“E Dhjeta”, Tema dhe Pyetje (2023)
Udhëzuesi i Studimit të Ungjillit
E Dhjeta
Dhënia e një të dhjetës së të ardhurave tona për të ndihmuar të ndërtohet mbretëria e Zotit në tokë
Nuk ishte shumë. Krahasuar me pasuritë që të tjerët hidhnin në thesar, monedhat e së vesë ishin veçse një ndihmesë e vogël. Mirëpo vlera e sakrificës së saj qe e madhe. Shpëtimtari dha mësim: “Kjo e ve e varfër ka hedhur në thesar më shumë se të gjithë të tjerët” (Marku 12:43). Pse ishte sakrifica e së vesë me aq vlerë? Sepse “ajo, me skamjen e vet, hodhi gjithë sa kishte për të jetuar” (Marku 12:44).
Sot, ne nuk japim mirëfilli gjithçka kemi kur paguajmë të dhjetën për të ndihmuar në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë. Ai na kërkon vetëm 10 përqind të të ardhurave tona. Por ne mund të mësojmë shumë nga sakrifica e së vesë. Pavarësisht se sa është 10 përqindëshi ynë, e dhjeta për ne mund të bëhet një çështje besimi dhe mund ta përkushtojmë atë që kemi për Zotin, edhe kur nuk është një sakrificë e lehtë për t’u bërë.
Çfarë Është E Dhjeta?
E dhjeta është përkushtimi i një të dhjetës së të ardhurave tona për Zotin nëpërmjet Kishës. Dhënia e kësaj oferte ndaj Perëndisë është një mënyrë se si mund ta “vë[m]ë Zotin të parin në jetën tonë, mbi përkujdesjet dhe interesin tonë vetjak”. Të dhjetat ndihmojnë të ndërtohet mbretëria e Perëndisë në tokë. Ato përdoren për shumë qëllime, përfshirë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e tempujve dhe shtëpive të mbledhjeve, përkrahjen e punës misionare dhe financimin e institucioneve arsimore të drejtuara nga Kisha. Zoti i urdhëron shenjtorët e ditëve të mëvonshme që ta jetojnë ligjin e së dhjetës, pavarësisht nga rrethanat e tyre ekonomike aktuale. Nëse e shprehim besimin te Perëndia në këtë mënyrë, Ai premton se do të na bekojë së tepërmi (shihni te Malakia 3:10).
Vështrim i përgjithshëm i temës: E Dhjeta
Udhëzues të studimit të ungjillit që kanë lidhje: Urdhërimet, Agjërimi, Besimi te Jezu Krishti, Bindja
Pjesa 1
E Dhjeta Është një Urdhërim i Lashtë i Rivendosur në Kohën Tonë
Ligji i së dhjetës jetohej në lashtësi nga populli i Perëndisë dhe u rivendos nëpërmjet Profetit Jozef Smith (shihni te Zanafilla 14:18–20; 3 Nefi 24:8–12; Doktrina e Besëlidhje 119:3–4). Ky ligj kërkon që shenjtorët t’ia japin Zotit një të dhjetën e të ardhurave të tyre vjetore për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë në tokë dhe për të ndihmuar që të sigurohen nevojat e fëmijëve të Tij.
Ndonëse e dhjeta është një ligj material, është edhe një ligj shpirtëror. Kushtimi ose përkushtimi i një pjese të të ardhurave tona për Zotin është një mënyrë se si ne mund ta vendosim Atë të parin në jetën tonë. Përparësia që i japim punës së Tij mbi dëshirat tona vetjake, na ndihmon të bëhemi më të shenjtë dhe të afrohemi më shumë me Të.
Gjëra për t’i menduar
-
Merreni parasysh të lexoni te Zanafilla 14:18–20; 28:20–22 ndërkohë që përsiatni se pse popullit të Perëndisë iu kërkua ta jetonte ligjin e së dhjetës që në kohët e lashta. Pastaj lexojeni historinë vetjake nga mesazhi i Presidentit Rasëll M. Nelson “Mendoni Çelestialisht!” rreth një rasti kur ai zgjodhi ta vinte Zotin të parin duke paguar një të dhjetën e plotë edhe pse nuk kishte fituar shumë para. Ai dha mësim: “Pagimi i së dhjetës kërkon besim dhe gjithashtu ndërton besim te Perëndia dhe te Biri i Tij i Dashur”. Si kërkon të jetuarit e ligjit të së dhjetës që të keni besim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti? Si e rrit ai besimin tuaj tek Ata?
Veprimtaritë për të mësuar së bashku
-
Lexoni te Levitiku 27:30–32 dhe 2 Kronikave 31:5–6 për të mësuar rreth mënyrës se si ligji i së dhjetës u zbatua në kohën e lashtë. Si mendoni, pse të dhjetat janë të shenjta për Zotin? Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 97:10–12 për të zbuluar se si i ndihmoi e dhjeta shenjtorët e hershëm që ta përmbushnin punën e Zotit. Si u bekuan ata ngaqë e zbatuan këtë ligj? Bisedoni se si pagimi i së dhjetës mund të na ndihmojë ta forcojmë dëshirën tonë për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë.
-
Diskutoni se si e dhjeta është një ligj si material, ashtu edhe një ligj shpirtëror. Më pas, lexoni së bashku te Marku 12:41–44 dhe bisedoni rreth asaj se si pagimi i së dhjetës është çështje besimi. Mund edhe të shikoni së bashku materialin filmik “The Widow’s Mite” [“Monedha e së Vesë”] (1:57) ose “Jesus Teaches about the Widow’s Mites” [“Jezusi Jep Mësim rreth Monedhave të së Vesë”] (1:14). Çfarë do të thotë të jepni gjithçka tuajën nga ana shpirtërore ashtu siç ia jepni të dhjetat Zotit? Si mund t’jua forcojë besimin dhe t’ju ndryshojë shpirtërisht dhënia Atij e gjithçkaje tuajën?
Mësoni më shumë
-
Hebrenjve 7:1–2, 9; Alma 13:13–15
-
Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 34.3.1, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
-
Church History Topics, “Tithing”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
-
Steven C. Harper, “The Tithing of My People”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst] (2016), f. 250–255
Pjesa 2
Zoti u Premton Bekime Atyre që i Binden Ligjit të së Dhjetës
Ne marrim shumë bekime nga Zoti kur e jetojmë ligjin e së dhjetës. Plaku Nil L. Andersen tha: “Pragjet e qiellit hapen në mënyra të shumta. Disa mënyra janë materiale, por shumë janë shpirtërore. Disa mezi dallohen dhe janë të lehta për t’u anashkaluar. Mirëbesoni në kohën e Zotit; bekimet gjithmonë vijnë.” Nëse jemi vëzhgues dhe i dallojmë si bekimet e dukshme, edhe ato të papritura nga pagimi i së dhjetës, mund të ndiejmë mirënjohje dhe dashuri në zemër dhe të afrohemi më shumë me Jezu Krishtin.
Gjëra për t’i menduar
-
Te Malakia 3:8–12, na premtohen bekime të mëdha për bindjen ndaj ligjit të së dhjetës. Si mund të jeni më të vëmendshëm ndaj këtyre bekimeve në jetën tuaj sot? Shqyrtojeni mesazhin e Plakut Dejvid A. Bednar “Pragjet e Qiellit” dhe pastaj merrni parasysh disa mënyra të thjeshta se si jeni bekuar ose mund të bekoheni nga pagimi i së dhjetës. Ndofta mund të shkruani një listë me bekimet që ju ka dhënë Zoti, dhe të përsiatni se cilat mund të kenë ardhur si rezultat i bindjes ndaj ligjit të së dhjetës. Si e thellon dëshirën tuaj për të paguar një të dhjetë të plotë dhe për të ardhur te Krishti, njohuria që jeni bekuar ngaqë e keni jetuar ligjin e së dhjetës?
-
Kur ushtrojmë besim dhe e paguajmë të dhjetën, mund të presim bekime nga Zoti. Në bisedën e tij “Like a Watered Garden” [“Si një Kopsht i Vaditur”], Presidenti Xhefri R. Holland shpjegoi se si Meri Fillding Smithi vijoi ta paguante të dhjetën edhe pasi bashkëshortin e saj, Hajrëm Smithin, e vranë. Merreni parasysh ta lexoni këtë histori në mesazhin e Presidentit Holland. Çfarë mësoni nga shembulli i Merit? Çfarë bekimesh mund të merrni teksa filloni ose vijoni ta jetoni ligjin e së dhjetës?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Zoti na ka premtuar se, kur e jetojmë ligjin e së dhjetës, Ai do të na i “hap[ë] pragjet e qiellit” dhe “do të derdh[ë] … aq shumë bekim” mbi ne (Malakia 3:10). Çfarë do të thotë që pragjet e qiellit do të hapen kur jemi të bindur ndaj këtij ligji? Lexojini së bashku këto fjalë nga Plaku Bednar: “Dritaret [e vendosura mbi pragje] lejojnë dritë natyrale që të futet në ndërtesë. Në mënyrë të ngjashme, ndriçim dhe perspektivë shpirtërore derdhen përmes pragjeve të qiellit dhe në jetën tonë, kur ne e nderojmë ligjin e së dhjetës.” Ndoshta mund ta pengoni për pak dritën që hyn në dhomë nga një dritare ose nga ndonjë hapësirë tjetër përpara se ta lini dritën të hyjë sërish. Diskutojeni ndryshimin që shkakton drita dhe se si pagimi i së dhjetës mund t’ju sjellë dritë ose ndriçim shpirtëror. Mund edhe t’i tregoni njëri-tjetrit se si e keni përjetuar ndriçimin shpirtëror në jetën tuaj teksa i jeni bindur ligjit të së dhjetës.
Mësoni më shumë
-
Robert D. Hales, “Tithing: A Test of Faith with Eternal Blessings”, Liahona, nëntor 2002, f. 26–29
-
Sheldon F. Çajld, “Investimi më i Mirë”, Liahona, maj 2008, f. 79–81
-
Joshihiko Kikuçi, “Një Njeri do të Vjedhë Perëndinë?”, Liahona, maj 2007, f. 97–98; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 120–122
-
Valeri V. Kordon, “Gjuha e Ungjillit”, Liahona, maj 2017, f. 55–57
Pjesa 3
Fondet e Të Dhjetave i Përkasin Zotit dhe Shpërndahen nga Shërbëtorët e Tij
E dhjeta përdoret për të bekuar fëmijët e Perëndisë materialisht si edhe shpirtërisht teksa plotësia e ungjillit të Jezu Krishtit përhapet në mbarë botën. Kjo bëhet e mundur teksa anëtarët ia dhurojnë të dhjetat Kishës. Një këshill i përbërë nga Presidenca e Parë, Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve dhe Peshkopata Kryesuese përcakton se si t’i shpërndajnë më së miri këto fonde të shenjta (shihni te Doktrina e Besëlidhje 120:1).
Plaku Nil L. Andersen dha mësim: “Këto fonde të shenjta nuk u përkasin udhëheqësve të Kishës. Ato i përkasin Zotit. Shërbëtorët e Tij janë saktësisht të ndërgjegjshëm për natyrën e shenjtë të kujdestarisë së tyre.” Udhëheqësit e Kishës kërkojnë vullnetin e Zotit dhe marrin vendime lidhur me të dhjetën sipas udhëzimit që marrin nga Zoti.
Gjëra për t’i menduar
-
Shërbëtorët e zgjedhur të Zotit janë kujdestarë të dhurimeve të të dhjetave. Peshkopi Zherald Kosé shpjegoi: “Në termat e ungjillit, fjala kujdestari tregon një përgjegjësi të shenjtë shpirtërore ose materiale për t’u kujdesur në lidhje me diçka që i përket Perëndisë, për të cilën ne jemi përgjegjës”. Në ç’mënyrë është kujdestaria e të dhjetave një përgjegjësi sa shpirtërore, aq edhe materiale për shërbëtorët e Zotit? Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 104:11–17. Çfarë mësoni nga këto vargje rreth dëshirës së Zotit për të “siguruar për shenjtorët e [Tij]” nëpërmjet kujdestarisë?
Veprimtaria për të mësuar me të tjerët
-
Shumica e bekimeve që gëzojmë në Kishë, vjen për shkak të dhurimeve të të dhjetave që përdoren për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë anembanë botës. Presidenti Xhefri R. Holland dha mësim se “tempujt, godinat kishtare, seminaret dhe ambientet për shoqërim” janë të gjitha të mundura për shkak të të dhjetave që japin anëtarët dhe se këto “bekime nuk mund të vinin thuajse në asnjë mënyrë tjetër”. Bisedoni me njëri‑tjetrin rreth bekimeve që janë në dispozicion prej së dhjetës. Si mund të ndihmojnë këto bekime për të na dhënë një këndvështrim të përjetshëm dhe për të na sjellë më afër Perëndisë? Si mund ta thellojnë ato zotimin tonë për të paguar një të dhjetë të plotë e të ndershme?
Mësoni më shumë
-
“Tithing and Charitable Donations”, newsroom.ChurchofJesusChrist.org
-
“How the Church of Jesus Christ Uses Tithes and Donations”, 20 dhjetor 2019, newsroom.ChurchofJesusChrist.org