“18. Kryerja e Ordinancave dhe Bekimeve të Priftërisë”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm (2023).
“18. Kryerja e Ordinancave dhe Bekimeve të Priftërisë”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm
18.
Kryerja e Ordinancave dhe Bekimeve të Priftërisë
18.0
Parathënia
Ordinancat dhe bekimet janë veprime të shenjta, të kryera me anë të autoritetit të priftërisë dhe në emrin e Jezu Krishtit. Ordinancat dhe bekimet e priftërisë sigurojnë të drejtë përdorimi për fuqinë e Perëndisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:20).
Ordinancat dhe bekimet duhet të kryhen me besim tek Ati Qiellor e Jezu Krishti dhe në përputhje me udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë. Udhëheqësit sigurojnë që ato kryhen me miratimin e duhur (ku është e nevojshme), me autoritetin e kërkuar të priftërisë, në mënyrën e duhur dhe nga pjesëmarrës të denjë (shihni te 18.3).
18.1
Ordinancat e Shpëtimit dhe të Ekzaltimit
Priftëria përfshin autoritetin për të administruar ordinancat e ungjillit që janë të domosdoshme për shpëtimin dhe ekzaltimin. Njerëzit bëjnë besëlidhje të shenjta me Perëndinë kur i marrin këto ordinanca. Ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit renditen si vijojnë:
-
Pagëzimi
-
Konfirmimi dhe dhurata e Frymës së Shenjtë
-
Dhënia e Priftërisë Melkizedeke dhe shugurimi në një detyrë (për burrat)
-
Dhurimi në tempull
-
Vulosja në tempull
Nëse një fëmijë që u lind në besëlidhje, vdes përpara moshës 8 vjeç, asnjë ordinancë nuk nevojitet ose kryhet. Nëse fëmija nuk u lind në besëlidhje, e vetmja ordinancë që i nevojitet atij ose asaj është që të vuloset te prindërit. Për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit, të gjithë fëmijët që vdesin përpara moshës 8 vjeç “shpëtohen në mbretërinë çelestiale të qiellit” (Doktrina e Besëlidhje 137:10; shihni edhe te Moroni 8:8–12).
18.3
Pjesëmarrja në një Ordinancë apo Bekim
Ata që kryejnë ose marrin pjesë në një ordinancë ose bekim, duhet të kenë autoritetin e nevojshëm të priftërisë dhe të jenë të denjë. Në përgjithësi, standardi i denjësisë është ai që shoqërohet me mbajtjen e një rekomandimi tempulli. Megjithatë, siç udhërrëfehen nga Shpirti dhe udhëzimet në këtë kapitull, peshkopët dhe presidentët e kunjeve mund t’i lejojnë etërit dhe bashkëshortët, të cilët mbajnë detyrën e nevojshme të priftërisë, që të kryejnë apo të marrin pjesë në disa ordinanca dhe bekime, edhe në qoftë se ata nuk janë tërësisht të denjë për [të hyrë] në tempull. Një mbajtës i priftërisë, i cili nuk i ka zgjidhur mëkatet e rënda, nuk duhet të marrë pjesë.
Kryerja ose marrja e disa ordinancave dhe bekimeve kërkon miratim nga një udhëheqës kryesues i cili mban çelësat e nevojshëm të priftërisë (shihni te 3.4.1). Sipas nevojës, miratimi mund të jepet nga një këshilltar që ai e autorizon. Shihni tabelat vijuese. Përmendjet e presidentëve të kunjeve gjejnë zbatim edhe për presidentët e misioneve. Përmendjet e peshkopëve gjejnë zbatim edhe për presidentët e degëve.
Cilët Udhëheqës Mbajnë Çelësat që të Japin Miratimin për të Kryer ose Marrë Ordinancat e Shpëtimit dhe të Ekzaltimit?
|
Ordinanca |
Ai që i Mban Çelësat |
|---|---|
Ordinanca Pagëzimi | Ai që i Mban Çelësat Peshkopi (për fëmijët 8-vjeçarë dhe për anëtarët me dokument të moshës 9 vjeç e lart pagëzimi i të cilëve u vonua për shkak të aftësive të kufizuara intelektuale) Presidenti i misionit (për të kthyerit në besim) |
Ordinanca Konfirmimi dhe dhurata e Frymës së Shenjtë | Ai që i Mban Çelësat Peshkopi (për fëmijët 8-vjeçarë dhe për anëtarët me dokument të moshës 9 vjeç e lart pagëzimi i të cilëve u vonua për shkak të aftësive të kufizuara intelektuale) Presidenti i misionit (për të kthyerit në besim) |
Ordinanca Dhënia e Priftërisë Melkizedeke dhe shugurimi në një detyrë (për burrat) | Ai që i Mban Çelësat Presidenti i kunjit |
Ordinanca Dhurimi në tempull | Ai që i Mban Çelësat Peshkopi dhe presidenti i kunjit |
Ordinanca Vulosja në tempull | Ai që i Mban Çelësat Peshkopi dhe presidenti i kunjit |
Cilët Udhëheqës Mbajnë Çelësat që të Japin Miratimin për të Kryer ose Marrë Ordinanca dhe Bekime të Tjera?
|
Ordinanca ose Bekimi |
Ai që i Mban Çelësat |
|---|---|
Ordinanca ose Bekimi Vënia e emrit dhe bekimi i fëmijëve | Ai që i Mban Çelësat Peshkopi |
Ordinanca ose Bekimi Sakramenti | Ai që i Mban Çelësat Peshkopi |
Ordinanca ose Bekimi Dhënia e Priftërisë Aarone dhe shugurimi në një detyrë (për të rinjtë dhe burrat) | Ai që i Mban Çelësat Peshkopi |
Ordinanca ose Bekimi Veçimi i anëtarëve që të shërbejnë në thirrje | Ai që i Mban Çelësat Shihni te 30.8 |
Ordinanca ose Bekimi Përkushtimi i vajit | Ai që i Mban Çelësat Nuk nevojitet miratim |
Ordinanca ose Bekimi Administrimi ndaj të sëmurëve | Ai që i Mban Çelësat Nuk nevojitet miratim |
Ordinanca ose Bekimi Bekimet e ngushëllimit dhe të këshillimit, përfshirë bekimet e atit | Ai që i Mban Çelësat Nuk nevojitet miratim |
Ordinanca ose Bekimi Përkushtimi i shtëpive | Ai që i Mban Çelësat Nuk nevojitet miratim |
Ordinanca ose Bekimi Përkushtimi i varreve | Ai që i Mban Çelësat Udhëheqësi i priftërisë që kryeson shërbesën |
Ordinanca ose Bekimi Bekimet patriarkale | Ai që i Mban Çelësat Peshkopi |
18.4
Ordinancat për Fëmijët e Mitur
Një fëmijë i mitur mund të marrë ordinanca dhe bekime vetëm kur prindërit ose kujdestarët ligjorë japin leje. Lejë nuk kërkohet nga një prind ose kujdestar që nuk ka baza ligjore për ta kundërshtuar veprimin.
18.6
Vënia e Emrit dhe Bekimi i Fëmijëve
Fëmijëve normalisht u vihet emri dhe bekohen gjatë mbledhjes së agjërimit dhe të dëshmisë në lagjen ku banojnë prindërit e tyre.
18.6.1
Ai që e Jep Bekimin
Ordinanca e vënies së emrit dhe e bekimit të një fëmije kryhet nga mbajtës të Priftërisë Melkizedeke, në përputhje me vargun te Doktrina e Besëlidhje 20:70.
Një person ose familje që dëshiron që një fëmijë të marrë një emër dhe një bekim, e bashkërendon kryerjen e ordinancës me peshkopin. Ai mban çelësat e priftërisë për vënien e emrit dhe bekimin e fëmijëve në lagje.
Një peshkop mund ta lejojë një baba, i cili mban Priftërinë Melkizedeke, që t’i vërë emrin dhe ta bekojë fëmijën e tij edhe nëse babai nuk është plotësisht i denjë për [të hyrë] në tempull (shihni te 18.3). Peshkopët i nxitin etërit që të përgatiten për t’i bekuar vetë fëmijët e tyre.
18.6.2
Udhëzime
Nën drejtimin e peshkopatës, mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke mblidhen në një rreth për t’i vënë emrin dhe për ta bekuar një fëmijë. Ata i vendosin duart e tyre nën një foshnjë ose i vënë duart lehtë mbi kokën e një fëmije më të madh në moshë. Më pas ai që vepron si zëri:
-
I drejtohet Atit Qiellor sikurse në lutje.
-
Thotë se bekimi po kryhet me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke.
-
I jep fëmijës një emër.
-
I drejtohet fëmijës.
-
I jep fëmijës një bekim siç udhërrëfehet nga Shpirti.
-
E mbyll në emrin e Jezu Krishtit.
18.6.3
Formulari i Dokumentit të Fëmijës dhe Certifikata e Bekimit
Para se të bekohet një fëmijë, një nëpunës përdor sistemin Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit [LCR] për të përgatitur një Formular të Dokumentit të Fëmijës. Pas bekimit, ai krijon një dokument anëtarësie në atë sistem dhe përgatit një Certifikatë Bekimi. Kjo certifikatë nënshkruhet nga peshkopi dhe u jepet prindërve ose kujdestarëve të fëmijës.
Emri në dokumentin e anëtarësisë dhe në certifikatë duhet të përputhet me certifikatën e lindjes, regjistrin civil të lindjeve ose emrin aktual zyrtar.
18.7
Pagëzimi
Pagëzimi me anë të zhytjes në ujë nga dikush që ka autoritet, është i domosdoshëm që një person të bëhet anëtar i Kishës dhe të marrë Frymën e Shenjtë. Të gjithë ata që kërkojnë ekzaltim, duhet të ndjekin shembullin e Shpëtimtarit duke i marrë këto ordinanca.
18.7.1
Miratimi për një Njeri që të Pagëzohet dhe Konfirmohet
18.7.1.1
Fëmijët që Janë Anëtarë me Dokument
Peshkopi mban çelësat e priftërisë për pagëzimin e anëtarëve me dokument të moshës 8‑vjeçare në një lagje. Këta fëmijë duhet të pagëzohen dhe konfirmohen në ditëlindjen e 8‑të ose sa më shpejt pas kësaj ditëlindjeje, si të jetë e arsyeshme (shihni te Doktrina e Besëlidhje 68:27). Këta janë fëmijë për të cilët ekzistojnë tashmë dokumente të anëtarësisë në Kishë (shihni te 33.6.2). Kur ata mbushin moshën 8 vjeç, peshkopi sigurohet që ata të kenë çdo mundësi për ta pranuar ungjillin dhe për t’u pagëzuar e konfirmuar.
Peshkopi ose një këshilltar i caktuar i interviston fëmijët me dokument për pagëzim dhe konfirmim. Udhëzimet janë te 31.2.3.1.
Për informacion rreth plotësimit të Dokumentit të Pagëzimit dhe Konfirmimit, shihni te 18.8.3.
18.7.1.2
Të Kthyerit në Besim
Presidenti i misionit mban çelësat e priftërisë për pagëzimin e të kthyerve në besim brenda një misioni. Për këtë arsye, misionarët kohëplotë i intervistojnë të kthyerit në besim për pagëzimin dhe konfirmimin.
18.7.2
Shërbesat e Pagëzimit
Një shërbesë pagëzimi duhet të jetë e thjeshtë, e shkurtër dhe lartësuese nga ana shpirtërore. Ajo mund të përfshijë sa vijojnë:
-
Muzikën para hapjes
-
Një mirëseardhje të shkurtër nga vëllai që po kryeson shërbesën
-
Një himn dhe lutje të hapjes
-
Një ose dy mesazhe të shkurtra mbi tema të ungjillit, të tilla si pagëzimi dhe dhurata e Frymës së Shenjtë
-
Një përzgjedhje muzikore
-
Pagëzimin
-
Një kohë nderimi ndërkohë që njerëzit të cilët morën pjesë në pagëzim, veshin rroba të thata (himne ose këngë Filloreje mund të luhen ose këndohen gjatë kësaj kohe)
-
Konfirmimin e anëtarëve me dokument të moshës 8‑vjeçare; konfirmimin e të kthyerve në besim (shihni te 18.8)
-
Dhënien e dëshmive prej të kthyerve të rinj në besim, nëse dëshirohet
-
Një himn dhe lutje mbylljeje
-
Muzikën pas mbylljes
Kur një fëmijë me dokument po përgatitet për t’u pagëzuar, një anëtar i peshkopatës dhe një anëtare e presidencës së Fillores këshillohen me familjen për të planifikuar dhe caktuar kohën e shërbesës së pagëzimit. Një anëtar i peshkopatës e drejton shërbesën. Në qoftë se më shumë se një fëmijë do të pagëzohen në të njëjtin muaj, ata mund të marrin pjesë në të njëjtën shërbesë pagëzimi.
Në kunjet me shumë fëmijë me dokument, fëmijët nga lagje të ndryshme mund të marrin pjesë në të njëjtën shërbesë pagëzimi. Një anëtar i presidencës së kunjit ose një këshilltar i lartë i caktuar e drejton shërbesën.
Pagëzimi i një pjesëtari të familjes nuk duhet të vonohet derisa një baba të mund të marrë priftërinë dhe ta kryejë vetë pagëzimin.
Nën udhëzimin e peshkopatës, udhëheqësi i misionit të lagjes (nëse është thirrur një udhëheqës) ose anëtari i presidencës së kuorumit të pleqve që udhëheq punën misionare në lagje, planifikon dhe drejton shërbesat e pagëzimit për të kthyerit në besim. Ai gjithashtu planifikon konfirmimin e të kthyerve në besim, në qoftë se ata nuk do të konfirmohen në mbledhjen e sakramentit. Ai bashkërendon me misionarët kohëplotë.
18.7.3
Ai që e Kryen Ordinancën
Ordinanca e pagëzimit kryhet nga një prift ose një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke. Personi që e kryen një pagëzim, duhet të miratohet nga peshkopi (ose nga presidenti i misionit nëse një misionar kohëplotë po kryen pagëzimin).
Një peshkop mund ta lejojë një baba, i cili është një prift ose një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke, që të pagëzojë fëmijën e tij edhe nëse babai nuk është plotësisht i denjë për [të hyrë] në tempull (shihni te 18.3). Peshkopët i nxitin etërit që të përgatiten për t’i pagëzuar vetë fëmijët e tyre.
18.7.4
Ku të Kryhet Ordinanca
Pagëzimet duhet të kryhen në një vaskë pagëzimi nëse një e tillë është në dispozicion. Nëse nuk ka një vaskë, mund të përdoret një vend i sigurt me ujë.
Për siguri, një njeri i përgjegjshëm në moshë madhore duhet të jetë i pranishëm, ndërkohë që mbushet vaska e pagëzimit dhe duhet të qëndrojë derisa ajo të zbrazet, pastrohet dhe sigurohet. Vaska duhet të thahet menjëherë pas çdo shërbese pagëzimi. Dyert e vaskës duhet të mbyllen me çelës kur ajo nuk është në përdorim.
18.7.5
Veshjet
Personi që kryen një pagëzim dhe personi që po pagëzohet, veshin rroba të bardha që nuk janë të tejdukshme kur lagen. Një person që e ka marrë dhurimin në tempull, vesh veshjen e brendshme të tempullit nën këtë veshje kur kryen një pagëzim. Njësitë vendore blejnë veshje pagëzimi me fondet e buxhetit dhe nuk vënë tarifë për përdorimin e tyre.
18.7.6
Dëshmitarët
Dy dëshmitarë, të miratuar nga udhëheqësi kryesues, e shohin secilin pagëzim për t’u siguruar që ai kryhet siç duhet. Anëtarët dhe anëtaret e pagëzuara të Kishës, përfshirë fëmijët, të rinjtë e të rejat, mund të shërbejnë si dëshmitarë.
Një pagëzim duhet të përsëritet nëse fjalët nuk thuhen saktësisht siç janë dhënë te Doktrina e Besëlidhje 20:73. Ai gjithashtu duhet të përsëritet nëse një pjesë e trupit, flokëve ose veshjes së personit nuk zhytet plotësisht.
18.7.7
Udhëzime
Për të kryer ordinancën e pagëzimit, një prift ose mbajtës i Priftërisë Melkizedeke:
-
Qëndron në këmbë në ujë bashkë me personin që po pagëzohet.
-
Mban kyçin e dorës së djathtë të personit me dorën e vet të majtë (për lehtësi dhe siguri). Personi që po pagëzohet, mban kyçin e dorës së majtë të mbajtësit të priftërisë me dorën e tij ose të saj të majtë.
-
Ngre krahun e djathtë në formën e skuadrës.
-
Shqipton emrin e plotë të personit dhe thotë: “Duke qenë i autorizuar nga Jezu Krishti, unë të pagëzoj në emër të Atit dhe të Birit, dhe të Frymës së Shenjtë. Amen” (Doktrina e Besëlidhje 20:73).
-
E lejon personin të mbyllë hundën me dorën e djathtë (për lehtësi); më pas vë dorën tij të djathtë në pjesën e sipërme të shpinës së personit dhe e zhyt atë plotësisht, përfshirë edhe veshjen.
-
E ndihmon personin të dalë nga uji.
18.8
Konfirmimi dhe Dhurata e Frymës së Shenjtë
Pasi një person pagëzohet, ai ose ajo konfirmohet anëtar ose anëtare e Kishës dhe merr Frymën e Shenjtë me anë të vënies së duarve (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:41; Veprat e Apostujve 19:1–6). Personi bëhet anëtar i Kishës pasi të dyja këto ordinanca kryhen dhe regjistrohen siç duhet (shihni te Gjoni 3:5; Doktrina e Besëlidhje 33:11; 3 Nefi 27:20).
Peshkopi mbikëqyr konfirmimet e fëmijëve 8‑vjeçarë me dokument. Këta fëmijë zakonisht konfirmohen në ditën që pagëzohen.
Misionarët kohëplotë bashkërendojnë me udhëheqësit e lagjes për të planifikuar konfirmimin e të kthyerve në besim siç shënohet te 18.7.2. Të kthyerit në besim mund të konfirmohen në shërbesën e pagëzimit ose në një mbledhje sakramenti në lagjen ku banojnë sa më shpejt që të jetë e mundur pas pagëzimit të tyre.
Anëtarët e rinj pranohen dhe mirëpriten si anëtar/e i/e ri/e i/e lagjes në mbledhjen e sakramentit pas konfirmimit të tyre (shihni te 29.2.1.1).
18.8.1
Ai që e Kryen Ordinancën
Vetëm një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke që është i denjë për [të hyrë] në tempull, mund të veprojë si zëri për një konfirmim. Sidoqoftë, një peshkop mund ta lejojë një baba i cili mban Priftërinë Melkizedeke, që të qëndrojë në rreth për konfirmimin e fëmijës së tij edhe nëse babai nuk është plotësisht i denjë për [të hyrë] në tempull (shihni te 18.3).
Së paku një anëtar i peshkopatës merr pjesë në këtë ordinancë. Kur pleqtë [eldërat] misionarë i kanë dhënë mësim një të kthyeri në besim, peshkopi i fton të jenë të pranishëm.
18.8.2
Udhëzime
Nën drejtimin e peshkopatës, një ose më shumë mbajtës të Priftërisë Melkizedeke mund të marrin pjesë në një konfirmim. Ata i vënë duart e tyre lehtë mbi kokën e personit. Më pas ai që vepron si zëri:
-
E thërret personin me emrin e tij ose të saj të plotë.
-
Thotë se ordinanca po kryhet me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke.
-
E konfirmon personin një anëtar të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
-
Thotë “merre Frymën e Shenjtë” (jo “merre dhuratën e Frymës së Shenjtë”).
-
Jep fjalë bekimi siç udhërrëfehet nga Shpirti.
-
E mbyll në emrin e Jezu Krishtit.
18.8.3
Dokumenti dhe Certifikata e Pagëzimit dhe e Konfirmimit
Para se një fëmijë që është një anëtar me dokument, të intervistohet për pagëzimin, një nëpunës përdor sistemin LCR që të përgatitë një Formular të Pagëzimit dhe të Konfirmimit. Peshkopi ose një këshilltar i caktuar kryen intervistën dhe e nënshkruan formularin. Pas pagëzimit dhe konfirmimit, një nëpunës e përdor këtë formular për të përditësuar dokumentin e anëtarësisë së fëmijës në sistemin LCR.
Kur një misionar kohëplotë e interviston një të kthyer në besim për pagëzimin, ai plotëson Dokumentin e Pagëzimit dhe të Konfirmimit duke përdorur programin Libri i Planifikimit Zonal (LPZ). Pas pagëzimit dhe konfirmimit, misionarët e shënojnë informacionin në programin LPZ dhe ia dorëzojnë atë elektronikisht nëpunësit të lagjes. Nëpunësi i lagjes e shqyrton informacionin në sistemin LCR dhe krijon dokumentin e anëtarësisë.
Pasi krijohet dokumenti i anëtarësisë, një nëpunës përgatit një Certifikatë Pagëzimi dhe Konfirmimi. Kjo certifikatë nënshkruhet nga peshkopi dhe i jepet personit.
Emri në dokumentin e anëtarësisë dhe në certifikatë duhet të përputhet me certifikatën e lindjes, regjistrin civil të lindjeve ose emrin aktual zyrtar.
18.9
Sakramenti
Anëtarët e Kishës mblidhen në ditën e Shabatit për të adhuruar Perëndinë dhe për të marrë sakramentin (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:75; 59:9; Moroni 6:5–6). Gjatë kësaj ordinance, ata marrin nga buka dhe uji për të kujtuar flijimin nga ana e Shpëtimtarit të mishit dhe të gjakut të Tij dhe për të përtërirë besëlidhjet e tyre të shenjta (shihni te Mateu 26:26–28; Përkthimi prej Joseph Smith-it, Marku 14:20–25; Lluka 22:15–20; 3 Nefi 18; Moroni 6:6).
18.9.1
Miratimi për të Administruar Sakramentin
Peshkopi mban çelësat e priftërisë për administrimin e sakramentit në lagje. Të gjithë ata që marrin pjesë në përgatitjen, bekimin dhe shpërndarjen e sakramentit, duhet të marrin miratim nga ai ose dikush nën drejtimin e tij.
18.9.2
Ai që e Kryen Ordinancën
-
Mësuesit, priftërinjtë dhe mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke mund ta përgatitin sakramentin.
-
Priftërinjtë dhe mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke mund ta bekojnë sakramentin.
-
Dhjakët, mësuesit, priftërinjtë dhe mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke mund ta shpërndajnë sakramentin.
18.9.3
Orientimet për Sakramentin
Për shkak të natyrës së shenjtë të sakramentit, udhëheqësit e priftërisë duhet të përgatiten me kujdes që ai të kryhet me rregull dhe nderim.
Ata që e administrojnë sakramentin, duhet ta bëjnë këtë gjë në mënyrë dinjitoze, duke e kuptuar se po përfaqësojnë Zotin.
Shpërndarja e sakramentit duhet të jetë e natyrshme dhe jo tepër formale.
Edhe pse sakramenti është vetëm për anëtarët e Kishës, nuk duhet të bëhet asgjë për t’i penguar njerëzit e tjerë që ta marrin atë.
18.9.4
Udhëzime
-
Ata që e përgatitin, bekojnë ose shpërndajnë sakramentin, fillimisht i lajnë duart me sapun ose pastrues të tjerë.
-
Mësuesit, priftërinjtë ose mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke sigurojnë që tabakatë e bukës me bukë të pacopëtuar, tabakatë e ujit me gota të mbushura me ujë të freskët dhe mbulesat e pastra të tryezës të jenë në vend përpara mbledhjes.
-
Ndërsa anëtarët e lagjes këndojnë një himn sakramenti, ata që do ta bekojnë sakramentin, ngrihen në këmbë me nderim, heqin pëlhurën që mbulon tabakatë e bukës, dhe e ndajnë bukën në copa të vogla sa një kafshatë.
-
Pas himnit, personi që bekon bukën, ulet në gjunjë dhe thotë lutjen e sakramentit për bukën (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:77).
-
Peshkopi sigurohet që lutjet e sakramentit thuhen qartë, me saktësi dhe me dinjitet. Nëse dikush bën një gabim në fjalët dhe e korrigjon vetveten, nuk nevojitet korrigjim i mëtejshëm. Nëse personi nuk e korrigjon gabimin e tij, peshkopi me mirësi i kërkon atij që ta përsëritë lutjen.
-
Pas lutjes, mbajtësit e priftërisë me nderim ua shpërndajnë bukën anëtarëve. Udhëheqësi kryesues e merr atë fillimisht, pas të cilit nuk ka një rend të caktuar. Pasi një tabaka u kalohet anëtarëve, ata mund ta pasojnë nga njëri tek tjetri.
-
Anëtarët marrin me dorën e tyre të djathtë kur është e mundur.
-
Kur buka u është shpërndarë të gjithë anëtarëve, ata që e shpërndajnë sakramentin, i kthejnë tabakatë tek tryeza e sakramentit. Ata që e bekojnë sakramentin, vendosin një mbulesë mbi tabakatë e bukës dhe zbulojnë tabakatë e ujit.
-
Personi që bekon ujin, ulet në gjunjë dhe thotë lutjen e sakramentit për ujin (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:79). Ai përdor fjalën ujë në vend të verë.
-
Pas lutjes, mbajtësit e priftërisë me nderim ua shpërndajnë ujin anëtarëve. Udhëheqësi kryesues e merr atë fillimisht, pas të cilit nuk ka një rend të caktuar.
-
Kur uji u është shpërndarë të gjithë anëtarëve, ata që e shpërndajnë sakramentin, i kthejnë tabakatë tek tryeza e sakramentit. Ata që e bekuan sakramentin, vendosin një mbulesë mbi tabakatë dhe ata që e bekuan dhe shpërndanë sakramentin, me nderim zënë vendet e tyre.
-
Pas mbledhjes, ata që e përgatitën sakramentin, pastrojnë, palosin mbulesat dhe heqin çfarëdo bukë të papërdorur.
18.10
Dhënia e Priftërisë dhe Shugurimi në një Detyrë
Ka dy ndarje të priftërisë: Aarone dhe Melkizedeke (shihni te 3.3; Doktrina e Besëlidhje 107:1, 6). Kur priftëria i jepet një personi, ai gjithashtu shugurohet në një detyrë në atë priftëri. Pasi të jetë dhënë ndonjëra nga këto priftëri, një mashkull ka nevojë vetëm të shugurohet në detyra të tjera në atë priftëri.
18.10.1
Priftëria Melkizedeke
Presidenti i kunjit mban çelësat e priftërisë për dhënien e Priftërisë Melkizedeke dhe shugurimet në detyrat e plakut dhe të priftit të lartë. Sidoqoftë, zakonisht peshkopi jep rekomandime për këto shugurime.
18.10.1.1
Pleqtë
Vëllezërit e denjë mund ta marrin Priftërinë Melkizedeke dhe të shugurohen pleq kur janë 18 vjeç e lart. Nisur nga rrethanat individuale, peshkopi vendos nëse një i ri duhet të rekomandohet për t’u shuguruar si plak pak kohë pas ditëlindjes së 18‑të apo të qëndrojë më gjatë në kuorumin e priftërinjve.
Për ta marrë këtë vendim, peshkopi këshillohet së pari me të riun dhe prindërit ose kujdestarët e tij. Të rinjtë e denjë duhet të shugurohen pleq përpara se të mbushin moshën 19 vjeç ose përpara se të largohen nga shtëpia për të frekuentuar kolegjin, për të shërbyer në një mision kohëplotë, për të shërbyer në ushtri apo për të pranuar punësim kohëplotë.
Meshkujt e pagëzuar kohët e fundit, të moshave 18 vjeç e lart, shugurohen pleq pasi:
-
Ta kenë marrë Priftërinë Aarone dhe të kenë shërbyer si priftërinj.
-
Të kenë zhvilluar kuptueshmëri të mjaftueshme për ungjillin.
-
Ta kenë demonstruar denjësinë e tyre.
Nuk kërkohet një kohë e caktuar si anëtar i Kishës.
18.10.1.2
Priftërinjtë e Lartë
Burrat shugurohen si priftërinj të lartë kur thirren në një presidencë kunji, këshill të lartë ose peshkopatë.
18.10.1.3
Kryerja e Intervistave dhe Mbështetja
Me miratimin e presidencës së kunjit, peshkopi e interviston vëllanë sikurse udhëzohet në Dokumentin e Shugurimit në Priftërinë Melkizedeke. Më pas edhe një anëtar i presidencës së kunjit e interviston atë. Me miratim nga presidenti i misionit, presidenti i distriktit mund të intervistojë një vëlla që të shugurohet si plak (shihni te 6.3).
18.10.2
Priftëria Aarone
Peshkopi mban çelësat e priftërisë për dhënien e Priftërisë Aarone dhe shugurimin në detyrat e dhjakut, të mësuesit dhe të priftit. Vëllezër të denjë zakonisht shugurohen në këto detyra sipas moshave vijuese, por jo më herët:
-
Dhjakët në fillim të vitit kur mbushin 12 vjeç
-
Mësuesit në fillim të vitit kur mbushin 14 vjeç
-
Priftërinjtë në fillim të vitit kur mbushin 16 vjeç
Peshkopi ose një këshilltar i caktuar i interviston ata që duhet të shugurohen dhjakë ose mësues për të përcaktuar nëse janë të përgatitur shpirtërisht. Peshkopi i interviston vëllezërit që duhet të shugurohen në detyrën e priftit.
Përpara se të intervistojë një të ri për shugurim në priftëri, peshkopi merr leje me gojë nga prindërit ose kujdestarët. Lejë nuk kërkohet nga një prind ose kujdestar që nuk ka baza ligjore për ta kundërshtuar veprimin.
18.10.3
Paraqitja e një Anëtari për t’u Mbështetur përpara se Ai të Shugurohet
Pasi një vëlla është intervistuar dhe është gjetur i denjë që të shugurohet në një detyrë në priftëri, ai paraqitet për mbështetje (shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:65, 67). Vëllezërit që po shugurohen si pleq ose priftërinj të lartë, paraqiten nga një anëtar i presidencës së kunjit në një sesion të përgjithshëm të konferencës së kunjit (shihni te 6.3 për udhëzime për presidentët e distrikteve). Vëllezërit që po shugurohen si dhjakë, mësues ose priftërinj, paraqiten nga një anëtar i peshkopatës në mbledhjen e sakramentit.
Personi që e drejton mbështetjen, i kërkon vëllait të ngrihet në këmbë. Ai njofton propozimin për t’i dhënë vëllait Priftërinë Aarone ose Melkizedeke (nëse nevojitet) dhe për ta shuguruar atë në detyrën e priftërisë. Më pas i fton anëtarët që ta mbështetin propozimin. Për shembull, për ta paraqitur një vëlla që të shugurohet si plak, ai mund të përdorë fjalë si këto:
“Ne propozojmë që [emri] të marrë Priftërinë Melkizedeke dhe të shugurohet një plak. Ata që janë dakord, mund ta tregojnë këtë me dorën të ngritur lart. [Ndalon shkurtimisht.] Ata që janë kundër, nëse ka, gjithashtu mund ta tregojnë atë. [Ndalon shkurtimisht.]”
Nëse një anëtar me status të mirë e kundërshton shugurimin, një udhëheqës kryesues ose një udhëheqës tjetër i caktuar i priftërisë takohet me të në privatësi pas mbledhjes. Udhëheqësi përpiqet të kuptojë përse anëtari është në kundërshtim. Ai mëson nëse anëtari di për ndonjë sjellje që mund ta shkualifikojë personin nga të shuguruarit në detyrën e priftërisë.
Në disa raste, një vëlla mund të kenë nevojë të shugurohet një plak ose prift i lartë përpara se të mund të paraqitet në një konferencë të kunjit. Kur ndodh kjo, ai paraqitet për mbështetje në mbledhjen e sakramentit të lagjes së tij. Ai më pas paraqitet në mbledhjen e ardhshme të konferencës së kunjit për ta ratifikuar shugurimin (duke e përshtatur procesin për mbështetjen, të përshkruar më lart).
18.10.4
Ai që e Kryen Ordinancën
Presidenti i kunjit ose një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke nën drejtimin e tij mund të shugurojë një burrë në detyrën e plakut. Me miratim nga presidenti i misionit, presidenti i distriktit ose dikush nën drejtimin e tij mund ta kryejë shugurimin (shihni te 6.3). Vetëm mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke mund të qëndrojnë në rreth.
Presidenti i kunjit ose një prift i lartë nën drejtimin e tij mund ta shugurojë një burrë në detyrën e priftit të lartë. Vetëm priftërinjtë e lartë mund të qëndrojnë në rreth.
Një person i cili shuguron një burrë në një detyrë të Priftërisë Melkizedeke, duhet të jetë i denjë për [të hyrë] në tempull. Presidenti i kunjit ose dikush që ai e cakton, duhet të jetë i pranishëm.
Një prift ose një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke mund ta shugurojë një vëlla në detyrën e dhjakut, të mësuesit ose priftit. Ai duhet të autorizohet nga peshkopi. Peshkopi ose dikush që ai e cakton, duhet të jetë i pranishëm.
Për të marrë pjesë në një shugurim në Priftërinë Aarone, një person duhet të jetë një prift ose mbajtës i Priftërisë Melkizedeke.
Një peshkop mund ta lejojë një baba i cili është një prift ose një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke, që të shugurojë birin e tij në detyrën e dhjakut, mësuesit ose priftit edhe nëse babai nuk është plotësisht i denjë për [të hyrë] në tempull (shihni te 18.3). Peshkopët i nxitin etërit që të përgatiten për t’i shuguruar vetë bijtë e tyre.
18.10.5
Udhëzime
Për të dhënë priftërinë dhe për ta shuguruar një person në një detyrë në priftëri, një ose më shumë mbajtës të autorizuar të priftërisë i vendosin duart e tyre lehtë mbi kokën e personit. Më pas ai që vepron si zëri:
-
E thërret personin me emrin e tij të plotë.
-
Shpall autoritetin që ai mban personalisht për të kryer ordinancën (qoftë Priftërinë Aarone ose Melkizedeke).
-
Jep Priftërinë Aarone ose Melkizedeke, nëse nuk është dhënë ende.
-
E shuguron personin në një detyrë në Priftërinë Aarone ose Melkizedeke dhe i jep të drejtat, fuqitë dhe autoritetin e asaj detyre.
-
Jep fjalë bekimi siç udhërrëfehet nga Shpirti.
-
E mbyll në emrin e Jezu Krishtit.
Për ta shuguruar një person në një detyrë të priftërisë pasi ai e ka pasur tashmë të dhënë mbi të priftërinë e duhur, personi që kryen ordinancën e lë pa kryer hapin 3.
18.10.6
Dokumenti dhe Certifikata e Shugurimit
Përpara se një vëlla të intervistohet për t’u shuguruar në një detyrë në Priftërinë Aarone, një nëpunës përdor sistemin LCR që të përgatitë një Dokument të Shugurimit në Priftërinë Aarone. Peshkopi ose një këshilltar i caktuar kryen intervistën dhe nënshkruan formularin nëse plotësohen të gjitha kushtet e denjësisë.
Pas shugurimit, peshkopi ose një këshilltar i caktuar e plotëson formularin dhe ia jep një nëpunësi. Ai e shënon shugurimin në sistemin LCR dhe përgatit një certifikatë shugurimi.
Emri aktual zyrtar i një personi duhet të përdoret në dokumentin dhe certifikatën e shugurimit.
18.11
Veçimi i Anëtarëve që të Shërbejnë në Thirrje
Anëtarët që thirren dhe mbështeten në shumicën e pozicioneve në Kishë, duhet të veçohen për të shërbyer në atë pozicion (shihni te Gjoni 15:16; Doktrina e Besëlidhje 42:11; shihni edhe te 3.4.3.1 në këtë manual). Gjatë veçimit, personit i jepet 1) autoriteti për të vepruar në atë thirrje dhe 2) fjalët e bekimit siç udhërrëfehen nga Shpirti.
Presidentët e kunjeve, peshkopët dhe presidentët e kuorumeve i marrin çelësat e presidencës kur veçohen (shihni te 3.4.1.1). Gjithsesi, fjala çelësa nuk duhet të përdoret kur anëtarët veçohen për të shërbyer në thirrje të tjera, përfshirë këshilltarët në presidencat.
18.11.1
Ai që e Kryen Veçimin
Veçimi kryhet nga një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke. Ai duhet të marrë miratim nga udhëheqësi i cili mban çelësat e duhur të priftërisë. Ata që autorizohen për të kryer një veçim, përmenden te 30.8. Një plak nuk duhet të veprojë si zëri ose të qëndrojë në rreth kur një burrë veçohet në një thirrje që kërkon që burri të jetë prift i lartë.
Nën drejtimin e udhëheqësit kryesues, një ose më shumë mbajtës të Priftërisë Melkizedeke mund të marrin pjesë në një veçim. Presidentët veçohen përpara këshilltarëve të tyre.
Një udhëheqës kryesues mund ta lejojë një bashkëshort ose baba, i cili mban Priftërinë Melkizedeke, që të qëndrojë në rrethin për veçimin e bashkëshortes ose fëmijëve të tij, edhe nëse ai nuk është plotësisht i denjë për [të hyrë] në tempull (shihni te 18.3).
18.11.2
Udhëzime
Një ose më shumë mbajtës të autorizuar të Priftërisë Melkizedeke i vendosin duart e tyre lehtë mbi kokën e personit. Më pas ai që vepron si zëri:
-
E thërret personin me emrin e tij ose të saj të plotë.
-
Thotë se ai po vepron me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke.
-
E veçon personin në thirrjen në kunj, lagje, kuorum ose klasë.
-
Jep çelësa nëse personi duhet t’i marrë ata.
-
Jep fjalë bekimi siç udhërrëfehet nga Shpirti.
-
E mbyll në emrin e Jezu Krishtit.
18.12
Përkushtimi i Vajit
Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke duhet ta përkushtojnë vajin e ullirit përpara se të përdoret për të vajosur të sëmurët ose të munduarit (shihni te Jakob [Bibël] 5:14). Nuk mund të përdoret asnjë vaj tjetër.
Anëtarët nuk duhet ta pinë vajin e përkushtuar ose ta vënë në pjesë të sëmura të trupit.
18.12.1
Ai që e Kryen Ordinancën
Një ose më shumë mbajtës të Priftërisë Melkizedeke mund ta përkushtojnë vajin. Ata nuk kanë nevojë të kërkojnë miratim nga një udhëheqës i priftërisë.
18.12.2
Udhëzime
Për ta përkushtuar vajin, një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke:
-
Mban një enë të hapur me vaj ulliri.
-
I drejtohet Atit Qiellor sikurse në lutje.
-
Thotë se ai po vepron me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke.
-
E përkushton vajin (jo enën) dhe e veçon për vajosjen dhe bekimin e të sëmurëve dhe të munduarve.
-
E mbyll në emrin e Jezu Krishtit.
18.13
Administrimi ndaj të Sëmurëve
Administrimi ndaj të sëmurëve “me anë të vënies së duarve” ka dy pjesë: vajosjen me vaj dhe vulosjen e vajosjes me një bekim. Nëse nuk ka vaj të përkushtuar në dispozicion, një bekim mund të jepet me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke pa një vajosje.
18.13.1
Ai që e Jep Bekimin
Vetëm mbajtësit e denjë të Priftërisë Melkizedeke mund të administrojnë ndaj të sëmurëve ose të munduarve. Ata nuk kanë nevojë të kërkojnë miratim nga një udhëheqës i priftërisë. Nëse është e mundur, një baba që mban Priftërinë Melkizedeke, administron ndaj pjesëtarëve të sëmurë të familjes së tij.
Normalisht dy ose më shumë mbajtës të Priftërisë Melkizedeke administrojnë ndaj të sëmurit. Megjithatë, një person mund të kryejë si vajosjen edhe vulosjen.
18.13.2
Udhëzime
Vajosja me vaj bëhet nga një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke. Ai:
-
Vendos një pikë vaji të shenjtëruar në kokën e personit.
-
I vendos duart e tij lehtë mbi kokën e personit dhe e thërret personin me emrin e tij ose të saj të plotë.
-
Thotë se ai po vepron me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke.
-
Thotë se po vajos me vaj i cili është përkushtuar për vajosjen dhe bekimin e të sëmurëve dhe të munduarve.
-
E mbyll në emrin e Jezu Krishtit.
Për të vulosur vajosjen, një ose më shumë mbajtës të Priftërisë Melkizedeke i vendosin duart e tyre lehtë mbi kokën e personit. Më pas ai që vulos vajosjen:
-
E thërret personin me emrin e tij ose të saj të plotë.
-
Thotë se ai po e vulos vajosjen me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke.
-
Jep fjalë bekimi siç udhërrëfehet nga Shpirti.
-
E mbyll në emrin e Jezu Krishtit.
18.14
Bekimet e Ngushëllimit dhe të Këshillimit, Përfshirë Bekimet e Atit
18.14.1
Ai që e Jep Bekimin
Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke mund t’u japin bekime ngushëllimi dhe këshille pjesëtarëve të familjes dhe njerëzve të tjerë që i kërkojnë ato.
Një baba që mban Priftërinë Melkizedeke, mund t’u japë bekimet e atit fëmijëve të tij. Prindërit i nxitin fëmijët e tyre që të kërkojnë bekimet e atit në kohë nevoje. Bekimet e atit mund të mbahen shënim për përdorim vetjak.
Një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke nuk ka nevojë të kërkojë miratim nga një udhëheqës i priftërisë për të dhënë një bekim ngushëllimi e këshillimi ose një bekim të atit.
18.14.2
Udhëzime
Për të dhënë një bekim ngushëllimi e këshille ose një bekim të atit, një ose më shumë mbajtës të Priftërisë Melkizedeke i vendosin duart lehtë mbi kokën e personit. Më pas ai që vepron si zëri:
-
E thërret personin me emrin e tij ose të saj të plotë.
-
Thotë se bekimi po kryhet me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke.
-
Jep fjalë bekimi, ngushëllimi dhe këshillimi, siç udhërrëfehet nga Shpirti.
-
E mbyll në emrin e Jezu Krishtit.
18.15
Përkushtimi i Shtëpive
Anëtarëve të Kishës mund t’u përkushtohen shtëpitë me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke.
18.15.2
Udhëzime
Për të përkushtuar një shtëpi, një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke:
-
I drejtohet Atit Qiellor sikurse në lutje.
-
Thotë se ai po vepron me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke.
-
Përkushton shtëpinë si një vend të shenjtë ku Shpirti i Shenjtë mund të banojë dhe jep fjalë të tjera siç udhërrëfehet nga Shpirti.
-
E mbyll në emrin e Jezu Krishtit.
18.16
Përkushtimi i Varreve
18.16.1
Ai që e Përkushton Varrin
Një person që përkushton një varr, duhet të mbajë Priftërinë Melkizedeke dhe të autorizohet nga udhëheqësi i priftërisë që drejton shërbesën.
18.16.2
Udhëzime
Për të përkushtuar një varr, një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke:
-
I drejtohet Atit Qiellor sikurse në lutje.
-
Thotë se ai po vepron me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke.
-
E përkushton dhe e shenjtëron vendin e varrit si vendin e prehjes për trupin e të ndjerit/ës.
-
Lutet që vendi të jetë i shenjtë dhe i mbrojtur deri në Ringjalljen (atje ku është e përshtatshme).
-
I kërkon Atit Qiellor që ta ngushëllojë familjen dhe i shpreh mendimet siç udhërrëfehet nga Shpirti.
-
E mbyll në emrin e Jezu Krishtit.
Nëse trupi i një anëtari të Kishës digjet, udhëheqësi kryesues përdor gjykimin e tij për të vendosur nëse do ta përkushtojë vendin ku mbahet hiri.
18.17
Bekimet Patriarkale
Çdo anëtar i denjë dhe i pagëzuar ka të drejtën të marrë një bekim patriarkal, i cili jep një drejtim të frymëzuar nga Ati Qiellor (shihni te Zanafilla 48:14–16; 49; 2 Nefi 4:3–11).
Peshkopi ose një këshilltar i caktuar i interviston anëtarët që dëshirojnë të marrin një bekim patriarkal. Nëse anëtari është i denjë, intervistuesi përgatit një Rekomandim për Bekimin Patriarkal. Ai e dorëzon atë nëpërmjet Sistemit të Bekimeve Patriarkale te ChurchofJesusChrist.org.
Personi që lëshon një Rekomandim për Bekimin Patriarkal, sigurohet që anëtari/ja është mjaft i/e pjekur për të kuptuar rëndësinë dhe natyrën e shenjtë të bekimit.
18.17.1
Marrja e Bekimit Patriarkal
Pasi e merr një rekomandim, anëtari lidhet me patriarkun që të caktojë një takim për të marrë një bekim patriarkal. Në ditën e takimit, anëtari duhet të shkojë te patriarku me një qëndrim plot lutje dhe me veshjen e së dielës.
Çdo bekim patriarkal është i shenjtë, konfidencial dhe vetjak. Prandaj, ai jepet privatisht, përveç një numri të kufizuar të pjesëtarëve të familjes që mund të jenë të pranishëm.
Një person që merr një bekim patriarkal, duhet t’i ruajë si thesar fjalët e tij, t’i përsiatë ato dhe të jetojë që të jetë i denjë për t’i marrë bekimet e premtuara në këtë jetë dhe në përjetësi.
Anëtarët e Kishës nuk duhet t’i krahasojnë bekimet dhe nuk duhet t’ua tregojnë ato të tjerëve përveç pjesëtarëve më të afërt të familjes. Bekimet patriarkale nuk duhet të lexohen në mbledhjet e Kishës ose në grumbullime të tjera publike.