Biblioteka
Martesa


“Martesa”, Tema dhe Pyetje (2023)

çift i ri duke ecur

Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit

Martesa

Mundësia që bashkëshorti e bashkëshortja të bashkohen për përjetësinë

Shumë njerëz e presin martesën me gëzim dhe padurim të madh. Ka diçka në veçanti të bukur dhe shpresëdhënëse te martesa. Ata që janë të fejuar në prag martese, janë të emocionuar që do të fillojnë një jetë të re me personin që dashurojnë më shumë se çdokënd tjetër.

Pasi martohemi, duhet të punojmë që ta mbajmë atë martesë të shëndetshme dhe të fortë. Duhet punë, durim, përulësi, falje dhe përkushtim që zgjat shumë kohë pas ditës së dasmës, për të krijuar një martesë të lumtur dhe që i reziston kohës. Mirëpo, për këtë, ia vlen shpërblimi i mundit. Nëpërmjet ordinancave dhe besëlidhjeve të shenjta që bëjmë në shtëpinë e Zotit, një lidhje martesore mund të zgjatë në përjetësi. Një martesë në tempull quhet gjithashtu martesë çelestiale. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se “martesa çelestiale sjell mundësi më të mëdha për lumturi sesa çfarëdo lidhje tjetër”.

Çfarë Është Martesa?

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme na mëson se martesa midis një gruaje dhe një burri shugurohet nga Perëndia (shihni te Doktrina e Besëlidhje 49:15; “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Bashkëshortët, të cilët vulosen në tempull, bëjnë një besëlidhje me Perëndinë dhe me njëri‑tjetrin. Nëse ata janë besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre, martesa e tyre mund të zgjatë në përjetësi.

Vështrim i përgjithshëm i temës: Martesa

Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Besëlidhja e Përjetshme, Familja, Ordinancat e Dhurimit dhe Vulosjes

Pjesa 1

Martesa Është në Qendër të Planit të Perëndisë për Lumturinë

çift duke qeshur së bashku

Ne jemi pjesë e familjes së përjetshme të Perëndisë dhe para se të vinim në tokë, jetuam në qiell me Atin tonë Qiellor dhe Nënën Qiellore. Atje mësuam rreth një plani që do të na lejonte të mësonim e të zhvilloheshim. Si pjesë e atij plani, ne erdhëm në tokë nëpër familje; këto familje mund të na ndihmojnë të përparojmë dhe të bëhemi më shumë si Perëndia.

Martesa është në qendër të planit të Perëndisë për fëmijët e Tij. Profeti Jozef Smith dha mësim se martesa është “një institucion i qiellit që u bë solemn fillimisht në kopshtin e Edenit nga vetë Perëndia, me anë të autoritetit të priftërisë së përjetshme”. Kur familjet tona vulosen për përjetësinë nëpërmjet po asaj fuqie të priftërisë në shtëpinë e Zotit, ne ndjekim modelin e përjetshëm të dhënë nga Perëndia që u themelua në jetën para lindjes.

Një nga arsyet pse Perëndia themeloi martesën, është që ne të mund të mësojmë më mirë nga njëri‑tjetri dhe të kujdesemi më mirë për njëri‑tjetrin. Martesa të forta çojnë në familje më të forta, të cilat na ndihmojnë ta përmbushim qëllimin tonë të përjetshëm. Familjet më të forta mund të çojnë edhe në komunitete më të forta këtu në tokë. Martesat e themeluara te parimet e ungjillit të Jezu Krishtit mund të na ndihmojnë të rritemi dhe të përjetojmë disa nga gëzimet më të mëdha në këtë jetë. Ato mund të na ndihmojnë gjithashtu të përgatitemi për jetën e përjetshme me Atin tonë Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Gjëra për t’i menduar

  • Plaku Ulises Soares tha: “Nuk ka superioritet ose inferioritet në marrëdhënien martesore dhe asnjëri [prej bashkëshortëve] nuk ecën përpara ose pas tjetrit. Ata ecin krah për krah, si të barabartë, si pasardhës hyjnorë të Perëndisë. Ata bëhen një në mendim, dëshirë dhe qëllim me Atin tonë Qiellor dhe Jezu Krishtin. … [Çifte të tilla] ec[in] së bashku me respekt, mirënjohje e dashuri, duke e harruar vetveten dhe duke u përpjekur për mirëqenien e njëri‑tjetrit në udhëtimin e tyre drejt përjetësisë.” Mendoni rreth vetë “udhëtimi[t] [tuaj] drejt përjetësisë” si pjesë e planit të Perëndisë. Si do t’ju ndihmonte ecja “krah për krah, si të barabartë” me bashkëshortin/en gjatë atij udhëtimi? Nëse jeni i/e martuar, çfarë mund të bëni për të treguar respekt, mirënjohje dhe dashuri më të madhe teksa e bëni këtë udhëtim me bashkëshortin/en tuaj? Mund të planifikoni gjithashtu diçka specifike që do të bëni për bashkëshortin/en tuaj. Shënojini mbresat tuaja dhe veproni sipas tyre.

  • Plaku D. Tod Kristoferson foli për ata njerëz, martesat e të cilëve dhe disa nga bekimet që lidhen me të, nuk janë realiteti i tanishëm:

    “Disave prej jush [u] është mohuar bekimi i martesës për arsye që përfshijnë një mungesë të kandidatëve të suksesshëm, tërheqje fizike ndaj së njëjtës gjini, paaftësi fizike apo mendore ose thjesht një frikë ndaj dështimit që, të paktën për çastin, hedh hije mbi besimin. Ose ju mund të jeni martuar, por ajo martesë mbaroi dhe jeni lënë që t’ia dilni mbanë të vetëm asaj që dy veta së bashku mezi mund t’ia dalin [mbanë]. Disa prej jush që janë të martuar, nuk mund të lindin fëmijë pavarësisht nga dëshirat mbisunduese dhe lutjet përgjëruese.

    … Me vetëbesim ne dëshmojmë se Shlyerja e Jezu Krishtit e ka paraprirë dhe, më së fundi, do ta dëmshpërblejë gjithë mungesën e mundësive dhe humbjen për ata që kthehen tek Ai. Askush nuk është i paracaktuar që të marrë më pak sesa gjithçka që Ati ka për fëmijët e Tij.”

    Çfarë gjeni te fjalët e Plakut Kristoferson që mund t’ju ndihmojë ju ose dikë që e njihni, i cili/e cila nuk i ka marrë bekimet e martesës ose që nuk po i përjeton ato bekime në këtë moment? Si i bekon Perëndia “ata që kthehen tek Ai” kur përjetojnë “mungesën e mundësive dhe humbjen”?

Veprimtaria për të mësuar me të tjerët

  • Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 121:36–42 me bashkëshortin/en tuaj ose të tjerë, dhe diskutoni se si ky fragment lidhet me martesën. Presidenti Gordon B. Hinkli këshilloi: “Jam i sigurt që, nëse do të kërkonim virtytet te njëri‑tjetri dhe jo veset, do të kishte më tepër lumturi në shtëpitë e njerëzve tanë. Do të kishte shumë herë më pak shkurorëzime, shumë më pak tradhti bashkëshortore, shumë më pak zemërime, mllefe dhe grindje. Do të kishte më shumë falje, më shumë dashuri, më shumë paqe, më shumë lumturi. Kjo është qasja që do të dëshironte Zoti.” Diskutoni se si sjellja ndërmend se martesa është një pjesë qendrore e planit të lumturisë, mund të na ndihmojë ta ndjekim këshillën e Presidentit Hinkli. Më pas mund të jepni ide se si keni gjetur më shumë lumturi në martesë.

Mësoni më shumë

Pjesa 2

Për Shkak të Ordinancave dhe Besëlidhjeve të Tempullit, Martesa Mund të Jetë e Përjetshme

çift në tempull

Në vitin 1843, Profeti Jozef Smith diktoi zbulesën që tani është shënuar te Doktrina e Besëlidhje 132, e cila përfshiu doktrinën e martesës së përjetshme. Kjo doktrinë është se martesa, nëse vuloset me anë të autoritetit të priftërisë dhe Shpirtit të Shenjtë të Premtimit, është e vlefshme si në tokë edhe për përjetësitë. Martesa e përjetshme quhet gjithashtu martesa çelestiale ose “besëlidhj[a] e re dhe [e] përjetshme [e] martesës” (Doktrina e Besëlidhje 131:2). Ajo bëhet e mundur nëpërmjet ordinancës së priftërisë që quhet vulosja në tempull. Kjo ceremoni e shenjtë ndodh në shtëpinë e Zotit.

Martesa e përjetshme krijon një marrëdhënie besëlidhëse ndërmjet një bashkëshorti e bashkëshorteje dhe Zotit. Besëlidhja e martesës së përjetshme është e nevojshme për ekzaltimin (shihni te Doktrina e Besëlidhje 131:1–4). Nëse jemi besnikë ndaj kësaj besëlidhjeje, martesa dhe marrëdhëniet tona familjare mund të zgjatin përgjithmonë.

Gjëra për t’i menduar

  • Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 132:19–20 dhe përsiatni se çfarë na mësojnë këto vargje rreth besëlidhjes së martesës. Motra Xhuli B. Bek dha mësim: “Një burrë dhe një grua që hyjnë në partneritet të plotë të martesës në besëlidhje, në tempull ndajnë në mënyrë të barabartë bekimet e asaj besëlidhjeje nëse janë besnikë [shihni te Doktrina e Besëlidhje 131:1–2]. Zoti ka thënë se besëlidhja e tyre do të jetë në fuqi pas kësaj jete dhe së bashku atyre u premtohen fuqi dhe ekzaltim [shihni te Doktrina e Besëlidhje 132:19–20].” Si mund ta ndihmojnë një çift të martuar bekimet e premtuara nga një martesë në besëlidhje, që të qëndrojnë të zotuar ndaj njëri-tjetrit kur gjërat janë të vështira?

shtëpi me tulla në Gjermani
  • Perëndia do që ne të mos kemi thjesht një martesë të zakonshme, por një martesë të përjetshme në besëlidhje. Plaku Brus C. Heifën dha mësim: “Kur vijnë shqetësimet në një martesë në besëlidhje, bashkëshorti dhe bashkëshortja punojnë së bashku për zgjidhjen e tyre. Ata martohen për të dhënë [nga vetja] e për t’u zhvilluar, të lidhur me anë të besëlidhjeve njëri me tjetrin, me komunitetin dhe me Perëndinë.” Presidenti Diter F. Uhtdorf, ndërsa po shërbente në Presidencën e Parë, tha: “Martesat e mrekullueshme ndërtohen gur pas guri, ditë pas dite, përgjatë një jete të tërë”. Shikojeni figurën shoqëruese të një shtëpie me tulla dhe mendoni rreth “tullave” që do të krijonin një martesë të fortë. Mund të lexoni mesazhin nga konferenca të Presidentit Uhtdorf “Në Lavdërim të Atyre që Shpëtojnë” dhe të reflektoni mbi këshillat që ai u jep bashkëshortëve dhe bashkëshorteve. Çfarë “tullash” mund të shtroni gjatë javëve në vijim për ta forcuar martesën tuaj ose për t’u përgatitur për një martesë të fortë?

Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët

  • Përpjekjet tona për ta forcuar martesën kanë ndikime me shtrirje të gjerë. Martesa jonë nuk ndikon vetëm te ne dhe te bashkëshorti/ja ynë/jonë, por edhe te fëmijët tanë dhe fëmijët e tyre, gjatë gjithë përjetësisë. Në mesazhin e tij “Fryte të Qëndrueshme”, Plaku Methju L. Karpenter, foli për rëndësinë e ruajtjes së “frytit” të besëlidhjes sonë të martesës dhe e krahasoi atë me ruajtjen [ose konservimin] e kujdesshëm të frutave në kavanozë. Ai dha mësim: “Nëse i bëjmë e i mbajmë besëlidhjet me Perëndinë, bekimet që i shoqërojnë besëlidhjet tona, mund të shtrihen përtej kësaj jete dhe të vulosen mbi ne, ose të ruhen, përgjithmonë, duke u bërë fryte të qëndrueshme për gjithë përjetësinë”. Mund të merrni parasysh ta lexoni ose dëgjoni këtë mesazh ndërsa shijoni së bashku ca fruta të konservuara. Bisedoni se si ta kultivoni një martesë që ajo të prodhojë “fryte të qëndrueshme” përtej kësaj jete dhe gjatë gjithë përjetësisë.

  • Shumica e çifteve të martuara kanë vështirësi hera‑herës dhe ndonjëherë një martesë e përjetshme mund të duket përtej mundësisë për ta pasur. Mirëpo, Presidenti Hinkli këshilloi: “Shërimi për pjesën më të madhe të shqetësimeve martesore nuk qëndron te shkurorëzimi. Ai qëndron te pendimi dhe falja, te shprehjet e mirësisë dhe interesimit. Ai duhet të gjendet te zbatimi i Rregullës së Artë.” Nëse po përjetoni sfida në martesën tuaj, bisedoni së bashku rreth mënyrës se si sjellja ndërmend e besëlidhjeve tuaja mund t’ju ndihmojë të bëni ndryshimet që do të dëshironit të shihnit. Zgjidhni diçka që ka qenë një vështirësi në martesën tuaj, dhe punoni së bashku për ta zgjidhur atë (udhëzuesi i Kishës Strengthening Marriage [Forcimi i Martesës] ka shumë ide që mund t’ju vijnë në ndihmë). Kërkoni ndihmë nga një individ i besuar (i tillë si një udhëheqës/e i/e Kishës, terapist/e ose këshillues/e për martesën) nëse nevojitet.

Mësoni më shumë

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Martesa Çelestiale”, Liahona, nëntor 2008, f. 93.

  2. Në History, 1834–1836, faqe 136, josephsmithpapers.org.

  3. Shihni te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  4. Ulises Soares, “Në Bashkëpjesëmarrje me Zotin”, Liahona, nëntor 2022, f. 42, 43.

  5. D. Tod Kristoferson, “Përse Martesa, Përse Familja?”, Liahona, maj 2015, f. 52.

  6. Gordon B. Hinckley, “Living Worthy of the Girl You Will Someday Marry”, Ensign, maj 1998, f. 51.

  7. Xhuli B. Bek, “Një Bollëk Bekimesh”, Liahona, maj 2006, f. 12; Konferenca e Përgjithshme, prill 2006, f. 20.

  8. Bruce C. Hafen, “Covenant Marriage”, Ensign, nëntor 1996, f. 26.

  9. Diter F. Uhtdorf, “Në Lavdërim të Atyre që Shpëtojnë”, Liahona, maj 2016, f. 78.

  10. Methju L. Karpenter, “Fryte të Qëndrueshme”, Liahona, maj 2024, f. 62.

  11. Gordon B. Hinckley, “The Women in Our Lives”, Liahona, nëntor 2004, f. 84.