“2. Përkrahja e Individëve dhe Familjeve në Veprën e Perëndisë për Shpëtimin dhe Ekzaltimin”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm (2023).
“2. Përkrahja e Individëve dhe Familjeve”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm.
2.
Përkrahja e Individëve dhe Familjeve në Veprën e Perëndisë për Shpëtimin dhe Ekzaltimin
2.0
Parathënia
Si udhëheqës/e në Kishën e Jezu Krishtit, ju përkrahni individët dhe familjet në përmbushjen e veprës së Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin (shihni te 1.2). Qëllimi përfundimtar i kësaj vepre është t’i ndihmojë të gjithë fëmijët e Perëndisë që të marrin bekimet e jetës së përjetshme dhe një plotësi të gëzimit.
Shumica e veprës së Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin përmbushet nëpërmjet familjes. Për të gjithë anëtarët e Kishës, kjo vepër e ka qendrën në shtëpi.
2.1
Roli i Familjes në Planin e Perëndisë
Si pjesë e planit të Tij, Ati Qiellor ka krijuar familje në tokë. Ai ka si qëllim që familjet të na sjellin lumturi. Familjet sigurojnë mundësi për të mësuar, për t’u rritur, për të shërbyer, për t’u penduar dhe për të falur. Ato mund të na ndihmojnë të përgatitemi për jetën e përjetshme.
Premtimi i Perëndisë për jetën e përjetshme përfshin martesë të përjetshme, fëmijë dhe të gjitha bekimet e tjera të një familjeje të përjetshme. Ky premtim gjen zbatim për ata që nuk janë aktualisht të martuar ose janë pa familje në Kishë.
2.1.1
Familjet e Përjetshme
Familjet e përjetshme formohen kur anëtarë të Kishës bëjnë besëlidhje teksa marrin ordinancat vulosëse në tempull. Bekimet e një familjeje të përjetshme realizohen kur anëtarët i mbajnë ato besëlidhje, si edhe kur pendohen kur nuk ia dalin t’i mbajnë. Udhëheqësit e Kishës i ndihmojnë anëtarët të përgatiten për t’i marrë këto ordinanca dhe për t’i nderuar besëlidhjet e tyre.
Një aspekt shtesë në krijimin e familjeve të përjetshme, është kryerja e ordinancave në tempull, të cilat i lejojnë anëtarët të vulosen me paraardhësit e tyre të vdekur.
2.1.2
Bashkëshorti dhe Bashkëshortja
Martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia (shihni te Doktrina e Besëlidhje 49:15). Një bashkëshort e një bashkëshorte kanë për qëllim që të përparojnë së bashku drejt jetës së përjetshme (shihni te 1 Korintasve 11:11).
Njëra nga kërkesat për të fituar jetë të përjetshme është që një burrë e një grua të hyjnë në besëlidhjen e martesës çelestiale (shihni te Doktrina e Besëlidhje 131:1–4). Një çift e bën këtë besëlidhje kur ata e marrin në tempull ordinancën vulosëse të martesës. Kjo besëlidhje është themeli i një familjeje të përjetshme. Kur mbahet me besnikëri, ajo lejon që martesa e tyre të durojë përgjithmonë.
Intimiteti fizik midis bashkëshortit e bashkëshortes synohet që të jetë i bukur dhe i shenjtë. Ai është shuguruar nga Perëndia për krijimin e fëmijëve dhe për shprehjen e dashurisë midis bashkëshortit e bashkëshortes. Butësia dhe respekti – jo egoizmi – duhet ta udhërrëfejnë marrëdhënien e tyre intime.
Perëndia ka urdhëruar që intimiteti seksual duhet të rezervohet për martesën midis një burri dhe një gruaje.
Një bashkëshort e një bashkëshorte janë të barabartë në sytë e Perëndisë. Njëri nuk duhet të sundojë mbi tjetrin. Vendimet e tyre duhet të merren në unitet e dashuri, me pjesëmarrje të plotë nga të dy.
2.1.3
Prindërit dhe Fëmijët
Profetët e ditëve të mëvonshme kanë dhënë mësim se “urdhërimi i Perëndisë për fëmijët e Tij që të shumohen dhe të mbushin tokën, mbetet i vlefshëm” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”; shihni edhe te Doktrina e Besëlidhje 49:16–17).
Një bashkëshort e një bashkëshorte që e duan njëri‑tjetrin, sigurojnë së bashku mjedisin më të mirë për t’i rritur dhe ushqyer shpirtërisht fëmijët. Rrethanat individuale mund t’i pengojnë prindërit që t’i rritin fëmijët e tyre së bashku. Megjithatë, Zoti do t’i bekojë ata kur kërkojnë ndihmën e Tij dhe përpiqen fort t’i mbajnë besëlidhjet e tyre me Të.
Prindërit kanë përgjegjësinë jetike që t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të përgatiten për të marrë bekimet e jetës së përjetshme. Ata u mësojnë fëmijëve të tyre t’i duan dhe t’u shërbejnë Perëndisë dhe njerëzve të tjerë (shihni te Mateu 22:36–40).
“Etërit duhet të kryesojnë familjet e tyre me dashuri e drejtësi dhe janë përgjegjës për të siguruar gjërat e nevojshme të jetës dhe mbrojtje për familjet e tyre” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”). Kur në shtëpi nuk ka një bashkëshort ose baba, nëna kryeson mbi familjen.
Kryesimi në familje është përgjegjësia për të ndihmuar që të udhëhiqen pjesëtarët e familjes për t’u kthyer që të banojnë në praninë e Perëndisë. Kjo bëhet nëpërmjet shërbimit dhe mësimdhënies me butësi, përulësi dhe dashuri të pastër, duke ndjekur shembullin e Jezu Krishtit (shihni te Mateu 20:26–28). Kryesimi në familje përfshin udhëheqjen e pjesëtarëve të familjes në lutje, studim të rregullt të shkrimeve të shenjta dhe aspekte të tjera të adhurimit. Prindërit veprojnë në unitet për t’i përmbushur këto përgjegjësi.
“Nënat janë kryesisht përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të tyre” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”). Të edukosh do të thotë të ushqesh shpirtërisht, të japësh mësim dhe përkrahje, duke ndjekur shembullin e Shpëtimtarit (shihni te 3 Nefi 10:4). Në unitet me bashkëshortin e saj, një nënë e ndihmon familjen e saj të mësojë të vërtetat e ungjillit dhe të zhvillojë besim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Së bashku ata nxitin në familje një mjedis dashurie.
“Në këto përgjegjësi të shenjta, etërit dhe nënat kanë detyrimin ta ndihmojnë njëri-tjetrin si partnerë të barabartë” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”). Ata me lutje këshillohen së bashku dhe me Zotin.
2.2
Vepra e Perëndisë për Shpëtimin dhe Ekzaltimin në Shtëpi
Presidenca e Parë tha: “Shtëpia është baza e një jete të drejtë” (letër e Presidencës së Parë, 11 shkurt 1999).
Për t’i përkrahur anëtarët në kryerjen e veprës së Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin në shtëpi, udhëheqësit e Kishës i nxitin ata që të krijojnë një shtëpi ku Shpirti është i pranishëm. Ata gjithashtu i nxitin anëtarët që ta nderojnë ditën e Shabatit, ta studiojnë e ta mësojnë ungjillin në shtëpi dhe të mbajnë mbrëmje të shtëpisë çdo javë.
2.2.3
Studimi dhe të Mësuarit e Ungjillit në Shtëpi
Mësimdhënia dhe të mësuarit e ungjillit janë të përqendruara te shtëpia dhe të përkrahura nga Kisha. Udhëheqësit e Kishës i nxitin të gjithë anëtarët ta studiojnë ungjillin në shtëpi në ditën e Shabatit dhe gjatë gjithë javës.
Një studim i shkrimeve të shenjta siç përvijohet tek Eja, Më Ndiq është kursi i sugjeruar për studimin e ungjillit në shtëpi.
2.2.4
Mbrëmja e Shtëpisë dhe Veprimtari të Tjera
Profetët e ditëve të mëvonshme i kanë këshilluar anëtarët e Kishës që të mbajnë mbrëmje të shtëpisë çdo javë. Kjo është një kohë e shenjtë që individët dhe familjet të mësojnë ungjillin, të forcojnë dëshmitë, të ndërtojnë unitet dhe të gëzohen me njëri‑tjetrin.
Mbrëmja e shtëpisë është e ndryshueshme sipas rrethanave të anëtarëve. Mund të zhvillohen në Shabat ose në ditë dhe kohë të tjera. Ajo mund të përfshijë:
-
Studimin dhe udhëzimin e ungjillit (materialet e programit Eja, Më Ndiq mund të përdoren sipas dëshirës).
-
Shërbimin ndaj të tjerëve.
-
Të kënduarit ose të luajturit e himneve dhe këngëve të Fillores (shihni te kapitulli 19).
-
Përkrahjen e pjesëtarëve të familjes për programin Zhvillimi i Fëmijëve dhe Rinisë.
-
Një këshill familjar që të vendosë synime, të zgjidhë probleme dhe të bashkërendojë oraret.
-
Veprimtaritë argëtuese.
Anëtarët beqarë dhe njerëz të tjerë mund të mblidhen në grupe jashtë shërbesave të zakonshme të adhurimit në Shabat që të marrin pjesë në mbrëmjen e shtëpisë dhe ta forcojnë njëri‑tjetrin nëpërmjet studimit të ungjillit.
2.2.5
Përkrahja e Individëve
Udhëheqësit e Kishës i ndihmojnë anëtarët të cilët kanë nevojë për përkrahje shtesë. Udhëheqësit i ndihmojnë këta anëtarë dhe familjet e tyre që të kenë mundësi shoqërimi, përvoja të dobishme shoqërore dhe rritje shpirtërore.
2.3
Marrëdhënia midis Shtëpisë dhe Kishës
Vepra e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin është e përqendruar te shtëpia dhe e përkrahur nga Kisha. Parimet vijuese gjejnë zbatim në marrëdhënien midis shtëpisë dhe Kishës.
-
Udhëheqësit/et dhe mësuesit/et i nderojnë rolet e prindërve dhe i ndihmojnë ata.
-
Disa mbledhje të Kishës janë thelbësore në çdo lagje ose degë. Këto përfshijnë mbledhjen e sakramentit, klasat dhe mbledhjet e kuorumeve që zhvillohen në Shabat. Shumë mbledhje, aktivitete dhe programe të tjera nuk janë thelbësore.
-
Zoti do t’i bekojë anëtarët teksa shërbejnë dhe sakrifikojnë në Kishën e Tij. Sidoqoftë sasia e kohës që i kushtohet shërbimit në Kishë, nuk duhet ta zvogëlojë aftësinë e anëtarëve për të përmbushur përgjegjësitë e tyre në shtëpi, në punë dhe kudo tjetër.