“Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit
Jezu Krishti do të vijë përsëri me fuqi e lavdi të madhe
A mund të mendoni për një rast kur e pritët me shumë padurim vizitën e një të afërmi ose një miku/eje që jetonte shumë larg? Çfarë bëtë për t’u përgatitur për atë vizitë? Mendoni për kohën dhe përpjekjen që i kushtuat përgatitjes, dhe për lumturinë që ndiet teksa mezi e prisnit ardhjen e personit.
Shumë njerëz e presin Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit tonë me padurim të madh gjithashtu. Kthimi i Tij do të sinjalizojë fundin e luftës dhe konfliktit në tokë dhe do të shenjojë fillimin e 1 000 viteve të paqes dhe drejtësisë. Për shkak se e presim me padurim kthimin e Shpëtimtarit, ne mund të kemi shpresë e gëzim. Ne e dimë se kur të vijë, Jezu Krishti do t’i ndreqë të gjitha gabimet dhe do të “thajë çdo lot” (Zbulesa 21:4).
Ndërsa i studioni ngjarjet e Ardhjes së Dytë, mund të merrni parasysh atë që po bëni dhe çfarë tjetër mund të bëni për t’u përgatitur për atë ngjarje të mahnitshme.
Çfarë Është Ardhja e Dytë?
Ardhja e Dytë është koha kur Jezu Krishti do të kthehet në tokë për të sunduar e për të mbretëruar. Jezusi dhe shumë profetë, të lashtë si dhe bashkëkohorë, dhanë mësim se Jezusi do të vinte në tokë për herë të dytë (shihni tek Isaia 66:14–15; Mateu 24:42–44, 50; Veprat e Apostujve 1:11). Kur Ai të kthehet si një qenie e ringjallur me fuqi dhe lavdi, kjo do ta ndryshojë përgjithmonë botën. Në atë kohë, Shpëtimtari do ta shpallë tokën si mbretërinë e Tij dhe do të vendosë paqe në të gjithë botën.
Vështrim i përgjithshëm i temës: Ardhja e Dytë
Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Jezu Krishti, Ringjallja, Pendimi
Pjesa 1
Jezu Krishti do të Kthehet në Tokë me Lavdi dhe Fuqi
Kur Jezusi erdhi në tokë për herë të parë, shumica e njerëzve nuk e dinin që kishte ndodhur. Ai u lind nga një grua e përulur, larg nga shtëpia dhe u shtri në një koritë. Kur të vijë për herë të dytë, Jezusi u tha dishepujve: “Biri i njeriut do të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e tij” (Mateu 16:27).
Profetët gjithashtu kanë folur shpesh për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Presidenti Rasëll M. Nelson e quajti atë “pjesën kulmore të kësaj periudhe të fundit ungjillore”. Sikurse tha Plaku D. Tod Kristoferson: “Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është fuqizuar dhe autorizuar në mënyrë të pashoqe për të kryer përgatitjet e nevojshme për Ardhjen e Dytë të Zotit; me të vërtetë, ajo u rivendos për atë qëllim”.
Kur Krishti të kthehet, të gjithë njerëzit do ta dinë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 101:23). Profeti Isaia deklaroi: “Atëherë lavdia e Zotit do të zbulohet dhe çdo qenie do ta shohë” (Isaia 40:5). Kjo ngjarje madhështore do të shënojë fillimin e një periudhe të lavdishme 1000‑vjeçare, e njohur si Mijëvjeçari, kur Jezusi do të mbretërojë personalisht në tokë, Satani nuk do të ketë asnjë fuqi (shihni te Zbulesa 20:1–3; Doktrina e Besëlidhje 45:55) dhe të gjithë njerëzit do të jetojnë në paqe dhe gëzim.
Gjëra për t’i menduar
-
Kur Jezu Krishti të kthehet, e gjithë ligësia në tokë do të mbarojë. Pse ajo periudhë do të jetë tmerruese për disa njerëz? (Mund të lexoni dhe përsiatni vargun te Doktrina e Besëlidhje 29:17.) Pse Ardhja e Dytë e Shpëtimtarit nuk do të jetë një periudhë e frikshme për të drejtët? (Mund të lexoni dhe përsiatni vargjet te 1 Nefi 22:17, 22.)
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Kur Jezusi të vijë sërish si Zot i zotërve, do të ndodhin shumë ngjarje të rëndësishme. Secili prej jush mund të studiojë një ose më shumë nga fragmentet vijuese dhe të thotë atë që mëson rreth këtyre ngjarjeve të ardhshme: Mateu 25:31–46; Doktrina e Besëlidhje 29:9–11; 63:53–54; 76:50–54, 63; 88:96–98; 101:24–25; 133:19, 25 dhe Nenet e Besimit 1:10. Çfarë na mësojnë këto ngjarje rreth Jezu Krishtit?
-
Vështroni një figurë të Jezusit foshnjë dhe krahasojeni me një figurë të Ardhjes së Tij të Dytë. Mund ta lexoni ose këndoni këngën “Jezus’, Dje Lindur n’Varf’ri” që t’ju ndihmojë të bisedoni rreth disa prej ndryshimeve mes dy figurave. Çfarë na ndihmojnë të kuptojmë rreth Jezu Krishtit këto figura dhe kjo këngë?
-
Shikojeni materialin filmik “The Second Coming of Jesus Christ” [“Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit”] (3:02) dhe bisedoni rreth gjërave që përmenden në materialin filmik, të cilat do të shënojnë kthimin e Shpëtimtarit. Cilat fjalë përdoren në materialin filmik për të përshkruar Jezu Krishtin kur Ai të vijë përsëri? Çfarë na mësojnë këto fjalë rreth Tij? Gjithashtu mund të këndoni ose t’i lexoni së bashku fjalët e një kënge ose himni rreth Ardhjes së Dytë, të tillë si “Shëlbues i Izraelit” ose “Kur Ai të Vij’ Përs’ri”, dhe të bisedoni rreth asaj që na mëson rreth Shpëtimtarit dhe kthimit të Tij në tokë.
Mësoni më shumë
-
Malakia 3:1; Lluka 21:25–28; Veprat e Apostujve 1:9–11; Doktrina e Besëlidhje 36:8
-
Nil L. Andersen, “Ardhtë Mbretëria Jote”, Liahona, maj 2015, f. 119–122
Pjesa 2
Ne Duhet të Përgatitemi për Kthimin e Shpëtimtarit
Jezusi tha: “Tani sa për atë ditë dhe për atë orë [të kthimit tim], askush s’e di, as engjëjt e qie[j]ve, por vetëm Ati im” (Mateu 24:36; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 49:7). Koha e Ardhjes së Dytë të Krishtit do të jetë një befasi për shumë njerëz (shihni te 2 Pjetër 3:10; Doktrina e Besëlidhje 106:4). Por dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit nuk do të befasohen. Zoti tha se ndjekësit e Tij do të “[ishin] fëmijët e dritës dhe [ajo ditë nuk do t’i] befasojë si një hajdut” (Doktrina e Besëlidhje 106:5).
Shpëtimtari u tha shenjtorëve të hershëm të kësaj periudhe ungjillore: “Përgatituni ju, përgatituni ju për atë që do të vijë, pasi Zoti është pranë” (Doktrina e Besëlidhje 1:12). Profetët kanë folur në mënyrë të përsëritur gjithashtu mbi nevojën për t’u përgatitur për kthimin e Shpëtimtarit. Presidenti Dallin H. Ouks këshilloi: “Ndërkohë që jemi të pafuqishëm për ta ndryshuar faktin e Ardhjes së Dytë dhe nuk jemi në gjendje ta dimë kohën e saj të saktë, ne mund ta përshpejtojmë përgatitjen tonë vetjake dhe të përpiqemi të ndikojmë në përgatitjen e njerëzve përreth nesh”. Zoti ka dhënë shenja që do të vënë në dukje se Ai do të vijë së shpejti, dhe ne mund t’i kërkojmë e t’i studiojmë këto shenja (shihni, për shembull, te Joseph Smith – Mateu 1).
Gjëra për t’i menduar
-
Një mënyrë se si mund të përgatitemi për kthimin e Shpëtimtarit, është të përpiqemi fort të jemi në vende ku Shpirti i Tij mund të jetë me ne. Zoti u mësoi shenjtorëve të hershëm: “Prandaj, qëndroni në vende të shenjta dhe mos lëvizni, derisa dita e Zotit të vijë; sepse, vini re, ajo vjen shpejt” (Doktrina e Besëlidhje 87:8). Si mendoni, pse të qenit në vende të shenjta është një mënyrë e mirë për t’u përgatitur për kthimin e Shpëtimtarit? Presidenti Ouks shpjegoi: “Cilat janë ato ‘vende të shenjta’? Sigurisht ato përfshijnë tempullin dhe besëlidhjet e tij, të mbajtura me besnikëri. Sigurisht ato përfshijnë një shtëpi ku fëmijët shihen si thesare dhe prindërit respektohen. Sigurisht vendet e shenjta përfshijnë vendet tona të detyrës, të caktuara nga autoriteti i priftërisë, përfshirë misionet dhe thirrjet e përmbushura me besnikëri në degët, lagjet e kunjet.” Mendoni për mënyrën se si bekoheni teksa e kaloni kohën duke bërë veprimtari me në qendër Krishtin në vende të shenjta. Si po ju përgatitin këto veprimtari për kthimin e Zotit?
-
Lexoni te Joseph Smith – Mateu 1, duke kërkuar profecitë e ngjarjeve që do t’i paraprijnë Ardhjes së Dytë. Si mund t’ju ndihmojë të qenit në dijeni për këto ngjarje që të përgatiteni për to? Si mund t’i ndihmoni familjarët ose miqtë të jenë gati për Ardhjen e Dytë dhe për ngjarjet sfiduese që do të çojnë tek ajo? Si mund ta përgatitni zemrën për jetën pas Ardhjes së Dytë, ku nuk do të ketë fare grindje, varfëri dhe ligësi? Cilat cilësi ndieni se do të jenë të rëndësishme që t’i keni kur të kthehet Shpëtimtari? Si do t’i zhvilloni ato cilësi? Shkruajini dhe veproni sipas mbresave që merrni.
-
Mendoni për emrin e Kishës së rivendosur të Zotit. Çfarë do të thotë për ju të jeni një “shenjtor/e i/e ditëve të mëvonshme”? Si mund ta përdorni emrin e Kishës më shumë në bashkëbisedimet tuaja të përditshme për t’i vënë në dijeni të tjerët për besimin tuaj te Shpëtimtari dhe për besimin dhe shpresën te kthimi i Tij?
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Shpëtimtari tregoi shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave për të na mësuar rëndësinë e të qenit gati në çdo kohë për kthimin e Tij (shihni te Mateu 25:1–13; Doktrina e Besëlidhje 45:56–57). Duke folur për vajin që përshkruhet në këtë shëmbëlltyrë, Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “[Ky] vaj i çmuar [merret] pikë pas pike – ‘rresht pas rreshti [dhe] parim pas parimi’ (2 Nefi 28:30), me durim dhe këmbëngulje. Nuk ka asnjë rrugë më të lehtë; nuk është e mundur një përgatitje e beftë në minutën e fundit.” Merrni parasysh të mbushni një enë me një pikë vaj çdo herë teksa bisedoni rreth gjërave që mund të bëjmë si individë, në familjet tona dhe në lagjet tona për t’u përgatitur për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.
-
Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, kemi një rol të pashoq dhe të dhënë në mënyrë hyjnore për të ndihmuar në mbledhjen e “një populli të përgatitur për ta pritur Atë në ardhjen e Tij”. Shqyrtojeni artikullin e Presidentit Nelson “E Ardhmja e Kishës: Përgatitja e Botës për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit”. Më pas, diskutoni se çfarë do të thotë ta përgatitim botën për të pritur Shpëtimtarin tonë. Si mendoni, pse Shpëtimtari i ka caktuar shenjtorët e ditëve të mëvonshme ta përgatitin botën për ardhjen e Tij? Si ta bëjmë ne këtë?
-
Disa njerëz mund të ndiejnë ankth ose frikë kur mendojnë rreth ngjarjeve që do të ndodhin përpara Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit. Mund ta lexoni së bashku thënien vijuese: “Mënyra më e mirë se si mund të përgatitemi për ardhjen e Shpëtimtarit, është të pranojmë mësimet e ungjillit dhe t’i bëjmë ato pjesë të jetës sonë. Ne duhet ta jetojmë çdo ditë sa më mirë që mundemi, ashtu si Jezusi na mësoi kur ishte në tokë. Mund të kërkojmë udhëheqjen e profetit dhe të ndjekim këshillën e tij. Mund të jetojmë të denjë për të pasur udhëheqjen e Frymës së Shenjtë. Atëherë do ta presim ardhjen e Shpëtimtarit me lumturi e jo me frikë.” Më pas bisedoni rreth mënyrës se si secili prej këtyre sugjerimeve mund të na ndihmojë ta jetojmë më mirë ungjillin, në mënyrë që të mund të ndiejmë paqe dhe qetësi kur mendojmë për ngjarjet që lidhen me kthimin e Shpëtimtarit.
Mësoni më shumë
-
Russell M. Nelson, “The Book of Mormon, the Gathering of Israel, and the Second Coming”, Ensign, korrik 2014, f. 26–31
-
D. Tod Kristoferson, “Duke u Përgatitur për Kthimin e Zotit”, Liahona, maj 2019, f. 81–84
-
Emi A. Rajt, “Qëndrojini Ditës në Krisht”, Liahona, nëntor 2023, f. 9–12