Biblioteka
Dhuntitë e Shpirtit


“Dhuntitë e Shpirtit”, Tema dhe Pyetje (2023)

të rinj duke folur në korridor

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Dhuntitë e Shpirtit

Bekimet shpirtërore që merren nëpërmjet Frymës së Shenjtë

Përfytyroni sikur sapo keni marrë një dhuratë të mirëmenduar. Personi që e zgjodhi, u kujdes më shumë për t’ju dhënë diçka që do të bekonte jo vetëm jetën tuaj, por edhe jetën e njerëzve përreth jush. Kur e hapni dhuratën dhe shihni se çfarë ka brenda, kuptoni se është më e çmuar se çdo gjë që mund të kishit përfytyruar ndonjëherë.

Në mënyrë të ngjashme, Ati Qiellor është gati dhe i gatshëm të na japë dhurata të çmuara për të na bekuar. Këto dhurata quhen dhunti shpirtërore. Ka shumë lloje dhuntish shpirtërore dhe secila prej tyre mund të na forcojë e të na ndihmojë. Por na takon ne t’i kërkojmë, t’i marrim dhe t’i përdorim për të bërë punën e Atit Qiellor.

Çfarë Janë Dhuntitë e Shpirtit?

Dhuntitë e Shpirtit janë bekime ose aftësi shpirtërore që u jepen anëtarëve besnikë të Kishës nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Ato janë dhënë për “ndërtimin e kishës” (1 Korintasve 14:12) dhe “për përfitimin e fëmijëve të Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 46:26). Shkrimet e shenjta flasin për shumë dhunti të ndryshme shpirtërore që mund të marrim (shihni te 1 Korintasve 12:1–11; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 46:11–25). Ati Qiellor do t’i derdhë këto dhunti mbi të gjithë ne teksa i kërkojmë ato me zell (shihni te Doktrina e Besëlidhje 46:8–9).

Vështrim i përgjithshëm i temës: Dhuntitë/Dhuratat Shpirtërore

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Dhurata e Frymës së Shenjtë, Besimi te Jezu Krishti, Shpresa, Dashuria Hyjnore

Pjesa 1

Ati Qiellor u Jep Dhunti Shpirtërore Besnikëve

grua te foltorja

Perëndia na jep dhunti shpirtërore ose bekime shpirtërore kur e duam Atë dhe përpiqemi t’i zbatojmë urdhërimet e Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 46:9). Nëpërmjet këtyre dhuntive, ne mund të marrim bekime në jetën tonë dhe të bekojmë jetën e të tjerëve. Dhuntitë shpirtërore sjellin fuqi të shtuar në një botë ku e keqja po rritet vazhdimisht, dhe nëpërmjet këtyre bekimeve ne mund të gjejmë siguri dhe paqe shpirtërore.

Gjëra për t’i menduar

  • Apostulli Pal dha mësim se ashtu si çdo pjesë e trupit i shërben një qëllimi të rëndësishëm, çdo dhunti shpirtërore është e nevojshme për “trupi[n e] Krishtit” ose trupin e Kishës (1 Korintasve 12:27). Merreni parasysh të lexoni te 1 Korintasve 12:12–30 dhe më pas të reflektoni se si dhuntitë tona shpirtërore mund të veprojnë së bashku për bekimin e të gjithë njerëzve. Si i keni parë dhuntitë shpirtërore të të tjerëve të veprojnë së bashku, ashtu si pjesët e një trupi veprojnë së bashku? Si jeni bekuar për shkak të dhuntive shpirtërore të dikujt tjetër? Ju mund të përsiatni edhe për dhuntitë tuaja shpirtërore dhe se si ato mund të ndihmojnë në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë. Veproni sipas çdo nxitjeje që merrni.

  • Kur marrim sakramentin, na premtohet se mund ta kemi gjithmonë Frymën e Shenjtë me vete, dhe është nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë që ne marrim dhunti shpirtërore. Merreni parasysh t’i lexoni lutjet e sakramentit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79) dhe të përsiatni se si mund t’ju ndihmojnë bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve që të jeni gati për të marrë dhunti shpirtërore.

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • A është forcuar ndonjëherë dëshmia juaj nga dëshmia e dikujt tjetër? Ndoshta ju mund të sillni ndërmend një kujtim specifik kur besimi i dikujt e thelloi besimin tuaj. Ose ndoshta ju e ndieni dobinë e dëshmisë së një miku apo të një pjesëtari të familjes çdo ditë. Te Doktrina e Besëlidhje 46:13–14, ne mësojmë se të besuarit e dëshmisë së dikujt për Jezu Krishtin, është një dhunti shpirtërore. Ju mund ta shikoni këtë material filmik të Presidentit Diter F. Uhtdorf, i cili përshkruan se si e mori atë dhunti kur ishte i ri nëpërmjet shembujve, dashurisë dhe shërbimit të miqve të tij. Më pas, tregojini njëri‑tjetrit përvoja të ngjashme që keni pasur me këtë dhunti shpirtërore. Si është bekuar jeta juaj nga shembujt besnikë të njerëzve përreth jush?

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Zbuloni Dhuntitë që Ju Ka Dhënë Perëndia

fëmijë me mësuese

Perëndia i ka dhënë secilit prej nesh dhunti shpirtërore dhe na kërkon që të përpiqemi fort që “gjithmonë të kujto[jmë] dhe gjithmonë të mbetet në mendjet t[ona] cilat janë ato dhurata” (Doktrina e Besëlidhje 46:10). Si i përcaktojmë dhuntitë tona shpirtërore në mënyrë që të mund t’i kujtojmë ato? Mund të fillojmë duke hulumtuar në shkrimet e shenjta, të cilat japin shumë shembuj dhuntish shpirtërore. Këto përfshijnë besimin, dhuratën e gjuhëve, kryerjen e mrekullive dhe një dëshmi për Krishtin (shihni te 1 Korintasve 12:8–10; Moroni 10:9–16; Doktrina e Besëlidhje 46:13–25).

Ne mund t’i dallojmë dhuntitë tona shpirtërore kur i “drejtohemi bekimit tonë patriarkal, … pyetim ata që na njohin shumë mirë, dhe … përcaktojmë vetë se për çfarë gjërash jemi të zotë në mënyrë të natyrshme dhe çfarë gjërash na gëzojnë. Më e rëndësishmja, ne mund të pyesim Perëndinë (shihni te Jakob [Bibël] 1:5; Doktrina e Besëlidhje 46:9; Doktrina e Besëlidhje 112:10).” Ndërsa zbulojmë dhuntitë që na ka dhënë Ati Qiellor, mund të arrijmë ta njohim Atë dhe veten më mirë.

Gjëra për t’i menduar

  • Zbulimi i dhuntive shpirtërore do besim dhe durim, por Zoti mund t’ju udhëheqë në këtë proces. Ndoshta mund të lexoni te Doktrina e Besëlidhje 112:10 dhe të reflektoni se si mund t’ju ndihmojë Perëndia të zbuloni dhuntitë tuaja shpirtërore. Pastaj kërkojini Perëndisë në lutjet tuaja që t’ju ndihmojë të mësoni për dhuntitë shpirtërore që Ai ju ka dhënë. Ju gjithashtu mund t’u kërkoni pjesëtarëve të familjes, miqve dhe këshilluesve që t’ju ndihmojnë të dalloni dhuntitë shpirtërore me të cilat jeni bekuar. Ndërsa i zbuloni dhuntitë tuaja shpirtërore, shënojini ato që të mund t’i mbani mend dhe të mësoni më shumë rreth tyre.

  • Ndërsa i zbulojmë dhuntitë tona shpirtërore, Zoti mund të punojë nëpërmjet nesh për të bekuar njerëzit që na rrethojnë. Në bisedën e tij “Unë Kam një Punë për Ty”, Plaku Xhon C. Pingri i Riu, tregoi një histori për një grua të cilës iu dha dhuntia shpirtërore për të vënë re të tjerët. Ai tha: “Ajo ka gjetur gëzim ndërsa ka treguar vëmendje ndaj atyre që harrohen rëndom dhe Perëndia ka punuar përmes saj për të bekuar shumë njerëz”. Shqyrtojeni pjesën e titulluar “Zbuloni dhe Zhvilloni Dhurata Shpirtërore” në mesazhin e Plakut Pingri. Çfarë dhuntish shpirtërore keni që mund t’ju ndihmojnë të përmbushni punën që Perëndia ka për ju? A ka dhunti shpirtërore që mund t’i zbuloni, të cilat mund t’ju ndihmojnë në shërbesën tuaj vetjake? Shkruajeni çdo përshtypje që merrni dhe më pas veproni sipas tyre.

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Disa nga dhuntitë tona shpirtërore mund të mos jenë aq të dukshme për ne sa janë për të tjerët. Për shembull, disa individë kanë “dhunti[në] e mosgjykimit; dhunti[në] e të shikuarit te Perëndia për udhërrëfim; dhunti[në] e të qenit dishepull; dhunti[në] e përkujdesjes ndaj të tjerëve; dhunti[në] e aftësisë për të përsiatur; dhunti[në] e bërjes së lutjes; dhunti[në] e dhënies së një dëshmie të fortë”. Cilat janë disa dhunti shpirtërore që shihni tek të tjerët në grupin tuaj? Shkruajeni atë që ju vjen në mendje dhe më pas diskutoni se si secila prej këtyre dhuntive është një bekim për të gjithë. Ju gjithashtu mund t’i mbani shënim dhuntitë shpirtërore që grupi juaj vëren te ju, dhe të merrni në shqyrtim se si mund t’i zhvilloni ato.

Pjesa 3

Kërkimi dhe Përdorimi i Dhuntive Shpirtërore na Ndihmon të Bëhemi më Shumë si Krishti

grua duke studiuar shkrimet e shenjta

Zoti na fton të kërkojmë me zell dhuntitë më të mira shpirtërore të tilla si besimi, shpresa dhe dashuria hyjnore (shihni te Moroni 10:30; Doktrina e Besëlidhje 46:8; shihni edhe tek Ethëri 12:28). Teksa përpiqemi fort t’i ushtrojmë këto dhunti shpirtërore, bëhemi më shumë si Jezu Krishti. Kjo na bën më të aftë të shërbejmë në mënyrën që do të shërbente Ai, saqë “duart tona mund të bëhen duart e Tij; sytë tanë, sytë e Tij; zemra jonë, zemra e Tij”.

Gjëra për t’i menduar

  • Plaku Jozef B. Uirthlin dha mësim: “Unë ju nxis ta shqyrtoni jetën tuaj. Përcaktoni ku jeni dhe çfarë keni nevojë të bëni që të jeni ai lloj njeriu që doni të jeni. Krijoni objektiva frymëzuese, fisnike dhe të drejta, të cilat e ndezin [imagjinatën] tuaj dhe krijojnë [emocione] në zemrën tuaj. Dhe më pas mbajeni syrin tek ato. Punoni vazhdimisht drejt arritjes së tyre.” Si mund ta zbatoni këtë këshillë për të kërkuar dhe zhvilluar dhunti shpirtërore? Si mund t’ju ndihmojnë këto dhunti të bëheni më shumë si Jezu Krishti? Ndoshta mund të shkruani një dhunti shpirtërore që shpresoni ta zhvilloni, dhe një ide se si mund të filloni të punoni për të. Ndërsa kërkoni ta merrni dhe ta ushtroni atë dhunti, mbajeni shënim se si ju bekon në jetën tuaj të përditshme dhe se si i bekon të tjerët. Gjithashtu mund të bëni një lutje mirënjohjeje duke dhënë falënderime për dhuntitë shpirtërore që ju janë dhënë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 46:32).

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Bërja më shumë si Krishti përmes dhuntive shpirtërore kërkon praktikë. Plaku Huan Pablo Vijar tha: “Ka më shumë gjasa që Ai të na japë mundësi për t’i zhvilluar ato dhurata [shpirtërore] sesa thjesht të na i falë pa përpjekje shpirtërore dhe fizike. Nëse jemi në harmoni me Shpirtin e Tij, ne do të mësojmë t’i dallojmë ato mundësi dhe mandej të veprojmë sipas tyre.” Shihni materialin filmik “Faith and the Goal” [“Besimi dhe Synimi”] (4:40) dhe flisni rreth përpjekjes që kërkohet për të formuar një talent fizik. Më pas, diskutoni për punën e nevojshme për të zhvilluar dhuntitë shpirtërore. Nga cilat mundësi mund të përfitoni për të ushtruar dhuntitë tuaja shpirtërore? Si mund të ndihmojë puna për dhuntitë tuaja shpirtërore që ato të bëhen pjesë e juaja?

  • Mund të ketë raste kur kujtohemi të përdorim dhuntitë tona shpirtërore dhe raste të tjera kur harrojmë. Kjo pritet; askush nuk është i përsosur. Ajo që ka më tepër rëndësi, është që ne ta ftojmë Zotin gjatë këtij procesi. Merreni parasysh të këndoni himnin “Më Shum’ Shenjtëri m’Jep”. Vini re se si teksti tregon përgjërimin për ndihmë për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari. Si mund ta kërkoni udhërrëfimin e Perëndisë në përdorimin e dhuntive tuaja shpirtërore në mënyrë që të bëheni më shumë si Ai? Mund të shkruani edhe dhuntitë shpirtërore që përmenden në himn, dhe të zgjidhni të mësoni më shumë rreth tyre tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Diskutoni për atë që gjeni rreth këtyre dhuntive dhe ideve që keni për t’i zhvilluar ato.

Mësoni më shumë