“Familja”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Familja
Krijimi i Perëndisë për lumturinë tonë më të madhe
Përpara se të lindeshim, ne jetuam në qiell me prindërit tanë qiellorë. Familja është qendrore në planin e Atit Qiellor për fatin dhe lumturinë tonë hyjnore. Familja është vendi ku mund të gjejmë disa prej gëzimeve më të mëdha në këtë jetë dhe në përjetësitë. Dhe të qenit në familje mund të na ndihmojë të marrim disa prej mësimeve më të rëndësishme të jetës, mësime si shërbimi ndaj Perëndisë dhe të tjerëve.
Ne bekohemi kur ia kushtojmë kohën tonë ndërtimit të marrëdhënieve të forta me familjet tona. Zotërimet tona dhe titujt në punë nuk do të na ndjekin në jetën tjetër, por nëse bëjmë më të mirën për ta ndjekur Perëndinë dhe për t’i mbajtur besëlidhjet tona me Të, ne kemi potencialin për të qenë me familjet tona në përjetësi. Plaku L. Tom Peri dha mësim: “Në një botë plot trazira dhe pasiguri, bëhet më e rëndësishme se kurrë që ta bëjmë familjen qendrën e jetës sonë dhe përparësinë tonë kryesore”. Edhe pse asnjë familje nuk është e përsosur, ne mund të mësojmë dhe të përmirësohemi ndërsa bëjmë më të mirën që t’i duam familjet tona dhe të rritemi së bashku për t’u bërë më shumë si Perëndia.
Çfarë është Familja?
Këtu në tokë, ka shumë lloje familjesh. Një familje mund të përbëhet nga prindërit dhe fëmija ose fëmijët e tyre. Por një familje mund të jetë një çift, një prind i vetëm me fëmijë, apo një grup motrash e vëllezërish. Rrethi familjar përfshin gjyshërit, nipërit e mbesat e tyre, tetot, ungjit, kushërinjtë, fëmijët e motrave e vëllezërve dhe më shumë. Ndonjëherë ne mund t’i konsiderojmë miqtë tanë të ngushtë si familje edhe pse nuk kemi lidhje gjaku me ta. Në kuptimin më të gjerë, ne të gjithë jemi familja e Perëndisë.
Vështrim i përgjithshëm i temës: Familja
Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Everlasting Covenant [Besëlidhja e Përhershme], Jeta e Përjetshme, Martesa, Participating in Temple and Family History Work [Pjesëmarrja në Punën në Tempull dhe për Historinë Familjare], Temple Endowment and Temple Sealing [Dhurimi në Tempull dhe Vulosja në Tempull]
Pjesa 1
Familja Është Thelbësore në Planin e Perëndisë për Lumturinë
Familja është qendrore në planin e Atit Qiellor për fatin tonë të përjetshëm. Ne jetuam me prindërit tanë qiellorë përpara se të vinim në tokë dhe familjet tona këtu ndjekin atë model të dhënë nga Perëndia.
Një arsye pse vijmë në tokë në familje, është që prindërit t’u mësojnë fëmijëve të tyre ungjillin dhe t’i ndihmojnë ata të kenë jetë të lumtur e kuptimplotë. Kjo ndihmon që të përmbushet plani i Atit tonë Qiellor për të na dhënë mundësi për të mësuar e për t’u rritur dhe për t’u bërë më tepër si Ai.
Gjëra për t’i menduar
-
Lexojeni dhe përsiateni vargun te Moisiu 5:12. Merrini parasysh të vërtetat dhe mësimet e rëndësishme që këta prindër mund t’u kenë mësuar fëmijëve të tyre. Motra Tamara Runia dha mësim se “familjet janë një laborator i dhënë nga Perëndia ku ne po i zbulojmë gjërat, kështu që hapat e gabuar dhe llogaritjet e gabuara jo thjesht që mund të ndodhin, por ka të ngjarë që të ndodhin. Dhe a nuk do të jetë interesante nëse, në fund të jetës sonë, ne mund të shohim se ato marrëdhënie, madje ato çaste sfiduese, ishin pikërisht gjërat që na ndihmuan të bëhemi më shumë si Shpëtimtari ynë? … Marrëdhëniet familjare [janë] një mjet [i] fuqishëm për të na dhënë ato mësime për të cilat erdhëm këtu që t’i mësojmë.” Si mendoni ju, pse familjet janë thelbësore për planin e Perëndisë? Si ju kanë ndihmuar përvojat tuaja në familjen tuaj të rriteni dhe të bëheni më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti? Si mund të ndikojë të menduarit për jetën tuaj familjare si një “laborator” në mënyrën se si i shihni papërsosuritë e familjes suaj?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Presidenti Gordon B. Hinkli dha këtë këshillë: “Zoti ka urdhëruar që ne duhet të martohemi, që të jetojmë së bashku në dashuri, paqe dhe harmoni, që të kemi fëmijë dhe t’i rritim ata në rrugët e Tij të shenjta. … Në fund të fundit, ky është qëllimi i ungjillit. Familja është një krijim i Perëndisë. Është krijimi bazë. Mënyra për të forcuar kombin, është forcimi i shtëpive të njerëzve.” Diskutoni pse Perëndia na dërgoi në tokë në familje dhe si ndihmon kjo që plani i Tij të përmbushet. Si mund të ndihmojë forcimi i shtëpive tona në forcimin e komuniteteve tona? Për ta ilustruar këtë ide, mund të luani një lojë që kërkon të punoni së bashku. Për shembull, mund të krijoni një nyjë njerëzore (të formoni një rreth dhe të bëni që gjithsecili të kapë duart e dy njerëzve të ndryshëm) dhe të punoni së bashku për t’u zgjidhur pa e lëshuar dorën e njëri‑tjetrit. Ose mund të organizoheni në një rresht, pa folur, bazuar në ndonjë karakteristikë (të tilla si rendi i muajit të lindjes, ngjyra e syve ose gjatësia). Më pas flisni se si të punuarit së bashku si familje ndihmon në përmbushjen e qëllimeve të Atit Qiellor për fëmijët e Tij.
Mësoni më shumë
-
D. Tod Kristoferson, “Përse Martesa, Përse Familja”, Liahona, maj 2015, f. 50–53
Pjesa 2
Perëndia u Ka Dhënë Prindërve Përgjegjësi të Rëndësishme
Ati Qiellor u ka dhënë prindërve përgjegjësinë për fëmijët e Tij shpirtërorë të dashur ndërsa ata janë këtu në tokë. Ai i ka urdhëruar prindërit që t’i rritin fëmijët e tyre “në dritë e të vërtetë” (Doktrina e Besëlidhje 93:40). Profetët kanë thënë gjithashtu: “Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për t[’i] rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi, për të plotësuar nevojat e tyre fizike dhe shpirtërore”. Kur familjet nuk janë në gjendje të sigurojnë gjithçka që nevojitet, Kisha mund të ndërhyjë dhe të ndihmojë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 52:40; 83:1–6; 136:8).
Ndërsa prindërit e dashur i rritin fëmijët bashkë, ata kanë mundësinë më të mirë për të siguruar e për t’i ushqyer ata fëmijë fizikisht, shpirtërisht dhe emocionalisht. Prindërit dhe fëmijët bekohen kur prindërit e japin mësim ungjillin e Jezu Krishtit në shtëpi (shihni te Doktrina e Besëlidhje 68:25–28). Ndonjëherë prindërit nuk janë në gjendje t’i rritin fëmijët bashkë; në raste të tilla, Zoti do t’i bekojë ata ndërsa bëjnë më të mirën për t’i mbajtur besëlidhjet e tyre dhe për ta ndjekur vullnetin e Tij.
Gjëra për t’i menduar
-
Lexojini rrëfimet vijuese të prindërve që mësuan fëmijët e tyre: Mosia 1:2–8; Helamani 5:4–12. (Mund të lexoni edhe te Ligji i Përtërirë 6:4–7; 11:19–21; Isaia 54:13; 2 Nefi 25:26 për ide shtesë rreth prindërimit.) Çfarë parimesh të ungjillit dhanë mësim këta prindër? Përse këto parime janë të rëndësishme që fëmijët t’i mësojnë sot? Si mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj ose njerëzit tuaj të tjerë të dashur që t’i mësojnë dhe jetojnë ato të vërteta? Ju mund të sillni ndërmend edhe prindër të tjerë shembullorë që njihni. Çfarë mësoni prej tyre rreth mënyrës se si prindërit e drejtë i mësojnë fëmijët e Perëndisë?
-
Presidenti Rasëll M. Nelson ka këshilluar: “Mos u përpiqni t’i vini nën kontroll fëmijët tuaj. Në vend të kësaj, i dëgjoni ata, i ndihmoni të mësojnë ungjillin, i frymëzoni ata dhe i udhëhiqni drejt jetës së përjetshme. Ju jeni mjetet e Perëndisë për t’u kujdesur për fëmijët me të cilët Ai ju ka besuar. Lëreni ndikimin e Tij hyjnor të qëndrojë në zemrën tuaj, ndërsa [i] mësoni dhe bindni të tjerët.” Si mund ta nderoni mirëbesimin që ju ka dhënë Perëndia, duke ua mësuar me zell ungjillin fëmijëve tuaj? Si mund ta respektoni lirinë e zgjedhjes së fëmijëve tuaj ndërsa i drejtoni ata drejt jetës së përjetshme? Merreni në shqyrtim se si mund ta lini ndikimin e Tij që t’ju udhëheqë çdo ditë në përpjekjet tuaja.
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Lexoni së bashku te Moisiu 3:21–24. Më pas lexoni këtë mendim nga Plaku Nil L. Andersen: “Që nga fillimi fare, Perëndia e [filloi] martesën midis një burri dhe një gruaje – Adamit dhe Evës. Ai i përcaktoi qëllimet e martesës që të shtrihen përtej kënaqësisë dhe arritjes vetjake të të rriturve dhe, më e rëndësishme, duke përparuar drejt një vendndodhjeje ideale ku fëmijët të linden, rriten dhe ushqehen shpirtërisht. Familjet janë thesari i qiellit.” Mund të përdorni një kuti thesari ose të shikoni figurën shoqëruese ndërsa flisni për fragmentin e shkrimit të shenjtë dhe thënien nga Plaku Andersen. Më pas mund të shkruani një gjë që mund të ndihmojë të krijohet një mjedis ideal që fëmijët të mësojnë ungjillin dhe të rriten në të.
-
Shikojeni figurën shoqëruese dhe flisni pse themeli i një shtëpie është kaq i rëndësishëm. Plaku Ted R. Kelister ka dhënë mësim: “Si prindër, ne duhet të jemi mësuesit dhe shembujt kryesorë të ungjillit për fëmijët tanë – jo peshkopi, Shkolla e së Dielës, Të Rejat apo Të Rinjtë, por prindërit. Si mësuesit e tyre kryesorë të ungjillit, ne mund t’u mësojmë atyre për fuqinë dhe realitetin e Shlyerjes – për identitetin e tyre dhe fatin e tyre hyjnor – dhe duke vepruar kështu, t’u japim një themel prej shkëmbi mbi të cilin të ndërtojnë. Në fund të fundit, shtëpia është mjedisi i përkryer për mësimdhënien e ungjillit të Jezu Krishtit.” Mund të flisni për rëndësinë e mundësive të strukturuara të mësimdhënies së ungjillit, por të diskutoni edhe se si mësimdhënia ndaj fëmijëve tanë ndodh shpesh në mënyrë të natyrshme ndërsa përfshihemi në veprimtaritë tona të përditshme. Tregojini përvojat që keni pasur me çastet e mësimdhënies joformale, dhe çfarë keni mësuar nga këto përvoja. Si mund të ndihmojnë këto biseda të rregullta e të natyrshme për të siguruar që fëmijët dhe rinia të kenë një themel të fortë ungjilli mbi të cilin të ndërtojnë dëshmitë e veta? Shënojini idetë tuaja dhe veproni sipas çfarëdo përshtypjeje që merrni.
Mësoni më shumë
-
Fjalët e Urta 22:6; Efesianëve 6:1–4; Mosia 4:14–15; 3 Nefi 18:21; Doktrina e Besëlidhje 88:119–120
-
M. Rasëll Ballard, “Kujtoni Atë që Është Më e Rëndësishmja”, Liahona, maj 2023, f. 105–107
-
Diter F. Uhtdorf, “Jezu Krishti Është Forca e Prindërve”, Liahona, maj 2023, f. 55–59
-
Dejvid A. Bednar, “Më të Zellshëm dhe më të Përfshirë në Shtëpi”, Liahona, nëntor 2009, f. 17–20.
-
“Shtëpia dhe Familja”, te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit (2022), f. 30–31
Pjesa 3
Perëndia Siguron një Mënyrë për t’i Bashkuar Familjet për Përjetësinë
Një nga bekimet më të mëdha të ungjillit të Jezu Krishtit, është se, nëse mbetemi besnikë ndaj besëlidhjeve që bëjmë, marrëdhëniet tona familjare mund të vazhdojnë pas kësaj jete, madje për përjetësi. Presidenti Dallin H. Ouks ka dhënë mësim: “Ungjilli i rivendosur na siguron se Ringjallja mund të përfshijë mundësinë që të jemi me pjesëtarët e familjes sonë – bashkëshortin, bashkëshorten, fëmijët dhe prindërit. Kjo është një nxitje e fuqishme që ne t’i përmbushim përgjegjësitë tona familjare në vdekshmëri. Na ndihmon të jetojmë së bashku në dashuri në këtë jetë, në pritje për bashkimet dhe shoqërimet e gëzueshme në jetën tjetër.”
Nëse i zbatojmë urdhrat e Zotit dhe familjet tona vulosen në tempullin e Tij të shenjtë, Ai premton se ne mund të kemi jetë të përjetshme me familjet tona. Ne mund ta marrim këtë bekim përfundimtar edhe nëse nuk jemi aktualisht të martuar ose nuk kemi fëmijë apo edhe nëse pjesëtarët e familjes sonë nuk kanë pasur mundësinë ta pranojnë ungjillin gjatë jetës së tyre. Asnjë nga bekimet e Perëndisë nuk do t’u mohohet atyre që janë të denjë për to.
Gjëra për t’i menduar
-
Presidenti Nelson ka premtuar: “Për shkak të planit të madh të Perëndisë për lumturinë, familjet mund të vulosen në tempuj dhe të përgatiten që të kthehen për të banuar në praninë e Tij të shenjtë përgjithmonë. Kjo është jeta e përjetshme! Ajo përmbush dëshirat më të thella të shpirtit njerëzor – dëshirën natyrore për shoqërimin e vazhdueshëm me anëtarë të dashur të familjes së një individi.” Merreni parasysh gëzimin që mund të keni me “shoqërimin e vazhdueshëm” me familjen tuaj. Ku jeni në shtegun për ta arritur këtë synim? Cili është hapi tjetër i familjes suaj në atë shteg? Nëse keni një situatë të vështirë familjare ku një “shoqërim [i] vazhdueshëm” me dikë mund t’ju duket gjithçka përveçse diçka ideale, si mund ta ftoni fuqinë e Shpëtimtarit për të ndihmuar në shërimin e marrëdhënieve tuaja familjare?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Ju mund të shikoni së bashku materialin filmik “Families Can Be Together Forever” [“Familjet Mund të Jenë së Bashku Përgjithmonë”] (3:10). Flisni rreth këshillës së Presidentit Henri B. Ajring, për dashurinë brenda një familjeje. Çfarë na kujtojnë fjalët e fundit të Presidentit Ajring në materialin filmik? Më pas lexojeni këtë mësim nga Presidenti Nelson: “Kjo jetë është koha për t’u përgatitur për shpëtim dhe ekzaltim. Ndërsa shpëtimi është një çështje individuale, ekzaltimi është një çështje familjare.” Ju mund të argëtoheni duke përgatitur diçka së bashku, si për shembull të bëni një ëmbëlsirë të parapëlqyer ose të përgatitni një vakt të parapëlqyer. Më pas mund të flisni pse përgatitja shpirtërore është thelbësore për të marrë ekzaltimin dhe për të qenë së bashku përgjithmonë si familje.
Mësoni më shumë
-
Henri B. Ajring, “Tempullin Shum’ Dua t’Shoh”, Liahona, maj 2021, f. 28–31
-
D. Tod Kristoferson, “Fuqia Vulosëse”, Liahona, nëntor 2023, f. 19–22