Biblioteka
Mbledhja e Izraelit


“Mbledhja e Izraelit”, Tema dhe Pyetje (2023)

bashkësi e Kishës duke kënduar

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Mbledhja e Izraelit

Kauza më e madhe në tokë sot

A i keni fryrë ndonjëherë një bime si luleradhiqja dhe a e keni parë se si shpërndahen farat? Çfarë do të duhej për t’i mbledhur sërish të gjitha ato fara? Duket e pamundur. Mirëpo të gjitha gjërat janë të mundura për Perëndinë.

Dhiata e Vjetër tregon për një lloj tjetër shpërndarjeje, kur populli i besëlidhjes së Perëndisë u “shpërnda me shakullimë midis gjithë kombeve” (Zakaria 7:14). Por nëpërmjet profetëve të Tij, Zoti premtoi se ata një ditë do të mblidheshin sërish (shihni te Ligji i Përtërirë 4:27–31).

Ne e quajmë atë “mbledhje [e] Izraelit” dhe filloi kur Kisha e Jezu Krishtit u rivendos në ditët e mëvonshme dhe ungjilli i Tij filloi të përhapej në mbarë botën. Kjo përpjekje për mbledhjen ka vijuar duke marrë hov teksa Rivendosja e ungjillit ka bërë përpara.

Çfarë Është Mbledhja e Izraelit?

Kur flasim për mbledhjen e Izraelit, emri Izrael u referohet pasardhësve të drejtpërdrejtë të Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Ai u referohet gjithashtu atyre që janë birësuar në familjen e tyre nëpërmjet besëlidhjes së pagëzimit. Në lashtësi, Perëndia i shpërndau fëmijët e Izraelit për shkak të ligësisë dhe rebelimit të tyre. Izraeli mblidhet teksa fëmijët e Perëndisë e pranojnë ungjillin e Jezu Krishtit, marrin ordinancat e shpëtimit dhe ekzaltimit, bëjnë besëlidhje me Perëndinë dhe përpiqen fort t’i mbajnë ato besëlidhje.

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Besëlidhja e Përjetshme, Ftesa ndaj të Gjithë Njerëzve që ta Pranojnë Ungjillin, Bekimet Patriarkale, Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit

Pjesa 1

Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit Janë Pjesë e Shtëpisë së Izraelit

familje në bashkësi

Zoti themeloi besëlidhjen e Tij të përjetshme me Adamin. Ai e përtëriu atë me Abrahamin dhe Sarën, me birin e tyre Isakun dhe me nipin e tyre Jakobin, emrin e të cilit e ndryshoi në Izrael. Pasardhësit e Izraelit njihen si “shtëpia e Izraelit”. Por në kohën tonë, termi gjen zbatim shumë më gjerësisht.

Çdokush që beson te Jezu Krishti dhe hyn në shtegun e Tij të besëlidhjeve duke u bashkuar me Kishën e Tij të rivendosur, pavarësisht nga prejardhja e vet, mblidhet në shtëpinë e Izraelit dhe bëhet pjesë e popullit të besëlidhjes së Zotit (shihni tek Eksodi 6:7; 1 Nefi 14:14; 3 Nefi 21:6; Abraham 2:10). Këta pasues të Krishtit janë fëmijë të besëlidhjes (shihni tek 3 Nefi 20:25–27). Teksa i mbajnë besëlidhjet e tyre, ata marrin të njëjtat bekime që iu premtuan Abrahamit, Isakut dhe Jakobit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 38:17–20; 132:30–31; Abraham 2:9–11).

Gjëra për t’i menduar

  • Për të mësuar më shumë se si anëtarët e Kishës janë pjesë e shtëpisë së Izraelit, mund të studioni bisedën e Presidentit Rasëll M. Nelson “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë. Çfarë do të thotë për ju të jesh pjesë e “Izraelit”? Mund të lexoni ose të dëgjoni gjithashtu tekstet e himneve që flasin rreth Izraelit, të tilla si “Shëlbues i Izraelit”, “Izrael, Per’ndia po Th’rret” dhe “Shpres’ e Izraelit, duke e zëvendësuar fjalën “Izrael” me “mbajtës të besëlidhjeve” për të parë se çfarë idesh mund t’ju vijnë.

  • Plaku Dejvid A. Bednar ka dhënë mësim rreth rëndësisë së zgjedhjes për të qenë pjesë e popullit të besëlidhjes së Perëndisë duke ndjekur ligjet e Tij: “Kemi si thirrjen e Perëndisë ashtu edhe përgjigjen tonë individuale ndaj asaj thirrjeje, dhe shumë mund të thirren, por pak të zgjidhen. Të jemi apo të bëhemi të zgjedhur nuk është një status i veçantë që na jepet. Përkundrazi, ju dhe unë përfundimisht mund të zgjedhim që të zgjidhemi nëpërmjet ushtrimit të drejtë të lirisë sonë të zgjedhjes morale.” Çfarë bekimesh na vijnë teksa “zgjedhim që të zgjidhemi” si pjesë e shtëpisë së Izraelit? Çfarë mund të bëni tjetër që të zgjidhni për t’u zgjedhur?

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Mund të lexoni së bashku pjesën e bisedës së Presidentit Nelson “Zgjedhjet për Përjetësinë, ku ai flet për etiketimet. Pastaj, shikojini etiketat e ushqimeve ose të kutive të tjera dhe bisedoni rreth mënyrës se si ndikojnë etiketat e këtyre artikujve tek ajo që ne mendojmë për to. Cilat ishin ato tri etiketime që Presidenti Nelson na tha se duhet të kenë përparësi mbi gjithë etiketimet e tjera? Si mund të na ndihmojë etiketimi “fëmijë i besëlidhjes” që të kuptojmë bekimet që mund të vijnë nga të qenit pjesëtarë të shtëpisë së Izraelit? Lexoni tek 3 Nefi 20:25–27 dhe diskutoni se çfarë na mësojnë këto vargje rreth asaj që pret Zoti prej nesh si fëmijë të Tij të besëlidhjes.

  • Ndonëse besëlidhja e përjetshme e Perëndisë është bërë me njerëz të caktuar përgjatë shekujve, gjithkush mund të jetë pjesë e saj. Plaku Kuentin L. Kuk dha mësim: “Ata që e pranojnë ungjillin e Jezu Krishtit, pavarësisht nga prejardhja, bëhen pjesë e Izraelit të mbledhur”. Mund të shqyrtoni mesazhin e Plakut Kuk “Të Mblidhen të Sigurt në Shtëpi” për të mësuar më shumë rreth rëndësisë së të qenit pjesë e Izraelit të mbledhur. Diskutojeni atë që mësoni.

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Mbledhja e Izraelit Është Kauza më e Rëndësishme në Tokë Sot

motra misionare

Izraelitët e lashtë u shpërndanë sepse ata nuk e pranuan Jehovën dhe nuk qenë besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre me Të (shihni te Levitiku 26:33; Ligji i Përtërirë 4:23–27). Kjo shpërndarje ndodhi kohë më parë, teksa izraelitët u pushtuan nga kombe të tjera dhe u zunë robër (shihni te 2 Mbretërve 17:6–23; 25:1–12; 1 Nefi 22:3–5). Çka është edhe më tragjike, shumë prej tyre e humbën ndjesinë e identitetit si populli i besëlidhjes së Perëndisë (shihni te 2 Nefi 6:8–11).

Mirëpo Zoti nuk i kishte harruar ata. Ai premtoi se do ta mblidhte popullin e Tij pasi të ishte shpërndarë për një periudhë kohe (shihni te 2 Nefi 10:6–8; Doktrina e Besëlidhje 33:6). Populli i Perëndisë po mblidhet teksa vjen në njohurinë e ungjillit të Jezu Krishtit dhe tek Ai (shihni te 1 Nefi 19:16).

Profeti Jozef Smith dha mësim se arsyeja kryesore për mbledhjen e popullit të Perëndisë ishte për t’i ndihmuar ata të marrin ordinancat e tempullit dhe për t’i përgatitur për shpëtimin. Mbledhja e Izraelit të shpërndarë është po aq e rëndësishme tani sa ishte edhe në kohën e Profetit Jozef. Presidenti Rasëll M. Nelson e quajti “kauzë[n] më të madhe, punë[n] më të madhe në tokë sot”. Kjo është mënyra se si fëmijët e Perëndisë mund të arrijnë ta njohin dhe të kthehen përfundimisht tek Ai.

Gjëra për t’i menduar

  • Presidenti Nelson ka folur shpesh rreth rëndësisë së mbledhjes së Izraelit. Ai ka shpallur: “Zoti po mbledh ata që do të zgjedhin ta lejojnë Perëndinë që të jetë ndikimi më i rëndësishëm në jetën e tyre. Për shekuj, profetët e kanë parashikuar këtë mbledhje dhe ajo po ndodh pikërisht tani! Si një prelud thelbësor për Ardhjen e Dytë të Zotit, ajo është vepra e rëndësishme në botë!” Mendoni rreth asaj se çfarë mund të nënkuptojë fraza që kjo është “vepra më e rëndësishme” në tokë. Si mund t’ju ndihmojë kjo njohuri që të vendosni se si t’i shpenzoni kohën, talentet, energjinë dhe burimet tuaja?

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

klloçka duke mbledhur zogjtë
  • Mund të studioni tek 3 Nefi 10:5–6 dhe Doktrina e Besëlidhje 29:1–8 dhe të diskutoni se si po e mbledh Zoti popullin e Tij në ditët e fundit. Çfarë ngjashmërish ka mbledhja e Izraelit me klloçkën që mbledh zogjtë e saj? Teksa i përsiatni këto fragmente të shkrimeve të shenjta dhe këtë pyetje, këqyreni figurën shoqëruese të klloçkës dhe zogjve. Tregojini njëri‑tjetrit hollësi të tjera nga figura që duken të rëndësishme. Si ju ndihmojnë këto hollësi që të kuptoni se çfarë do Zoti që ne të japim mësim rreth mbledhjes? Në ç’mënyrë kemi mbrojtje fizike dhe shpirtërore teksa mblidhemi me shenjtorë të tjerë?

  • Mund të shikoni materialin filmik “Jesus Christ Prophesies of the Gathering of Israel” [“Jezu Krishti Profetizon për Mbledhjen e Izraelit”] për të mësuar më shumë rreth mbledhjes në kohën tonë. Çfarë na mëson Shpëtimtari në këtë rrëfim rreth asaj se si do të përmbushet mbledhja e Izraelit? Bisedoni rreth asaj që mësoni dhe si ka lidhje me ne sot.

Mësoni më shumë

Pjesa 3

Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme Kanë Përgjegjësinë ta Ndihmojnë Zotin për të Mbledhur Izraelin

të rinj duke folur për shkrimet e shenjta

Mbledhja e Izraelit është sa shpirtërore aq edhe fizike (shihni te 1 Nefi 22:3; Parimet e Ungjillit [2011], f. 258). Shpejt pasi Kisha e Jezu Krishtit u rivendos, Zoti i urdhëroi shenjtorët të mblidheshin fizikisht në Kirtland të Ohajos; Indipendëns të Misurit; Navu të Ilinoisit dhe si përfundim, në luginën e Solt‑Lejkut. Sot, në vend që të mblidhen në një vendndodhje, anëtarët e Kishës e ndërtojnë Kishën e Zotit në zonat ku jetojnë, ndërsa mblidhen te Shpëtimtari – te doktrina e Tij dhe besëlidhjet e Tij (shihni te 2 Nefi 10:2).

Anëtarët e Kishës kanë një detyrë që të ndihmojnë për mbledhjen (shihni te Doktrina e Besëlidhje 29:2, 7; 88:81; Abraham 2:10–11). Shpërndarja e ungjillit është një pjesë thelbësore e asaj përpjekjeje. Pjesë thelbësore janë edhe puna në tempull dhe për historinë familjare, teksa përpiqemi të ndihmojmë që Izraeli të mblidhet, edhe ndër të gjallët, edhe ndër të vdekurit.

Gjëra për t’i menduar

  • Plaku Ronald A. Rasband ka theksuar rëndësinë e punës misionare për të ndihmuar në mbledhjen e Izraelit. Ai tha: “Ne po i mbledhim fëmijët e Perëndisë në këto ditë të fundit që ata të mund të kenë ‘bekime [që] derdh[en] mbi kokat e tyre’ [3 Nefi 10:18] dhe premtimet e ‘pasuri[ve të] përjetësisë’ [Doktrina e Besëlidhje 78:18]. Nga kjo rrjedh se, për ta mbledhur Izraelin, ne kemi nevojë për misionarë, shumë më tepër sesa ata që po shërbejnë [aktualisht]. … Si Apostull i Zotit Jezu Krisht, ju kërkoj që të shërbeni si misionarë në mbledhjen e Izraelit.” Merreni parasysh se si mund ta ndihmoni Zotin ta mbledhë popullin e Tij, me apo pa një thirrje formale si misionar/e. Shënojini mbresat që merrni dhe veproni sipas tyre.

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 18:10–16 dhe tregojini njëri‑tjetrit mbresat tuaja për atë se si ndihet Perëndia rreth fëmijëve të Tij. Pse puna e mbledhjes së fëmijëve të Tij është kaq e rëndësishme për Të? Çfarë gjejmë te këto vargje që na frymëzojnë të ndihmojmë që Izraeli të mblidhet?

  • Si ndihmojmë ne që Izraeli të mblidhet? Merrni parasysh këtë shpjegim të fuqishëm nga Presidenti Nelson: “Në çfarëdo kohe që bëni çfarëdo gjëje që e ndihmon cilindo – në çdonjërën prej anëve të velit – të hedhë një hap drejt bërjes së besëlidhjeve jetike me Perëndinë dhe marrjes së ordinancave të veta thelbësore të pagëzimit dhe tempullit, ju po ndihmoni që Izraeli të mblidhet. Kaq e thjeshtë është.” Mund të jetë zbavitëse po të bëni një listë me veprimtari që janë pjesë e mbledhjes së Izraelit. Shihni se cili apo cila mund të bëjë listën më të gjatë! Mund t’i tregoni njëri‑tjetrit edhe disa gjëra që keni bërë këtë javë, ose që planifikoni të bëni javën e ardhshme, për të ndihmuar për veprën e madhe të mbledhjes së Izraelit. (Shembujt mund të përfshijnë mësimdhënien në një klasë në Fillore ose në Shkollën e së Dielës, bërjen e historisë familjare, frekuentimin në tempull, shpërndarjen e një shkrimi të shenjtë në rrjetet sociale ose të ndihmuarit e dikujt në nevojë.) Çfarë bekimesh keni parë teksa e keni ndihmuar Perëndinë në veprën e mbledhjes së popullit të Tij tek Ai?

Mësoni më shumë

  • Isaia 11:11–12; Jeremia 16:14–16

  • Church History Topics, “The Gathering of Israel”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]

  • Rasëll M. Nelson, “Pjesëmarrja e Motrave në Mbledhjen e Izraelit”, Liahona, nëntor 2018, f. 68–70