“Profetët”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Profetët
Dëshmitarë të Jezu Krishtit të thirrur në mënyrë hyjnore
Në kohët e lashta, Perëndia thirri burra të zakonshëm, besnikë si profetë dhe i autorizoi ata që ta përfaqësonin. Ai i frymëzoi ata shërbëtorë, u foli atyre dhe u dha nga fuqia e Vet për ta kryer punën e Tij. Një nga mesazhet domethënëse të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit, është se kemi profetë të gjallë në tokë sot.
Për shkak se profetët e Zotit janë porositur që t’u japin mësim fëmijëve të Perëndisë dhe të drejtojnë punën e Tij, është thelbësore që t’ua vëmë veshin fjalëve të tyre. Të mësuarit rreth rolit të profetëve mund t’jua shtojë sigurinë te thirrja e tyre hyjnore si shërbëtorë të Zotit dhe t’jua thellojë dëshirën për të mirëbesuar në këshillën dhe drejtimin e tyre. Atyre që e ndjekin profetin e gjallë, Perëndia u premton siguri, mbrojtje dhe madje shpëtim e jetë të përjetshme.
Kush Janë Profetët?
Një profet është një njeri i cili është thirrur nga Perëndia që të flasë për Të (shihni te Jeremia 1:4–5; Amos 3:7; Gjoni 15:16; Doktrina e Besëlidhje 1:37–38). Profetët dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe japin mësim ungjillin e Tij. Ata e bëjnë të njohur vullnetin dhe karakterin e vërtetë të Perëndisë. Ata e denoncojnë mëkatin, paralajmërojnë për pasojat e tij dhe na ndihmojnë që ta shmangim mashtrimin (shihni tek Ezekiel 3:16–17; Efesianëve 4:11–14). Me raste, ata profetizojnë për ngjarje të së ardhmes. Profetët janë në gjendje t’i kryejnë këto përgjegjësi ngaqë marrin autoritet, çelësa dhe zbulesë nga Perëndia.
Vështrim i përgjithshëm i temës: Profetët
Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Zbulesa, Jozef Smithi, Çelësat e Priftërisë, Kisha e Jezu Krishtit
Pjesa 1
Jezu Krishti Thërret Profetë dhe Apostuj në Kohën Tonë
Prej kohës së Adamit, Perëndia ka dërguar profetë mes fëmijëve të Tij. Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Zoti Jezu Krisht e organizoi Kishën e Tij mbi themelin e apostujve dhe të profetëve (shihni tek Efesianëve 2:19–20). Perëndia ndoqi po këtë model në ditët e mëvonshme kur thirri Profetin Jozef Smith, rivendosi Kishën e Tij dhe themeloi Presidencën e Parë dhe Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve.
Presidenti i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme sot është profeti i Perëndisë për të gjithë njerëzit e tokës. Ne e mbështetim Presidentin e Kishës si profet, shikues e zbulues, dhe si të vetmin njeri në tokë që ka autoritetin e Perëndisë për t’i ushtruar të gjithë çelësat e priftërisë. Ne gjithashtu i mbështetim këshilltarët në Presidencën e Parë dhe anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve si profetë, shikues e zbulues.
Në lidhje me rëndësinë e apostujve dhe profetëve, Profeti Jozef Smith vërejti: “Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë, janë vetëm shtojca të kësaj”.
Gjëra për t’i menduar
-
Profeti Jozef Smith u thirr nga Perëndia për të predikuar ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit dhe për t’i ndihmuar fëmijët e Perëndisë të marrin ordinancat e priftërisë që nevojiten për shpëtimin dhe ekzaltimin. Pasuesit e tij, përfshirë Presidentin e Kishës sot, kanë marrë po atë autoritet dhe përgjegjësi për të vazhduar si përfaqësues të Zotit. Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 107:91–92. Çfarë ju tregon ky fragment rreth rolit domethënës të profetit të Zotit në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Anëtarët e Kishës që kërkojnë të ndjekin shërbëtorët e zgjedhur të Zotit, bekohen. Ftojini anëtarët e grupit tuaj t’i krahasojnë të vërtetat që jepen mësim te Helamani 13:24–28 dhe tek 3 Nefi 12:1–2. Pse disa individë i respektojnë profetët e së shkuarës, por i hedhin poshtë profetët e gjallë? Çfarë bekimesh keni dalluar për shkak se kemi profetë dhe apostuj të gjallë në tokë sot?
Mësoni më shumë
-
Ezekiel 2:7; Lluka 1:70; 6:12–13; 1 Nefi 22:2; 3 Nefi 20:24; Doktrina e Besëlidhje 107:23
-
Rasëll M. Nelson, “Mbështetja e Profetëve”, Liahona, nëntor 2014, f. 74–76
Pjesa 2
Ne e Ndjekim Jezu Krishtin kur ua Vëmë Veshin Profetëve të Tij
Zoti Jezu Krisht e ka theksuar se sa e rëndësishme është t’i pranojmë profetët dhe apostujt e Tij të gjallë. Ne e bëjmë këtë kur i dëgjojmë dhe ua vëmë veshin këshillave të tyre. “Sepse ai që pranon shërbëtorët e mi, më pranon mua; [d]he ai që më pranon mua, pranon Atin tim; [d]he ai që pranon Atin tim, pranon mbretërinë e Atit tim; si rrjedhim, gjithçka që Ati im ka, do t’i jepet atij” (Doktrina e Besëlidhje 84:36–38).
Perëndia na urdhëron t’i marrim parasysh fjalët e shërbëtorëve të Tij si të ishin vetë fjalët e Tij. Ai deklaroi: “Qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi është njësoj” (Doktrina e Besëlidhje 1:38). Për shkak se Perëndia i dërgon profetët e Tij t’u japin mësim dhe t’i udhërrëfejnë fëmijët e Tij dhe t’i përgatitin ata për jetën e përjetshme dhe ekzaltimin, do të mbrohemi dhe bekohemi kur ua vëmë veshin Jezu Krishtit dhe shërbëtorëve të Tij të zgjedhur (shihni te Doktrina e Besëlidhje 124:45–46).
Gjëra për t’i menduar
-
Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi: “Është pikërisht sepse [udhëheqësit e Kishës së Zotit] interesohe[n] thellësisht për të gjithë fëmijët e Perëndisë, që e shpalli[n] të vërtetën e Tij. Ne mund të mos u themi njerëzve gjithnjë atë që duan të dëgjojnë. Profetët rrallëherë admirohen në masë. Por ne gjithmonë do të japim mësim të vërtetën!” Kur ju ka ndihmuar gatishmëria për t’i mirëbesuar profetit të Zotit që ta dalloni vërtetësinë e mesazhit të tij?
-
Shkrimet e shenjta paralajmërojnë për profetë të rremë të cilët do të dalin në ditët e fundit dhe do të orvaten t’i mashtrojnë fëmijët e Perëndisë (shihni te Mateu 24:24). Zoti shpjegoi se Ai gjithnjë do t’i ngrejë profetët e Tij nëpërmjet modelit të themeluar që njihet në Kishë. Lexoni te Gjoni 10:1–2 dhe Doktrina e Besëlidhje 43:7. Çfarë do të thotë që shërbëtorët e Zotit do të hyjnë nga porta? Si ndihmon që ta shmangni mashtrimin, njohuria që zbulesa nga Perëndia gjithmonë vjen nëpërmjet kanaleve të njohura të priftërisë?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Lexojeni thënien në vijim nga Presidenti Rasëll M. Nelson me anëtarët e grupit tuaj: “Mbështetja e profetëve nga ana jonë është një zotim vetjak se ne vërtet do të bëjmë më të mirën për t’i përkrahur përparësitë e tyre profetike. Mbështetja jonë është një tregues [si] bet[im] se ne e pranojmë thirrjen e tyre si profetë që të jetë ligj[vënëse] dhe detyruese për ne.” Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 107:22. Në çfarë mënyrash mund ta përkrahim Presidencën e Parë nëpërmjet “mirëbesimi[t], besimi[t] dhe lutje[ve]” tona?
Mësoni më shumë
-
Mateu 10:40; 3 Nefi 28:34; Doktrina e Besëlidhje 1:14; 112:20, 30–32
-
“Kapitulli 11: Ndiqni Profetin e Gjallë”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson (2014), f. 155–163
Pjesa 3
Roli i Presidencës së Parë dhe i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve
Anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve mbajnë çelësat e priftërisë që janë të nevojshëm për të organizuar dhe drejtuar punët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (shihni te Mateu 16:16–19; Doktrina e Besëlidhje 81:1–2). Zoti premton se fuqia e Tij do t’i shoqërojë vendimet që merren nga zëri i bashkuar i Presidencës së Parë dhe i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Te Manuali i Përgjithshëm shpallet: “Të gjithë anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve janë profetë, shikues dhe zbulues. Së bashku, ata formojnë Këshillin e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Nën drejtimin e Zotit dhe me zë unanim, ky këshill ka autoritetin të shpallë dhe interpretojë doktrinën dhe të vendosë rregulloren për Kishën (shihni te Doktrina e Besëlidhje 1:38; 107:27–31).”
Duke folur për Presidencën e Parë, Profeti Jozef Smith dha mësim: “Presidentët apo Presidenca [e Parë] janë mbi Kishën; dhe zbulesat e mendjes dhe vullnetit të Perëndisë për Kishën, duhet të vijnë nëpërmjet Presidencës. Ky është rendi i qiellit dhe fuqia e privilegji i Priftërisë [Melkizedeke].”
Ndërkohë që Perëndia jep zbulesë nëpërmjet profetëve dhe apostujve për t’i udhërrëfyer fëmijët e Tij, individët mund të marrin zbulesë vetjake që t’i ndihmojë për nevojat, përgjegjësitë dhe pyetjet e tyre specifike dhe që t’i ndihmojë të forcojnë dëshmitë e tyre. Frymëzimi vetjak nga Zoti do të përputhet gjithmonë me zbulesën që Perëndia e jep nëpërmjet profetëve të Tij.
Gjëra për t’i menduar
-
Apostulli Pal shpjegoi se apostujt dhe profetët janë themeli i Kishës (shihni tek Efesianëve 2:19–20). Lexoni tek Efesianëve 4:11–14. Si na ruajnë apostujt dhe profetët e Zotit që të mos të jemi “të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrineje, nga mashtrimi i njerëzve, nga dinakëria e tyre”? (Vargu 14.)
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Lexojeni thënien vijuese nga Plaku Nil L. Andersen me anëtarët e grupit tuaj:
“Disa e vënë në dyshim besimin e tyre, kur gjejnë një thënie të një udhëheqësi të Kishës dekada më parë, që duket në mospajtim [mospërputhje] me doktrinën tonë. Ekziston një parim i rëndësishëm që qeveris doktrinën e Kishës. Doktrina jepet mësim nga të 15 pjesëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Ajo nuk fshihet në një paragraf të turbullt të një bisede. Parimet e vërteta mësohen shpesh e nga shumëkush. Doktrina jonë nuk është e vështirë për t’u gjetur.”
Ftojini anëtarët e grupit të diskutojnë se si mund t’i dallojmë parimet e vërteta të ungjillit dhe doktrinën zyrtare të Kishës.
Mësoni më shumë
-
Amos 3:7; Doktrina e Besëlidhje 124:125–126
-
Dallin H. Oaks, “The Sure Witness of Modern Prophets”, Liahona, tetor 2023, f. 5–7
-
D. Tod Kristoferson, “Doktrina e Krishtit”, Liahona, maj 2012, f. 86–89
Pjesa 4
Ne Mund të Kërkojmë një Pohim Shpirtëror për Thirrjen dhe Fjalët e Profetëve
Në Dhiatën e Vjetër, Zoti e krahasoi rolin e profetëve të Tij me atë të një “sogjetar[i]” [ose vigjiluesi], i cili kishte përgjegjësinë për t’i lajmëruar njerëzit për rrezikun që po afrohej (shihni tek Ezekiel 33:1–7). Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jezu Krishti theksoi nevojën për pendim (shihni te Mateu 4:17; 7:13–14; Lluka 5:32). Profetët kanë përgjegjësinë të deklarojnë të njëjtin mesazh, duke e paralajmëruar popullin e Perëndisë rreth pasojave të mëkatit dhe ligësisë dhe duke u mësuar nevojën për pendim (shihni te Veprat e Apostujve 10:43; Doktrina e Besëlidhje 1:4–5).
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Ju mund të mos e kuptoni gjithnjë çdo deklaratë të një profeti të gjallë. Por, kur e dini se një profet është një profet, mund t’i aviteni Zotit me përulësi dhe besim e të kërkoni dëshminë tuaj vetjake për çfarëdo që të ketë shpallur profeti i Tij.”
Ditën kur u organizua Kisha e Jezu Krishtit, Zoti e urdhëroi popullin e Tij që t’i merrte fjalët e profetit të Tij “si nga goja [e Tij], plot durim e besim” (shihni te Doktrina e Besëlidhje 21:4–5). Ky udhëzim hyjnor sugjeron që nuk do të jetë gjithnjë e lehtë të pranohen fjalët ose mësimet e një profeti. Ne mund të mos e ndiejmë menjëherë një pohim shpirtëror për rëndësinë e tyre. Kjo është arsyeja pse Zoti na kujton të ushtrojmë durim dhe besim ndërkohë që presim kuptueshmëri më të qartë. Zoti u premtoi bekime të mëdha atyre që do t’u mirëbesojnë profetëve të Tij me durim e besim (shihni te Doktrina e Besëlidhje 21:6).
Gjëra për t’i menduar
-
Në Dhiatën e Vjetër ne lexojmë për Naamanin, një kapiten të ushtrisë së mbretit të Sirisë. Ai vuante nga një sëmundje që njihej si lebra. Ai mësoi se kishte një profet në Izrael, i cili kishte fuqinë për të shëruar, dhe Naamani udhëtoi për ta takuar (shihni te 2 Mbretërve 5:1–9). Studioni vargjet te 2 Mbretërve 5:10–14. Pse Naamani u acarua nga udhëzimet që iu dhanë nga profeti i Zotit? Çfarë ndodhi që e shtyu Naamanin t’ua vinte veshin më në fund fjalëve të profetit dhe të shërohej? Si mund ta zbatoni këtë tregim në vetë jetën tuaj?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Zgjedhja për ta ndjekur këshillën e profetëve të Zotit sjell siguri. Me anëtarët e grupit tuaj, lexojeni thënien vijuese nga Presidenti Henri B. Ajring:
“Zgjedhja për të mos [e] zbatuar këshillën profetike, e ndryshon vetë terrenin [mbi të cilin] qëndrojmë. Ai bëhet më i rrezikshëm. Mospranimi i këshillës profetike [e] zvogëlon fuqinë tonë për të marrë këshillë të frymëzuar në të ardhmen. …
Çdo herë në jetën time kur kam zgjedhur ta vonoj ndjekjen e këshillës së frymëzuar apo kur kam vendosur se bëja përjashtim, unë arrita të kuptoj se e kisha vënë veten në rrezik. Çdo herë që e kam dëgjuar këshillën e profetëve, e kam ndier të pohuar në lutje dhe pastaj e kam zbatuar, kam mësuar se isha në një gjendje të sigurt. Përgjatë shtegut, kam kuptuar se për mua ishte përgatitur rruga dhe se vendet e ashpra ishin zbutur. Perëndia më ka udhëhequr drejt sigurisë, nëpër një shteg që ishte përgatitur me kujdes të përzemërt, disa herë i përgatitur kohë më parë.”
Ftojini anëtarët e grupit të tregojnë mënyra se si mund të kenë marrë siguri dhe mbrojtje më të madhe për shkak se zgjodhën të ndiqnin këshillën e një profeti.
Mësoni më shumë
-
Isaia 55:8–9; Mormoni 9:7–9; Nenet e Besimit 1:9
-
M. Rasëll Ballard, “Perëndia Është në Timon”, Liahona, nëntor 2015, f. 24–27
Burime të Tjera rreth Profetëve
-
Burime për fëmijët