Biblioteka
Agjërimi


“Agjërimi”, Tema dhe Pyetje (2023)

familje duke bërë një lutje

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Agjërimi

Të afrohemi më shumë me Perëndinë dhe të ndihmojmë njerëzit nevojtarë

Kur nuk ushqehemi, mund të mendojmë se do të na marrë uria dhe kjo mund të jetë e vërtetë. Mirëpo, kur nuk hamë dhe pimë ngaqë po i bindemi ligjit të agjërimit, ne jo thjesht po i lëmë vaktet pa ngrënë, por po zbatojmë një nga urdhërimet e Perëndisë që na ndihmon të afrohemi më shumë shpirtërisht me Të.

Nëpërmjet agjërimit dhe lutjes, ne i lëmë mënjanë disa prej gjërave tek të cilat mbështetemi nga ana fizike dhe në vend të tyre zgjedhim që të varemi te Perëndia. Ne e adhurojmë Atë dhe kërkojmë bekimet e Tij të ngushëllimit, udhërrëfimit dhe forcës. Ne gjithashtu agjërojmë dhe lutemi për të tjerët kur janë të sëmurë ose në nevojë për bekime specifike. Ndërsa e pranojmë ftesën e Zotit për të agjëruar, bëhemi më të dhembshur, më të dashur, më të përulur dhe më të gatshëm të shërbejmë, më shumë si Jezu Krishti.

Çfarë Është Agjërimi?

Agjërimi zakonisht përfshin “lutje, mosngrënie ushqimi dhe mospirje uji për një periudhë 24‑orëshe (nëse mund t’ia dilni fizikisht) dhe dhënien e një oferte bujare të agjërimit”. Shenjtorët e ditëve të mëvonshme ftohen të agjërojnë të paktën një herë në muaj dhe të kontribuojnë vullnetarisht shumën e parave që do të kishin shpenzuar për ushqimin gjatë agjërimit të tyre për të ndihmuar njerëzit nevojtarë. Agjërimin mund ta bëjmë si individë dhe si grupe. Agjërimi është më shumë se “thjesht të mos hash” – është një mënyrë për “të lartësuar zemrën, mendjen dhe zërin tonë në komunikim me Atin tonë Qiellor” dhe të kërkojmë vullnetin e Tij dhe bekimet e Tij.

Vështrim i përgjithshëm i temës: Agjërimi

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Lutja, Zbulesa, Përkujdesja për Njerëzit Nevojtarë

Pjesa 1

Perëndia Themeloi Ligjin e Agjërimit dhe Ofertave të Agjërimit për të Bekuar Fëmijët e Tij

të rinj duke mbledhur ofertat e agjërimit

Populli i Perëndisë e jetonte ligjin e agjërimit në kohët e lashta (shihni tek Eksodi 34:28; Esterit 4:16; Mateu 6:16–18; Alma 45:1). Zoti e paraqiti sërish këtë ligj në kohën tonë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:76). Shenjtorët e ditëve të mëvonshme agjërojnë duke mos ngrënë dhe duke mos pirë për një periudhë 24‑orëshe, nëse ua lejon gjendja fizike. Ata që nuk janë në gjendje të agjërojnë duke hequr dorë nga ushqimi dhe uji për 24 orë, mund të vendosin vetë se cili do të ishte një agjërim i përshtatshëm për t’i ndihmuar ta kujtojnë Jezu Krishtin.

Anëtarët e Kishës agjërojnë rregullisht së bashku, zakonisht në Shabatin e parë të çdo muaji. Ata gjithashtu japin vullnetarisht një dhurim të hollash, e quajtur oferta e agjërimit, që është disi e barasvlershme me vaktet që nuk i hëngrën gjatë agjërimit të tyre. Dhurimi i tyre ndihmon të sigurohet ushqimi, strehimi, veshmbathja dhe gjërat e tjera bazë për nevojtarët. Agjërimi sjell gjithashtu bekime shpirtërore. Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Agjërimi ynë për të ndihmuar të uriturit, është një veprim dashurie hyjnore dhe, kur bëhet me qëllim të dëlirë, është një [banket] shpirtëror”.

Gjëra për t’i menduar

  • Ligji i agjërimit i ka bekuar fëmijët e Perëndisë që në kohët e lashta. Lexoni tek Isaia 58:6–11 për të mësuar rreth disa prej këtyre bekimeve. Pastaj lexoni te Mateu 25:35–40. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth rëndësisë së agjërimit dhe përkujdesjes për nevojtarët? Ndoshta mund t’i merrni parasysh plot lutje këto vargje herën tjetër që do të agjëroni ose do të jepni një ofertë agjërimi. Si e bën më kuptimplotë përqendrimi te Jezu Krishti përvojën tuaj me ligjin e agjërimit?

  • Në Kishë, mbledhja e agjërimit dhe e dëshmive zhvillohet çdo muaj. Lexoni tek Alma 5:45–48 për të mësuar se si agjërimi mund t’jua forcojë dëshminë për Jezu Krishtin. Ndoshta mund t’i rishikoni këto vargje përpara mbledhjes së radhës së agjërimit dhe dëshmive që frekuentoni. Si mund t’i sjellë më shumë qëllim agjërimit tuaj dhënia e dëshmisë suaj për atë që dini, besoni dhe ndieni rreth Jezu Krishtit? Si mund t’i ndihmojë dëshmia juaj të tjerët që po agjërojnë? Nëse dëshironi, mund edhe t’i shënoni nxitjet shpirtërore që ju vijnë teksa dëgjoni dëshmitë e të tjerëve, dhe më pas të veproni sipas tyre.

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Agjërimi është një privilegj i shenjtë që sjell mrekulli. Shikojeni materialin filmik “Fast Offerings: Are We Not All Beggars” [“Ofertat e Agjërimit: A Nuk Jemi Ne të Gjithë Lypësa”] (2:31) dhe më pas bisedoni rreth asaj se si ligji i agjërimit na ndihmon të kujdesemi për të tjerët dhe t’i duam ata siç do të bënte Jezusi. Gjithashtu mund të lexoni ose të këndoni së bashku himnin: “Sepse Mua Shum’ m’Ësht’ Dhën’”. Bisedoni rreth mënyrës se si Zoti ka qenë bujar me ju teksa e keni jetuar ligjin e agjërimit. Bëni një listë ose vizatime të mrekullive që keni përjetuar, dhe diskutoni se si e bekojnë ato jetën tuaj.

  • Presidenti Henri B. Ajring dha mësim: “Oferta juaj e agjërimit do të bëjë më shumë sesa të ndihmojë për të ushqyer e veshur trupat. Ajo do të shërojë dhe do të ndryshojë zemra.” Shqyrtojeni së bashku mesazhin e Presidentit Ajring: “Agjërimi që më Pëlqen a Nuk Është Vallë Ky?” Më pas, mund të tregoni se si jua ka shëruar dhe ndryshuar zemrën dhënia ose marrja e ofertave të agjërimit. Si jua kanë shtuar këto përvoja dashurinë për fëmijët e Perëndisë? Si ju kanë ndihmuar ta ndieni dashurinë e Zotit kundrejt jush?

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Agjërimi dhe Lutja na Ndihmojnë të Përgatitemi për Bekimet e Perëndisë

e re duke u lutur

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme agjërojnë për shumë arsye. Agjërimi është një mënyrë për të ndihmuar të tjerët, për ta adhuruar Perëndinë dhe për të treguar mirënjohje ndaj Tij (shihni tek Alma 45:1). Ne gjithashtu mund të agjërojmë për të kërkuar zbulesë vetjake nga Perëndia ose për t’i kërkuar Atij që të bekojë të sëmurët dhe të munduarit (shihni te Psalmeve 35:13; Alma 5:46). Nëpërmjet agjërimit, ne mund të marrim forcë për t’u bërë ballë tundimeve dhe marrim ngushëllim gjatë sprovave (shihni te Mateu 4:2–4; Alma 30:1–2). Ndër të tjera, agjërimi na ndihmon të jemi më të përulur, teksa na kujton për varësinë tonë të plotë nga Perëndia (shihni te Psalmeve 35:13).

Agjërimi dhe lutja shkojnë së bashku. Agjërimi mund t’u shtojë një element sinqeriteti dhe zotimi lutjeve tona dhe lutja e lartëson agjërimin tonë nga thjesht një mosngrënie e një vakti ushqimor në pasjen e një komunikimi të vërtetë me Perëndinë. Së bashku, agjërimi dhe lutja kanë një ndikim të fuqishëm në përulësinë dhe besimin tonë te Krishti (shihni te Helamani 3:35).

Gjëra për t’i menduar

  • Ndonjëherë agjërimi mund të jetë i vështirë, por na sjell edhe shumë bekime shpirtërore. Lexoni te Mateu 4:1–4, përfshirë Përkthimin prej Joseph Smith‑it të vargut 1, për një shembull kur Jezu Krishti agjëroi. Pse ishte e rëndësishme që Jezusi të ishte me Perëndinë në këtë kohë? Merreni parasysh se si mund t’ju ndihmojnë agjërimi dhe lutja të afroheni më shumë me Perëndinë. Si mund ta bëni lutjen një pjesë më të qëllimshme të agjërimit tuaj? Veproni sipas mbresave që merrni.

  • Agjërimi dhe lutja mund t’ju ndihmojnë të jeni një mjet në duart e Zotit. Lexoni tek Alma 17:1–3, 9. Çfarë bekimesh shpirtërore u erdhën bijve të Mosias nga agjërimi dhe lutja, që i ndihmoi të bënin punën e Zotit? Çfarë mund të mësoni nga shembulli i tyre teksa u jepni shërbesë fëmijëve të Perëndisë, përmbushni thirrjen tuaj dhe shpërndani ungjillin?

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Në bisedën e tij “Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet”, Presidenti Rasëll M. Nelson tregoi një histori të shenjtorëve në Samoa, Fixhi, Tahiti dhe Tonga, të cilët agjëruan dhe u lutën për një mrekulli. Lexojeni këtë histori dhe pastaj bisedoni rreth maleve ose sfidave, në vetë jetën tuaj (shihni te Mateu 17:14–21). Çfarë mësoni nga fjalët e Presidentit Nelson rreth mënyrës se si agjërimi dhe lutja mund ta sjellë fuqinë e Zotit në jetën tuaj? Mund t’i diskutoni mendimet tuaja pasi të shihni fotografi malesh ose të bëni një ngjitje në mal së bashku. Mund të bisedoni edhe rreth bekimeve dhe mundësive që keni marrë teksa keni agjëruar dhe jeni lutur me besim.

  • Agjërim zakonisht do të thotë të mos hash e të mos pish, por ne mund të marrim pjesë edhe në lloje të ndryshme agjërimi. Në sesionin e grave të konferencës së përgjithshme të tetorit 2018, Presidenti Nelson këshilloi: “Ju ftoj të merrni pjesë në një agjërim 10‑ditor nga mediat shoqërore dhe nga çfarëdolloj mjeti tjetër komunikimi që ju sjell në mendje mendime negative dhe të papastra. Lutuni për të ditur se çfarë ndikimesh të hiqni gjatë agjërimit tuaj. Rezultati i agjërimit tuaj 10‑ditor mund t’ju befasojë. Çfarë vini re pasi të bëni një ndërprerje nga këndvështrimet e botës që po e lëndonin shpirtin tuaj? A ka ndonjë ndryshim te fakti se ku dëshironi tani ta shpenzoni kohën dhe energjinë tuaj? A është zhvendosur ndonjëra prej përparësive tuaja – qoftë edhe pak? Ju nxit që ta mbani shënim dhe të vijoni sipas secilës mbresë.” Si grup, bisedoni rreth disa gjërave nga të cilat mund të agjëroni, që mund të jenë duke ju penguar për të mos qenë më afër Perëndisë. Më pas, pranojeni sfidën e Presidentit Nelson. Pas agjërimit tuaj, diskutoni se si lutja ju priu te përvoja juaj dhe se si u bekuat ngaqë agjëruat në këtë mënyrë.

Mësoni më shumë