Biblioteka
Pjesëmarrja në Punën në Tempull dhe për Historinë Familjare


“Pjesëmarrja në Punën në Tempull dhe për Historinë Familjare”, Tema dhe Pyetje (2023)

të rinj e të reja duke ecur jashtë tempullit

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Pjesëmarrja në Punën në Tempull dhe për Historinë Familjare

Një pjesë thelbësore e planit të Perëndisë

Përfytyroni një pemë të bukur që ka rrënjë të cilat shkojnë thellë në tokë, dhe degë që shtrihen në drejtime të shumta. Këto rrënjë dhe degë veprojnë së bashku për ta ndihmuar pemën të rritet dhe të mbetet e fortë vit pas viti.

Ashtu si një pemë, familjet tona janë të bashkuara nëpërmjet rrënjëve dhe degëve, ose paraardhësve dhe pasardhësve. Të dyja janë të rëndësishme për t’i ndihmuar familjet tona të lulëzojnë. Kur mësojmë për paraardhësit tanë, ne mund të marrim forcë e përkrahje. Dhe kur bëjmë punën në tempull për paraardhësit tanë, ata mund të marrin ordinanca dhe besëlidhje të rëndësishme shpëtuese. Së bashku, ne e ndihmojmë njëri‑tjetrin të rritet dhe të lulëzojë, jo vetëm në familjet tona, por si pjesëtarë të familjes së përjetshme të Perëndisë.

Çfarë Është Puna në Tempull dhe për Historinë Familjare?

Puna në tempull dhe për historinë familjare është “një pjesë jetësore e punës së shpëtimit e të ekzaltimit”. Anëtarët e Kishës kanë privilegjin dhe përgjegjësinë për të marrë pjesë në veprën e rëndësishme për gjetjen e emrave të paraardhësve të tyre dhe më pas kryerjen e ordinancave shpëtuese për ta në tempuj. Njerëzit që kanë vdekur, mund të zgjedhin t’i pranojnë këto ordinanca në botën e shpirtrave. Nëpërmjet punës në tempull, familjet bashkohen dhe vulosen për përjetësinë. Perëndia i fton të gjithë fëmijët e Tij që t’i marrin këto bekime dhe të kthehen të jetojnë me Të.

Vështrim i përgjithshëm i temës: Historia Familjare

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Familja, Tempujt, Vicarious Ordinances for the Dead [Ordinancat me Mëkëmbës për të Vdekurit], Covenants and Ordinances [Besëlidhjet dhe Ordinancat]

Pjesa 1

Puna për Historinë Familjare na Lidh me Paraardhësit Tanë dhe Njerëzit Tanë të Dashur

Tempulli i Bangkokut, Tajlandë

Kur mësojmë, mbledhim dhe ruajmë informacione rreth paraardhësve tanë, mund të ndihemi më të lidhur me ata që kanë ikur përpara nesh. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Kur zemrat tona kthehen te paraardhësit tanë, diçka ndryshon brenda nesh. Ne ndihemi pjesë e diçkaje më të madhe se vetvetja.” Puna e historisë familjare mund t’i forcojë edhe marrëdhëniet tona aktuale familjare. Kur u tregojmë ngjarje pjesëtarëve të familjes rreth paraardhësve tanë, kjo mund të na ndihmojë të afrohemi më shumë së bashku dhe të kemi një kuptim më të madh se kush jemi dhe nga kemi ardhur.

Gjëra për t’i menduar

  • Në bisedën e tij në konferencën e përgjithshme “Rrënjët dhe Degët, Plaku Kuentin L. Kuk i nxiti familjet të mblidhen që të mësojnë për jetën e pjesëtarëve të familjes së tyre. Këto mbledhje mund të përfshijnë tregimin e historive familjare, ngjarjeve, fotografive ose zotërimeve të dashura të prindërve apo gjyshërve. Pjesëtarët e familjes që ndihen mirë me përdorimin e teknologjisë, duke përfshirë të rinjtë, mund të ngarkojnë më pas informacione dhe fotografi te Pema e tyre Familjare. Merreni parasysh organizimin e këtij lloj takimi me familjen tuaj. Çfarë aftësish ka secili person që mund t’ju ndihmojnë të mësoni për historinë tuaj të përbashkët familjare? Përsiatni se si bërja e historisë suaj familjare së bashku mund të ndihmojë për bashkimin e brezave dhe forcimin e lidhjeve tuaja me njerëzit tuaj të dashur. Pastaj filloni të ndërmerrni hapa të thjeshtë për të planifikuar një mbledhje familjare tuajën. Mund të ftoni edhe pjesëtarë të familjes suaj të ndihmojnë gjatë këtij procesi.

  • Shkrimet e shenjta janë plot me shembuj për historinë familjare. Lexoni tek Ethëri 1 për një shembull nga Libri i Mormonit. Në ç’mënyrë është përmbledhja e Moronit për shkrimet e Ethërit njësoj si bërja e historisë familjare? Çfarë të vërtetash mësojmë nga ky kapitull për shkak se u shkrua dhe u ruajt? (Shihni tek Ethëri 1:35–37, 40–43). Përsiatni se si jeni bekuar nga “historitë familjare” që janë shënuar në shkrimet e shenjta. Si mund të përfitonin brezat që ju pasojnë, nga historitë tuaja dhe ato të paraardhësve tuaj?

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Kur mendoni për historinë familjare, ndoshta mendimet tuaja së pari shkojnë te kërkimet dhe të dhënat historike. Por historia familjare përfshin edhe të mësuarit për pjesëtarët e familjes suaj që janë gjallë, dhe zbulimin e lidhjeve me paraardhësit tuaj. Shqyrtojeni së bashku bisedën e Plakut Gerit W. Gong “Secili prej Nesh e Ka një Histori dhe më pas bëni një projekt që përfshin të mësuarit më tepër për veten tuaj, pjesëtarët e familjes suaj apo paraardhësit tuaj. Mund të vizatoni apo të pikturoni një pemë me rrënjë e degë që përfshin emrat e paraardhësve tuaj ose të bëni një libër që i rrok disa nga historitë e tyre. Më pas diskutoni se si bërja e historisë familjare ju lidh me familjen tuaj, përfshirë ata që kanë ikur përpara jush.

  • Plaku Kuentin L. Kuk dha mësim: “Kur mësojmë për sprovat dhe vështirësitë me të cilat u përballën paraardhësit tanë, dashuria dhe vlerësimi ynë për ta rritet”. Ju mund të mësoni rreth njërit/njërës prej paraardhësve/paraardhëseve tuaj/a dhe sprovave që ai ose ajo përjetoi, dhe më pas t’ia tregoni atë histori grupit. Ju gjithashtu mund të shfaqni një fotografi ose të sillni një send që përfaqëson paraardhësin/en tuaj. Diskutoni për përshtypjen që ju kanë lënë këto histori dhe si ju kanë ndihmuar të vlerësoni se nga keni ardhur.

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Ne Kemi Përgjegjësinë të Marrim Pjesë në Punën në Tempull dhe për Historinë Familjare për t’i Ndihmuar Fëmijët e Perëndisë të Marrin Jetën e Përjetshme

familje që plotëson historinë e vet familjare

Perëndia dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij të marrin jetën e përjetshme dhe u ka dhënë atyre ordinanca dhe besëlidhje shpëtuese për t’i ndihmuar ata të kthehen tek Ai. Këto ordinanca dhe besëlidhje janë në dispozicion në tempull ose në shtëpinë e Zotit.

Shumë njerëz që kanë vdekur, nuk patën mundësinë të mësonin rreth Jezu Krishtit ose të merrnin ordinancat shpëtuese të ungjillit të Tij gjatë jetës së tyre në vdekshmëri. Ata po presin në botën e shpirtrave që njerëzit që janë në tokë, të bëjnë punën e tyre në tempull për ta. Tek ata që po presin që kjo punë të kryhet, mund të përfshihen edhe familjarët tanë të vdekur. Duke zbuluar emrat e këtyre paraardhësve, ne mund të kryejmë ordinanca në emër të tyre në tempuj. Në botën e shpirtrave, individi i vdekur mund të zgjedhë ta pranojë ungjillin e Jezu Krishtit si dhe këto ordinanca dhe të marrë shpëtimin dhe ekzaltimin dhe të bashkohet me familjen e vet për përjetësi.

Gjëra për t’i menduar

  • Merreni parasysh se si marrja e ordinancave për të vdekurit mund t’ju ndihmojë të ndiheni më të lidhur me qiellin. Më pas, lexojini dy historitë në bisedën e Plakut Gerit W. Gong “Të Lumtur dhe Përgjithmonë”, rreth anëtarëve të Kishës që patën përvoja shpirtërore të pazakonta e të drejtpërdrejta duke marrë pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare. Përsiatni se si pjesëmarrja juaj në punën në tempull dhe për historinë familjare mund të sjellë paqe, shpresë apo shërim në jetën tuaj dhe t’ju ndihmojë të mësoni më tepër rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit.

  • Në bisedën e tij “Të Mbledhësh Familjen e Perëndisë”, Presidenti Henri B. Ajring, dëshmon se zemrat e fëmijëve të Perëndisë po kthehen tek etërit e tyre (shihni te Malakia 4:5–6; 3 Nefi 25:5–6; Joseph Smith – Historia 1:39). Ai tha: “Shumë prej paraardhësve tuaj nuk i morën ato ordinanca. Por, me anë të përkujdesit të Perëndisë, ju i morët. Dhe Perëndia e dinte se ju do të ndienit tërheqje nga dashuria për paraardhësit tuaj dhe se ju do të kishit teknologjinë e nevojshme për t’i gjetur ata. Ai e dinte gjithashtu se ju do të jetonit në një kohë kur mundësia për të hyrë në tempujt e shenjtë, në të cilët mund të kryhen ordinancat, do të ishte më e madhe se kurdoherë në histori. Dhe Ai e dinte se Ai mund t’ju besonte për ta përmbushur këtë punë në emër të paraardhësve tuaj.”

    Si e rrit mirëbesimi te Perëndia dëshirën tuaj për t’i ndihmuar paraardhësit tuaj të marrin bekimet e tempullit prej Tij? Si e forcon largpamësia e Tij dëshminë tuaj se Ai ka një plan për familjen e Tij të përjetshme? Përsiatni se si mund të ndihmoni më me qëllim në veprën e Perëndisë dhe më pas të veproni sipas çdo përshtypjeje që merrni.

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Në një ceremoni mortore më 15 gusht 1840, Jozef Smithi dha mësim se burrat dhe gratë mund të pagëzoheshin për të vdekurit. Ky lajm ishte aq emocionues për shenjtorët, saqë ata “filluan pothuajse menjëherë të pagëzoheshin për njerëzit e dashur që kishin vdekur, në lumenjtë dhe përrenjtë pranë Navusë”. Merreni parasysh të lexoni së bashku “Letters on Baptism on the Dead” [“Letra për Pagëzimin e të Vdekurve”] për të mësuar më shumë rreth kohës se kur u dha doktrina për pagëzimin e të vdekurve. Më pas diskutoni për arsyen pse, si të gjallët edhe të vdekurit, kanë nevojë për njëri‑tjetrin. Çfarë do të thotë që “ne pa ta nuk mund të bëhemi të përsosur; as ata pa ne nuk mund të bëhen të përsosur”? (Doktrina e Besëlidhje 128:18.) Si i përgatit puna në tempull dhe për historinë familjare të gjallët dhe të vdekurit për jetën e përjetshme? Ju gjithashtu mund të shikoni materialin filmik “What Are Baptisms for the Dead?” [“Çfarë Janë Pagëzimet për të Vdekurit?”] dhe të flisni rreth mënyrës se si pjesëmarrja në punën në tempull dhe për historinë familjare mund të sjellë të njëjtin gëzim për ju siç bëri për shenjtorët e hershëm.

  • Plaku Dejll G. Renland dha mësim: “Si anëtarë të Kishës, ne kemi vërtet një përgjegjësi të caktuar në mënyrë hyjnore për t’i kërkuar paraardhësit tanë dhe për t’i grumbulluar historitë familjare. … Është mahnitëse aq sa të lë pa frymë fakti që, nëpërmjet historisë familjare dhe punës në tempull, ne mund të ndihmojmë për t’i shëlbuar të vdekurit.” Shqyrtojeni këtë bisedë së bashku dhe më pas si grup vendosni një synim që lidhet me punën në tempull dhe për historinë familjare. Për shembull, secili prej jush mund të vendosë të sjellë një emër të familjes në tempull dhe të bëjë një ordinancë për atë paraardhës. Ose mund të merrni pjesë në indeksimin në FamilySearch për t’i ndihmuar të tjerët të gjejnë emrat e paraardhësve të tyre. Si e thellon dëshirën tuaj për të bërë punën në tempull dhe për historinë familjare njohuria se shëlbimi i të vdekurve është një përgjegjësi e caktuar në mënyrë hyjnore? Si jeni ndier të udhëhequr nga Shpirti në përpjekjet tuaja? Diskutoni me njëri‑tjetrin për përvojat tuaja dhe tregoni se çfarë bekimesh keni marrë duke përmbushur këtë përgjegjësi të rëndësishme.

Mësoni më shumë