Manualet dhe Thirrjet
1. Plani i Perëndisë dhe Roli Juaj në Veprën e Tij për Shpëtimin dhe Ekzaltimin


“1. Plani i Perëndisë dhe Roli Juaj në Veprën e Tij për Shpëtimin dhe Ekzaltimin”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm (2023).

“1. Vepra për Shpëtimin dhe Ekzaltimin”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm

burra duke ndërtuar shtëpi

1.

Plani i Perëndisë dhe Roli Juaj në Veprën e Tij për Shpëtimin dhe Ekzaltimin

1.0

Parathënia

Ju jeni thirrur për të shërbyer në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Faleminderit për shërbimin tuaj. Ju do të bekoni jetë njerëzish dhe do të përjetoni gëzim kur shërbeni me besnikëri.

Ky manual do t’ju ndihmojë të mësoni parimet e shërbimit si Krishti dhe të kuptoni përgjegjësitë tuaja. Ju do të jeni më të efektshëm kur e përputhni shërbimin tuaj në Kishë me veprën e Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit.

1.1

Plani i Perëndisë për Lumturinë

Ati Qiellor dha planin e lumturisë për të na krijuar mundësinë që të gëzojmë të gjitha bekimet e Tij. Vepra dhe lavdia e Tij është të “bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39).

Jezu Krishti është qendra e planit të Perëndisë. Për shkak të dashurisë së pafundme të Atit Qiellor për ne, Ai dërgoi Birin e Tij që të na shëlbonte nga mëkati dhe vdekja nëpërmjet flijimit të Tij shlyes (shihni te Gjoni 3:16). Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti siguron që secili prej nesh, që u lind në tokë, do të ringjallet dhe do të fitojë pavdekësinë.

Për të marrë jetë të përjetshme, ne duhet të “[vijmë] te Krishti” (Moroni 10:32). Shlyerja e Shpëtimtarit bën të mundur që ne të pastrohemi nga mëkati dhe t’i kemi zemrat tona të ndryshuara, që të mund të marrim jetë të përjetshme dhe një plotësi të gëzimit.

1.2

Vepra e Perëndisë për Shpëtimin dhe Ekzaltimin

Kur vijmë te Krishti dhe i ndihmojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, ne marrim pjesë në veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin. Kjo vepër udhërrëfehet nga dy urdhërimet e mëdha, që ta duam Perëndinë dhe t’i duam të afërmit tanë (shihni te Mateu 22:37–39).

Vepra e shpëtimit dhe e ekzaltimit përqendrohet mbi katër përgjegjësi të caktuara në mënyrë hyjnore.

Ky manual do t’ju ndihmojë që t’i kuptoni këto katër aspekte të veprës së Perëndisë. Fryma e Shenjtë do t’ju udhërrëfejë kur e luani rolin tuaj në përmbushjen e tyre (shihni te 2 Nefi 32:5).

1.2.1

Të Jetuarit e Ungjillit të Jezu Krishtit

Të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit përfshin:

  • Ushtrimin e besimit te Krishti, pendimin çdo ditë, bërjen e besëlidhjeve me Perëndinë kur marrim ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit, si dhe durimin deri në fund duke i mbajtur ato besëlidhje (shihni te 3.5.1).

  • Të mësuarit dhe mësimdhënien e ungjillit të Jezu Krishtit në shtëpi dhe në kishë.

  • Bërjen të mbështetur te vetja që të sigurojmë për veten tonë dhe familjet tona, si shpirtërisht edhe materialisht.

1.2.2

Përkujdesja për Njerëzit Nevojtarë

Përkujdesja për njerëzit nevojtarë përfshin:

  • Shërbimin dhe dhënien e shërbesës ndaj individëve, familjeve dhe komuniteteve.

  • Ndarjen e burimeve, përfshirë ndihmën nga Kisha, me njerëzit nevojtarë.

  • Të ndihmuarit e të tjerëve që të bëhen të mbështetur te vetja.

1.2.3

Ftesa ndaj të Gjithë Njerëzve që ta Pranojnë Ungjillin

Ftesa ndaj të gjithë njerëzve që ta pranojnë ungjillin përfshin:

  • Pjesëmarrjen në punën misionare dhe shërbimin si misionarë.

  • Ndihmën për anëtarët e rinj dhe ata që kthehen në Kishë, që të përparojnë përgjatë shtegut të besëlidhjeve.

1.2.4

Bashkimi i Familjeve për Përjetësinë

Bashkimi i familjeve për përjetësinë përfshin:

  • Bërjen e besëlidhjeve kur marrim ordinancat tona vetjake në tempull.

  • Zbulimin e paraardhësve tanë të vdekur dhe kryerjen e ordinancave për ta në tempull, me qëllim që ata të mund të bëjnë besëlidhje me Perëndinë.

  • Vajtjen në tempull rregullisht, atje ku është e mundur, për të adhuruar Perëndinë dhe për të kryer ordinanca për fëmijët e Tij.

1.3

Qëllimi i Kishës

Jezu Krishti e themeloi Kishën e Tij për t’i mundësuar individët dhe familjet që të ndihmojnë në përmbushjen e veprës së Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin (shihni tek Efesianëve 4:11–13; shihni edhe 2.2 në këtë manual). Për të ndihmuar në përmbushjen e këtij qëllimi hyjnor, Kisha dhe udhëheqësit/et e saj sigurojnë:

  • Autoritetin dhe çelësat e priftërisë.

  • Besëlidhjet dhe ordinancat.

  • Udhëzimin profetik.

  • Shkrimet e shenjta.

  • Përkrahjen e të mësuarit dhe të mësimdhënies së ungjillit.

  • Mundësitë për shërbim dhe udhëheqje.

  • Një bashkësi shenjtorësh.

1.3.1

Autoriteti dhe Çelësat e Priftërisë

Nëpërmjet priftërisë, Perëndia e përmbush veprën e Tij për shpëtimin dhe ekzaltimin. Autoriteti dhe çelësat e priftërisë, të nevojshëm për ta drejtuar veprën e Perëndisë në tokë, iu rivendosën Profetit Jozef Smith (shihni te Doktrina e Besëlidhje 110:11–16; 112:30). Këta çelësa mbahen nga udhëheqësit e Kishës sot. Këta udhëheqës thërrasin dhe autorizojnë të tjerë për të ndihmuar në veprën e Perëndisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:8, 65–67).

1.3.2

Besëlidhjet dhe Ordinancat

Në planin e Atit Qiellor, ne bëjmë besëlidhje kur marrim ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit, të tilla si pagëzimi (shihni te Gjoni 3:5; shihni edhe te kapitulli 18 në këtë manual). Këto besëlidhje dhe ordinanca janë thelbësore që ne të bëhemi më shumë si Perëndia dhe të kthehemi për të jetuar në praninë e Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:19–22).

1.3.3

Udhëzimi Profetik

Nëpërmjet profetëve të Tij të zgjedhur, Perëndia zbulon të vërtetën dhe jep udhërrëfim e paralajmërime të frymëzuara (shihni tek Amos 3:7; Doktrina e Besëlidhje 1:4). Ky udhërrëfim na ndihmon që të hyjmë dhe të qëndrojmë në shtegun që çon drejt jetës së përjetshme.

1.3.4

Shkrimet e Shenjta

Nën drejtimin e profetëve dhe apostujve të Zotit, Kisha e jep dhe e ruan fjalën e Perëndisë siç gjendet në shkrimet e shenjta. Shkrimet e shenjta dëshmojnë për Krishtin, na mësojnë ungjillin e Tij dhe na ndihmojnë të ushtrojmë besim tek Ai (shihni te Jakobi [LiM] 7:10–11; Helamani 15:7).

1.3.5

Përkrahja e të Mësuarit dhe e Mësimdhënies së Ungjillit

Kisha i përkrah individët dhe familjet në përgjegjësinë e tyre për të mësuar të vërtetat e ungjillit dhe për t’ua dhënë mësim këto të vërteta pjesëtarëve të familjes dhe të tjerëve (shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:77–78, 118; shihni edhe te 2.2.3 në këtë manual).

1.3.6

Mundësitë për Shërbim dhe Udhëheqje

Nëpërmjet thirrjeve dhe detyrave në Kishë, Perëndia u jep anëtarëve mundësi për të shërbyer dhe udhëhequr. Kisha siguron strukturën për të ndihmuar në përkujdesjen për anëtarët nevojtarë dhe për t’u dhënë ndihmë humanitare njerëzve të tjerë (shihni te Mosia 18:27–29).

1.3.7

Një Bashkësi Shenjtorësh

Si një bashkësi shenjtorësh, anëtarët e Kishës mblidhen rregullisht për të adhuruar Perëndinë dhe për të kujtuar Shpëtimtarin me anë të marrjes së sakramentit (shihni te Moroni 6:4–6; Doktrina e Besëlidhje 20:77). Anëtarët gjithashtu kujdesen për njëri‑tjetrin dhe i japin shërbesë njëri‑tjetrit (shihni tek Efesianëve 2:19).

1.4

Roli Juaj në Veprën e Perëndisë

Si një udhëheqës/e në Kishë, ju thirreni që t’i mësoni dhe përkrahni njerëzit të cilëve u shërbeni, ndërkohë që ata e ndihmojnë Perëndinë në veprën e Tij për shpëtimin dhe ekzaltimin (shihni te 1.2). Të pasurit e një kuptimi të qartë për veprën e Perëndisë, për atë që Ai ju fton të bëni dhe për qëllimin e Kishës së Tij do t’ju ndihmojë t’i përqendroni përpjekjet tuaja në sjelljen e shpirtrave te Krishti.

Me lutje kërkoni të dini se si mund të ndihmoni për përmbushjen e qëllimeve të Perëndisë në jetën e njerëzve të cilëve u shërbeni. Perëndia do t’ju drejtojë nëpërmjet nxitjeve të Frymës së Shenjtë (shihni te 2 Nefi 32:5). Të punuarit me Zotin në vreshtin e Tij do t’ju sjellë gëzim të madh (shihni te Jakobi [LiM] 5:70–72).