“Sakrifica/Flijimi”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
Sakrifica/Flijimi
Mënyra se si e tregojmë se çfarë është më e rëndësishme për ne
Mendoni për një rast kur hoqët dorë nga diçka për hir të dikujt tjetër. Kjo mund të mos ketë qenë diçka e lehtë për t’u bërë, por duke e bërë atë sakrificë, ju treguat se qetë i/e gatshëm/me të vini nevojat e atij individi përpara nevojave tuaja.
Në mënyrë të ngjashme, kur sakrifikojmë diçka për Perëndinë, ne tregojmë se e duam Atë dhe jemi të gatshëm ta vëmë Atë të parin në jetën tonë. Shprehja më e lartë e sakrificës sonë vjen kur bëjmë vullnetin e Perëndisë në vend të vullnetit tonë. Sakrificat tona mund të pasqyrojnë dashurinë dhe mirënjohjen tonë për Jezu Krishtin, i cili në veprën më të madhërishme nga të gjitha veprat e dashurisë, sakrifikoi jetën e Tij në mënyrë që të mund të kthehemi për të jetuar me Atin Qiellor.
Çfarë Është Sakrifica?
Sakrifica është akti i heqjes dorë nga diçka për hir të diçkaje tjetër. Populli i Perëndisë ka bërë sakrifica ose fli për Të që në kohët e lashta. Sot ne sakrifikojmë duke ia dhënë vullnetin tonë Perëndisë dhe duke u penduar për mëkatet tona me një zemër të thyer dhe shpirt të penduar. Ne gjithashtu sakrifikojmë kohën dhe talentet tona për të përkrahur punën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin (shihni te Mateu 6:33). Nëpërmjet sakrificës, tregojmë gatishmërinë tonë për ta vënë Perëndinë të parin në jetën tonë (shihni te Mateu 19:29).
Vështrim i përgjithshëm i temës: Sakrifica/Flijimi
Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Bindja, E Dhjeta, Përkushtimi, Shërbimi në Thirrjet e Kishës
Pjesa 1
Perëndia e Dha Ligjin e Sakrificës si një Kujtues për Flijimin e Krishtit
Fëmijët e Perëndisë e jetuan ligjin e sakrificës në lashtësi duke ofruar flijime kafshësh si një kujtues që Qengji i Perëndisë do t’i shëlbonte nga Rënia (shihni te Kolosianëve 1:13–18; Moisiu 5:6–7). Pasi Jezu Krishti e flijoi me vullnet të lirë jetën e Tij në kryq, flijimet e kafshëve nuk qenë më të nevojshme (shihni te Lluka 23:46; 3 Nefi 9:19; 4 Nefi 1:12). Sakrifica e Shpëtimtarit qe vepra e vetme më e madhërishme e dashurisë dhe solli shëlbimin dhe shpëtimin e njerëzimit (shihni tek Isaia 53:7; 2 Nefi 2:7).
Për të mësuar më shumë rreth flijimit të Shpëtimtarit, shihni udhëzuesin e studimit për temën “Shlyerja e Jezu Krishtit”.
Gjëra për t’i menduar
-
Besimi i Abrahamit u vu në provë kur Perëndia e urdhëroi të flijonte të birin, Isakun. Merreni parasysh të lexoni te Zanafilla 22; Hebrenjve 11:17–19 dhe Jakobi [LiM] 4:5 rreth sakrificës që Perëndia i kërkoi Abrahamit të bënte. Ndërsa e bëni, reflektoni mbi sakrificën që bëri Perëndia duke ofruar Birin e Tij të Vetëmlindur, Jezu Krishtin, dhe sakrificën që bëri Shpëtimtari duke hequr dorë nga jeta e Tij. Çfarë ju mëson Shpirti rreth sakrificave të Atit dhe Shpëtimtarit teksa i lexoni këto fragmente?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Kur Jezu Krishti e kreu Shlyerjen e Tij “ordinanca e sakramentit e zëvendësoi ordinancën e flijimit”. Merreni parasysh të këndoni himne sakramenti të tilla si “Në Kryq Atje në Kalvari” ose “O sa Urti dhe Dashuri”. Mund edhe të lexoni shkrimet e shenjta që lidhen me secilin himn dhe të diskutoni se si mund të përgatiteni për sakramentin çdo javë. Si mund ta bëjë më kuptimplotë adhurimin tuaj të menduarit e sakramentit si një mundësi për të sakrifikuar diçka për Zotin?
Mësoni më shumë
-
Levitiku 1:2–3, 10; Alma 34:8–14; Nenet e Besimit 1:3
-
Xhefri R. Holland, “Ja, Qengji i Perëndisë”, Liahona, maj 2019, f. 44–46
-
Trejsi Y. Brauning, “Të Shohim Më Shumë nga Jezu Krishti në Jetën Tonë”, Liahona, nëntor 2022, f. 13–15
Pjesa 2
Perëndia na Kërkon si Sakrificë një Zemër të Thyer dhe një Shpirt të Penduar
Sot ne e jetojmë ende ligjin e sakrificës duke i ofruar Perëndisë një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar (shihni tek 3 Nefi 9:19–20; Doktrina e Besëlidhje 59:8). Si e ofrojmë këtë lloj sakrifice? Duke besuar te Krishti, duke u përulur, duke u penduar vërtet për mëkatet tona dhe duke ardhur tek Ai (shihni tek 3 Nefi 12:19; Moroni 6:1–3; Doktrina e Besëlidhje 20:37). Bërja e këtyre lloj sakrificash tregon dashurinë tonë për Perëndinë dhe se jemi të gatshëm të bëjmë atë që Ai kërkon. Ndërsa i japim gjithë qenien tonë Perëndisë dhe durojmë deri në fund, mund të shpëtohemi dhe të marrim jetë të përjetshme (shihni tek Omni 1:26).
Gjëra për t’i menduar
-
Është e natyrshme të pyetni veten a i vë re dhe a i pranon Zoti sakrificat që bëni për ta ndjekur Atë. Përsiatini fjalët e Zotit drejtuar Jozef Smithit te Doktrina e Besëlidhje 132:49–50. Çfarë bekimesh iu premtuan Jozefit për shkak të sakrificave të tij? Si jeni bekuar për shkak të sakrificave që keni bërë për Perëndinë? Mund të shkruani një listë të bekimeve që keni marrë, dhe më pas të reflektoni për to gjatë gjithë javës.
-
Një mënyrë se si e tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë, është duke bërë sakrifica për të ardhur tek Ai. Në bisedën e tij “Gjithçka Kemi me Gjithë Zemër”, Plaku Diter F. Uhtdorf shpjegoi se sakrificat tona mund të jenë të thjeshta si heqja dorë nga dëshirat dhe rehatia vetjake për ta ndjekur më plotësisht Shpëtimtarin. Merreni parasysh ta lexoni bisedën e Plakut Uhtdorf dhe të përsiatni se si mund t’i jepni gjithçka keni me gjithë zemër Jezu Krishtit. Çfarë mund të sakrifikoni për ta ndjekur Shpëtimtarin më mirë nga sa e keni ndjekur më parë?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Në materialin filmik “A Broken Heart, Contrite Spirit, and Godly Sorrow” [“Një Zemër e Thyer, Një Shpirt i Penduar dhe Trishtimi sipas Perëndisë”] (3:58), Plaku Nil L. Andersen shpjegoi se t’i japësh Zotit një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar do të thotë “të bëhesh më shumë si një fëmijë”. Mund ta shikoni këtë material filmik dhe më pas të diskutoni cilësitë që kanë fëmijët, të cilat duhet t’i synojmë kur e sakrifikojmë vullnetin tonë për Perëndinë. Mund edhe të tregoni përvojat që keni pasur me fëmijët, të cilat japin shembull për atë që mund të mësojmë nga cilësitë e tyre.
Mësoni më shumë
-
Psalmeve 51:16–17; Gjoni 6:38; 2 Nefi 2:6–7; 4:32
-
Nill F. Mariot, “Dorëzimi i Zemrave Tona Perëndisë”, Liahona, nëntor 2015, f. 30–32
Pjesa 3
Nëpërmjet Sakrificave të Përditshme, Ne Mund të Bëhemi të Shenjtë si Jezu Krishti
Sakrifikimi për Perëndinë mund të na ndihmojë të marrim fuqinë e Tij, nëpërmjet së cilës mund të bëhemi të shenjtë. Duke sakrifikuar për Zotin, ne tregojmë dashurinë tonë për Të dhe për të tjerët. Mund të mendojmë se sakrifica është e vështirë ose e zorshme për t’u bërë, por më së shumti ajo do të thotë “të jetuarit dita‑ditës si dishepull i vërtetë i Krishtit”. Teksa sakrifikojmë çdo ditë për t’i mbajtur besëlidhjet tona dhe për ta ndjekur Jezu Krishtin, ne po ndihmojmë për ta çuar përpara punën e Perëndisë.
Gjëra për t’i menduar
-
Një mënyrë se si mund të sakrifikojmë çdo ditë, është duke i dhënë kohën tonë Zotit. Kjo mund të përfshijë gjëra si përmbushja e thirrjeve ose dhënia e shërbesës ndaj njëri‑tjetrit. Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Jeta jonë plot shërbim e sakrificë është shprehja më e përshtatshme e zotimit tonë për t’i shërbyer Mësuesit dhe bashkëqenieve tona”. Si e sakrifikoni rregullisht kohën tuaj për Zotin? Përsiatni se si ju ka ndihmuar bërja e kësaj që të afroheni më shumë te Krishti dhe të bëheni më të shenjtë.
-
Nganjëherë, sakrificat e përditshme që bëjmë si dishepuj të Krishtit, mund të na duken të vogla dhe të parëndësishme. Por këto sakrifica janë të rëndësishme për Zotin. Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 64:33 që të mësoni se si i sheh Ai përpjekjet tona, pavarësisht se sa të vogla mund të jenë. Si ju jep ky varg guxim për të bërë sakrifica të vogla, të përditshme për Zotin?
Veprimtaritë për të mësuar me të tjerët
-
Në materialin filmik “A Sacrifice of Time” [“Një Sakrificë Kohe”] (2:53), Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Paraardhësit tanë nuk mund të përsosen pa ne dhe ne nuk mund të përsosemi pa ta”. Duke bërë rregullisht punë në tempull dhe për historinë familjare, ne bëhemi më të shenjtë, si Jezu Krishti. Shikojeni së bashku materialin filmik “A Sacrifice of Time” [“Një Sakrificë Kohe”] dhe më pas tregoni se si ju ka bekuar sakrifikimi i kohës për të bërë më shpesh punën në tempull dhe për historinë familjare. Çfarë mësoni nga përvojat e të tjerëve që ju frymëzon të vazhdoni ose të filloni ta sakrifikoni kohën tuaj në këtë mënyrë?
-
Ka shumë mënyra se si mund të sakrifikoni diçka për Zotin dhe për të tjerët pa e kuptuar atë. Kur i mbani besëlidhjet tuaja, i shërbeni një miku ose pjesëtari të familjes, paguani të dhjetën ose i shfaqni talentet tuaja, ju po sakrifikoni për Perëndinë dhe për fëmijët e Tij. Bëni një listë të mënyrave specifike se si sakrifikoni çdo ditë për të qenë një dishepull/e i/e Krishtit. Më pas mund të bisedoni rreth asaj se si ndikon të menduarit për këto gjëra si sakrifica te dishepullimi juaj dhe ju ndihmon t’i afroheni më shumë Atij.
Mësoni më shumë
-
1 Kronikave 16:29; Lluka 18:22; Romakëve 12:1; Doktrina e Besëlidhje 138:12–13
-
Jeffrey R. Holland, “Called to Serve”, Liahona, nëntor 2002, f. 36–38