“Cili Është Roli i Mësuesit?”, Programi EnglishConnect për Mësuesit (2023)
“Cili Është Roli i Mësuesit?”, Programi EnglishConnect për Mësuesit
Cili Është Roli i Mësuesit?
Roli juaj si mësues/e i/e programit EnglishConnect është t’i ndihmoni nxënësit të zhvillojnë aftësitë e bashkëbisedimit në anglisht në një mjedis besimi, shoqërimi dhe rritjeje. Shpirti është mësuesi i vërtetë. Ju mund t’i ndihmoni nxënësit ta ndiejnë Shpirtin, të ndiejnë se kanë përkatësi dhe të ndihen vetëbesues se me ndihmën e Atit Qiellor mund të mësojnë anglisht. Ju do t’i ndihmoni nxënësit ndërsa përqendroheni tek ajo sa vijon:
Kultivojeni Besimin
Nxitini nxënësit të kërkojnë ndihmën e Zotit dhe ta dallojnë atë për të mësuar anglisht. Nxitini ata t’i zbatojnë parimet e të mësuarit “me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (Doktrina e Besëlidhje 88:118). Ndihmojini nxënësit t’i dallojnë dashurinë, fuqinë dhe mëshirën e Zotit në jetën e tyre. Ftojini ata të tregojnë përvoja që ndërtojnë besim. Tregoni përvojat tuaja rreth marrjes së ndihmës së Zotit. (Shihni pjesën “Ndihmojini Nxënësit të Vijnë te Jezu Krishti” te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit [2022].)
Kultivojeni Shoqërimin
Ftojeni Shpirtin duke i ndihmuar nxënësit ta duan dhe përkrahin njëri‑tjetrin. Ndihmojini ata ta ndiejnë dashurinë e Perëndisë. Krijoni një mjedis mikpritës ku të gjithë nxënësit ndiejnë se kanë përkatësi. Njihuni me nxënësit dhe ndihmojini të njohin njëri‑tjetrin. Ndihmojini të krijojnë vetëbesim ndërsa ushtrohen, bëjnë gabime dhe përmirësohen së bashku. (Shihni pjesën “Duajini Ata të Cilëve u Jepni Mësim” te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit [2022].)
Kultivoni Rritjen
Ndihmojini nxënësit të veprojnë me besim për ta ushtruar gjuhën angleze dhe për t’u përmirësuar. Disa nxënësve mund t’ju mungojë vetëbesimi në aftësitë e tyre për të mësuar anglisht. Ju mund të ndihmoni. Kur u flisni anglisht atyre, tregoni besimin tuaj se Perëndia mund t’i ndihmojë ata të mësojnë. Nxitini nxënësit të flasin anglisht. Lavdërojini përpjekjet e tyre. Ndihmojini nxënësit të kujtojnë se përse po mësojnë anglisht. Nxitini ata të vendosin synime dhe ta ushtrojnë anglishten çdo ditë. (Shihni pjesën “Ftoni të Mësuarit me Zell” te Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit [2022].)
Roli Im
-
Unë e kultivoj besimin duke i ndihmuar nxënësit të kërkojnë ndihmën e Zotit dhe ta dallojnë atë për të mësuar anglisht.
-
Unë e kultivoj shoqërimin dhe e ftoj Shpirtin duke i ndihmuar nxënësit ta duan dhe përkrahin njëri‑tjetrin.
-
Unë e kultivoj rritjen duke i ndihmuar nxënësit të veprojnë me besim për ta ushtruar anglishten dhe për t’u përmirësuar.