“Jozef Smithi”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Jozef Smithi
Profeti i zgjedhur i Perëndisë për të rivendosur ungjillin e Jezu Krishtit
Profeti Jozef Smith arriti gjëra të pabesueshme në jetën e tij të shkurtër. Si profeti i zgjedhur i Perëndisë, ai e përktheu Librin e Mormonit “nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë” (Parathënia në Librin e Mormonit), mori vegime e zbulesa dhe organizoi Kishën e Jezu Krishtit në tokë. Mund të duket e pamundur që një person të mund të bëjë kaq shumë. Por Jozefi kishte një mision hyjnor për të rivendosur ungjillin e Jezu Krishtit dhe Zoti përgatiti një mënyrë që ai ta përmbushte punën e Tij.
Për shkak të Profetit Jozef Smith, ne e dimë se Perëndia na do dhe na flet ende sot. E dimë se Ai ka një plan për fëmijët e Tij dhe ka përgatitur një mënyrë që ata të jetojnë përsëri me Të. Dhe e dimë se kjo është “vepra [e Tij] dhe lavdia [e Tij] – të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39).
Kush Ishte Jozef Smithi?
Jozef Smithi i Riu lindi në vitin 1805, në Vermont të SHBA-së. Perëndia e thirri Jozefin që të ishte një profet dhe të rivendoste ungjillin e Jezu Krishtit në kohën tonë. Ai ishte Presidenti i parë i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Profeti Jozef Smith mori vegime dhe zbulesa të shenjta. Perëndia, Ati, dhe Jezu Krishti iu shfaqën atij. Ai e mori autoritetin e priftërisë nga lajmëtarët qiellorë dhe përktheu Librin e Mormonit dhe shkrime të tjera të shenjta të lashta nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë. Jozefi u përndoq shpesh për dëshminë e tij, por ai i qëndroi besnik asaj deri në fund të jetës së vet, kur ai dhe vëllai i tij, Hajrëmi, u vranë nga një turmë në vitin 1844.
Vështrim i përgjithshëm i temës: Jozef Smithi
Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Profetët, Rivendosja e Ungjillit, Vegimi i Parë, Libri i Mormonit, Rivendosja e Priftërisë
Pjesa 1
Jozef Smithi Ishte një Dëshmitar i Devotshëm i Perëndisë, Atit, dhe Jezu Krishtit.
Kur Jozef Smithi ishte vetëm 14 vjeç, ai pa Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin (shihni te Joseph Smith – Historia 1:15–17). Kjo ngjarje njihet si Vegimi i Parë dhe shenjoi fillimin e Rivendosjes së ungjillit. Ndërsa Rivendosja vazhdoi të shpalosej, Jozefi dëshmoi Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin në vegime të tjera dhe dha dëshmi për Ta (shihni te Doktrina e Besëlidhje 76:19–24; 137:1–3).
Jozefi u përball me shumë sprova dhe u përndoq për atë që e dinte se ishte e vërtetë. Por sado të mëdha që ishin mundimet e tij, ai nuk e mohoi dëshminë për Perëndinë dhe Jezu Krishtin ose që e kishin thirrur në veprën e Zotit (shihni te Joseph Smith – Historia 1:25). Në fund të jetës, Profeti e vulosi dëshminë e vet me gjak kur u martirizua në burgun e Karthixhit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 135:1–3; shihni edhe te Saints [Shenjtorët], 1:542–552). Besnikëria e tij ndaj veprës së Zotit ndihmoi t’ua sillte përsëri ungjillin fëmijëve të Perëndisë në tokë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 136:37–38).
Gjëra për t’i menduar
-
Dëshmia e fuqishme e Jozef Smithit për Jezu Krishtin është e shënuar në shkrimet e shenjta. Lexojeni dëshminë e tij te Doktrina e Besëlidhje 76:22–24 dhe Doktrina e Besëlidhje 110:1–4. Reflektoni mbi atë që mësoni rreth Jezu Krishtit nga këto vargje. Pastaj përsiateni vetë dëshminë tuaj për Shpëtimtarin (shihni te 2 Nefi 31:18). Si ka ndikuar dëshmia e Profetit Jozef Smith për Jezu Krishtin te dëshmia juaj vetjake? Nëse doni, mund të shënoni edhe dëshminë tuaj ose përvoja të tjera vetjake që ju kanë sjellë më pranë Zotit.
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Në moshën 14‑vjeçare, Jozef Smithi dëshmoi për herë të parë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Mësoni për këtë dëshmi duke lexuar së bashku vargjet te Joseph Smith – Historia 1:14–20. Çfarë mund të mësojmë rreth Perëndisë, Atit, dhe Jezu Krishtit nga ky rrëfim? Si ndryshoi bota për shkak të dëshmisë së Jozefit? Shprehini mendimet tuaja dhe më pas si grup shikoni materialin filmik “#Dëgjoje Atë: Dëgjoje Zërin e Jezu Krishtit” (1:47). Si e dëgjoni zërin e Shpëtimtarit? (Shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 6:22–24; 8:2–3; 9:8–9; 11:12–13). Diskutoni për mendimet tuaja dhe më pas flisni për ndikimin që mund të ketë dëshmia juaj tek të tjerët ndërsa e dëgjoni Shpëtimtarin ashtu siç bëri Jozefi.
-
Dëshmia e Jozefit për Shpëtimtarin është e përfshirë në materialin “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”. Lexojeni së bashku dëshminë e Profetit në deklaratë dhe diskutoni për rrethanat historike të vegimeve që mori ai. Ju gjithashtu mund të punoni që si grup ta mësoni përmendsh dëshminë e Profetit. Ndoshta ju mund t’i thoni përmendsh fjalët me zë të lartë dhe të përdorni figura nga Biblioteka e Mjeteve të Informimit për Ungjillin të Kishës ose të krijoni materiale të tjera pamore për t’ju ndihmuar. Flisni se si të mësuarit përmendsh të dëshmisë së Profetit mund ta rritë besimin tuaj te Jezu Krishti dhe të jetë një burim fuqie, shtyse, frymëzimi dhe ngushëllimi.
Mësoni më shumë
-
M. Rasëll Ballard, “Lavdi Burrit”, Liahona, nëntor 2023, f. 74–75
-
“Testimony of the Book of Mormon” (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
-
“The First Vision”, “Tutored by Heaven”, “Strengthened by Trials”, “Sealed His Testimony with His Blood” (materiale filmike), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
Pjesa 2
Jozef Smithi u Zgjodh nga Perëndia për të Rivendosur Ungjillin e Jezu Krishtit
Perëndia e zgjodhi Profetin Jozef Smith për të rivendosur plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit në tokë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 1:17; 27:13; “Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Nëpërmjet fuqisë së Perëndisë, Jozefi përktheu Librin e Mormonit dhe solli shkrime të tjera të shenjta (shihni te parathënia për Librin e Mormonit; Doktrina e Besëlidhje 135:3). Ai organizoi Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, mori autoritetin e priftërisë dhe i përgatiti shenjtorët për të themeluar Sionin (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:1; Saints [Shenjtorët], 1:108–109).
Për shkak të misionit të Jozef Smithit, ne e dimë se Perëndia ka një plan për fëmijët e Tij dhe ne mund të marrim ordinanca e të bëjmë besëlidhje me Të në shtëpinë e Zotit. Puna e Jozefit hodhi themelet për ungjillin e Jezu Krishtit në ditët e mëvonshme, duke e lejuar Kishën të ecë përpara nën drejtimin e frymëzuar të profetëve, shikuesve dhe zbuluesve (shihni te Saints [Shenjtorët], 1:519– 520).
Gjëra për t’i menduar
-
Presidenti Xhefri R. Holland dëshmoi: “Unë e di se Jozef Smithi, i cili e pranoi se nuk ishte i përsosur, ishte, pavarësisht prej kësaj, mjeti i zgjedhur në dorën e Perëndisë për të rivendosur ungjillin e përjetshëm në tokë. Unë gjithashtu e di se, duke e bërë këtë – veçanërisht nëpërmjet përkthimit të Librit të Mormonit – ai më ka mësuar më shumë për dashurinë e Perëndisë, për hyjninë e Krishtit dhe për fuqinë e priftërisë, sesa çdo profet tjetër për të cilin kam lexuar, ditur ose dëgjuar gjatë një jete të tërë kërkimi.” Çfarë ju ka mësuar Profeti Jozef Smith rreth dashurisë së Perëndisë, hyjnueshmërisë së Krishtit dhe fuqisë së priftërisë nëpërmjet Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit? Si ju dëshmojnë ato mësime se Jozef Smithi u zgjodh nga Perëndia? Shënojeni çdo mbresë që mund të merrni.
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Ne gëzojmë shumë bekime ngaqë Perëndia e rivendosi ungjillin nëpërmjet Jozef Smithit. Si grup, përpiquni të krijoni një listë të atyre bekimeve. Mund të filloni me ato që përmenden te Doktrina e Besëlidhje 135:3. Këto fjalë nga Presidenti Rasëll M. Nelson mund t’ju japin gjithashtu disa ide: “[Rivendosja e ungjillit] do të thotë që ju dhe familja juaj mund të vuloseni së bashku përgjithmonë! Do të thotë që, për shkak se jeni pagëzuar nga dikush që ka autoritet nga Jezu Krishti, dhe jeni konfirmuar anëtar/e i/e Kishës së Tij, ju mund të gëzoni shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë. Ai do t’ju udhërrëfejë dhe mbrojë. Do të thotë që nuk do të mbeteni kurrë pa ngushëllim apo pa të drejtën e përdorimit të fuqisë së Perëndisë për t’ju ndihmuar. Do të thotë që fuqia e priftërisë mund t’ju bekojë kur i merrni ordinancat thelbësore dhe bëni besëlidhje me Perëndinë e i mbani ato.” Më pas flisni se si mund ta tregoni mirënjohjen tuaj për atë që Zoti ju ka dhënë nëpërmjet profetit të Tij Jozef Smith.
-
A e dinit se një profet tjetër i quajtur Jozef, i cili jetoi në lashtësi, e parashikoi misionin e Jozef Smithit? Lexoni te 2 Nefi 3:6–15 për të mësuar atë që profetizoi Jozefi i Egjiptit rreth Jozef Smithit dhe punës së tij të rëndësishme. Çfarë fjalësh përdoren për ta përshkruar Jozef Smithin në këto vargje? Për çfarë e përgatiti Perëndia atë që të bënte? Flisni me njëri‑tjetrin rreth asaj që gjeni. Ju mund të diskutoni edhe për bekimet e premtuara në këtë profeci dhe se si janë realizuar ato nëpërmjet Rivendosjes.
Mësoni më shumë
-
Dallin H. Oaks, “Joseph, the Man and the Prophet”, Ensign, maj 1996, f. 71–73
-
Ted R. Kelister, “Jozef Smithi – Profeti i Rivendosjes”, Liahona, nëntor 2009, f. 35–37
-
“Ministry of Joseph Smith: The Book of Mormon”, “Ministry of Joseph Smith: The Restoration of Priesthood Authority”, (materiale filmike), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
-
“Teachings of Joseph Smith: The Organization of the Church” (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
Pjesa 3
Mund të Merrni Dëshminë Tuaj se Jozef Smithi Ishte Profet i Perëndisë
Është frymëzuese të mendosh se si një djalë 14-vjeçar, Jozefi, pa Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Por çfarë ndodhi përpara se Jozefi të merrte Vegimin e Parë? Ai i përsiati shkrimet e shenjta, dëshiroi urtësi nga Perëndia dhe u lut për udhërrëfimin e Tij (shihni te Joseph Smith – Historia 1:10–19). Historia e Jozefit na kujton se edhe ne mund të fitojmë një dëshmi vetjake për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij, përfshirë dëshminë se Jozef Smithi u thirr për ta rivendosur atë. Ndërkohë që kjo dëshmi mund të vijë me kalimin e kohës dhe jo si një ngjarje e vetme e jashtëzakonshme, nëpërmjet Frymës së Shenjtë ne mund të dimë me po aq siguri të vërtetën e të gjitha gjërave (shihni te Moroni 10:5)
Gjëra për t’i menduar
-
Ka shumë mënyra se si mund të fitojmë një dëshmi vetjake se Jozef Smithi ishte një profet. Plaku Nil L. Andersen tha: “Ajo mund të vijë kur gjunjëzoheni në lutje, duke i kërkuar Perëndisë t’ju konfirmojë që ai ishte një profet i vërtetë. Mund të vijë kur lexoni rrëfimin e Profetit për Vegimin e Parë. Një dëshmi mund të pikojë në shpirtin tuaj kur e lexoni Librin e Mormonit në mënyrë të vazhdueshme. Ajo mund të vijë kur jepni dëshminë tuaj për Profetin ose kur qëndroni në tempull dhe e kuptoni se fuqia e shenjtë e vulosjes u rivendos në tokë nëpërmjet Jozef Smithit.” Mendoni rreth dëshmisë suaj për rolin e Jozef Smithit si profet i Perëndisë. Çfarë ju ka ndihmuar të besoni në thirrjen e tij hyjnore? Çfarë mund të bëni më shumë për të fituar ose forcuar dëshminë tuaj se ai është një profet?
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Një dëshmi vetjake se Jozef Smithi ishte profeti i Perëndisë, nuk vjen rastësisht, është diçka për të cilën ne punojmë. Ju mund ta forconi dëshminë tuaj vetjake për thirrjen e Jozefit duke ndarë me grupin tuaj një shkrim të shenjtë nga Libri i Mormonit dhe duke folur se në ç’mënyrë ishte Jozefi një mjet në duart e Perëndisë për ta vënë atë shkrim të shenjtë në dispozicion për ne. Ndoshta ju mund ta bëni me radhë që ta regjistroni së bashku dëshminë e profetit nga Perla me Vlerë të Madhe dhe më pas ta dëgjoni atë ose t’ua tregoni atë të tjerëve. Si e forcojnë Libri i Mormonit dhe dëshmia e Jozefit besimin tuaj se Jozefi u thirr nga Perëndia?
-
Ne mund ta rritim dëshminë për thirrjen hyjnore të Jozef Smithit gjatë gjithë jetës. Ndoshta dëshmia juaj për rolin e tij ndihet më e fortë në disa çaste të caktuara sesa në të tjera. Ju mund të lexoni së bashku këtë këshillë nga Presidenti Diter F. Uhtdorf: “Unë ju ftoj të tërhiqeni, ta shikoni jetën tuaj nga një plan më i lartë dhe të thjeshtoni qasjen tuaj ndaj dishepullimit”. Merrni parasysh të hulumtoni se si zbatohet këshilla e Presidentit Uhtdorf për dëshminë tuaj se Jozefi ishte profeti i Perëndisë duke parë një fotografi ku zmadhimi është përqendruar te një hollësi. Flisni së bashku se si duket pamja. Pastaj shikoni të njëjtën fotografi të zvogëluar në mënyrë që të tregojë të gjithë pamjen. Si duket fotografia ndryshe nga më parë? Çfarë ju mëson ky shembull rreth mënyrës se si të fitoni një dëshmi për thirrjen hyjnore të Profetit Jozef Smith?
Mësoni më shumë
-
Nil L. Andersen, “Jozef Smithi”, Liahona, nëntor 2014, f. 28–31
-
“Jeta dhe Shërbesa e Jozef Smithit”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 1–26
-
Joseph Smith: The Prophet of the Restoration (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]