“Ordinancat e Dhurimit dhe Vulosjes”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Ordinancat e Dhurimit dhe Vulosjes
Mënyra se si i prin Perëndia fëmijët e Tij për t’u kthyer në shtëpi
Përfytyroni sikur jeni në një rrugëtim të gjatë. Shtegu është i ngushtë dhe nganjëherë i vështirë për t’u gjetur, por e dini se jeni nisur në drejtimin e duhur për shkak të disa shenjuesve të caktuar përgjatë udhës. Teksa u afroheni atyre njëri pas tjetrit, ju i afroheni më shumë synimit tuaj. Si përfundim, në fund të rrugëtimit, ju ktheni kokën pas dhe shihni se si ata shenjues ndihmuan t’ju prinin drejt pikëmbërritjes suaj.
Në ungjill, ordinancat e dhurimit dhe vulosjes janë si shenjues përgjatë një shtegu të ngushtë. Të dyja ato janë thelbësore për t’ju ndihmuar në rrugëtimin tuaj përgjatë jetës, duke ju sjellë më afër Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Secila ordinancë ju prin për t’u kthyer në shtëpi tek Ata, duke ju ndihmuar të kaloni sfidat që përjetoni në tokë dhe duke ju përgatitur për bekimet e përjetshme që ju presin në jetën tjetër.
Çfarë Janë Ordinancat e Dhurimit dhe Vulosjes?
Ordinancat e dhurimit dhe vulosjes janë pjesë thelbësore të shtegut të besëlidhjeve që na prin për t’u kthyer te Perëndia. Ne marrim pjesë në ordinancat e dhurimit dhe vulosjes në tempull. Gjatë këtyre ordinancave, ne bëjmë besëlidhje ose premtime me Perëndinë. Nëse jemi besnikë ndaj besëlidhjeve që bëjmë në lidhje me këto ordinanca, mund të marrim jetën e përjetshme nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.
Vështrime të përgjithshme të temave: Dhurimi, Vulosja
Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Besëlidhjet dhe Ordinancat, Tempujt, Pjesëmarrja në Punën në Tempull dhe për Historinë Familjare
Pjesa 1
Gjatë Ordinancës së Dhurimit, Ne Bëjmë Besëlidhje të Shenjta me Perëndinë
Një nga ordinancat që marrim në shtëpinë e Zotit, është dhurimi. Dhurimi është një dhuratë nga Perëndia. Gjatë kësaj ordinance të shenjtë, ose ceremonie, ne mësojmë rreth planit të Perëndisë për shpëtimin dhe rolit qendror të Shpëtimtarit tonë në atë plan. Ne bëjmë gjithashtu besëlidhje me Perëndinë. Ati Qiellor na bekon ngaqë i bëjmë dhe mbajmë këto besëlidhje duke na dhënë më shumë qasje te fuqia e Tij. Besëlidhjet që bëjmë si pjesë e dhurimit, na japin mundësi për t’u zhvilluar dhe ndryshuar. Nëpërmjet tyre, ne mund të bëhemi më shumë si Jezu Krishti dhe të ndiejmë paqe, siguri dhe gëzim.
Pasi e marrim dhurimin vetjak, ne mund të marrim pjesë në ordinancën e dhurimit në emër të të tjerëve që kanë vdekur. Në botën e shpirtrave, ata njerëz që kanë vdekur, mund të zgjedhin ta pranojnë ungjillin e Jezu Krishtit, si edhe ordinancat e kryera në emër të tyre dhe të marrin shpëtimin dhe ekzaltimin.
Gjëra për t’i menduar
-
Gjatë dhurimit, ne besëlidhim për të jetuar pesë ligje të ndryshme. Lexoni rreth këtyre ligjeve në pjesën 27.2 te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit]. Si po i jetoni deri më tani këto ligje? Çfarë mund të bëni për t’i jetuar ato më plotësisht? Si e ilustron me shembull Jezu Krishti të jetuarit e këtyre ligjeve? Përsiatni se si të jetuarit e secilit prej këtyre ligjeve mund t’ju ndihmojë të bëheni më shumë si Ai.
-
Jemi me fat që jetojmë gjatë një kohe kur tempujt po ndërtohen anembanë botës. Plaku Dejvid A. Bednar dhe mësim: “Në mënyrë të kuptueshme, njoftimi i secilit tempull të ri është burim gëzimi të madh dhe arsye për t’i dhënë falënderime Zotit. Sidoqoftë, përqendrimi ynë kryesor duhet të jetë te besëlidhjet dhe ordinancat që mund të na e ndryshojnë zemrën dhe ta thellojnë përkushtimin tonë ndaj Shpëtimtarit, dhe jo thjesht te vendndodhja apo bukuria e godinës.” Si besoni se mund t’jua ndryshojnë zemrën besëlidhjet dhe ordinancat e dhurimit? Si mund ta thellojnë ato përkushtimin tuaj ndaj Shpëtimtarit? Përsiatni se si përqendrimi te besëlidhjet dhe ordinancat e dhurimit në këtë mënyrë mund t’ju ndihmojë për ekzaltimin.
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Në bisedën e tij “Arsyeja për Shtegun e Besëlidhjeve”, Plaku D. Tod Kristoferson e krahasoi të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit me shmangien e “gabimeve të padetyruara” në tenis. Lexoni rreth këtij krahasimi në mesazhin e tij dhe diskutoni se çfarë “gabime[sh] të padetyruara” shmangim duke mbajtur pesë besëlidhjet që bëjmë gjatë sesionit të dhurimit (shihni te Manuali i Përgjithshëm, 27.2). Mund edhe të shikoni një material filmik të një ndeshjeje tenisi ose, pse jo, edhe të luani vetë tenis për të parë se si janë gabimet e padetyruara. Më pas, diskutoni për bekime të tjera prej mbajtjes së besëlidhjeve, për të cilat Plaku Kristoferson flet në mesazhin e tij. Si jua forcojnë këto bekime dëshirën për të ecur në shtegun e besëlidhjeve dhe për të marrë dhuratën e dhurimit ose për të mbajtur besëlidhjet që i keni bërë tashmë në tempull?
-
Pjesë e dhurimit përfshin të veshurit e veshjes së shenjtë teksa bëjmë besëlidhjet dhe marrim ordinancat. Merreni parasysh të diskutoni disa shembuj të rasteve të tjera kur vishemi me veshjen e shenjtë dhe pse ajo veshje është e rëndësishme për atë përvojë. Më pas mund të shikoni materialin filmik “Sacred Temple Clothing” [“Veshja e Shenjtë e Tempullit”] (4:12), ku shpjegohet se çfarë përfaqëson veshja e tempullit dhe pse anëtarët që marrin dhurimin, e mbajnë veshjen e brendshme të tempullit poshtë rrobave të tyre çdo ditë. Bisedoni rreth asaj se si veshja e shenjtë na ndihmon të shprehim ndjenjat e përkushtimit ndaj Perëndisë dhe na ndihmon t’i afrohemi më shumë Atij. Mund të shqyrtoni edhe bisedën e Motrës Xh. Enet Denis “Vishuni me Zotin Jezu Krisht”, për të mësuar më shumë rreth veshjes së brendshme të tempullit. Ose mund të hulumtoni së bashku faqen “Temples” [“Tempujt”] në ChurchofJesusChrist.org, për të gjetur më shumë burime të dobishme rreth tempujve, përfshirë edhe ato që jua tregojnë shtëpinë e Zotit nga brenda. Si mund t’i përdorni këto burime për të ndihmuar të tjerët që mund të kenë pyetje rreth tempullit dhe veshjes së tempullit?
Mësoni më shumë
-
Dallin H. Ouks, “Besëlidhjet dhe Përgjegjësitë”, Liahona, maj 2024, f. 93–96
-
Udhëzues shtesë të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Bindja, Sakrifica/Flijimi, Dëlirësia, Consecration [Përkushtimi]
-
“About the Temple Endowment”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
-
Church History Topics, “Temple Endowment”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
-
“We Will Prove Them”, kapitulli 37 te Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll 1, The Standard of Truth, 1815–1846 (2018), f. 453–455
Pjesa 2
Ordinanca e Vulosjes na Lidh me Familjen e Perëndisë dhe me Familjet Tona Tokësore Përgjithmonë
Disa nga bekimet më të mëdha të Perëndisë për fëmijët e Tij bëhen të mundura nëpërmjet ordinancës së vulosjes. Gjatë kësaj ordinance, një burrë dhe një grua hyjnë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës kur bëjnë besëlidhjet e shenjta me njëri‑tjetrin dhe me Zotin (shihni te Doktrina e Besëlidhje 131:1–4). Nëse çifti është besnik ndaj besëlidhjeve të veta, ata mund të lidhen me familjen e Perëndisë dhe me familjen e tyre tokësore për përjetësinë. Atyre u premtohen gjithashtu bekime të mrekullueshme në jetën tjetër.
Vulosjet mund të kryhen në emër të atyre që kanë vdekur, që edhe ata të mund të marrin bekimet e përjetshme dhe të bashkohen përgjithmonë me familjen e tyre dhe me familjen e Perëndisë. Si të gjitha ordinancat e tjera të priftërisë, ordinanca e vulosjes është bërë e mundur nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe mund të na sjellë paqe dhe qëllim në këtë jetë.
Gjëra për t’i menduar
-
Kur Jezu Krishti i dha Apostullit Pjetër “çelësat e mbretërisë së qiejve”, Ai po i jepte atij fuqinë vulosëse, fuqinë për të mundësuar bekime në tokë që do të vijojnë edhe në qiell (shihni te Mateu 16:19). Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 110:13–16; 132:7, 45–46 për të mësuar se si këto çelësa iu rivendosën Profetit Jozef Smith në ditët e mëvonshme. Këta çelësa tani mbahen nga profeti ynë i tanishëm dhe ata bashkojnë familjet për përjetësinë. Megjithatë, fuqia vulosëse “disave mund t’iu duket si një doktrinë shumë e guximshme” (Doktrina e Besëlidhje 128:9). Pse mund të duket ashtu? Si ju sjell shpresë njohuria se lidhjet familjare që vulosen në tokë, vulosen edhe në qiell?
-
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Një besëlidhje martesore, e bërë në tempull, lidhet drejtpërsëdrejti me … besëlidhje[n] [e] Abrahamit. Në tempull një çifti i paraqiten të gjitha bekimet e ruajtura për pasardhësit besnikë të Abrahamit, Isakut dhe Jakobit.” Lexoni rreth disa prej këtyre bekimeve te Doktrina e Besëlidhje 76:50–60; 132:19. Si mund të jeni “të drejtë dhe të vërtetë” (Doktrina e Besëlidhje 76:53) ndaj besëlidhjeve tuaja me Perëndinë që ju dhe njerëzit tuaj të dashur të mund të merrni premtimet e Tij më të mëdha? Shkruani çfarëdo mbrese që merrni dhe më pas veproni sipas saj.
-
Ordinanca e vulosjes merret në një altar të shenjtë në tempull. Çfarë mendoni se mund të përfaqësojë një altar? Këto shkrime të shenjta mund t’jua orientojnë mendimet: Zanafilla 8:20; 26:23–25; 1 Nefi 2:7; Moisiu 5:5–9. Çfarë ju sugjeron simbolika e altarit rreth ordinancës së vulosjes dhe lidhjeve familjare?
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Tradicionalisht, vulat janë përdorur për dokumente ligjore, diploma ose letra të rëndësishme për të treguar se janë të ligjshme. Ndoshta mund të shihni fotografi të disa prej këtyre llojeve të ndryshme vulash ose të bëni një vulë tuajën. Më pas, shqyrtojeni së bashku bisedën “Fuqia Vulosëse” nga Plaku D. Tod Kristoferson. Cilat janë ndryshimet ndërmjet një vule tokësore dhe fuqisë vulosëse të Perëndisë? Çfarë bekimesh janë në dispozicion nëpërmjet fuqisë së Tij vulosëse? Nëse e keni marrë ordinancën e vulosjes në shtëpinë e Zotit për vete ose për një pasardhës/e, merreni parasysh të tregoni përvojën tuaj. Si keni arritur të dini se Zoti e njeh ordinancën tuaj të vulosjes si “të ligjshme” ose të vlefshme?
-
Nganjëherë, situatat e vështira ose jo të shëndosha familjare na e bëjnë të vështirë faktin që të duam të jemi me familjet tona për përjetësinë. Ose ndoshta një pjesëtar i familjes nuk i mbajti besëlidhjet e tij apo të saj të martesës, ndaj e vëmë në dyshim faktin që familja jonë do të zgjatë përgjithmonë. Rreth rasteve të tilla, Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim: “Juve që keni përjetuar pikëllimin e një divorci në familjen tuaj apo keni ndier agoninë e një mirëbesimi të dhunuar, ju lutem mbajeni mend se [ajo] fillon sërish me ju! Një lidhje në zinxhirin e brezave tuaj mund të jetë thyer, por lidhjet e tjera të drejta dhe ajo që mbetet nga zinxhiri, janë gjithsesi përjetësisht të rëndësishme. Ju mund t’i shtoni forcë zinxhirit tuaj e ndoshta edhe të ndihmoni për t’i rivendosur lidhjet e thyera. Ajo punë do të kryhet një e nga një.” Lexojini fjalët e Plakut Bednar së bashku dhe më pas krijoni një zinxhir prej letre. Pastaj, secili prej jush mund të shkruajë te njëra nga hallkat diçka që do të bëni për të qenë një hallkë e fortë në familjen tuaj nëpërmjet fuqisë vulosëse të Shpëtimtarit.
Mësoni më shumë
-
Rasëll M. Nelson, “Tempulli dhe Themeli Juaj Shpirtëror”, Liahona, nëntor 2021, f. 93–96
-
Dejll G. Renland, “Historia Familjare dhe Puna në Tempull: Vulosja dhe Shërimi”, Liahona, maj 2018, f. 46–49
-
“About Temple Sealings”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
-
Church History Topics, “Sealing”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]