Manualet dhe Thirrjet
3. Parimet e Priftërisë


“3. Parimet e Priftërisë”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm (2023).

“3. Parimet e Priftërisë”, Përzgjedhje nga Manuali i Përgjithshëm

familje duke ecur pranë tempullit

3.

Parimet e Priftërisë

3.0

Parathënia

Priftëria është autoriteti dhe fuqia e Perëndisë. Nëpërmjet priftërisë, Ati Qiellor e përmbush veprën e Tij që “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Perëndia u jep autoritet dhe fuqi bijve dhe bijave të Tij në tokë për t’i ndihmuar që ta kryejnë këtë vepër (shihni te kapitulli 1).

3.2

Bekimet e Priftërisë

Nëpërmjet besëlidhjeve dhe ordinancave të priftërisë, Perëndia vë bekime të mëdha në dispozicion të të gjithë fëmijëve të Tij. Këto bekime përfshijnë:

  • Pagëzimin dhe anëtarësinë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

  • Dhuratën e Frymës së Shenjtë.

  • Marrjen e sakramentit.

  • Autoritetin dhe fuqinë për të shërbyer në thirrje dhe detyra të Kishës.

  • Marrjen e bekimeve patriarkale dhe bekimeve të tjera të priftërisë për shërim, ngushëllim dhe udhërrëfim.

  • Dhurimin me fuqinë e Perëndisë në tempull.

  • Vulosjen e një personi për përjetësinë me pjesëtarët e familjes së vet.

  • Premtimin e jetës së përjetshme.

3.3

Priftëria Melkizedeke dhe Priftëria Aarone

Në Kishë, priftëria ka dy pjesë: Priftërinë Melkizedeke dhe Priftërinë Aarone (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:1).

3.3.1

Priftëria Melkizedeke

Priftëria Melkizedeke është “Priftëria e Shenjtë, sipas Urdhrit të Birit të Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 107:3). Është fuqia me anë të së cilës bijtë dhe bijat e Perëndisë mund të bëhen si Ai (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:19–21; 132:19–20).

Nëpërmjet këtij autoriteti, udhëheqësit e Kishës e drejtojnë dhe administrojnë të gjithë punën shpirtërore të Kishës (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:18).

Presidenti i kunjit është prifti i lartë kryesues në kunj (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:8, 10; shihni edhe te kapitulli 6 në këtë manual). Peshkopi është prifti i lartë kryesues në lagje (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:17; shihni edhe te kapitulli 7 në këtë manual).

Për informacion rreth detyrave dhe përgjegjësive të Priftërisë Melkizedeke, shihni te 8.1.

3.3.2

Priftëria Aarone

Priftëria Aarone është “një shtesë e … Priftërisë Melkizedeke” (Doktrina e Besëlidhje 107:14). Ajo përfshin çelësat e:

  • Shërbesës së engjëjve.

  • Ungjillit të pendimit.

  • Administrimit të ordinancave të jashtme, përfshirë pagëzimin për heqjen e mëkateve.

(Shihni te Doktrina e Besëlidhje 13:1; 84:26–27; 107:20.)

Peshkopi është presidenti i Priftërisë Aarone në lagje (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:15).

Për informacion rreth detyrave dhe përgjegjësive të Priftërisë Aarone, shihni te 10.1.3.

3.4

Autoriteti i Priftërisë

Autoriteti i priftërisë është autorizimi për të përfaqësuar Perëndinë dhe për të vepruar në emrin e Tij. Në Kishë, i gjithë autoriteti i priftërisë ushtrohet nën drejtimin e atyre që mbajnë çelësat e priftërisë.

3.4.1

Çelësat e Priftërisë

Çelësat e priftërisë janë autoriteti për të drejtuar përdorimin e priftërisë në emër të fëmijëve të Perëndisë.

3.4.1.1

Njerëzit që Mbajnë Çelësat e Priftërisë

Zoti i ka dhënë secilit prej Apostujve të Tij të gjithë çelësat që i përkasin mbretërisë së Perëndisë në tokë. Apostulli i gjallë, me kohë më të gjatë në detyrë, Presidenti i Kishës, është i vetmi person në tokë i autorizuar për t’i ushtruar të gjithë ata çelësa të priftërisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 81:1–2; 107:64–67, 91–92; 132:7).

Nën drejtimin e Presidentit të Kishës, udhëheqësve vijues të priftërisë u jepen çelësa që të mund të kryesojnë në fushat e tyre të përgjegjësisë:

  • Presidentët e kunjeve dhe të distrikteve.

  • Peshkopët dhe presidentët e degëve.

  • Presidentët e kuorumeve të Priftërisë Melkizedeke dhe Aarone.

  • Presidentët e tempujve.

  • Presidentët e misioneve dhe presidentët e qendrave të trajnimit të misionarëve.

Këta udhëheqës marrin çelësa të priftërisë kur veçohen në thirrjet e tyre.

Çelësat e priftërisë nuk u jepen të tjerëve, përfshirë këshilltarëve të udhëheqësve vendorë të priftërisë ose presidentëve dhe presidenteve vendore të organizatave të Kishës. Presidentët/et e organizatave të Kishës kryesojnë nën drejtimin e atyre që mbajnë çelësat e priftërisë (shihni te 4.2.4).

3.4.1.2

Rregulli në Veprën e Zotit

Çelësat e priftërisë sigurojnë që vepra e Zotit për shpëtimin dhe ekzaltimin të përmbushet në një mënyrë të rregullt (shihni te Doktrina e Besëlidhje 42:11; 132:8). Ata që mbajnë çelësat e priftërisë, e drejtojnë veprën e Zotit brenda fushave të tyre të përgjegjësisë. Ky autoritet kryesues është i vlefshëm vetëm për përgjegjësitë e veçanta të thirrjes së udhëheqësit. Kur udhëheqësit e priftërisë lirohen nga thirrjet e tyre, ata nuk i mbajnë më këta çelësa.

3.4.2

Dhënia e Priftërisë dhe Shugurimi në Priftëri

Nën drejtimin e atyre që mbajnë çelësat e priftërisë, Priftëria Aarone dhe Priftëria Melkizedeke u jepen anëtarëve të denjë meshkuj të Kishës (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:14–17). Pasi jepet priftëria e duhur, personi shugurohet në një detyrë në atë priftëri, si për shembull dhjak ose plak. Një mbajtës i priftërisë e ushtron priftërinë sipas të drejtave dhe caktimeve të asaj detyre (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:99).

Për më shumë informacion rreth dhënies së priftërisë dhe shugurimit në priftëri, shihni te 8.1.1 dhe 18.10.

3.4.3

Delegimi i Autoritetit të Priftërisë për të Shërbyer në Kishë

3.4.3.1

Veçimi

Kur anëtarët e Kishës veçohen nën drejtimin e atyre që mbajnë çelësat e priftërisë, atyre u jepet autoritet nga Perëndia për të vepruar në atë thirrje. Për shembull:

  • Një gruaje që thirret dhe veçohet nga peshkopi si presidente e Shoqatës së Ndihmës së lagjes, i jepet autoritet që të drejtojë punën e Shoqatës së Ndihmës në lagje.

Të gjithë ata që thirren dhe veçohen, shërbejnë nën drejtimin e atyre që kryesojnë mbi ta (shihni te 3.4.1.2).

Kur lirohen nga një thirrje, ata nuk e kanë më autoritetin që shoqërohej me të.

3.4.3.2

Caktimi

Udhëheqësit kryesues të Kishës mund të delegojnë autoritet me anë të caktimit. Kur burrat dhe gratë i marrin këto caktime, atyre u jepet autoritet nga Perëndia për të vepruar. Për shembull:

  • Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve u delegojnë autoritet Të Shtatëdhjetëve, të cilët caktohen për të administruar në zona dhe për të kryesuar në konferencat e kunjeve.

  • Anëtarëve të Kishës u delegohet autoritet për të shërbyer si vëllezër shërbestarë dhe motra shërbestare.

Autoriteti që delegohet me anë të caktimit, kufizohet vetëm për përgjegjësitë e veçanta dhe kohëzgjatjen e caktimit.

3.4.4

Ushtrimi i Autoritetit të Priftërisë me Drejtësi

Ky autoritet mund të përdoret vetëm me drejtësi (shihni te Doktrina e Besëlidhje 121:36). Ai ushtrohet me anë të bindjes, durimit, mirësjelljes, zemërbutësisë, dashurisë dhe mirësisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 121:41–42).

Ata që ushtrojnë autoritet priftërie, nuk e detyrojnë vullnetin e tyre mbi të tjerët. Ata nuk e përdorin atë për qëllime egoiste.

3.5

Fuqia e Priftërisë

Fuqia e priftërisë është fuqia e Perëndisë, të cilën Ai e përdor për të bekuar fëmijët e Tij. Fuqia e priftërisë së Perëndisë rrjedh tek të gjithë anëtarët e Kishës – femra e meshkuj – kur ata i mbajnë besëlidhjet që kanë bërë me Të. Anëtarët i bëjnë këto besëlidhje kur marrin ordinancat e priftërisë. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:19–20.)

Bekimet e fuqisë së priftërisë që mund t’i marrin anëtarët, përfshijnë:

  • Udhërrëfim për jetën e tyre.

  • Zbulesë për të ditur se si ta përmbushin punën për të cilën ata shugurohen, veçohen ose caktohen që të bëjnë.

  • Ndihmë dhe forcë që të bëhen më shumë si Jezu Krishti dhe Ati Qiellor.

3.5.1

Besëlidhjet

Një besëlidhje është një premtim i shenjtë midis Perëndisë dhe fëmijëve të Tij. Perëndia jep kushtet për besëlidhjen dhe fëmijët e Tij bien dakord t’u binden atyre kushteve. Perëndia premton t’i bekojë fëmijët e Tij kur ata e përmbushin besëlidhjen.

Të gjithë ata që durojnë deri në fund në mbajtjen e besëlidhjeve të tyre, do të marrin jetë të përjetshme (shihni te 2 Nefi 31:17–20; Doktrina e Besëlidhje 14:7).

Prindërit, udhëheqësit e Kishës dhe njerëz të tjerë i ndihmojnë individët të përgatiten që të bëjnë besëlidhje kur ata marrin ordinancat e ungjillit. Ata sigurohen që personi i kupton besëlidhjet që ai ose ajo do të bëjë. Pasi një person bën një besëlidhje, ata e ndihmojnë që ta mbajë atë. (Shihni te Mosia 18:8–11, 23–26.)

3.5.2

Ordinancat

Një ordinancë është një akt i shenjtë që kryhet me anë të autoritetit të priftërisë.

Në shumë ordinanca, individët bëjnë besëlidhje me Perëndinë. Shembujt përfshijnë pagëzimin, sakramentin, dhurimin në tempull dhe ordinancën vulosëse të martesës.

Ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit janë thelbësore për jetën e përjetshme. Për më shumë informacion, shihni te 18.1.

3.6

Priftëria dhe Shtëpia

Të gjithë anëtarët e Kishës që i mbajnë besëlidhjet e tyre – gra, burra e fëmijë – bekohen me fuqinë e priftërisë së Perëndisë në shtëpitë e tyre për të forcuar vetveten dhe familjet e tyre (shihni te 3.5). Kjo fuqi do t’i ndihmojë anëtarët për kryerjen e veprës së Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin në jetën e tyre vetjake dhe në familjet e tyre (shihni te 2.2).

Burrat që mbajnë Priftërinë Melkizedeke, mund t’u japin bekime të priftërisë pjesëtarëve të familjes për t’u siguruar drejtim, shërim e ngushëllim. Kur është e nevojshme, anëtarët e Kishës mund t’i kërkojnë këto bekime edhe nga pjesëtarë të rrethit familjar, nga vëllezërit shërbestarë ose udhëheqësit vendorë të Kishës.