“Përkushtimi”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Përkushtimi
Të përkushtosh diçka për një qëllim të shenjtë
A ke pasur ndonjëherë dikë aq shumë për zemër sa do të bëje gjithçka për të? Për t’ia kushtuar veten atij njeriu duhet kohë dhe ngulm, por gjithashtu kjo e thellon marrëdhënien tuaj me njëri‑tjetrin.
Ky lloj kushtimi vullnetar na kujton atë se çfarë do të thotë t’ia përkushtojmë veten Zotit. Nëpërmjet përkushtimit, ne ia kushtojmë veten Perëndisë ngaqë e duam. Ndërsa e bëjmë këtë, forcojmë marrëdhënien tonë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
Çfarë Është Përkushtimi?
Përkushtimi është veçimi i diçkaje si të shenjtë për punën e Zotit. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme ia kushtojnë vullnetarisht kohën, talentet dhe mjetet e tyre themelimit të mbretërisë së Perëndisë. Sikurse dha mësim Plaku Dejvid A. Bednar, përkushtimi “merr shtysë nga dashuria hyjnore dhe prodhon një dëshirë të rritur për të shërbyer”. Në tempull, anëtarët e Kishës besëlidhin që të jetojnë ligjin e përkushtimit. Forma më e lartë e përkushtimit është të japim gjithçka që jemi dhe gjithçka që mund të bëhemi, për ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë.
Vështrim i përgjithshëm i temës: Përkushtimi
Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Besëlidhjet dhe Ordinancat, Sakrifica/Flijimi, Dhurimi dhe Vulosja në Tempull, Përkujdesja për Njerëzit në Nevojë
Pjesa 1
Nëpërmjet Përkushtimit Zoti na Ndihmon të Bëhemi të Shenjtë siç Është Ai
Kur ia përkushtojmë diçka Perëndisë, ia përkushtojmë atë ngritjes së mbretërisë së Zotit. Ndërsa ia përkushtojmë diçka Perëndisë nga dashuria për Të, ajo bëhet e shenjtë.
Ndërkohë që mund t’ia përkushtojmë kohën, talentet dhe mjetet tona Zotit, “përkushtimi i vërtetë është t’ia japësh veten Perëndisë”. Në këtë kuptim, përkushtimi në të vërtetë nuk është një ngjarje ose një ritual i heqjes dorë nga diçka, ai është një proces që na ndihmon të arrijmë ta njohim Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Teksa e ndjekim shembullin e Jezu Krishtit të të jetuarit të një jete të përkushtuar, ne mund të bëhemi të shenjtë sikurse është Ai.
Gjëra për t’i menduar
-
Duhet kohë dhe përpjekje për t’ia përkushtuar veten Perëndisë. Merreni parasysh të lexoni te Doktrina e Besëlidhje 4:2 dhe të përsiatni se çfarë do të thotë t’i shërbeni Perëndisë “me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj”. Si mund t’i afroheni pak më shumë përkushtimit të “gjith[çkaje]” tuajën për Zotin? A mund t’i përkushtoni diçka Atij që do t’ju ndihmonte ta njihnit më mirë Atë? Veproni sipas çdo mbrese që merrni.
-
Zoti gjithashtu mund të na bekojë duke i përkushtuar ose duke i bërë të shenjta, sprovat tona. Në Librin e Mormonit, Lehi i tha të birit, Jakobit, se Zoti “do t’i shenjtëro[nte] hidhërimet e t[ij] për të mirë”. Lexojini fjalët e tij te 2 Nefi 2:1–2. Si jua ka shenjtëruar Zoti sfidat që të jenë për të mirën tuaj? Si ju ka ndihmuar Ai t’i përdorni ato përvoja për t’u bekuar jetën të tjerëve? Mbajeni shënim çdo mendim që keni rreth mënyrës se si sprovat ju kanë bërë më të shenjtë dhe ju kanë sjellë më pranë Krishtit.
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Në një fjalim në një takim shpirtëror mbarëbotëror të vitit 2017 me titull “Profetët, Udhëheqja dhe Ligji Hyjnor”, Presidenti Rasëll M. Nelson i ftoi të rinjtë e të rejat në moshë madhore t’ia përkushtojnë ca nga koha e tyre studimit rreth Jezu Krishtit. Ai tha: “Nëse vazhdoni të mësoni gjithçka mundeni rreth Jezu Krishtit, ju premtoj se dashuria juaj për Të dhe për ligjet e Perëndisë, do të rritet përtej asaj që mund të përfytyroni tani. Ju premtoj se do të shtohet edhe aftësia juaj për t’u larguar nga mëkati. Dëshira juaj për t’i mbajtur urdhërimet do të ngrihet në qiell. Do ta gjeni veten më në gjendje për t’iu ikur argëtimeve dhe ngatërresave të atyre që i përqeshin ndjekësit e Jezu Krishtit.” Rishikojeni bisedën e Presidentit Nelson së bashku dhe më pas dëgjojeni ose këndojeni himnin “Take Time to Be Holy” [“Gjej Kohën për të Qenë i Shenjtë”]. Si mund t’ju ndihmojë përkushtimi i kohës për studimin rreth Jezu Krishtit që të bëheni të shenjtë? Ndoshta mund t’i jepni ide njëri‑tjetrit rreth mënyrës se si t’ia përkushtoni më mirë kohën të mësuarit rreth Tij. Veproni sipas çdo mbrese që merrni.
-
Përkushtimi i diçkaje Perëndisë që Ai ta përdorë, mund të tingëllojë e vështirë, por një jetë e përkushtuar në fakt ndërtohet nëpërmjet zgjedhjeve të thjeshta që bëjmë përditë. Në konferencën e përgjithshme të prillit 2015, Presidenti Diter F. Uhtdorf dha mësim: “Me durim e këmbëngulje, edhe veprimi më i vogël i dishepullimit ose thëngjilli më i imtë i besimit mund të bëhet një zjarr bubulak plot shkëlqim i një jete të përkushtuar. Në fakt, ajo është mënyra se si shumica e zjarreve bubulakë fillojnë – nga një shkëndijë e vetme.” Shikojeni këtë material filmik që tregon se si ndizet një zjarr bubulak. Ose, nëse jeni në një vend ku do të ishte e sigurt ta bënit, ndizni një zjarr në mjedis të hapur së bashku. Diskutoni gjëra në dukje të vogla, të përditshme, të cilat mund t’ia përkushtoni Zotit që t’ju ndihmojë të bëheni më të shenjtë sikurse është Ai.
Mësoni më shumë
-
Diter F. Uhtdorf, “Gjithçka Kemi me Gjithë Zemër”, Liahona, maj 2022, f. 122–124
-
D. Tod Kristoferson, “Mendime mbi një Jetë të Përkushtuar”, Liahona, nëntor 2010, f. 16–19
-
Neal A. Maxwell, “Consecrate Thy Performance”, Ensign, maj 2002, f. 36–38
Pjesa 2
Në Tempuj, Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme Besëlidhin që t’i Binden Ligjit të Përkushtimit
Në shtëpinë e Zotit, shenjtorët e ditëve të mëvonshme besëlidhin që ta jetojnë ligjin e përkushtimit. Duke e jetuar ligjin e përkushtimit, anëtarët ndihmojnë për t’u kujdesur për nevojat fizike dhe shpirtërore të të tjerëve dhe e çojnë më tej punën e Zotit në tokë. Mbajtja e besëlidhjes për ta jetuar ligjin e përkushtimit mund të sjellë shumë bekime, përfshirë “qasje më të madhe te fuqia e Perëndisë dhe te dashuria, paqja, ngushëllimi dhe gëzimi afatgjatë”.
Gjëra për t’i menduar
-
Ligji i përkushtimit është i përjetshëm. Ai u jetua në lashtësi në periudha të ndryshme nga ndjekësit e Perëndisë dhe u rivendos në ditët e mëvonshme. Mund të lexoni rreth përkushtimit te Veprat e Apostujve 4:32; 4 Nefi 1:1–3 dhe Moisiu 7:18. Çfarë mendoni se do të thotë t’i kemi “të gjitha gjërat e përbashkëta” dhe të jemi të “një zemre dhe të një mendjeje” me të tjerët? Si mund t’i ndiqni këto ideale teksa përpiqeni fort ta jetoni ligjin e përkushtimit? Shkruajeni dhe më pas veproni sipas çdo mbrese që merrni.
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Një mënyrë se si mund ta jetojmë ligjin e përkushtimit, është duke i ndihmuar të tjerët të plotësojnë nevojat e tyre materiale dhe shpirtërore. Si grup, lexoni te Mosia 4:26 dhe më pas këndoni himnin “A Kam Bër’ Ndonjë të Mir’?” Bisedoni rreth mënyrave se si mund t’i ndihmoni ata që janë në nevojë, nëpërmjet dhënies së shërbesës, së dhjetës, ofertave të agjërimit, projekteve të bamirësisë dhe llojeve të tjera të shërbimit. Mund edhe të planifikoni një vepër shërbimi si grup. Mund edhe t’i tregoni njëri‑tjetrit përvoja vetjake që tregojnë se si ndihma ndaj dikujt në nevojë jua ka bekuar jetën dhe ju ka sjellë më pranë Jezu Krishtit.
-
Një mënyrë tjetër se si e jetojmë ligjin e përkushtimit, është kur bëjmë më të mirën për të përmbushur thirrjet dhe detyrat tona në Kishë. Presidenti Henri B. Ajring dha mësim: “Një thirrje për të shërbyer duhet të jetë fillimisht një çështje e zemrës. Është nëpërmjet dhënies së gjithë zemrës sonë Mësuesit dhe zbatimit të urdhërimeve të Tij, që ne mund ta njohim Atë. Me kohën, nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes, zemra jonë ndryshon dhe ne mund të bëhemi si Ai.” Ftojini anëtarët e grupit të mendojnë për dikë në jetën e tyre që ka shërbyer në një thirrje me gjithë zemër. Tregojini njëri‑tjetrit atë që keni mësuar nga shembulli i të jetuarit me përkushtim i atij personi, dhe mënyrën se si besoni se kjo ka sjellë ndryshim në jetën e të tjerëve.
Mësoni më shumë
-
Henri B. Ajring, “Mundësi për të Bërë Mirë”, Liahona, maj 2011, f. 22–26
-
Church History Topics, “Consecration and Stewardship”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]