“Jezu Krishti”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Jezu Krishti
Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës
Shumë njerëz në këtë botë kanë dëgjuar për Jezu Krishtin, por nuk janë në dijeni për atë që Ai ka bërë për ta. Mesazhi i ungjillit të rivendosur na ndihmon të kuptojmë se Jezu Krishti qe më shumë sesa thjesht një figurë historike. Ai është Biri i Vetëmlindur i Perëndisë, i cili ka bërë gjithçka për ta bërë shpëtimin dhe jetën e përjetshme të mundur për të gjithë. Kur mësoni rreth rolit të Tij si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi juaj, zbuloni se Ai mund të t’jua lehtësojë barrët dhe t’jua ndryshojë jetën përgjithmonë. Kur zgjidhni të besoni te Jezu Krishti dhe të mirëbesoni në fuqinë e Tij të pafundme, mund të merrni udhërrëfim dhe ndihmë për çdo sfidë të mundshme në këtë jetë.
Kush Është Jezu Krishti?
Jezu Krishti është Biri i Parëlindur dhe i Vetëmlindur i Atit Qiellor. Në botën para lindjes, Jezu Krishti u zgjodh të ishte Shpëtimtari i fëmijëve të Perëndisë (shihni tek Abraham 3:27). Ati Qiellor e dërgoi Atë në këtë tokë që të vuante e të vdiste për mëkatet tona (shihni te Gjoni 3:16–17). Me fuqi hyjnore, Jezu Krishti e mposhti vdekjen dhe u ringjall. Ai jeton sot. Ai ka premtuar që një ditë do të kthehet në tokë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 133:10–11, 25).
Vështrim i përgjithshëm i temës: Jezu Krishti
Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Kreu‑Perëndi, Jeta Para Lindjes, Krijimi, Lindja e Jezu Krishtit, Shërbesa në Vdekshmëri e Jezu Krishtit, Shlyerja e Jezu Krishtit, Ringjallja, Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit, Shpëtimi
Pjesa 1
Jezu Krishti Është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i Botës
Asgjë nuk është më e rëndësishme për ne sesa të mësojmë rreth Jezu Krishtit, se kush është Ai, çfarë ka bërë për ne dhe çfarë do Ai që të dimë dhe të bëjmë. Shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve dhe apostujve bashkëkohorë na ndihmojnë ta dallojmë rolin e Tij thelbësor si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë.
Ne mësojmë në shkrimet e shenjta se në botën para lindjes, Jezu Krishti u zgjodh të ishte Shpëtimtari për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor (shihni te 1 Pjetër 1:19–20; Abraham 3:27). Prej fillimit fare, Jezu Krishti ka qenë figura kyç për përmbushjen e planit të Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin e fëmijëve të Tij. Nën drejtimin e Atit, Jezu Krishti krijoi qiejt dhe tokën (shihni te Moisiu 1:32–33). Gjatë kohës së Dhiatës së Vjetër, Jezu Krishti njihej si Jehova i Madh. Ai i udhërrëfeu dhe i drejtoi profetët dhe besimtarët në lashtësi. Dashuria dhe mëshira e Tij i forcuan ata gjatë sprovave të tyre.
Më shumë se 2 000 vjet më parë, Jezu Krishti erdhi në tokë përmes një lindjeje që qe mrekulli. Ai jetoi dhe dha shërbesë mes popullit në tokën e Izraelit. Ai kreu mrekulli të fuqishme, të tilla si shërimi i të sëmurëve dhe ringjallja e të vdekurve (shihni te Mateu 11:4–5). Ai themeloi Kishën e Tij dhe dha mësim doktrinën e pendimit, të faljes së mëkateve dhe të jetës së përjetshme për të gjithë ata që do ta ndiqnin Atë. Jezu Krishti bëri një jetë të përkryer, duke ecur gjithnjë me bindje ndaj Atit të Tij (shihni te 2 Nefi 31:7).
Për shkak se Jezu Krishti erdhi në tokë për të shpëtuar fëmijët e Atit, Ai me vullnet të lirë mori mbi Vete dënimin për mëkatet e tyre. Shekuj më parë, Isaia kishte profetizuar: “Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona. … Ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona” (Isaia 53:4–5). Jezusi përjetoi agoni të tejskajshme, duke e bërë t’i dilte gjak nga çdo por (shihni te Lluka 22:44; Doktrina e Besëlidhje 19:15–20). Atë e arrestuan dhe e dënuan me akuza të rreme dhe i dhanë dënimin me vdekje. E gozhduan mizorisht në kryq, ku Ai vuajti dhe dha jetën për ne (shihni te Mateu 27:50). Por vdekja e Tij nuk ishte fundi. Jezu Krishti u ngrit nga varri dhe u dha shërbesë ndjekësve të Tij si një qenie e ringjallur (shihni te Lluka 24:36–40; 3 Nefi 11:8–15).
Sot, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit e presin me padurim kthimin e premtuar të Tij në tokë. Askush nuk e di kur do të ndodhë kjo (shihni te Doktrina e Besëlidhje 49:7), por shkrimet e shenjta flasin për shenja dhe ngjarje që do t’i paraprijnë Ardhjes së Tij të Dytë. Toka do të ndryshojë kur Zoti të kthehet dhe Ai do t’ua zbulojë të gjitha gjërat atyre që janë të drejtë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 101:23–34).
Gjëra për t’i menduar
-
Jezu Krishti u zgjodh nga Ati Qiellor për ta vënë në jetë planin e Tij për shpëtimin dhe ekzaltimin tonë. Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 38:1–3 dhe merreni parasysh njohurinë dhe fuqinë që zotëronte Jezu Krishti përpara se të lindej në tokë. Si mund ta rritë besimin dhe mirëbesimin tuaj tek Ai sot të qenit në dijeni për shtrirjen e pafundme të njohurisë së Zotit?
-
Jezu Krishti njihet me shumë emra dhe tituj. Lexojini fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta për ta kuptuar më mirë arsyen pse Jezu Krishti quhet Shpëtimtar (Veprat e Apostujve 4:10–12; Helamani 14:15–16) dhe Shëlbues (Titit 2:13–14; 2 Nefi 2:6–7, 26). Pse është e rëndësishme ta dini vetë se Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi juaj?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Me anëtarët e grupit tuaj, shikojeni materialin filmik “Excerpts from ‘The Living Christ: The Testimony of the Apostles’” [“Pjesë të Shkëputura nga ‘Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve’”] (2:45), duke dëgjuar mënyrat se si materiali filmik ju kujton ta rritni besimin tuaj te Jezu Krishti. Mund edhe t’i ftoni anëtarët e grupit që ta rishikojnë informacionin e përmbledhur që gjendet në krye të zërit “Jezu Krisht” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit]. Si mund t’ju ndihmojë ky informacion që të mendoni rreth Jezu Krishtit si Shpëtuesi dhe Shëlbuesi juaj?
Mësoni më shumë
-
Gjoni 11:25–26; Mosia 3:5–13; Abraham 2:7–8
-
“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
-
“Jezu Krishti Shfaqet në Kontinentin e Lashtë Amerikan” (material filmik), youtube.com
Pjesa 2
Ejani te Jezu Krishti
Ati Qiellor ka përgatitur bekime të bollshme për ata që e pranojnë Birin e Tij, Jezu Krishtin (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:37–38). Jezu Krishti deklaroi: “Në qoftë se do të vini tek unë, ju do të keni jetën e përjetshme. Vini re, krahu im i mëshirës është shtrirë drejt jush dhe kushdo që do të vijë, unë do ta pranoj” (3 Nefi 9:14). Ne e tregojmë dëshirën për ta pranuar ftesën e Zotit për të ardhur tek Ai kur e vëmë besimin tonë tek Ai, pendohemi për mëkatet tona, pagëzohemi, i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë dhe marrim ordinancat e shenjta të tempullit.
Kur i drejtohemi përulësisht Jezu Krishtit me besim dhe pendim, mund të marrim një heqje të mëkateve tona (shihni te Mosia 4:2–3). Shlyerja e Jezu Krishtit bën të mundur gjithashtu që të “[kemi] të drejtën e përdorimit të fuqisë së perëndishmërisë – fuqi e mjaftueshme për të përballuar barrët, pengesat dhe tundimet e kohës”. Dashuria, mëshira dhe falja që marrim nga Jezu Krishti, mund të bëjnë të ndodhë ndryshimi afatgjatë në jetën tonë dhe të na japë fuqinë për të ecur përpara duke bërë vullnetin e Perëndisë (shihni te Mosia 5:2; Helamani 15:7–8).
Gjëra për t’i menduar
-
Jezu Krishti i mori mbi Vete dhembjet dhe sëmundjet tona që ta dinte se si të na përkrahte dhe të na ndihmonte në dobësitë tona. Lexoni tek Alma 7:11–13 dhe reflektoni mbi mënyrën se si i kupton Jezu Krishti dhembjet dhe sfidat tuaja përsosurisht dhe se si Ai di si t’ju bekojë e ngushëllojë, edhe kur askush tjetër nuk e bën. Kur ju ka ndihmuar Shpëtimtari në kohë sprove ose tundimi? Si mund të mbështeteni tek Ai kur keni nevojë për lehtësim?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Jezu Krishti ka fuqi të pafundme hyjnore për të na falur, lartësuar dhe forcuar. Njohuria për këtë mund të na ndihmojë të përballemi me sfidat me më shumë shpresë. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Çfarëdo pyetjesh apo problemesh të keni, përgjigjja gjendet gjithmonë në jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit. Mësoni më shumë për Shlyerjen e Tij, dashurinë e Tij, mëshirën e Tij, doktrinën e Tij dhe ungjillin e Tij të rivendosur të shërimit dhe përparimit. Drejtohuni tek Ai! Ndiqeni Atë!”
Diskutojeni thënien e Presidentit Nelson. Ftojini anëtarët e grupit të përcaktojnë disa nga pyetjet ose sfidat me të cilat përballemi sot. Diskutoni mënyra se si mund të gjejmë zgjidhje nëpërmjet Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.
Mësoni më shumë
-
Mateu 11:28–30; Efesianëve 5:1–2; 2 Nefi 31:16; 3 Nefi 27:21; Moroni 10:32–33
-
Nil L. Andersen, “Mendja Ime po më Përqendrohej në Këtë Mendim për Jezu Krishtin”, Liahona, maj 2023, f. 91–94
-
Sheron Iubank, “Krishti: Drita që Shkëlqen në Errësirë”, Liahona, maj 2019, f. 73–76