“4. Udhëheqja dhe Këshillat në Kishën e Jezu Krishtit”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm (2023).
“4. Udhëheqja dhe Këshillat në Kishën e Jezu Krishtit”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm.
4.
Udhëheqja dhe Këshillat në Kishën e Jezu Krishtit
4.0
Parathënia
Si një udhëheqës/e në Kishë, ju jeni thirrur me anë të frymëzimit nëpërmjet shërbëtorëve të autorizuar të Zotit. Ju keni privilegjin të ndihmoni në veprën e Atit Qiellor që “të bë[ni] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39).
4.2
Parimet e Udhëheqjes në Kishë
Gjatë shërbesës së Tij në tokë, Shpëtimtari dha shembullin e udhëheqjes për Kishën e Tij. Qëllimi i Tij kryesor ishte të bënte vullnetin e Atit të Tij Qiellor dhe t’i ndihmonte të tjerët ta kuptonin dhe ta jetonin ungjillin e Tij (shihni te Gjoni 5:30; Mosia 15:7).
4.2.1
Përgatituni Shpirtërisht
Jezusi e përgatiti veten shpirtërisht për misionin e Tij në tokë (shihni te Lluka 4:1–2). Në të njëjtën mënyrë, ju përgatiteni shpirtërisht duke u afruar më pranë Atit Qiellor me anë të lutjes, studimit të shkrimeve të shenjta dhe bindjes ndaj urdhërimeve të Tij.
Kërkoni zbulesë për të kuptuar nevojat e njerëzve që i udhëhiqni, dhe se si të përmbushni punën që Perëndia ju ka thirrur të bëni.
Zoti gjithashtu ka premtuar të japë dhurata shpirtërore mbi ata që i kërkojnë ato (shihni te Doktrina e Besëlidhje 46:8).
4.2.2
Jepuni Shërbesë të Gjithë Fëmijëve të Perëndisë
Duajini njerëzit të cilëve u shërbeni, ashtu siç i deshi Jezusi. Lutuni “me gjithë fuqinë e zemrës” që të mbusheni me dashurinë e Tij (Moroni 7:48).
Ndihmojini individët për ta thelluar kthimin e tyre në besim dhe për ta forcuar besimin e tyre tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Ndihmojini të përgatiten për të bërë besëlidhje kur të marrin ordinancën e tyre të ardhshme. Nxitini t’i mbajnë besëlidhjet që kanë bërë, dhe të marrin bekimet e pendimit.
4.2.3
Jepeni Mësim Ungjillin e Jezu Krishtit
Të gjithë udhëheqësit janë mësues. Përpiquni fort që ta ndiqni shembullin e Shpëtimtarit si mësues (shihni te kapitulli 17; Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit). Nëpërmjet fjalëve dhe veprimeve tuaja, jepeni mësim doktrinën e Jezu Krishtit dhe parimet e ungjillit të Tij (shihni te 3 Nefi 11:32–33; Doktrina e Besëlidhje 42:12–14).
Jepni mësim nga shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme (shihni te Doktrina e Besëlidhje 52:9).
Nëse thirreni ose caktoheni të kryesoni në një mbledhje ose aktivitet të Kishës, sigurohuni që mësimdhënia është lartësuese dhe e saktë nga ana doktrinore (shihni te Doktrina e Besëlidhje 50:21–23).
4.2.4
Kryesoni me Drejtësi
Çdo drejtues/e kryesues/e shërben nën drejtimin e një personi që mban çelësat e priftërisë (shihni te 3.4.1). Kjo strukturë siguron rregull dhe linja të qarta të përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë në bërjen e punës së Zotit.
Një drejtues kryesues mund t’i delegojë një personi tjetër një detyrë të përkohshme për të kryesuar.
Një udhëheqës që kryeson në një organizatë, mbledhje ose aktivitet të Kishës, siguron që të përmbushen qëllimet e Zotit. Për ta bërë këtë gjë, udhëheqësi ndjek parimet e ungjillit, rregulloret e Kishës dhe udhëzimin nga Fryma e Shenjtë.
Një thirrje ose caktim për të kryesuar nuk e bën personin që e merr atë, më të rëndësishëm ose më të vlerësuar se të tjerët (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:109–110).
Nuk është e përshtatshme që të aspironi për të kryesuar në ndonjë organizatë në Kishën e Zotit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 121:34–37).
4.2.5
Delegojeni Përgjegjësinë dhe Siguroni Përgjegjshmëri
Shpëtimtari u dha dishepujve të Tij detyra dhe përgjegjësi kuptimplota (shihni te Lluka 10:1). Ai gjithashtu u dha atyre mundësinë për të treguar për punën që iu ishte dhënë ta bënin (shihni te Lluka 9:10).
Si udhëheqës/e, ju mund t’i ndihmoni të tjerët të rriten duke u deleguar detyra. Përpiquni fort t’i përfshini të gjithë anëtarët në bërjen e veprës së Perëndisë.
Delegimi gjithashtu do ta bëjë shërbimin tuaj më të efektshëm. Kërkoni udhërrëfimin e Shpirtit se çfarë të delegoni, kështu që ju të mund të përqendroheni te përparësitë tuaja më të larta.
4.2.6
Përgatitni Njerëz të Tjerë që të Jenë Udhëheqës/e dhe Mësues/e
Jini plot lutje kur merrni parasysh se kush mund të shërbejë në thirrje ose detyra të Kishës. Mbani mend që Zoti do t’i kualifikojë ata që Ai i thërret. Çka është më e rëndësishmja, është se ata janë të gatshëm të shërbejnë, se do ta kërkojnë me përulësi ndihmën e Zotit dhe po përpiqen fort të jenë të denjë.
4.2.7
Planifikoni Mbledhje, Mësime dhe Aktivitete me Qëllime të Qarta
Kërkoni udhërrëfimin e Shpirtit në planifikimin e mbledhjeve, mësimeve dhe aktiviteteve që kanë qëllime të qarta. Këto qëllime duhet t’i forcojnë individët dhe familjet, t’i sjellin ata më pranë Krishtit dhe t’i ndihmojnë të përmbushin veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin (shihni te kapitujt 1 dhe 2).
4.2.8
Vlerësimi i Përpjekjeve Tuaja
Rishikoni rregullisht përgjegjësitë dhe rritjen tuaj shpirtërore si udhëheqës. Merreni në shqyrtim edhe rritjen e atyre që udhëhiqni.
Suksesi juaj si udhëheqës matet kryesisht nga zotimi juaj për t’i ndihmuar fëmijët e Perëndisë të bëhen dishepuj besnikë të Jezu Krishtit. Ju mund ta dini që Zoti është i kënaqur me përpjekjet tuaja teksa e ndieni Shpirtin të veprojë përmes jush.
4.3
Këshillat në Kishë
Zoti i ka udhëzuar udhëheqësit e Kishës së Tij që të këshillohen së bashku në bërjen e punës së Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 41:2–3). Këshillat sigurojnë mundësi që anëtarët e këshillit të marrin zbulesë teksa përpiqen të kuptojnë nevojat e fëmijëve të Perëndisë dhe të planifikojnë se si t’i plotësojnë ato nevoja.
4.4
Parimet e Këshillave të Efektshëm
4.4.1
Qëllimet e Këshillave
Këshillat vënë theksim të veçantë në ndihmën ndaj anëtarëve që të marrin ordinancat dhe të mbajnë besëlidhjet që lidhen me to.
4.4.2
Përgatitja për Mbledhjet e Këshillave
Presidencat dhe këshillat pritet që të takohen rregullisht. Udhëheqësit kërkojnë udhërrëfimin e Zotit në planifikimin e mbledhjeve të këshillit. Ata gjithashtu kërkojnë informacion nga anëtarët e këshillit për të vendosur se çfarë të diskutojnë.
Udhëheqësit ua bëjnë të njohur që më parë çështjet për diskutim anëtarëve të këshillit. Anëtarët e këshillit përgatiten që të shprehin ide për këto çështje.
4.4.3
Diskutimi dhe Vendimet
Gjatë një mbledhjeje të këshillit, udhëheqësi (ose dikush që udhëheqësi e cakton) shpjegon çështjen që po merret në shqyrtim. Udhëheqësi më pas e nxit diskutimin mes gjithë anëtarëve të këshillit, duke bërë pyetje dhe duke kërkuar ide.
Anëtarët japin sugjerime dhe e dëgjojnë njëri-tjetrin me respekt. Ndërsa ata përpiqen të dinë vullnetin e Zotit, një shpirt frymëzimi dhe uniteti mund të mbizotërojë.
Në një këshill që përfshin gra e burra, udhëheqësi kërkon mendime dhe ide nga të dyja palët. Gratë dhe burrat shpesh kanë këndvështrime të ndryshme që sigurojnë drejtpeshimin e nevojshëm.
Një udhëheqës/e i orienton diskutimet e këshillit. Sidoqoftë, ai ose ajo duhet të dëgjojë më shumë sesa të flasë.
Pas diskutimit, udhëheqësi/ja mund të vendosë ose për mënyrën e veprimit ose ta shtyjë vendimin ndërkohë që kërkon informacion dhe udhërrëfim të mëtejshëm.
4.4.4
Uniteti
Anëtarët e këshillit përpiqen të bëhen një në dëshirë dhe qëllim me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Ata përpiqen fort për unitet në diskutimet dhe vendimet e tyre.
4.4.5
Veprimi dhe Përgjegjshmëria
Anëtarët e këshillit e kryejnë shumicën e punës së tyre përpara dhe pas mbledhjeve të këshillit. Gjatë mbledhjeve, ata kërkojnë frymëzim që të zhvillojnë plane për të vënë në zbatim vendimet. Udhëheqësi/ja i/e këshillit i fton anëtarët që të përmbushin detyra që lidhen me këto plane.
Anëtarët e këshillit raportojnë për detyrat e tyre. Përparimi zakonisht kërkon vëmendje përkrahëse dhe detyra për ndjekjen e ecurisë.
4.4.6
Konfidencialiteti
Udhëheqësit/et përdorin pjekuri kur i japin një këshilli informacion vetjak. Ata zakonisht kërkojnë leje nga një anëtar/e për ta dhënë këtë informacion.
Anëtarët e këshillit nuk duhet të japin informacion vetjak për dikë jashtë këshillit, në qoftë se nuk kërkohet për të përmbushur një detyrë nga udhëheqësi/ja i/e këshillit.
Disa materiale janë tepër të ndjeshme për t’u sjellë përpara tërë këshillit.