Biblioteka
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme


“Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”, Tema dhe Pyetje (2023)

anëtarë të Kishës duke përshëndetur njëri-tjetrin

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit në tokë sot

Mendoni për një bekim të veçantë që keni marrë ose mund të merrni si anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Si do të ishte jeta juaj pa atë bekim? Tani mendoni për mënyra të tjera se si ju dhe njerëzit tuaj të dashur jeni bekuar ose mund të bekoheni nga të qenit anëtarë të Kishës.

Si anëtarë të Kishës së Krishtit, ne jemi të bekuar në shumë mënyra. Por ne mund t’i bekojmë edhe të tjerët në shumë mënyra. Ne mund ta forcojmë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin. Ne i mësojmë njëri‑tjetrit ungjillin dhe përpiqemi të jemi shembuj të mirë për njëri‑tjetrin. Ne mund të vajtojmë me njëri‑tjetrin. Ne mund t’ia lehtësojmë barrën njëri‑tjetrit duke ofruar përkrahje emocionale dhe duke dëgjuar me vëmendje.

Por të qenit pjesë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme shkon edhe përtej pasjes së këtyre bekimeve. Ne besojmë se kjo është Kisha e vetme e vërtetë e Perëndisë në tokë, e rivendosur për ta përgatitur botën për kthimin e Shpëtimtarit. Si anëtarë të Kishës, ne mund të marrim pjesë në të gjitha ordinancat dhe besëlidhjet e nevojshme për t’u kthyer dhe për të jetuar përsëri me Perëndinë një ditë. Ne të gjithë mund ta ndihmojmë njëri‑tjetrin në udhëtimin e kthimit për tek Ati ynë Qiellor.

Çfarë është Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u rivendos nga Perëndia në kohën tonë nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Kisha e Jezu Krishtit është “një trup i organizuar besimtarësh që kanë marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit me anë të pagëzimit dhe konfirmimit”. Ajo ka autoritetin, mësimet, ligjet, ordinancat dhe emrin e Tij dhe qeveriset prej Tij nëpërmjet përfaqësuesve që Ai i ka caktuar.

Emri për Kishën e Krishtit sot, i dhënë prej Tij me anë të zbulesës, është Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (shihni te Doktrina e Besëlidhje 115:4).

Vështrim i përgjithshëm i temës: Restoration of the Church [Rivendosja e Kishës]

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Rivendosja e Priftërisë, Mbledhja e Izraelit, Covenants and Ordinances [Besëlidhjet dhe Ordinancat]

Pjesa 1

Jezu Krishti e Rivendosi Kishën e Tij të Vërtetë nëpërmjet Profetit Jozef Smith

organizimi i Kishës në shtëpinë e familjes Uitmer

Pas vdekjes së Jezu Krishtit dhe Apostujve fillestarë, Kisha e Jezu Krishtit pushoi së ekzistuari në tokë (shihni tek Tema dhe Pyetje, “Braktisja Fetare”, në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] për më tepër informacion).

Në prill 1830, Zoti e rivendosi Kishën e Tij të vërtetë në tokë nëpërmjet Profetit Jozef Smith (shihni te Doktrina e Besëlidhje 1:17–30; 20:1–2). Ai ka thirrur apostuj dhe profetë për të vazhduar veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin (shihni te Doktrina e Besëlidhje 27:12–13). Ata mbajnë çelësat e autoritetit të priftërisë për të predikuar ungjillin e Jezu Krishtit dhe për të administruar besëlidhjet dhe ordinancat e Perëndisë.

Gjëra për t’i menduar

  • Ju mund të shikoni materialin filmik “Living Apostles Testify of Jesus Christ” [“Apostujt e Gjallë Dëshmojnë për Jezu Krishtin”] për të dëgjuar dëshmitë e fuqishme për Shpëtimtarin dhe misionin e Tij nga anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Si ju ndihmojnë dëshmitë e apostujve dhe profetëve dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës për të ditur se kjo është Kisha e rivendosur e Perëndisë? Përse është domethënëse që Kisha e Jezu Krishtit udhëhiqet nga apostuj e profetë sot? Çfarë keni bërë ose çfarë mund të bëni për të ditur vetë se udhëheqësit tanë të Kishës janë thirrur nga Perëndia dhe se kjo është Kisha e Tij e rivendosur në tokë sot?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Pra çfarë do të thotë që Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e vetmja Kishë e vërtetë? Tri veçori – 1) plotësia e doktrinës, 2) fuqia e priftërisë dhe 3) dëshmia për Jezu Krishtin – e shpjegojnë arsyen përse Perëndia ka shpallur dhe përse ne, si shërbëtorë të Tij, e mbrojmë me bindje që kjo është e vetmja Kishë e vërtetë dhe e gjallë mbi faqen e tërë dheut.” Diskutojini këto tri veçori dhe pse ato janë një pjesë thelbësore e Kishës së vërtetë të Perëndisë. Tregoni përvoja që ju kanë ndihmuar të arrini të dini se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është Kisha e vërtetë dhe e gjallë e Shpëtimtarit. Flisni se si e ka bekuar jetën tuaj kjo njohuri.

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Kisha na Jep Mundësi për të Ndihmuar për Veprën e Perëndisë

Anëtarët e Kishës duke u shoqëruar me njëri‑tjetrin

Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit përpiqen fort që të ndihmojnë për veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin duke kërkuar ta jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit, të përkujdesen për njerëzit nevojtarë, t’i ftojnë të gjithë njerëzit që ta pranojnë ungjillin dhe t’i bashkojnë familjet në përjetësi.

Kisha na jep një mënyrë për të adhuruar së bashku dhe për të mësuar plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit. Gjithashtu na ndihmon t’i shërbejmë njëri‑tjetrit, ta përhapim fjalën e Tij dhe të kujdesemi për njerëzit nevojtarë.

Gjëra për t’i menduar

  • Lexojeni dhe përsiatni për vargun te Gjoni 15:16. Çfarë do të thotë për ju që Perëndia ju ka zgjedhur për të ndihmuar që të përmbushet vepra e Tij në Kishën e Tij? Çfarë mbresash keni marrë për ta ndihmuar Atë për veprën e Tij për shpëtimin dhe ekzaltimin? Si jeni bekuar kur ua keni vënë veshin këtyre mbresave? Shënojini mendimet tuaja në ditar dhe merrni në shqyrtim nëse ka diçka që keni dashur ta bëni në lidhje me punën e Perëndisë, por që nuk e keni bërë ende. Më pas vendosni një synim për ta bërë këtë.

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Plaku Xhon C. Pingri i Riu, na kujtoi se vepra e Perëndisë “nuk [është] paracaktuar për disa [individë] të privilegjuar, por [është] për të gjithë ne – pavarësisht nga gjinia, mosha, raca, kombësia, niveli i të ardhurave, pozita shoqërore apo thirrja në Kishë. Secili prej nesh ka një rol domethënës për të luajtur në përparimin e punës së Perëndisë (shihni te Moisiu 1:39)”. Ai vazhdoi: “Disa prej nesh e vënë në pikëpyetje atë nëse Ati Qiellor mund të na përdorë ne për të dhënë ndihmesa të rëndësishme. Por kujtoni, Ai gjithnjë ka përdorur njerëz të zakonshëm për të arritur gjëra të jashtëzakonshme (shihni te 1 Korintasve 1:27–28; DeB 35:13; 124:1.” Mund të flisni për disa nga gjërat e jashtëzakonshme që i keni parë të bëjnë anëtarët e zakonshëm të Kishës për të ndihmuar në veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin. Ndoshta mund të vendosni një synim për të bërë diçka së bashku këtë javë për ta çuar përpara veprën e Perëndisë. Më pas mund të flisni për atë që mësuat nga përvoja ose se si u ndiet ndërsa shërbenit.

Mësoni më shumë

Pjesa 3

Jezu Krishti i Fton të Gjithë Njerëzit të Vijnë dhe t’i Përkasin Kishës së Tij

të reja duke u shoqërizuar

Në Kishën e Jezu Krishtit ka vend për të gjithë. Kisha bekohet kur i tregojmë këndvështrimet dhe përvojat tona të ndryshme dhe mësojmë nga njëri‑tjetri. Profeti Nefi dha mësim se Krishti i fton “të gjithë të vijnë tek ai dhe të marrin pjesë në mirësinë e tij; dhe ai nuk ia mohon askujt që shkon tek ai” (2 Nefi 26:33). Jezu Krishti dëshiron që çdo person të ketë mundësinë të vijë tek Ai dhe të shpëtohet duke u bashkuar me Kishën e Tij dhe duke bërë e duke mbajtur besëlidhje që çojnë drejt jetës së përjetshme.

Ne mund të ndihmojmë që t’i mbledhim njerëzit e Tij tek Ai. Kur bëjmë ftesa të thjeshta dhe të përzemërta, ne mund t’i ndihmojmë të tjerët që t’i kthejnë zemrat e tyre te Krishti dhe të kenë dëshirën të bashkohen me tufën e Tij.

Gjëra për t’i menduar

  • Plaku Gerit W. Gong vëzhgoi: “[Zoti] na nxit ta bëjmë [Kishën] e Tij një vend hirësie dhe hapësire, ku çdo njeri mund të mblidhet, ku ka vend për të gjithë. Si dishepuj të Jezu Krishtit, të gjithë njerëzit janë të barabartë, pa grupe të dorës së dytë. Të gjithë janë të mirëpritur që të frekuentojnë mbledhjet e sakramentit, mbledhje të tjera të së dielës dhe ngjarje shoqërore. Ne e adhurojmë me nderim Shpëtimtarin tonë kur mendojmë dhe tregojmë konsideratë për njëri‑tjetrin. Ne e shohim dhe e pranojmë secilin person. Ne u buzëqeshim, ulemi me ata që ulen vetëm, u mësojmë emrat, përfshirë të të kthyerve të rinj në besim, vëllezërve dhe motrave të kthyera në Kishë, të rejave dhe të rinjve, çdo fëmije të dashur të Fillores. Duke e përfytyruar veten tonë në vend të tyre, ne i mirëpresim miqtë, vizitorët, njerëzit e sapoardhur, individët e ngarkuar me shumë punë, të cilët tërhiqen në drejtime të shumta.” Cilat janë disa mënyra se si mund t’ua zgjatni dorën e ndihmës dhe t’i ndihmoni të tjerët të dinë se janë të mirëpritur në mbledhjet tona dhe i përkasin Kishës së Jezu Krishtit? Kujt mund t’ia zgjatni dorën e ndihmës? Merrni parasysh të vendosni një synim për të bërë diçka për t’u treguar të tjerëve se kujdeseni për ta dhe se ata i përkasin lagjes ose degës suaj.

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Jezu Krishti dëshiron që të gjithë njerëzit të vijnë tek Ai dhe Kisha e Tij dhe ne mund të ndihmojmë duke u bërë ftesa të thjeshta e të çiltra njerëzve që na rrethojnë. Plaku Geri E. Stivenson tregoi: “Ka qindra ftesa që mund t’ua bëjmë të tjerëve. Ne mund t’i ftojmë të tjerët ‘të vijnë e të shohin’ një shërbesë sakramenti, një aktivitet lagjeje, një material filmik në internet që shpjegon për ungjillin e Jezu Krishtit. ‘Ejani dhe shikoni’ mund të jetë një ftesë për të lexuar Librin e Mormonit ose për të vizituar një tempull të ri gjatë shtëpisë së hapur përpara përkushtimit të tij. Ndonjëherë ftesa është diçka që e bëjmë përbrenda – një ftesë për veten, që na jep ndërgjegjësim dhe largpamësi për mundësitë që na rrethojnë, që të veprojmë. Në epokën tonë digjitale, anëtarët shpesh i shpërndajnë mesazhet nëpërmjet mjeteve shoqërore të komunikimit. Ka qindra, në mos mijëra, gjëra lartësuese që mund të jenë të denja për t’i treguar.” Diskutoni për disa ftesa që mund të bëni këtë javë, dhe më pas mblidhuni e raportoni për përvojat tuaja.

  • Kërkojini dikujt në grup të vizatojë një figurë të thjeshtë të një trupi dhe të flasë për mënyrën se si të gjitha pjesët e ndryshme (të tilla si duart, këmbët, sytë dhe veshët) janë të rëndësishme. Më pas, lexoni së bashku te 1 Korintasve 12:12–18 dhe diskutoni për atë që mësuat. Si mund t’i zbatojmë këto vargje në anëtarësinë tonë në Kishë? Presidenti Bojd K. Paker dha mësim: “Na nevojiten i kthyeri në besim i kohëve të fundit dhe ata në mes të njerëzve tanë që e kanë prejardhjen nga pionierët. Na nevojitet t’i kërkojmë ata që e kanë humbur udhën, dhe t’i ndihmojmë të kthehen në tufë. Na nevojiten urtësia, këndvështrimi dhe forca shpirtërore e kujtdo. Çdo anëtar i kësaj Kishe si një individ është një pjesë përbërëse e rëndësishme e trupit të Kishës.” Secili prej jush mund të shkruajë diçka që mund të bëjë këtë javë për ta ndihmuar dikë në lagjen ose degën e vet që të dijë se sa i/e rëndësishëm/me është. Më pas mund të raportoni për atë që bëtë.

Mësoni më shumë

  • 1 Korintasve 12:12–27; Moisiu 1:39

  • D. Tod Kristoferson, “Doktrina e Përkatësisë”, Liahona, nëntor 2022, f. 53–56

  • D. Tod Kristoferson, “Përse Kisha”, Liahona, nëntor 2015, f. 108–111

  • Tema dhe Pyetje, “Diversity and Unity in The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints” [“Larmia dhe Uniteti në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]

  • Unity në Diversity” [“Bashkim në Larmi”] (koleksioni i materialeve filmike)

Shënime

  1. Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Kishë e Jezu Krishtit”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  2. Dallin H. Oaks, “The Only True and Living Church”, New Era, gusht 2011, f. 3.

  3. Shihni te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 1.2, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  4. Xhon C. Pingri i Riu, “Unë Kam një Punë për Ty”, Liahona, nëntor 2017, f. 32.

  5. Gerit W. Gong, “Vend në Han”, Liahona, maj 2021, f. 25–26.

  6. Geri E. Stivenson, “Jepni Dashuri, Tregoni, Ftoni”, Liahona, maj 2022, f. 86–87.

  7. Bojd K. Paker, “Arsyeja për Shpresën Tonë”, Liahona, nëntor 2014, f. 8.