Mësimi i Gjuhës Angleze
Si Mund ta Përmirësoj Mësimdhënien Time?


“Si Mund ta Përmirësoj Mësimdhënien Time?”, Programi EnglishConnect për Mësuesit (2023)

“Si Mund ta Përmirësoj Mësimdhënien Time?”, Programi EnglishConnect për Mësuesit

grup nxënësish duke u ushtruar

Si Mund ta Përmirësoj Mësimdhënien Time?

Ashtu si nxënësit do të përmirësohen me kalimin e kohës, juve gjithashtu do t’ju rritet vetëbesimi dhe do të përmirësoheni me kalimin e kohës. Zoti do t’ju përkrahë ndërsa u shërbeni dhe i ndihmoni nxënësit në grupin tuaj. Ai do t’ju mësojë “rresht pas rreshti, parim pas parimi” (2 Nefi 28:30). Mirëbesoni se Ati Qiellor do t’ju ndihmojë teksa e kërkoni Shpirtin dhe punoni për t’u përmirësuar.

Strategjitë për Mësimdhënien e një Gjuhe

Më poshtë janë disa strategji për mësimdhënien e gjuhës angleze. Ndryshe nga orët e gjuhës që përqendrohen në mësimin e gramatikës, ushtrimin e fjalorit ose ushtrimin e shqiptimit, grupet e bashkëbisedimit EnglishConnect përqendrohen te ndihma ndaj nxënësve për ta përdorur gjuhën në mënyra kuptimplota. Ndërsa i vini në zbatim këto strategji, do të jeni në gjendje t’i ndihmoni më mirë nxënësit.

Flisni Anglisht

Të folurit anglisht i ndihmon nxënësit të përparojnë dhe është një mënyrë e rëndësishme për të kërkuar dhuratën e gjuhëve. Bëni më të mirën tuaj për të folur vetëm anglisht dhe ftojini nxënësit të bëjnë po ashtu. Përdorni fjalor të thjeshtë dhe fjali të shkurtra. Flisni me ngadalë dhe përsëritini fjalët dhe frazat sipas nevojës. Pasi të bëni një pyetje, jepuni nxënësve kohë të bollshme për t’u menduar dhe përgjigjur. Përdorni fjalët dhe modelet të cilat po i ushtrojnë nxënësit aktualisht. Ndërsa i drejtoni veprimtaritë, mund t’i referoni nxënësit tek udhëzimet e përkthyera për veprimtaritë, të siguruara në manualet EnglishConnect për nxënësit.

2:11

Demonstrojini Veprimtaritë

T’ua tregoni nxënësve se çfarë të bëjnë është shpesh më e dobishme sesa t’u thoni se çfarë të bëjnë. Përdoreni shembullin e bashkëbisedimit në fillim të çdo veprimtarie për të krijuar një model të asaj që nxënësit do të bëjnë teksa ushtrohen. Ju mund t’i luani të dyja rolet në bashkëbisedim ose mund t’u kërkoni nxënësve t’ju ndihmojnë t’i demonstroni.

Nxitni Bashkëbisedimin

Nxënësit do të fitojnë vetëbesim dhe do të mësojnë më shpejt ndërsa e ushtrojnë përdorimin e gjuhës. Mos u merakosni për të korrigjuar çdo gabim; thjesht ndihmojini nxënësit të përfshihen në bashkëbisedim. Planifikojeni kohën tuaj në mënyrë që pjesa më e madhe e kohës në grup të kalohet me bashkëbisedimet me partnerin/en.

2:16

Përkraheni Përsëritjen

Ushtrimi i përsëritjes ndërton vetëbesim dhe rrjedhshmëri. Nxitini nxënësit t’i ndërrojnë partnerët dhe të ushtrohen përsëri. Ndryshimi i partnerëve u jep nxënësve më shumë mundësi për të dëgjuar e mësuar gjëra të reja. Kur nxënësit e përdorin atë që dinë me njerëz të ndryshëm, ajo i ndihmon ata ta përforcojnë atë që po mësojnë. Ajo gjithashtu e rrit vetëbesimin e tyre dhe kultivon shoqërimin.

Fuqizojini Nxënësit

Nxënësit kanë nevojë ta ndiejnë dashurinë dhe inkurajimin tuaj. Ndihmojini nxënësit ta mposhtin frikën duke e përgëzuar çdo përpjekje për të folur anglisht. Vëzhgojeni dhe angazhohuni te secili grup, dhe mbani vesh ndërsa nxënësit janë duke u ushtruar me njëri‑tjetrin. Lavdërojini shpesh. Ushtrohuni bashkë me ta dhe ndihmojini të përjetojnë sukses. Vërjuani në dukje të gjitha mënyrat në të cilat po mësojnë dhe përmirësohen. Ndërsa i doni dhe nxitni nxënësit, ju krijoni një mjedis besimi, shoqërimi dhe rritjeje.

Përmirësimi si Mësues i Ngjashëm me Krishtin

Duke qenë një mësues i programit EnglishConnect, ju keni një mundësi të pashembullt për t’u dhënë shërbesë të tjerëve. Parimet e mësimdhënies si të Krishtit gjejnë zbatim për ju. Ju mund t’i mësoni dhe vini në zbatim parimet nga burimi Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit (2022). Nën drejtimin e udhëheqësit tuaj të priftërisë, ju mund të merrni pjesë në mbledhjet e këshillit të mësuesve. Ju gjithashtu mund të vlerësoni herë pas here se si po ecni dhe të përcaktoni fushat ku mund të përmirësoheni duke përdorur pjesën “Përmirësimi si Mësues i Ngjashëm me Krishtin – Një Vlerësim Vetjak” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 37). Dallojeni atë që jeni duke bërë mirë. Përcaktojini fushat ku dëshironi të përmirësoheni dhe bëni plane të posaçme për t’i vënë në zbatim ato që po mësoni.

Mos harroni se gjëja më e rëndësishme që mund të bëni, është t’i doni nxënësit dhe të kërkoni të udhërrëfeheni nga Shpirti ndërsa kultivoni besimin, shoqërimin dhe rritjen.