Biblioteka
Dashuria Hyjnore


“Dashuria Hyjnore”, Tema dhe Pyetje (2023)

Krishti me fëmijët

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Dashuria Hyjnore

Pasja e dashurisë së pastër të Krishtit

Ne të gjithë acarohemi ose mërzitemi herë pas here, mbase edhe shpeshherë. Ndofta nuk merremi vesh me fqinjët ose kolegët. Nganjëherë mund të jemi të paduruar me fëmijët ose bashkëshortin/en. Mund ta gjejmë vetën duke i kritikuar dhe i gjykuar të tjerët. Sigurisht, askush nuk është i përkryer dhe është normale të ndihemi kështu ndonjëherë. Por a e keni pyetur ndonjëherë veten si mund të jeni më të dashur dhe të duruar kundrejt njerëzve që keni përreth?

Përgjigjja është e thjeshtë: zemra mund t’ju zbutet nëpërmjet dashurisë hyjnore, që është një dhuratë nga Perëndia. Të zhvillojmë dashurinë hyjnore do të thotë të bëhemi si Jezu Krishti dhe ai është një synim për gjithë jetën, por Ati juaj Qiellor dhe Shpëtimtari juaj, Jezu Krishti, do t’ju ndihmojnë teksa kërkoni me besim të bëheni më shumë si Ata.

Çfarë Është Dashuria Hyjnore?

Dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Jezu Krishtit (shihni te Moroni 7:47). Ajo është forma më e lartë dhe më e fortë e dashurisë. Dashuria hyjnore na jep shtysë t’i shërbejmë Perëndisë dhe të tjerëve me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 59:5).

Vështrim i përgjithshëm i temës: Dashuria Hyjnore

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Jezu Krishti, Besimi, Shpresa, Dhuratat e Shpirtit, Shërbimi

Pjesa 1

Dashuria Hyjnore Është Dashuria e Pastër e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit për të Gjithë Njerëzit

Krishti duke dëbuar demonët nga një burrë

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti na duan përsosurisht. Profeti Mormoni dha mësim se “dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit” (Moroni 7:47). Gjatë jetës së Tij, Jezu Krishti tregoi dashuri dhe dhembshuri për të uriturit, për mëkatarët, për të pikëlluarit dhe për të sëmurët. Ai u dha shërbesë të varfërve dhe të pasurve, miqve dhe të huajve. Ai madje fali edhe paditësit e Tij dhe ata që e kryqëzuan (shihni te Lluka 23:34). Jezu Krishti qe shembulli i përkryer i dashurisë së përkryer.

Gjëra për t’i menduar

  • Dashuria e përkryer e Jezu Krishtit ndikoi te secili prej veprimeve të Tij. Merrini parasysh këta shembuj: Mateu 26:39; Lluka 7:22; 1 Nefi 19:9. Si e tregon secili prej këtyre fragmenteve dashurinë e Krishtit për ne? Mund t’i krahasoni këta shembuj të dashurisë së Shpëtimtarit me përshkrimin e Palit për dashurinë hyjnore te 1 Korintasve 13. Si e ka treguar Shpëtimtari këtë lloj dashurie kundrejt jush?

  • Profeti Jozef Smith dha mësim: “Dashuria është një prej karakteristikave kryesore të Hyjnisë”. Merreni parasysh të shkruani në ditar fjalët: E di se Perëndia më do sepse … Gjatë gjithë javës, shkruani mënyra se si do ta përfundonit këtë fjali. Mund të lexoni ose të dëgjoni një këngë të tillë si “Per’ndia Ësht’ Dashuri ose “Ati Im Qiellor më Do për ide.

Veprimtari për të mësuar së bashku

  • Merreni parasysh këtë mësim nga Plaku Xhefri R. Holland: “Urdhërimi i parë i madh i gjithë përjetësisë është që ta duam Perëndinë me të gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë – ai është urdhërimi i parë i madh. Por e vërteta e parë e madh[e] e gjithë përjetësisë është që Perëndia na do me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e Tij.” Diskutoni se si njohuria për dashurinë e madhe të Perëndisë për ju mund ta ndryshojë mënyrën se si ndiheni, mendoni dhe veproni.

  • Të parit e materialit filmik “Charity: An Example of the Believers” [“Dashuria Hyjnore: Një Shembull për Besimtarët”] (4:50) mund të frymëzojë një diskutim rreth mënyrës se si dashuria si e Krishtit ta ndryshon jetën. Si i tregojnë të rejat në këtë material filmik dashuri si ajo e Krishtit nxitëses së re të tifozëve? Si ndikoi kjo dashuri tek ajo? Si ndikoi tek të rejat e tjera? Mendoni për njerëzit përreth vetes të cilët mund të kenë nevojë të ndiejnë dashurinë e Shpëtimtarit. Bisedoni rreth mënyrave se si mund t’i jepni dashuri si ajo e Krishtit njërit ose dy prej tyre.

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Dashuria Hyjnore Është Virtyti më i Madh që Mund të Përvetësojnë Ndjekësit e Jezu Krishtit

gra duke dhënë shërbesë

Dashuria hyjnore nuk është diçka që e bëjmë ose që e dhurojmë. Ajo është një gjendje e zemrës dhe një mënyrë jetese. Është njeriu që bëhemi dhe ajo që ndiejmë, dhe na shtyn të ndërmarrim veprime me dashuri (shihni te Moroni 7:45–47).

Pa dashuri hyjnore, jemi asgjë; me të, kemi gjithçka (shihni tek Ethëri 12:34; Moroni 7:44). Të gjitha gjërat e tjera mbarojnë, por dashuria hyjnore zgjat përgjithmonë dhe nuk dështon kurrë (shihni te Moroni 7:46–47). Pra, si e marrim këtë dhuratë? Profeti Mormoni tha: “Lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri, … që kur [Jezu Krishti] të shfaqet, ne të jemi si ai” (Moroni 7:48).

Ne mësojmë të ushtrojmë dashuri hyjnore në marrëdhëniet tona, në familjet tona, në bashkësitë e kishës, në komunitetet tona dhe me këdo që takojmë. Teksa përpiqemi fort t’i pranojmë të tjerët ashtu siç janë dhe t’i shohim sikurse i shohin Ati ynë Qiellor dhe Jezu Krishti, mund të fillojmë t’i duam njerëzit si Ata.

Gjëra për t’i menduar

  • Lexoni te 1 Korintasve 13:1–7 duke përfytyruar veten në këto vargje. Më pas lexoni vargun 8. Çfarë do të thotë për ju që “dashuria [hyjnore] nuk lig[ë]shtohet kurrë”? Merreni parasysh a ka ndonjë cilësi të renditur te vargjet 4–7 për të cilën mund të punoni, që t’ju ndihmojë të jeni një shembull më i mirë i dashurisë hyjnore.

  • Ndërkohë që dashuria hyjnore është një dhuratë nga Perëndia, si çdo dhuratë, duhet që ta pranojmë. Çfarë mësoni nga Moroni 7:48; 8:26 rreth mënyrës se si ta pranoni dhuratën e dashurisë hyjnore?

  • Presidenti Rasëll M. Nelson na mësoi këto të vërteta të rëndësishme për dashurinë hyjnore: “Dashuria hyjnore është kundërhelmi ndaj grindjes. Dashuria hyjnore është dhurata shpirtërore që na ndihmon ta largojmë nga vetja njeriun e natyrshëm, që është egoist, vetëshfajësues, kryelartë dhe xheloz. Dashuria hyjnore është karakteristika kryesore e një pasuesi të vërtetë të Jezu Krishtit. Dashuria hyjnore e përcakton një paqebërës.” Ndërsa i përsiatni fjalët e Presidentit Nelson, çfarë ju frymëzon Shpirti të bëni? Merreni parasysh ta vendosni thënien e Presidentit Nelson diku ku do ta shihni shpesh si një kujtues për të treguar dashuri hyjnore për të tjerët.

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Si e identifikoni një ndjekës të Jezu Krishtit? Shpëtimtari Vetë dha mësim: “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” (Gjoni 13:35). Si grup, mendoni rreth njerëzve që i admironi, të cilët janë shembuj të vërtetë të dashurisë hyjnore. Në ç’mënyrë i keni parë ata të tregojnë dashurinë e pastër të Krishtit? Merreni parasysh t’i dërgoni një mesazh në telefon ose t’i shkruani një pusullë njërit prej këtyre njerëzve dhe t’i tregoni atë që admironi rreth tij ose saj.

  • Bisedoni rreth disa zgjedhjeve të rëndësishme që bëni çdo ditë. Më pas lexoni pjesën “Duajeni Perëndinë, duajeni të afërmin tuaj” te Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve ([2022], f. 10–15). Diskutoni për mënyrën se si dhurata e dashurisë hyjnore mund të jetë një udhërrëfyes ndërsa e bëni secilën prej atyre zgjedhjeve.

  • Merreni parasysh këtë këshillë nga Presidenti Diter F. Uhtdorf: “Çfarëdo problemesh që po i has familja juaj, çfarëdo që duhet të bëni për t’i zgjidhur ato, fillimi dhe fundi i zgjidhjes është dashuria hyjnore, dashuria e pastër e Krishtit”. Punoni së bashku për të bërë një listë të disa problemeve ose sfidave me të cilat individët ose familjet përballen sot, të tilla si grindja ose zilia. Më pas mund të lexoni te Moroni 7:45 dhe të bisedoni rreth mënyrës se si mund të ndihmojnë për t’i zgjidhur problemet në listën tuaj cilësitë e dashurisë hyjnore që përshkruhen në këtë varg. Më pas mund të bëni një plan të thjeshtë për ta zbatuar dashurinë hyjnore që t’ju ndihmojë të zgjidhni njërin nga problemet. Përfshijeni Perëndinë në planin tuaj dhe kërkoni ndihmë nga të tjerët si të jetë e përshtatshme.

Mësoni më shumë

Shënime

  1. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 454.

  2. Himne, nr. 43.

  3. Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 16.

  4. Xhefri R. Holland, “Nesër Zoti Ka për të Bërë Mrekulli midis Jush”, Liahona, maj 2016, f. 126.

  5. Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim se “arsyeja që dashuria hyjnore nuk dështon kurrë dhe arsyeja përse dashuria hyjnore është më e madhe edhe se veprat më të rëndësishme të mirësisë që [Apostulli Pal] citoi [te 1 Korintasve 13], është se dashuria hyjnore, ‘dashuria e pastër e Krishtit’ (Moroni 7:47), nuk është një veprim, por një gjendje ose mënyrë e të qenit. Dashuria hyjnore arrihet nëpërmjet një serie veprash që çojnë në kthimin në besim. Dashuria hyjnore është diçka në të cilën shndërrohet një njeri” (“The Challenge to Become”, Ensign, nëntor 2000, f. 34).

  6. Rasëll M. Nelson, “Kërkohen Paqebërës”, Liahona, maj 2023, f. 100.

  7. Diter F. Uhtdorf, “Në Lavdërim të Atyre që Shpëtojnë”, Liahona, maj 2016, f. 79–80.