
Çfarë arsyesh përdorin njerëzit për ta justifikuar harxhimin e kohës me teknologji?
-
Çfarë të ndihmon të shmangësh harxhimin e kohës tënde me përtaci me teknologjinë?
-
Si mund ta përfshish Zotin në përpjekjet e tua për ta përdorur teknologjinë me mençuri?
Pjesa 2. Zgjedhja e mjeteve të mira të komunikimit dhe argëtimit
-
Çfarë zgjedhjesh lidhur me mjetet e komunikimit dhe argëtimit bën rregullisht?
-
Çfarë të kanë mësuar përvojat e tua që mund të të ndihmojnë të qëndrosh më afër Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit ndërsa bën zgjedhje rreth mjeteve të mira të komunikimit dhe argëtimit?
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 50:23–24; Nenet e Besimit 1:13; dhe Moroni 7:12–17, duke kërkuar të vërtetat që mund të na ndihmojnë të gjykojmë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe.
-
Çfarë të vërtetash gjen në këto vargje?
(Ndër disa të vërteta, ti mund të përcaktosh diçka si ajo në vijim: Ajo që të ndërton dhe të bind për të bërë të mirën është prej Perëndisë.)
-
Si mund të kishe dobi nga zbatimi i kësaj të vërtete kur zgjedh se cilat mjete të komunikimit dhe argëtimit të përdorësh?
Plaku Dejvid A. Bednar na ftoi t’i bëjmë vetes pyetjen vijuese rreth mjeteve të komunikimit dhe argëtimit që përdorim:
“Përdorimi i teknologjive dhe mjeteve të ndryshme të komunikimit, a e fton apo e pengon shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë në jetën tënde?” (David A. Bednar, “Things as They Really Are”, Ensign, qershor 2010, f. 23)
-
Si mund ta ftosh Frymën e Shenjtë ndërsa bën zgjedhje për mjetet e komunikimit dhe argëtimit?
-
Çfarë të ndihmon ta shmangësh llojin e mjeteve të komunikimit dhe argëtimit që mund të të largojë nga Shpëtimtari?
Kur nxënësit ta kenë mbaruar studimin, ftojini ata ta tregojnë atë që mësuan. Kjo mund të bëhet si klasë ose duke i vendosur nxënësit bashkë me dikë që studioi një pjesë të ndryshme. Pasi nxënësit t’i japin mësim njëri-tjetrit, merreni parasysh t’i ftoni të ushtrojnë njërën ose të dyja aftësitë vijuese për t’i ndihmuar ata ta përdorin teknologjinë në mënyrë të sigurt. Për ndihmë shtesë, mund të doni t’i drejtoni nxënësit te burimi “Taking Charge of Technology” [“Marrja nën Kontroll e Teknologjisë”], që gjendet në ChurchofJesusChrist.org.
Planifikimi paraprak mund të na ndihmojë ta marrim nën kontroll teknologjinë
Për t’i ndihmuar nxënësit ta zbatojnë atë që mësojnë, ndihmojini ata ta ushtrojnë zotësinë vijuese:
Përkufizoni: Bërja e një plani rreth mënyrës se si do ta përdorim teknologjinë mund të na ndihmojë të përfshihemi me zell në bërjen e së mirës dhe të mos e harxhojmë kohën tonë me përtaci. Kërkojeni ndihmën e Atit Qiellor kur bëni një plan.
Jepni shembull: Sigurojuni nxënësve një shembull duke i ftuar të mendojnë për mënyrat se si ata mund ta përdorin teknologjinë me sukses. Ju mund ta bëni këtë duke bërë pyetjen:
-
Cilat janë disa mënyra se si mund të planifikosh paraprakisht për të marrë nën kontroll përdorimin tënd të teknologjisë?
Disa përgjigje të mundshme janë:
-
Merre parasysh se si Ati Qiellor dëshiron që ta përdorësh teknologjinë.
-
Ki një qëllim përpara se ta përdorësh teknologjinë (për shembull, të kontaktosh me një shok ose shoqe në telefon).
-
Vendos afate kohore të përditshme për përdorimin e teknologjisë.
-
Përcakto vende pa pajisje, si dhoma e gjumit dhe banja.
-
Vëre telefonin të ushqehet në një prizë të caktuar për të gjithë familjen gjatë natës, larg nga shtrati.
-
Përdor filtra që bllokojnë përmbajtjen e papërshtatshme ose të pasigurt.
-
-
Përse mendon se pasja e një plani mund të bëjë një ndryshim?
Ushtroni: Ftojini nxënësit të kërkojnë ndihmën e Atit Qiellor për të bërë një plan për mënyrën se si ata do ta marrin nën kontroll përdorimin e tyre të teknologjisë.
Merreni parasysh të pyesni a do të ishte i gatshëm ndonjë nxënës që t’ia tregonte klasës planin e tij.
Ndalimi mund të na ndihmojë të marrim nën kontroll teknologjinë
Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë se çfarë të bëjnë kur të ndeshen me materiale të papërshtatshme, mund të jetë e dobishme aftësia vijuese:
Përkufizoni: Kur ndeshemi me materiale të papërshtatshme, ne mund të ndalojmë dhe të bëjmë një pushim nga përdorimi i teknologjisë.
Jepni shembull: Sigurojuni nxënësve një shembull duke treguar tre hapat vijues që mund t’i ndihmojnë ata të ndalojnë dhe të bëjnë një pushim nga teknologjia kur ndeshen me materiale të papërshtatshme. Gjithashtu, mund t’i drejtoni nxënësit te burimi “Marrja nën Kontroll e Teknologjisë” për më shumë ndihmë me këtë.
-
Vëreni në dukje: Kur shihni përmbajtje që është e papërshtatshme ose që ju bën të ndiheni keq, të vetmuar ose në siklet, ju mund të thoni: “Kjo nuk duket e drejtë.” Këto ndjenja mund të jenë nxitje nga Fryma e Shenjtë.
-
Bëni një zgjedhje më të mirë: Mund ta fikni pajisjen ose t’i heshtni njoftimet. Ju mund të dilni jashtë ose të zhvendoseni në një dhomë tjetër, pa një pajisje. Mund të mendoni për Jezu Krishtin ose të sillni ndër mend një shkrim të shenjtë të parapëlqyer për ta ftuar Frymën e Shenjtë të jetë me ju.
-
Lidhuni me dikë: Mund të flisni me një shok ose pjesëtar të familjes rreth mënyrës se si ndiheni. Ju mund t’i luteni Atit Qiellor.
Ushtroni: Ftojini nxënësit të mendojnë për mënyrat se si ata mund të ndalojnë dhe bëjnë një pushim kur ndeshen me materiale të papërshtatshme.
Nëse nxënësit do të donin, ata mund t’ia tregojnë idetë e tyre klasës.
Tregoje atë që mësove
-
Cila është një gjë që e mësove nga ky mësim që nuk do që ta harrosh?
Përmbylleni me dëshminë tuaj që Zoti mund të na ndihmojë ta përdorim teknologjinë në mënyrë të sigurt dhe të mençur.